Nga: Uliks Fehmiu
Shkrimtari dhe producenti italian Francesko Skardamalja ka thënë: “Bekim Fehmiu është i vetmi aktor ndërkombëtar nga shtetet komuniste të Lindjes që ka xhiruar në Perëndim gati njëzet vjet, duke thyer perden e hekurt, deri te paraqitja e Gorbaçovit dhe deri te rënia e Murit të Berlinit”…
Për të folur për babain tim, Bekim Fehmiun, më duhet t’i them disa fjalë për gjyshin tim, Ibrahimin.
U lind më 1892 në Gjakovë, në familje tregtarësh dhe arsimdashësish. Kreu shkollën normale dhe medresenë në Shkup.
Beiografia e gjyshit tim mund të rrëfehet shkurt në bazë të emrave të fëmijëve të tij, të cilët ua dha personalisht, duke u përpjekur që ata të jenë emra shqip (në vend të emrave të zakonshëm turq dhe arabë), e të cilët flasin në mënyrë simbolike për idealet që gjakonte.
GJYSHIN TIM E PËRNDOQËN TË GJITHA SISTEMET
Vajza më e madhe Besa – besë, fjalë e dhënë, betim dhe njëlloj shenje mbrojtëse e shqiptarëve; Shpresa – shpresë në ditë më të mira për popullin shqiptar; Bashkimi – djali i parë – bashkim i popullit shqiptar; Arsimi – arsimimi i popullit; Fatmiri – fat i popullit; babai im, Bekimi – bekim për popullin; Afërdita – është afër agu për popullin shqiptar; Luljeta – lulëzim i jetës.
Me pushkë e libër në dorë, ishte dorë e djathtë e Bajram Currit, udhëheqës i kryengritjes së popullit shqiptar kundër Turqisë më 1912. Si njëri ndër mësuesit e parë shqiptarë, i përkushtohet arsimimit të popullit të vet dhe hapjes së shkollave si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Për këtë shkak, pushteti serbo-malazias e dënon me vdekje.
Në kohën e Mbretërisë së Jugosllavisë, përndiqet si ithtar i Bajram Currit dhe i Fan S. Nolit. Gjushin tim e përndjek edhe mbreti i Shqipërisë, Ahmet Zogu. Ai jep një mijë lira për kokën e tij. Më 1929 arrestohet dhe izolohet në Valevë. Gjatë kësaj kohe, familja e tij jeton në Gjakovë. Më 1931 të gjithë deportohen për në Sarajevë ku, pos tre fëmijëve që kishte, lindin edhe djemtë Arsimi, Fatmiri dhe, më 1936, babai im, Bekimi.
Më 1939, pas okupimit të Shqipërisë nga Italia, ata kalojnë në Shkodër, ku gjyshi bëhet drejtor didaktik i shkollave fillore dhe ku i lind vajza – Afërdita.
Pas shkatërrimit të Mbretërisë së Jugosllavisë, më 1941, familja kthehet në Kosovë, në Prizren, ku gjyshi vazhdon punën e tij arsimore dhe patriotike. E burgosin edhe gjermanët.
Rrethi i golgotës së familjes Fehmiu nuk mbyllet as gjatë kohës së Jugosllavisë së re socialiste. Gjyshin e arrestojnë dhe, pas procesit të montuar, ai dënohet me burg. Pak kohë pas daljes nga burgu, më 1951, ai vdes.
Gjyshja ime, Hedija, e lindur në Gjakovë më 1908, ndoqi udhën e gjyshit.
ME VESHJE KOMBËTARE NË NJU-JORK
Brezi i babait tim, Bekimit, është brezi i parë në historinë e Prizrenit, i cili kreu shkollimin komplet në gjuhën shqipe – nga shkolla fillore e deri në fund të gjimnazit. Pas gjimnazit, babai bëhet anëtar i Dramës Shqipe të Teatrit Popullor të Rrethit, i vetmi teatër profesionist në Prishtinë, gjegjësisht në Kosovë.
Akademinë teatrore e regjistroi në Beograd, më 1956, në klasën e regjisorit dhe profesorit të njohur Mate Milosheviq. E jep provimin dhe pranohet në Akademi, me kusht që të mësojë gjuhën serbokroate.
Teatri i Prishtinës i ndan bursë, por anatema e “zotërave” të politikës, e hedhur mbi familjen Fehmiu, bie edhe mbi babain tim.
Pas dy muajsh, ia ndalin bursën. Falë rektorit të Akademisë, poetit Dushan Matiq, i ndahet bursë deri në fund të studimeve.
Babai shumë shpejt mëson gjuhën serbokroate dhe, më 1960, bëhet anëtar i rregullt i teatrit më të mirë në Jugosllavi – Teatrit jugosllav të dramës. Edhe deri në ditët e sotme, profesorët në Akademinë teatrore (Fakulteti i Arteve Dramatike) përmendin babain tim si shembull të studentit shumë të talentuar dhe jashtëzakonisht punëtor. Këtë e kam dëgjuar edhe vetë shumëherë, si student i po këtij fakulteti.
Deri më 1987, kur jep dorëheqje nga Teatri jugosllav i dramës për shkak të trajtimit të dobët dhe bëhet artist i lirë, ka luajtur 40 role: episodike, të mesme dhe kryesore, përfshirë këtu edhe rolet në Ateleun 212. Dy herë ishte asistent i regjisë te profesori Mate Milosheviq. Xhiron edhe filmat “Klakson”, “Roj”, “Udha”, “Vitet e nxehta”, “Protesta”, “Deps”, “Pavle Pavloviq” etj.
