LAJMI I FUNDIT:

Parku i Biznesit, shkëputen 17 kontrata

Parku i Biznesit, shkëputen 17 kontrata

Nga dyzet e katër biznese që kanë përfituar për të zhvilluar veprimtari biznesi në Parkun e Biznesit në Drenas, vetëm njëri prej tyre është i gatshëm që të nisë prodhimin për një muaj. Por, edhe kjo me kusht nëse MTI-ja garanton rrymë 24 orë dhe një trafo prej 8 megavatësh, ashtu siç ka premtuar

Tri kabinete qeveritare janë ndërruar e Parku i Biznesit në Drenas ende nuk është i gatshëm për bizneset që të fillojnë veprimtarinë e tyre. Deri tani janë shkëputur 17 kontrata nga gjithsej 44 biznese përfituese – nënshkruese të kontratave. Ajo që aktualisht është në funksion në hapësirat e Parkut, është ndriçimi i hapësirave të jashtme, i cili nuk pushon ditë e natë, vetëm atëherë kur shkyçet nga KEK-u.

Sipas drejtorit të Agjencisë se Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, Naser Grajqevci, arsyeja e shkëputjes së kontratave ka ardhur si rezultat i mosrespektimit të kushteve të kontratës nga ana e bizneseve. “Njëzetë e shtatë bizneset përfituese të parcelave në PBD kanë deklaruar se do të punësojnë 714 punëtorë, mirëpo momentalisht janë duke punuar rreth 150 punëtorë në ndërtimin e objekteve dhe punë të tjera të angazhuar nga bizneset e vendosura në PBD”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, vonesat në përfundimin e punimeve sipas pronarëve të bizneseve, përfitues të parcelave aty, janë bërë pa fajin e tyre. Ata janë vonuar sepse vetëm tani ka përfunduar furnizimi me energji elektrike dhe ujësjellës. /Telegrafi/