LAJMI I FUNDIT:

Një ditë në jetën e Abed Salamait: Rrëfimi për dhembjen palestineze

Një ditë në jetën e Abed Salamait: Rrëfimi për dhembjen palestineze
Punonjësit izraelitë dhe palestinezë të shpëtimit, në vendin e përplasjes midis një kamioni dhe një autobusi shkolle që çonte fëmijët palestinezë nga Jerusalemi për në Ramallah, më 16 shkurt 2012. Gjashtë fëmijë palestinezë dhe një mësues u vranë (Foto: Ahmad Gharabli/AFP/Getty Images)

Pjesë nga dy shkrime: A Day in the Life of Abed Salama – a story of Palestinian pain i gazetarit Boyd Tonkin [The Financial Times] dhe ‘It’s lonely being a Jewish critic of Israel’ – Nathan Thrall on his book about a Palestinian father’s tragedy i gazetares Rachel Cooke [The Observer]
Përmblodhi dhe përktheu: Telegrafi.com

Në faqen e parë të librit të Nathan Thrallit, nëpër rrugicat e mbushura me njerëz nën një “matricë të kabllove, të telave dhe të dritave të llambave”, Abed Salamai i prin djalit të tij pesëvjeçar, Miladit.

Kushdo që drejton makinën ose ecën nëpër Bregun Perëndimor, jashtë Jerusalemit, do të largohet me imazhet e ngatërresave, të grilave dhe labirinteve, të mëdhenj e të vegjël – që nga nyjat e improvizuara të linjave të shërbimeve në lagjet palestineze, e deri te rrjetat strategjike të gardheve, mureve, rrugëve dhe pikave të kontrollit që kanë prerë dhe copëtuar territorin që mbahej nga Jordania në luftën e vitit 1967 dhe që u pushtua nga Izraeli.


Në këtë tokë të gurtë, historia, politika dhe pushteti i rregullojnë faktet në terren.

***

Thralli është gazetar dhe studiues hebraiko-amerikan nga Kalifornia, por që jeton në Jerusalem ku më parë ka drejtuar projektin arabo-izraelit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Një ditë në jetën e Abdel Salamait [A Day in the Life of Abed Salama] burimin e ka te artikull i gjatë i vitit 2021 për New York Review of Books. Libri ndjek aksidentin fatal në rrugën Xhaba, në veri të Jerusalemit në shkurt të vitit 2012, si dhe rezultatet e tij tragjike – si një mikrokozmos i jetës nën okupim në Bregun Perëndimor dhe si një dritare për atë që Thralli e quan “univers i fshehur i vuajtjeve që prek pothuajse çdo shtëpi palestineze”.

***

Autori shkruan me gjakftohtësi, me kujdes, pa retorikë apo shpifje. Nuk e pretendon neutralitetin. Poshtërimet e përditshme të pushtimit izraelit, nëpër çdo faqe tingëllojnë si të rrahurat e daulleve.

Dhjetëra të intervistuarit e tij shkojnë nga familja e gjerë e Abed Salamait (një labirint më vete) te hebrenjtë e parë që reaguan nga vendbanimet aty pranë, si dhe te koloneli Dany Tirza – te projektuesi kryesor i hartografisë së ndarjes të Bregut Perëndimor. Jaser Arafati atë e quajti Abu Kharita – “babai i hartës”. Tirza dyshon se Arafati ka dashur të thotë Abu Kharta – “babai i mutit”. Ky oficer besonte se “paqja ishte në horizont”, atëherë kur në mesin e viteve 1990 i shpiku këto lara në harta. Më vonë, pas bombardimeve të civilëve gjatë intifadës së dytë (që filloi në vitin 2000), ato nënkuptonin se “askund nuk mund të ndiheshe i sigurt”, kështu që e planifikoi “pengesën ndarëse”, më drastiken – prej mureve të betonit ose gardheve me shumë shtresa që tashmë gjarpërojnë rreth kodrave.

