LAJMI I FUNDIT:

Pavarësia e varësisë

Pak ditë na ndajnë nga përvjetori i tretë i shpalljes se pavarësisë se Kosovës. Kësaj ngjarje i parapriu një cikël negociatash politike Kosovë-Serbi të ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara. OKB-ja që kishte ushtruar pushtet neokolonial në Kosovë për disa vite po e shtynte Kosovën ta negocionte vullnetin politik të saj me Serbinë.

Sundimi i Kosovës para dhe pas pavarësisë nga bashkësia ndërkombëtare është i padrejtë dhe i papranueshëm. Kosova meriton institucione sovrane vendëse, e jo misione të huaja ekzekutive. Pikërisht Serbia është dashur të ketë misione ndërkombëtare dhe të plotësojë shumë kushte e standarde demokratike për t’iu njohur subjektiviteti shtetëror ndërkombëtarisht. Shteti serb nuk u detyrua deri tani të jep përgjegjësi për krimet e bëra mbi popujt e ish Jugosllavisë.


Serbia ka pasur plan dhe strukturë kriminale shtetërore me përkrahje të gjerë popullore për të gjitha të këqijat që i ka bërë, andaj dënimi i vetëm disa zyrtarëve serbë për krime lufte është relativizim i skajshëm i krimit dhe fyerje për viktimat. Kur nuk ndëshkohet agresori për atë që ka bërë, rreziku që ta bëjë të njëjtën gjë në të ardhmen është shumë evident. Procesi i denazifikimit për shtetin që është shkaktar i luftërave është një prej elementeve qenësore që e siguron paqen. Faktori ndërkombëtar bëri padrejtësinë e radhës kur e synonte paqen dhe stabilitetin mes Kosovës dhe Serbisë, duke imponuar negociata të pabarabarta. Negociatat në rrethana të tilla gjithmonë e dëmtojnë të dobëtin. Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në mes të dobëtit dhe të fortit që zyrtarisht janë në gjendje lufte pa një balancë të forcave.

Pjesëmarrja e politikanëve të Kosovës në negociatat e Vjenës që filluan në vitin 2006 ishte padrejtësi dhe hipokrizi e shumëfishtë. Politikanët thoshin se në po bëjmë negociata me bashkësinë ndërkombëtare për ta fituar pavarësinë për të cilën kishin sakrifikuar breza të tërë. Pastaj këta politikanë thanë që po negociojmë me Serbinë por për çështje që janë në favor tonin. Sikur të ishte ashtu të paktën Serbia do kishte dhënë informacione për të pagjeturit, do t’i kthente librat e regjistrit kadastral dhe fondin pensional të Kosovës. Në negociatat e Vjenës u negociua gjithçka që ka të bëjë me rregullimin e brendshëm të një shteti. Pas shumë raundesh negociata, ndërmjetësi i OKB-së, Martti Ahtisaari propozoi planin e tij që ishte kurorëzim i temave të negociuara.

Dokumenti i Ahtisaarit i dha Kosovës një pavarësi pa substancë, duke e lënë të varur nga misionet e Bashkimit Evropian. Për më tepër dokumenti i Ahtisaarit e ka ndarë Kosovën në vija etnike nëpërmjet decentralizimit, ka krijuar eksterritorialitete në kishat dhe manastiret që dikur ishin shqiptare dhe e ka tjetërsuar identitetin kombëtar nëpërmjet multietnicitetit. E metë tjetër e pakos së Ahtisaarit është minimizimi i fuqisë politike të popullit shumicë shqiptar dhe fuqizimi politik tej mase i pakicës serbe. Të gjitha këto padrejtësi të pakos së Ahtisaarit janë sot pjesë e kushtetutës se Kosovës, e cila hyri në fuqi më 15 qershor të vitit 2008.

Është tepër ironike kur dëgjojmë se si politikanët që negociuan me Serbinë na thonë me mburrje se kushtetuta e Kosovës është akti më demokratik dhe më modern në rruzullin tokësor. Nëse i pyesim: pse kushtetuta jonë qenka më demokratike në botë?, politikanët do të thonë se pakicat kanë të drejta më shumë se sa që duhet. Kur pakicat kanë të drejta më shumë se sa që iu takojnë, kjo do të thotë se shumica ka të drejta më pak se sa që meriton. Ku ka favorizim ka edhe diskriminim dhe anasjelltas. Sipas kushtetutës sonë Kuvendi i Kosovës përbëhet nga 120 ulëse, ku 20 prej tyre janë të rezervuara për pakicat. Çdo ligj që do të ketë lidhje më pakicat duhet ta ketë miratimin e shumicës shqiptare dhe asaj serbe. Të gjitha këto elemente e bëjnë kushtetutën tonë jodemokratike.

Kushtetuta e Kosovës nuk po respektohet nga ndërkombëtaret që vetë e hartuan dhe e imponuan. Ndërsa institucionet e Kosovës nuk kanë vullnetin politik që kushtetutën që lehtë e pranuan ta zbatojnë në tërë vendin. Po të respektohej kushtetuta nga ndërkombëtarët dhe të jetësohet nga vendësit, nuk do të kishim më struktura paralele serbe në veri. Nuk do të kishim kufij porozë me Serbinë, dhe nuk do të kishim mallra serbe pa u doganuar në tregun tonë. Për EULEX-in dhe ICO-në vlen plani 6 Pikësh i Ban Ki Moon-it, sepse ky plan është bazamenti politiko-juridik i tyre.

Nëse politikanët tanë shkojnë në negociata prapë më Serbinë, plani i Ban Ki Moon-it, pashmangshëm do të bëhet pjesë e kushtetutës. Pra, kushtetuta e Kosovës do të ndryshojë për të keq nëse ne nuk e ndryshojmë për të mirë. Kushtetutën që buron nga vullneti i populli do ta kemi kur nuk do t’i kemi misionet ndërkombëtare sunduese dhe institucionet vendëse të nënshtruara, që nuk janë vullnet i popullit.