LAJMI I FUNDIT:

Hakmarrja e Mustafa Krujës për vrasjen e Luigj Gurakuqit: E kthen vrasësin nga Italia në Shqipëri, të vdesë ngadalë – duke vuajtur!

Hakmarrja e Mustafa Krujës për vrasjen e Luigj Gurakuqit: E kthen vrasësin nga Italia në Shqipëri, të vdesë ngadalë – duke vuajtur!

Pamje nga varrimi i Luigj Gurakuqit në Bari të Italisë (Foto: Pici, 1925)

Fritz Radovani

Ende shumë “shqiptarë” nuk kanë mësue se historinë e bajnë dokumentat!


Fatkeqësisht, si në të gjitha punët vazhdohët “me ecë si gaforrja”, ka thanë dikur… i Madhi At Fishta. Mirëpo, na, edhe sot ndjekim atë rrugë.

Vrasja e Luigj Gurakuqit nga kushëriri i tij, për interesat e Ahmet Zogut
Lexo po ashtu Vrasja e Luigj Gurakuqit nga kushëriri i tij, për interesat e Ahmet Zogut

Pashë në internet një artikull të një gazetares shqiptare, të quejtun Kozeta Zylo, që shkruente një artikull për vrasësit e Atdhetarit Luigj Gurakuqi, në Bari t’Italisë, me datën 2 Mars 1925. Kjo mbështetej tek një leter e emja, që i kam shkrue z. Ali Ohri, Përgjegjës i Pallatit Mbretnor në Tiranë. Letra ishte “cungue” për me tregue se vrasësi i Luigj Gurakuqit asht trathtari njohtun Çatin Saraçi me Baltjon Stambollën. Asnjeni prej tyne nuk asht i pafajshëm, por, kur shkruhet historia duhet të tregohet fakti deri në fund dhe, jo, i gjymtuem ose edhe ma keq si ndodhë me ne shqiptarët: i transformuem ose i shtrembnuem.

Mustafa Kruja: “Nuk mundem me dashtun sërbín, Beligradin, xhelatët e vllazënve të mij kosovarë”
Lexo po ashtu Mustafa Kruja: “Nuk mundem me dashtun sërbín, Beligradin, xhelatët e vllazënve të mij kosovarë”

Për këte vrasje asht shkrue mjaft. Ndër këta 85 vjet çka nuk asht lanë pa u shkrue e pa u shpikë për Luigj Gurakuqin… deri tek epiteti “agjent”…, tue e ba deri aty sa, sot, figura e tij mos me kenë as në Monumentin e Pavarësisë sonë Kombëtare të vitit 1912, në Vlonë, monument bronxi i ngritun me rastin e 60-vjetorit në vitin 1972, në Sheshin e Flamurit. E, kush mund t’ishte ma pranë Ismail Qemalit se Gurakuqi, Kaçorri, Mustafa Kruja etj…? Po, Luigj Gurakuqi katolik Shkodre, Kaçorri ipeshkëv edhe ky katolik, Mustafa Kruja “trathtar” nga Veriu!

Falsifikimet shkojnë deri aty sa paturpsisht thohet se edhe dorasin, pra vrasësin Baltion Stambolla e paskan vra komunistët… Kaq “hakmarrës” me kenë “shokët” komunistë për vrasjen e shkodranit Gurakuqi, kur, vetë Ramiz Alia ka urdhnue heqjen e Luigj Gurakuqit nga boceti i Monumentit të Vlonës në 1972, tue i thanë skulptorve: “Ju shikojen edhe vetë me shokët këte që po të them, por Luigj Gurakuqi nuk është mirë për të qenë në një vepër kaq madhështore, mbasi ai ka qenë njeriu më i dashur dhe i besuar i klerit katolik!”

Mustafa Kruja për shqiptarët: Kemi dy palë armiq – imperialistët e shteteve fqinje dhe tradhtarët tanë
Lexo po ashtu Mustafa Kruja për shqiptarët: Kemi dy palë armiq – imperialistët e shteteve fqinje dhe tradhtarët tanë

Dhe ja, si asht e vërteta: “Mbas okupacionit italian të Shqipnisë, me ardhjen kryeministër të z. Mustafa Kruja, ky i kërkoi Qeverisë italiane që i dënuemi për vrasje Baltjon Stambolla, me vazhdue dënimin në Shqipni. Qeveria italiane asht kenë dakord dhe e ka sjellë Baltjonin në Durrës, prej ku, një makinë e policisë e ka marrë dhe e ka dërgue në Fier, gjoja ‘për siguri’ larg Shkodres. Atje ka ndejë në një shtëpi ku ruhej nga tre-katër policë shqiptarë. Një ditë, gjoja se desht me u arratisë, policët e kanë gjuejtë dhe i kanë shprazë një automatik me fishekë në bark. E kanë lanë disa orë pa e çue në spital, mbasi kështu kishte porositë Mustafa Kruja, që Baltjoni mos të vritej në çast, por të vuente nga dhimbjet e mënershme që shkakton arma kur shprazet në bark. Afro 2-3 ditë mbas gjuejtjeve Baltjoni ka vdekë nga infeksioni, tue vërritë nga dhimbjet.” Atdhetari Mustafa Kruja i ka tregue ngjarjen babës tem Kol Radovanit, se “ia bana kështu Baltjonit, se ia kishe kaq e gja borxh mikut tem Luigj Gurakuqit” (këte dëshmi ma ka tregue nana eme, Viktoria Radovani dhe profesor Gasper Ugashi, të cilve aso kohe ua ka tregue Kola, baba i em).