***

Përmes një miku, Thralli ra në kontakt me Salamain. “Jetoj dy kilometra nga Anata. Për çdo javë kaloja nëpër atë vend”. Fitimi i besimit ishte relativisht i drejtpërdrejtë; Salamai ishte i dëshpëruar t’i fliste dikujt për djalin e tij dhe tani i referohet Thrallit si “burri që e bëri të qajë” (e thotë këtë si lavdërim). Por, edhe izraelitët ishin të gatshëm të flisnin, meqë dyshimi zhdukej posa e takonin Thrrallin: “E dija se e vetmja mënyrë për të pasur sukses është që njerëzit të mendojnë se është përshkrim i sinqertë; nëse të gjithë dukeshin njerëzorë, njerëz të vërtetë me motive, dashuri, xhelozi dhe ambicie”.

***

Në një mëngjes të lagësht dimri, të shkurtit 2012, një kamion me rimorkio në veri të Jerusalemit, në një autostradë të kontrolluar nga Izraeli (“Zona C”), e rrotulloi një autobus të vjetër që transportonte nxënësit palestinezë – nga shkolla private fillore “Nour al-Huda”, për në qendrën lokale të lojërave. Zjarri shpejt e përfshiu autobusin. U vranë gjashtë fëmijë dhe një mësues; shumë të tjerë u lënduan.

Në librin e tij, Thralli i përshkruan padrejtësitë e shumta që Salamai, si palestinez, duhej të duronte në orët dhe ditët pas aksidentit, duke filluar nga pamundësia për të udhëtuar për në spitalin ku Miladi mund të ishte i shtrirë. E ndjek kërkimin gjithnjë e më të furishëm të Abedit, për lajmet për Miladin. Kërkimi i tij me raste ndalet, për të na treguar historitë e të afërmve të Abedit, komunitetin e tij në Anata dhe jetën – të hebrenjve dhe të palestinezëve – të ndihmësve, mjekëve, ushtarëve, kolonëve dhe burokratëve që u përfshinë në atë tmerr.

Arkitektura e ndarjes së Bregut Perëndimor i pengoi komunikimet dhe i vonoi reagimet emergjente. Linjat ndarëse në tokë, si dhe linjat ndarëse në mendje, e shtonin konfuzionin në enklavat e administruara nga palestinezët, në tokat e pushtuara dhe në Jerusalemin në përgjithësi. Edhe pse ishin aty pranë, ambulancat izraelite u zvarritën nëpër postblloqe; Eldad Benshteini, mjeku që lindi në Moskë e që jetonte aty pranë, depërtoi në vendngjarje. Në vendin e përmbysjes, koloneli Saar Tzur ia lejoi zyrtarit palestinez Ibrahim Salama (kushëri i Abedit), që të marrë përsipër operacionin e shpëtimit. Saar Tzuri e kishte pezulluar edhe regjimin e kartave të identitetit që kufizonte lëvizjet e shumë palestinezëve rreth Jerusalemit. Por, prindërit ende kalonin nëpër mjegullën e mesazheve të përziera dhe të udhëzimeve të gabuara për spitalin ku mund të ishin fëmijët e tyre të plagosur ose të vdekur.

***

Kronika e Thrallit jep paksa arsye për shpresë, për një bote më të mirë. Beber Vanunu, i lindur në Marok – kolon ky nga komuniteti Mizrahi i hebrenjve historikisht të paprivilegjuar në Lindje të Mesme dhe në Afrikën e Veriut – i shtyri fqinjët që të bëjnë një flamur ngushëllimi që do të vendoset pranë pikës së kontrollit të rrugës Xhaba.

Por, para dhe gjatë kësaj narrative së shpresës dhe të frikës, Thralli ofron portretin grupor të klanit Salama, të miqve dhe të armiqve të tyre. Politika e okupimit dhe protestat – veçanërisht zgjedhjet në lidhje me bashkëpunimin me autoritetet izraelite – ose vulosin lidhjet ose zgjerojnë çarjet mes klaneve. Gabimet e klanit e ndajnë Abedin nga dashuria e tij e parë, Ghazl – një vajzë e hamdanëve rivalë. Kjo përrallë e Romeos dhe Zhulietës dhe hija që kjo lëshoi mbi martesat e Abedit – së pari me Asmahanin e më pas me nënën e Miladit, Haifan – ndonjëherë ka nuanca të novelës, sikur Ghazla e skuqur kalon pranë kërkuesit të saj që u refuzua, “e faqet e saj bëhen aq të kuqe, aq sa ai mund t’i shihte duke e ndryshuar ngjyrën edhe kur kalonte shpejt me makinë”.

