LAJMI I FUNDIT:

“Nga e gjithë kjo bukuri, diç duhet të lindë”

“Nga e gjithë kjo bukuri, diç duhet të lindë”

Pier Paolo Pasolini interviston Ezra Pound-in

Përktheu: Fadil Bajraj

Pasolini:Oh lëreni plakun të prehet.” Ja kësisoj përfundon ky Cantos. E di fare mirë, Pound, se jam këtu për ta prishur qetësinë. Por së pari, më duhet t’ju tregoj se si ndihem pasi që ju takova. Do t’ju lexoj diç që keni shkruar. A ju kujtohet njëra nga poezitë e juaja nga përmbledhja “Lustra” e adresuar Walt Whitmanit, ku thuhet: “Tash po pajtohem me ty, Walt Whitman… Të kam urrejtur mjaft gjatë. Po të vij si fëmijë i rritur që e kishte babain kokëtrashë; Jam mjaft i pjekur të bëj miq. Ti ishe ai që çau pyllin e ri, e tash është koha për gdhendje. Jemi të një lëngu e të një rrënje… Le të ketë mirëkuptim mes nesh.” Do të mund ta lexoja këtë poezi, dy ndryshuar vetëm dy detaje të vockëla: emrin tuaj dhe një gjë tjetër. Do t’ua lexoj kësisoj: “Po pajtohem me ty, Ezra Pound… Të kam urrejtur mjaft gjatë. Po të vij si fëmijë i rritur që e kishte babain kokëtrashë; Jam mjaft i pjekur të bëj miq. Ti ishe ai që çau pyllin e ri, e tash është koha për gdhendje. Jemi të një lëngu e të një rrënje… Le të ketë mirëkuptim mes nesh.

Pound: Për bukuri, atëherë jemi miq: pax tibi, pax mundi.

Pasolini: Dua ta vë në dukje edhe një çështje. Do të doja t’ju pyesja brutalisht se si ndiheni ndaj kulturës europiane, si dikush që i përket asaj që ju e quani “barbarë”? Kur erdhët në Gjibratar nga Amerika, a ndiheshi sikur njëri prej këtyre “barbarëve” që po arrinte në Europë?

Pound: Nuk kujtoj se si i ri të kem pasur ndonjë kompleks inferioriteti. Ardhja ime në Gjilbratar në vitin 1908 s’qe vizita ime e parë, por kthim. Pata qenë në Europë si djalosh dymbëdhjetë vjeçar, siç e kam shkruar në “Indiscretions” (Indiskrecionet), në pjesën autobiografike mbi vitet e mia të hershme.

Pasolini: E them këtë sepse, pas leximit të eseve tuaja – ese shumë të mira letrare – përkundër erudicionit të tyre të thellë dhe mendjemprehtësisë kritike të pafund që ato përmbajnë, ka diç barbare në lidhje me to.

Pound: Në të vërtetë proza ime u bë e vrazhdë gjatë një periudhe të caktuar. Ishte reaksion, mbase, ndaj përzierjeve me një përcjellje të respektueshme.

Pasolini: “Ushqehuni nga kjo jo në botën e nëndheshme. / Shikojeni diellin apo hënën bekojeni ushqimin e tyre, / për gjashtë farat e një gabimi, / ose këtë që yjet bekojnë ushqimin tuaj, / o Rrëqebull, përkujdesu për këtë pemishte, / ruaje nga hullia e Dhemetrës, / ky fryt ka zjarr brenda vetes, / Pomonë, Pomonë, / Asnjë xham nuk është më i pastër se sa trupi i shegës, / që e zotëron flakën? / Pomonë, Pomonë, / Rrëqebull, vazhdo të përkujdesesh për këtë pemishte / që quhet Melagrana, / ose fushë e Shegës, / nuk është më i kthjelluar në kaltërsi, / e as Heliadat nuk sjellin dritë, / këtu janë rrëqebujt, këtu janë rrëqebujt, / A ka ndonjë zë në pyll / të leopardit ose të rakunit / apo të gjarpërit me zile apo të gjetheve që lëvizin? / Kutherë, ja ku janë rrëqebujt, / a do të çelin shkurret e dushkut lule? Është një hardhi e trëndafilit në këtë kaçubë. / E kuqe? E bardhë? Jo por një ngjyrë e ndërmjetme / kur shega çel dhe drita bie / nëpër gjysmën e saj / Rrëqebull, ruaju nga këto therra hardhiore / O rrëqebull, që vijnë nga kopshtet e ullirit, / Kutherë, këtu janë rrëqebujt dhe zhurma e gjarpërit me zile / është një përzierje pluhuri prej gjetheve të moçme / a do t’i këmbenit trëndafilat për lende, / a do t’i hanë rrëqebujt gjembat e gjetheve?”