Kosova dhe Mustafa Kruja, një dyshe e përjetshme
Lexo po ashtu Kosova dhe Mustafa Kruja, një dyshe e përjetshme

Tue mos dashtë me dhanë mendim personal për vrasjen e kushrinit tonë të nderuem Luigj Gurakuqit, ma shumë për mos me u quejtë mendimi subjektiv, kërkova fotokopje të dokumentit të sipërm nga Muzeu i Shkodres, dokument të cilin e kishe pa me sy para sa vitësh në shtëpinë muze të Gurakuqit, që edhe atë e kanë shembë “zotni demokratët” tonë të Shqipnisë “socialiste”… tue marrshue drejtë “Evropës”… edhe këta, si gaforrja në krah të majtë…

Ma shumë se të gjitha fletët që mujshe me mbushë unë me faktet e vrasjes së Luigj Gurakuqit, nga Ahmet Zogu me agjentët e tij të shitun e të blemë nga kushdo, që ka dashtë me vra e me pre në këte të mjerën Shqipni, flet një “copë” letër e vogël e dërgueme nga trathtari Baltion Stambolla, me dy rreshta e tri adresa… të Ahmet Zogut, Ceno Beg Jakovës (Kryezut) dhe Çatin Saraçit, që i pabesi dhe trathtari Baltion Stambolla i dërgon “miqve” të vet, tue i kërkue shpëtimin me “mbrojtje, të holla, besën dhe ndihmë.”

Kush i kërkon këto? – Dorasi vrasës dhe i pabesë!

Kujt ia kërkon? – Bashpuntorëve të vet “besnikë”…në këte vrasje!

Besoj do t’ishte e tepërt me dashtë me vazhdue me argumenta tjerë!

Ndër Atdhetarët Shqiptar, Luigj Gurakuqi asht vra tri herë:

I. Me 2 Mars 1925, nga Ahmet Zogu me veglat e tij vrasës e trathtarë…

II. Në vitin 1972, nga E. Hoxha dhe R. Alia… si i besuar i Klerit Katolik…

III. Në vitin 2005, kur “demokratët” i shembën edhe shtëpinë muze…

Dr. Mentor Quku, studjues, në 2010 e cilëson kështu Atdhetarin Gurakuqi: “Mendimi im dhe i familjes sime është se Luigj Gurakuqi është simbol i bashkimit kombëtar për të gjithë Shqiptarët bashkohës. Figura si ai i vinë Kombit shumë rrallë.”

Historia e Shqipnisë, jo vetëm që çdo fletë të saj e ka të lame me gjakun e herojve të vet atdhetarë, por, edhe çdo fletë e kalendarit asht plot data vrasjesh.

Nuk ishte mbushë as një muej nga data 2 mars 1925, siç, thotë populli: Pa i ra ende dheu fëtyrës së Gurakuqit, edhe një vrasje tjetër e shemtueme përhapë gjak në mbarë trojet shqiptare, me 29 Mars 1925, u vra edhe një burrë i malëve tona në shpellën e shqipëve të Dragobisë, atdhetari Bajram Curri.

Pak muej kishin kalue që Bajram Curri u takue me mikun e vet Gurakuqin në Shkoder dhe, në shenjë burrnije e miqësie, sikur, t’ ia ndinte zemra kur po pinin kafe në shtëpinë e Kel Marubit, Bajram Curri i dhuroi Luigjit kutinë e duhanit të vetën, e cila ruhet edhe sot…

Mbas asaj ditë dy Burrat nuk u takuen kurrma!

Me 20 dhetor 1924 Don L. Shantoja në gazetën “Ora e Maleve” shkruen: “Shka asht ma zi në këte luftë të padrejtë e mizore që sistematikisht po ban qeveria serbe, po e lufton shqiptarin me shqiptar. Secili komb i ka trathtarët. Dje përdori Esadin, sot përdorë Ahmetin: nesër mund të gjejnë ndonjë tjetër që ti bahet vegël për me shkatrrue Shqipninë.”

E cila nga këto fjalë nuk asht vërtetue? A nuk e gjeti edhe tjetrin… e tjetrin… për me shkatrrue Shqipninë!?

Në trend Kultura

Më shumë
Paraqitja e tmerrshme e Mbretëreshës së ndjerë flet për fundin e epokës së statujave

Paraqitja e tmerrshme e Mbretëreshës së ndjerë flet për fundin e epokës së statujave

Skulptura
INTIME

INTIME

Poezi
“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

Kulture
Thënie për gruan: Të arsimosh një femër do të thotë të arsimosh një shoqëri

Thënie për gruan: Të arsimosh një femër do të thotë të arsimosh një shoqëri

Fjala+
PAGJUMËSI

PAGJUMËSI

Poezi
DREJTËSIA!

DREJTËSIA!

Fjala+
Kalo në kategori