Pas suksesit të madh të filmit “Mbledhësit e puplave”, në regji të A. Petroviqit, ku luan rolin kryesor – Beli Bora (filmi fitoi dy shpërblime në Festivalin e filmit në Kanë, Francë, më 1967 dhe nominohet për Oskar më 1968), fillon karriera e tij ndërkombëtare, bëhet yll i parë botëror nga këto hapësira dhe nënshkruan marrëveshjen shumëvjeçare ,e producentin italian Dino de Laurentis. Bëhet krenari e ish-Jugosllavisë.
Kryesisht xhiron në Evropë, në SHBA, në Amerikën Jugore, në Afrikë, në Azi. Aktroi në gjuhën shqipe, serbokroate, maqedone, rome, turke, spanjishte, angleze, franceze dhe italiane.
Shikuesit edhe sot shikojnë filmat e njohur dhe serialet televizive në të cilat ka luajtur ai, siç janë: “Odiseu” i Homerit me Irena Papasin; “Avanturierët” e Harold Robinsit, ku luajti rolin kryesor – Daksin, gjegjësisht plejbojin Porfir Rubiroz; “Dezertorin” me Xhon Hjustonin, me Riçard Krenin, me In Benenin, me Rikard Montalbanin, me Çak Konorsin, me Vudi Stroudin…; “Leja për vrasje” me Ava Gardnerin, me Dik Bogartin, me Frederik Forestin, me Timoti Daltonin…; “E diela e zezë”, me Robert Sounin, me Marta Kelerin…; “Libero, dashuria ime”, me Klaudia Kardinalen; “Salon Kiti”, me Ingrid Tulin, me Helmut Bergerin e shumë të tjerë.
Për të marrë rolin kryesor në filmin multibuxhetor “Avanturierët”, në regji të Luis Gilbertit, të Shtëpisë filmike “Paramount”, iu desh ta zotërojë gjuhën angleze për dhjetë javë. Ky rol iu dha më 1968, kur u linda unë.
Me qëllim që t’u prezentohet mysafirëve të lartë, si yll i ri i filmit “Avanturierët” me yjet e njohura botërore: Olivija de Hevilend, Ana Mofo, Kendis Bergen, Ernesto Borgnajn, Fernand Rej, Alen Bedel, Rosana Braçi, Sharl Aznavur etj., për të nderuar babain tim organizohet pritje e madhe në hotelin “Pjer” në Nju-Jork. Babai im këtu u paraqit me veshje kombëtare shqiptare.
HESHTI DHE U SHNDËRRUA NË HESHTJE
Xhiroi mbi pesëdhjetë filma, në të cilët kryesisht luajti rolet kryesore.
Në shenjë proteste për shkak të propagandës antishqiptare dhe për shkak të përhapjes së urrejtjes ndaj popullit shqiptar, babai im, Bekimi, më 1987, lëshon demonstrativisht shfaqjen “Madam Kolontajn” (të Anjeta Plejelit), në Beograd, ku luante rolin e Leninit dhe të Stalinit dhe përshëndetet publikisht me veprimtarinë artistike në ish-Jugosllavi.
Roli i fundit, që luajti për televizionin italian, ishte Shën Josifi, në filmin “Fëmija me emrin Jezus”, në regji të Franko Rosit, film ky që u shfaq edhe në televizionin amerikan.
Shkrimtari dhe producenti i fimit të përmendur, Francesko Skardamalja, ka thënë: “Bekim Fehmiu është i vetmi aktor ndërkombëtar nga shtetet komuniste të Lindjes që ka xhiruar në Perëndim gati njëzet vjet, duke thyer perden e hekurt, deri te paraqitja e Gorbaçovit dhe deri te rënia e Murit të Berlinit”.
Filmi i fundit që xhiroi babai im ishte “Xhingis Kan”, në regji të Ken Anekinit, më 1992 (SHBA – Itali).
Pas Aleksandër Moisiut, aktor nga pjesa e parë e shekullit XX, babai im është aktori i parë ndërkombëtar nga shqiptarët, në pjesën e dytë të shekullit XX.
Zhbërja e Jugosllavisë, lufta e tmerrshme, shkatërrimi i Vukovarit, bombardimi i Dubrovnikut, rrethimi shumëvjeçar i Sarajevës, lufta në Kosovë, ndikuan që babai im të tërhiqet edhe më shumë. Heshti, e fjalët janë mjeti më i fortë dhe më i mirë për artistin. Heshti dhe u shndërrua në heshtje – në protestë. Hamleti do të thoshte: “… Mbeti heshtja”.
Babai im, Bekim Fehmiu, sot jeton i tërhequr me nënën time, aktoren e njohur Branka Petriq, e cila edhe më tej merret aktivisht me teatër, dhe me motrat e me vëllezërit e vet, ndërmjet Prizrenit, Prishtinës e Beogradit.
Vëllai im, Hedoni, dhe unë me bashkëshorten, Snezhana Bogdanoviq, aktore e njohur, dhe me vajzën Nika, jetojmë në Amerikë. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëHarta e shteteve të Evropës, gjatë 2400 vjetëve
Mesazhet e fshehura në nudot femërore të shekullit XVI
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Italianët që projektuan Tiranën moderne
Mjeshtri i inspirimit, me 44 këshilla për jetën…
DRITA
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Biserko për sulmin në veri: Fakti që Perëndimi mbështeti me shpejtësi qeverinë e Kosovës, shumë domethënës
Shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit, KFOR refuzoi kërkesën e Kosovës për dërgimin e FSK-së në veri
Çfarë tha në Gjykatë i pandehuri për sulmin terrorist kundër kanalit të Ibër-Lepencit?
Eros Grezda pjesë e Big Brother VIP Albania 4?
Kosova synon të prodhojë rreth 20 lloje të dronëve
Burimi i bie pishman pas daljes nga Big Brother, thotë se u ndje i bullizuar brenda shtëpisë