Megjithatë, asnjë romantikë e tillë nuk e zbut gjuetinë e dëshpëruar për informacion, teksa Abedi dhe prindërit e tjerë kalojnë në labirintin e Bregut Perëndimor për të zbuluar fatin e fëmijëve të tyre. Disa gjejnë lehtësime; të tjerët – lajmin më të keq që mund të imagjinohet. Në vazhdën e përplasjes, fatkeqësia e re i përkeqëson mosmarrëveshjet familjare që ushqehen nga rëniet emocionale gjatë okupimit, ose nga tensionet e zjarrta midis burrave me mendje tradicionale dhe grave që kërkojnë ndryshimin. Në një moment të tmerrshëm, një baba i zemëruar dëshiron të detyrojë bashkëshorten të shohë trupin e djegur të djalit të tyre: “Ajo e dërgoi në atë udhëtim – ajo duhet ta shohë rezultatin”. Aksidenti, përfundon Thrall, “shkatërroi çdo familje, secilën në mënyrën e vet”.

***

Në çdo kohë, kjo vepër do t’i prekte lexuesit. Por, sot ballafaqohet me peizazhin e copëtuar kulturor ku simpatia dhe mirëkuptimi shkojnë vetëm në një rrugë të vetme. Duke folur së fundmi për gazetën hebraike të Nju-Jorkut, Forward, vetë Thralli shprehu frikën se mizoritë e pështira të Hamasit, më 7 tetor, mund të “egërsojnë pikërisht ata njerëz që shpresoja t’i qasja përmes librin”.

Në ditët pas sulmeve të Hamasit, ai e ka rënë në ankth mes brengave për gruan dhe për vajzat në shtëpinë e tyre në Jerusalem, si dhe të qenit i vetëdijshëm se teksa turneu për të promovuar librin e tij të ri po vazhdon, çdo paraqitje publike është e mbushur me mundësitë për keqkuptime.

“Ngjarjet ma kanë bërë më të vështirë që të flas … shumë njerëz që kanë lexuar librin, më thonë se e shohin si diçka të parashikueshme; e konsiderojnë si libër të domosdoshëm. Por, për disa të tjerë ka ndjenjën se po sjell një mesazh të nuancuar. Unë po u flas për jetën e hebrenjve dhe të palestinezëve në një situatë që është qartësisht e padrejtë, ndërsa ata mendojnë se nuk mund të flasim për padrejtësi përballë mizorive”.

Në libër ai përdor përvojat e të tjerëve për të ndriçuar atë që ai e quan “sistem” – strukturë represive të cilën e konsideron si të paqëndrueshme, por që nuk pret të ndryshojë së shpejti, çfarëdo që të ndodhë në Gazë: “Kjo është sfida më e madhe … Kjo luftë nuk do të përfundojë me barazinë për hebrenjtë dhe për palestinezët. Do të vazhdojë të ekzistojë një regjim i kontrollit të detyruar, pavarësisht nëse Izraeli është i pranishëm në Gazë, ose nëse arrin të gjejë përfaqësues në Autoritetin Palestinez që mund ta ndihmojë të kontrollojë Gazën, ose thjesht vendos ta lë Hamasin. Ndërkohë, duhet të rrafshojë Gazën për ta kënaqur publikun e vet; për t’ua dhënë atyre një përgjigje për pyetjen se si mund të besojnë se kjo më nuk do të ndodhë”.

Të jesh hebre dhe kritik i Izraelit, kjo të bën të vetmuar. “Nëna ime ka lidhje fisnore me Izraelin. Nuk mund të durojë të lexojë asgjë që shkruaj … Ndjej se kam përgjegjësi morale për të bërë atë që mundem. Atë përgjegjësi e ndjej si amerikan … E ndjej si hebre, sepse qeveria izraelite pretendon se po vepron në emër të popullit hebraik; dhe e ndjej si qenie njerëzore që jeton në Jerusalem dhe që ka miqësi të thella me palestinezët”. /Telegrafi/