Do t’i lexoj edhe këto vargje: “Përposh reve të bardha, cielo di Pisa, / nga e gjithë kjo bukuri diç duhet të lindë.”

Pound: Këto janë vargje të mira.

Pasolini: Po, shumë të mira. Ndër ato më të mirat që i keni shkruar.

Pound: Por vargjet e mira në veprën time janë të rralla. Nuk pata sukses në vendosjen e tyre në kozmos.

Pasolini: Jo, nuk i besoj kësaj. Mendoj se poezia e juaj i shëmbëllen jetës. Vetë thoni se poezia juaj është sikur të folurit ndërmjet njerëzve inteligjentë. Ajo ndjek një përkulje të rastësishme e joformale, me disa momente të madhërishme dhe të tjerat që janë të zbehta. Sipas mendimit tim, poezia juaj ndjek këtë hark, kështu që nuk është e vërtetë se vargjet tua më të mira nuk janë të sintetizuara…

Pound: Dikush përpiqet t’u jape atyre koherencë, e dikush nuk ia arrin qëllimit.

Pasolini: Le të thotë lexuesi se ia keni arritur qëllimit. A mendoni se kjo “rastësi” do të thotë se duhet lejuar bukurinë të pjellë më shumë bukuri, vetvetiu?

Pound: Ju po më bëni nder me besimin tuaj.

Pasolini: Kur shkruani a është situata juaj e ngjashme me atë të surealistëve? Dua të them, a e lejoni inspirimin, fjalën, gjuhën, të dalin pothuajse automatikisht, apo shkruani ngadalë, duke e matur fjalën në kohë?

Pound:  Këto i kam lënë anash.

 Pasolini: Të gjithë kritikët pajtohen se poezia e juaj është poezi tejet e gjerë. Duket sikur poemat e juaja mbulojnë sipërfaqen e një territori të pafund poetik. Dhe kjo është e vërtetë, një citat pas tjetrit.

Pound: Ato janë bërë rastësisht.

Pasolini: Çfarë është bërë rastësisht? Kritika apo citatet?

Pound: Janë bërë rastësisht, thonë, por nuk është e vërtetë. Në to ka muzikë, tema muzikore që përsëriten.

Pasolini: Ky mendim kritik më duket i drejtë. Poezia e juaj është tej mase e gjerë, por kjo është përshtypje e parë. Sa më shumë që e lexojmë, të gjitha elementet që e bëjnë aq të gjerë në njëfarë kuptimi bëhen më të vogla. Për shembull, për lexuesin si unë, që nuk është i familjarizuar me letërsinë dhe urtësinë kineze, të gjitha citatet kineze bëhen flatus vocis, të reduktuara në një element. E njëjta ngjanë edhe me citatet e poetëve provansalë, ose me poetët dolce stil nuovo italianë, e kështu me radhë, këta poashtu reduktohen në një element. Derisa në fillim poezia juaj duket se mbulon një territor të gjerë, gradualisht, megjithatë, ajo bëhet më e thellë. Në vend që t’ju imagjinoj se si zgjeroheni mbi një territor të gjerë linguistik, unë ju shoh në fund të një pusi të ngushtë në të cilin ju e keni reduktuar botën në disa elemente: një grup citatesh që janë përherë të njëjtë, Yeats, Eliot… Unë ju shoh në fund të këtij pusi të ngushtë nga i cili ju shikoni mbrapa dhe reflektoni mbi jetën tuaj.

Pound: Je duke u futur tepër thellë dhe është zor të përgjigjem nga sipërfaqja në të cilën gjendem tash.

Pasolini: “Në Pranverë dhe në Vjeshtë nuk ka luftëra të drejta”. Dhe pastaj: “Përse luftëra? The rreshteri, kontrabandues i rumit. Tepër shumë njerëz, dhe kur ata janë tepër, duhet t’i vrisni disa prej tyre.” Këto janë vargje pacifiste. A do të dëshironit të merrni pjesë në ndonjë nga këto demonstratat për paqe që po ndodhin në Amerikë apo në Itali?

