LAJMI I FUNDIT:

Pema gjenealogjike e familjes së Skënderbeut

Pema gjenealogjike e familjes së Skënderbeut

Dashnor Kaloçi

Historia e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ka ngjallur vazhdimisht një interes të madh, dhe me figurën, jetën, veprën, betejat, luftërat, diplomacinë e tij, etj. janë marrë breza të tërë kronikanësh, studiuesish, historianësh, shqiptarë dhe të huaj, që nga periudha e tij e deri në ditë tona. Dhe, si rezultat, janë shkruar me dhjetëra studime dhe libra të ndryshëm si nga të huajt ashtu dhe nga autorë e historianë shqiptarë. Por, edhe pse në Shqipëri ka një numër të madh studimesh e librash për figurën e Skënderbeut, që fillojnë që nga periudha e Rilindjes sonë kombëtare, e sidomos pas vitit 1968 kur u festua me bujë të madhe 500 vjetori i tij, asnjëherë nuk është bërë e mundur që të botohet pema gjenealogjike e familjes së tij të Kastriotëve.


Por, ajo që nuk është bërë dot në Shqipëri, është arritur dhe është bërë nga diaspora shqiptare që jeton në Itali, në vitin 1968 me rastin e festimeve të 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Kjo gjë, pra pema gjenealogjike e familjes së Skënderbeut, është botuar në revistën “Koha Jonë” që dilte në Itali nga viti 1962 deri në 1990-ën, prej Isa Ndreut (i biri i Cen Elezit, pinjoll i familjes së famshme Ndreu nga Sllova e Dibrës), si botues, dhe Lec Shllakut si editor.

Pema gjenealogjike e familjes së Kastriotëve të cilën po e botojmë ekskluzivisht për gazetën Tema në këtë shkrim, fillon që nga viti 1405 e shtrihet deri në vitin 1963, kur ajo është përmbledhur prej njërit të pinjollëve të saj (Gjergj Kastriotit), i cili në vitin 1968 ia ka dorëzuar atë për botim z. Lec Shllaku (me origjinë nga Shkodra, emigrant politik në Francë e Itali), me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.

Ndreu me Shllakun njihen gjithashtu edhe si dy shqiptarët që bënë të mundur që një sheshi në Paris, t’i vihej emri “Skënderbej”, gjë të cilën atyre ua mundësoi kryetari i Bashkisë së Parisit, Zhak Shirak (Jacques Chirac), pasi ata më parë kishin ndihmuar dhe financuar fushatën e tij elektorale. Kështu, pas shumë bisedimeve që Isai me Lec Shllakun zhvilluan me mikun e tyre të ngushtë Shirak, ai mblodhi Këshillin Bashkiak të Parisit, i cili në datën 10 korrik të vitit 1978, me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, mori vendimin zyrtar dhe i akordoi emrin e Skënderbeut njërit prej shesheve në qendër të Parisit, i cili më parë quhej “Villa Lumier”.

Pas marrjes së këtij vendimi, ceremonia zyrtare për dhënien e emrit “Skënderbej” atij sheshi, u zhvillua më datën 6 dhe 7 maj të vitit 1980-të, ku morën pjesë me dhjetëra personalitete të mërgatës antikomuniste shqiptare nga shumë vende të botës. Në atë ceremoni madhështore, mungoi vetëm ambasadori i Shqipërisë. Pas kësaj, në shenjë mirënjohje dhe respekti, Lec Shllaku me Isa Ndreun i akorduan një medalje ari kryebashkiakut Shirak, e cila iu dhurua me një ceremoni madhështore në Paris, ku morën pjesë personalitete nga e gjithë mërgata antikomuniste shqiptare. /Tema/

Shkrimi i Lec Shllakut, editorit të revistës “Koha Jonë”, Itali 1968: Fisniku dhe pasardhësi i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, me rastin e Jubileut të revistës, na ka drejtue urime dhe nji pemë Gjenealogjike të Familjes Kastrioti, të cilën po e botojmë në këto dy shtylla. Fisniku mban emrin Giorgo Castriota Scanderbeg, si emni i stërgjyshit, Heroit tonë Kombëtar, dhe banon me familje në rrethe të Napolit. Rreth familjes së Kastriotëve dhe brez-nive, të njimbasnjishme, gjtë shekujve, kemi pasë dijeni të përcipta e të errta, dhe për këto arsye jemi interesue me gjetë

vërtetime dhe dokumenta sqaruese, drejtë për së drejti nga vetë Familja e Kastriotëve, me të cilën që në kohën e pagëzimit të Sheshit Skëndërbej, në Paris, qemë ndërlidhë. Siç dihet, Familja e Skëndërbeut, mbas vdekjes së tij dhe pushtimit Otoman të Shqipërisë, emigroi dhe u vendos në Italinë e Jugut, ndër pronat që u qenë dhurue dhe njoftë nga Mbreti i Napolit, Ferdinanti i Arragonës, për ndihmë ushtarake që Skënderbeu i dha kur zbriti në Itali, në Gusht të vjetit 1461, kundër Princit të Tarantos Giacomo Piccinino-s dhe Baronëve aleat të cilët kishin rrethuar në Trani dhe përkrahshin Derën Franceze d’ Anjohu, të sundonte mbi Mbretërinë e Napolit. Pasardhësit e Skëndërbeut mbasi dështuen në përpjekjet e tyre me lirue vëndin nga pushtimi otoman, me shkarkime në Shqipëni, tue kërkue ndihmën e Venedikut dhe tue nxitë popullin në kryengritje, edhe pse nuk pushuen kurrë të interesohen për fatet e atdheut të Arbërit, u stabilizuen njëherë e mirë në Itali.