Pound: Besoj në qëllime të mira, por jo në dobishmërinë e këtyre demonstrative. Unë po i shikoj nga një pikëshikim tjetër, siç pata shkruar në një Cantos të papërfunduar: “Nëse edhe miqtë e dikujt urrejnë njëri—tjetrin si mund të ketë paqe në botë?”

Pasolini: Çfarë domethënie kanë këto vargje që i citova: “Pranverë dhe Vjeshtë nuk ka luftëra të drejta.” Çfarë domethënie kanë Pranvera dhe Vjeshta?

Pound: Ato janë krahë, janë kujtime, histori e rrëfyer.

Pasolini: Pranvera dhe Vjeshta është titulli i një libri kinez? Në traditën kineze?

Pound: Po Pranvera dhe Vjeshta është libër që dikush ia kishte atribuar Konfuçiut, dhe i cili ishte i njohur për gjithçka përveç si luftënxitës.

Pasolini: Ju kurrë nuk keni qenë në Kinë?

Pound: Jo.

Pasolini: A ndjeni keqardhje, në jetën tuaj, se kurrë nuk e keni parë Kinën, e cila aq shumë ju ka inspiruar?

Pound: Po, gjithnjë kam shpresuar ta shoh Kinën. Tashmë është tepër vonë. Kush e di.

Pasolini: Konfuçiu është njëri ndër emrat që shpeshherë përsëritet në poezinë tuaj. Dua t’ua bëj këtë pyetje, që është problem për mua. Konfuçiu është në themel i vetmi filozof religjioz i madh, i cili vetë s’ka qenë religjioz. Filozofia e tij qe mbi të gjitha praktike, gati shekullare. Do të doja të di se si ka ardhur Konfuçiu në botën tuaj poetike, e cila, sado që aq shumë shekullare në kadencën e saj, është shumë religjioze në iracionalitetin, në pafundshmërinë e saj.

Pound: Mbase bëja përpjekje që universin e Konfuçiut ta kuptoj si një seri tensionesh.

Pasolini: Një nga elementet e panumërt që i përbëjnë Cantoset, por në realitet janë të reduktuar në një territor të vockël në fund të këtij pusi nga i cili ju e rivlerësoni jetën tuaj, një nga këto elemente është Italia. Çfarë ju tërhoqi më së shumti në fillim? Peizazhi apo njerëzit?

Pound: Peizazhi i moçëm është rrënuar nga ne me këto rrugë të sotme, ku dheu është ndërruar me asfalt.

Pasolini: Italia në atë kohë ende ishte paraindustriale, agrare, artizane. Sot është kombi i cili është në shkallë të madhe i industrializuar, kështu që kjo prodhon fenomene letrare analoge me ato që Amerika ose Anglia i prodhonin në ato kohëra. Sot Italia është njëri nga kombet e industrializuar, me culture të përparuar, dhe prandaj është duke krijuar një lloj të ri të letërsisë tipike për kombet e industrializuara borgjeze. Në Itali është present lloji i lëvizjes avangarde që shpeshherë e përdor emrin tuaj. A e pranoni atësinë për këto lëvizje?

Pound: Ti flet për komb të industrializuar, e pastaj për komb të përparuar në kulturë. Por këtë “pastaj” unë nuk e pranoj. Është vështirë për mua të përgjigjem në pyetjet tua, sepse jo vetëm në një Itali të industrializuar, siç e thoni edhe ju, ka pasur rritje të madhe të këtyre paraqitjeve neo-avangardiste, por kjo ka ndodhur kudo në botë, dhe për mua është e pamundur që të jem në rrjedha, gati desha të them, që të mbetem aktual.

Pasolini: A jeni të kënaqur që emri juaj përdoret nga krijuesit e këtyre shfaqjeve neo-avangarde italiane, apo jo?

  Pound: Nëse teoria jote e arratisjes së moçme në pusin e errët, e rivlerësimit mbi jetën e kaluar, është e saktë – unë nuk pajtohem mirëpo ti mund të kesh të drejtë – nuk do të mund të isha në pozitë të shoh qartë se çfarë ndodh përjashta, nën dritat e neonit të botës së re të neo-avangardistëve, të cilët shpresoj se do të kuptojnë dhe do t’i falin ata të cilët nuk mund t’i kuptojnë ata.

Pasolini: Cilët janë piktorët që ju kanë pëlqyer më së shumti?

Pound: Kujtoj ata të kvatroçentros.

Pasolini: E ndër bashkëkohësit tuaj? Ata që vepruan prej 1917-1930, kur ishit i ri?

Pound: Leger.

Pasolini: A ju pëlqenin piktorët vepra e të cilëve i shëmbëllente poezisë suaj, apo e piktorëve që i përkitnin një bote tjetër?

Pound: Njëherë kisha shkruar në ledhore të një letreje drejtuar piktorit Wyndham Lewis: “Nuk jam shumë i interesuar në pikturë.” Në të vërtetë, një kritik pat shkruar për mua: “Pound zgjedh muzikën dhe skuplturën për t’i krahasuar ato me poezinë dhe kurrë s’ka shfaqur ndonjë interes të veçantë për pikturën.”

Pasolini: Cantosi juaj i dytë Pizan fillon kësisoj: “Jashtë Flegetonit / jashtë Flegetonit, Gerharr / a po del ti prej Flegetonit? / Me Buxtehude dhe Klages në çanten tënde shkollore, me / Stadebuch e Saksit në valixhen tënde – jo prej një por prej shumë zogjve.” Këtu pushon poezia dhe vijon partitura muzikore.

Pound: Aty ishin pjesët e para të kësaj partiture, jo të tjerat. Kishte tepër.

Pasolini: Çfarë ishte ajo?

Pound: “Kënga e zogjve” ishte e Jannequinit, e shkruar për kor, Francesco da Milano e transkriptoi atë për lautë dhe Gherard e ritranskriptoi për violin.

Pasolini: Do t’i lexoj të dy versionet, për të cilat besoj se kanë të bëjnë me jetën tuaj. Ju i patët shkruar në Cantosin Pizan, në momentin që ishte shumë i dhimbshëm në jetën tuaj. “Dumas i ri qante sepse Dumas i ri ka lot.”

Pound: Jo me “Dumasin e ri” nuk pata menduar për veten time. Në të vërtetë në njërin nga Cantosët Pizanë pata shkruar: “Tard, tres tard je t’ai connue, la tristesse” (Vonë, tepër vonë të kam takuar, trishtim).

Pasolini:  “Sa më me zjarr që e do s’mund të ta grabisin, / Sa më me zjarr që e do është trashëgim yti i përnjëmendtë, / e kujt është bota, imja apo e tyre / apo e askujt? / Së pari qenë të dukshme, pastaj të prekshme / Eulisinët, sado që këto ndodhin në paradhomat e ferrit, / Sa më me zjarr që e do s’mund të ta grabisin / Shporre kotësinë, nuk e bëri njeriu trimërinë, as rregullin, e as hijeshinë, / Shporre kotësinë tënde, po them shporre,, mëso nga bota e gjelbër që mund të jetë vend yti / në shpikjen shkallëzore apo në artin e përnjëmendtë, / shporre kotësinë tënde, Pasquin hiqe qafe! / Përkrenarja e gjelbër ta ka tejkaluar salltanetin tënd. “Mbizotëroje veten, atëherë të tjerët do të durojnë.” Shporre kotësinë tënde, ngase je qen i rrahur në breshër, / e laraskë e fryer në diellin me hope, / gjysmë e zezë gjysmë e bardhë. / Dhe as që mund të dallosh krahun nga bishti / sa smirore janë urrejtjet tua / të ngjizura në rrenë, / shporre kotësinë tënde / i padurueshëm për të shkatërruar, koprrac në bamirësi. / Shporre kotësinë tënde, po të them hiqe qafe / Përveç të bërit nga të mosbërit / kjo nuk është kotësi. / Të kesh trokitur, me ndershmëri, në derë, që ndonjë Blunt të ta çelte / të kesh mbledhur nga ajri gojëdhëna të gjalla, / ose nga syri i bukur i moçëm flakën e papushtuar, kjo nuk është kotësi. / Këtu i tërë mëkati është në mobërje, i tëri në mosbesimin e druajtur.”