Nga Pema Gjenealogjike e Kastriotëve del se në Itali gëzuen tituj Fisnikërije (Nobilare) të ndryshme dhe të shumta, që u vijshin nga krahinat, katundet dhe qytetet që ata zotnojshin. Njikohësisht, si Bulerë (Bujarë-Fisnikë që ishin, u martuen me gra familjesh aristokrate me pajë (prikë pasunish të tundshme dhe të patundshme, simbas traditës së kohës të cilat forcuen pozitën e tyne.

Nga këto martesa, Kastriotëve, në Itali, patën shumë djelm dhe vajza, me të cilët sigueruen, me breznitë e vijueshme, Derën dhe Emnin e Kastriotëve deri në ditët tona. Në pemën Gjenealogjike të Kastriotëve, pasardhësit direkt të Skënderbeut, janë marrë për bazë, simbas traditës sonë kanunore, trashëgimtarët mashkuj, për këtë shkak disa vëlla-zëni, gjatë breznive, tue mos pas lanë mashkuj pasardhës, barqet janë shue. Në Pemën Gjenealogjike të Kastriotëve, si aneks, gjindet dhe ajo e Topiajve, të Islamizuem, Toptanve, për arsye, motra e Skëndërbeut, Mamica me 1445, u martue me Karl Muzhak Topinë, dhe pat tre dejlm: Gionin, Gjergjin dhe nji tjetër që i Islamizuem, pat marrë emnin Ali Bej Toptani.

Këto shënime Gjenealogjike lanë me kuptue se familja e Toptanëve të sotëshëm kanë prejardhjen nga i pari Ali Bej Toptani, djalë i motrës së Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Në Pemën Gjenealogjike të Toptanave, sigurisht për mungesë kontaktesh shekullore, shënimet angrafike, në breznitë e pasardhësit e tyne, janë të meta dhe gjenerike. Si po shifim, dera e Toptanëve asht shekullore, e përmëndun dhe rrjedh nga i Pari Karl Topija, Prine i Arbërisë, (i Shqipnisë së Mesme) i cili për të përballue kërcënimin e Balshës së II-të dhe të Venedikasve, iu drejtue për ndihmë ushtrisë turke që kishte mbrri deri në Maqedoni. Më 1385, ushtrija turke nën komandën e Hajredin

Pashës mundi ushtritë e Balshës, në Jug të Lushnjes ku u vra edhe vetë Balsha i II-të. Ishte hera e parë që turqit hynin në Shqipni, por edhe u duk qartë se ky fakt do të kishte pasoja të randa, tue konsiderue se se Turqit kishin fillue pushtimet në Ballkan. Për arsynat të pushtimit të gjatë shekullor të osmanëve në Shqipni, po ashtu ndeja aq e gjatë në Itali, të pasardhësve të Skënderbeut, nuk u erdhi mbarë Kastriotëve të nxjerrin përfitime, për një rivendosje të Derës në Fronin e Shqipnisë, aq sa u preferue një i huej, Princ Vidi, i cili tue abdikue vdiq tue lanë një dinasti fantazëm, me Skënder Ëied-in.

Kastriotët e kohve tona, sidomos Ferdinant Kastriotin (15-1-1893 -18-7-1978) janë interesue për manifestimet dhe ngjarjet shqiptare. Në prill 1968, kur zhvilluen kremtimet kastriotiane të 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, në Romë, i Pari i Derës së Ferdinantit muer pjesë me Familjarë të tjerë. Pasardhësit e tij Filipi, vdiq më 1984 dhe Gjergji (1928) përfaqëson derën e Kastriotëve, por ka vetëm dy vajza Marien) 4-2-1958) dhe Maria Luisa-n) 30-41963). Për vijimin e Derës dhe të Emnit të kastriotëve Filipi ka lanë mbrapa dy vajza dhe një djalë Gjergjin 92-8-1958). Kur u inagurue Sheshi Skandërbeg në Paris, Filipi i pat drejtue zotit Chirac telegramin që po botojmë.

Kurse Gjergji asht ndërlidh me ne, ashtu si e do tradita e Familjes së Kastriotëve. Si po e konstatojmë nga Pema Gjenealogjike e Kastriotëve, për çdo brez janë përjetësue emnat e të parëve zambëdhenj: Gjon dhe Gjergj. Për mirënjoftje ndaj Aragonezave emnat Ferdinat Alfons. Si emna historik, Pirro dhe Akil: me Pirron, Skënderbeu mburrej, ndaj Kontit Picinino, tue thanë se ai dhe shqiptarët e tij rrjedhin nga një racë dhe kanë të njëjtën gjak. Për femnat janë përjetësue Donika, Maria, Mara.

Paris. Nandor 1986.