LAJMI I FUNDIT:

Nga Adami te Klimti: Puthja, në njëqind dhe mijëra vjet

Nga Adami te Klimti: Puthja, në njëqind dhe mijëra vjet

Në muzeun Belvedere në qendër të Vjenës, atje ku piktori i njohur austriak Gustav Klimt kishte ekspozuar në Kustenchau tablonë e tij “Puthja” në vitin 1908, po atje, një shekull më vonë, me rastin e 100 vjetorit të krijimit të asaj tabloje, “Puthja” e Klimtit u rishfaq sërish në homazh të një piktori që i dhuroi botës moderne një nga tablotë më të bukura të puthjes njerëzore në historinë e artit.

Gustav Klimt ishte një dyzetepesë vjeçar, që jetonte disi i veçuar në një botë onirike dhe i rrethuar me modelet e tij, veshur me një tunik të hirtë si ato të egjiptianëve të vjetër, me modelet e tij dhe të dashurën Adele Bloch Bauer. Aktori amerikan John Malkovich, në filmin kushtuar këtij piktori, na jep atmosferën e kohës kur u krijua kjo tablo mitike. Ishte Klmti me dy miqtë e tij piktorë, Schiele dhe Kokochka, që solli një frymë të re në artin modern në fillimet e shekullit të kaluar. Veç “Puthjes”, Klimt kishte pikturuar dhe tablotë e tjera të njohura e tij si Danae, Judith dhe Holoferme etj, por “Puthja” do të mbetej një nga tablotë më emblematike të erotizmit.


“Vjena krenohet me ‘Puthjen’ e Klimtit, ashtu si Parisi me Mona Lisan e Da Vinçit”, shkruan një kritik arti.

Sidoqoftë, “Puthja” e Klimtit është një nga puthjet më të bukura në historinë e artit figurativ, jo vetëm pse çifti është gjunjëzuar dhe puthja e çiftit është ajo që përbën këtë tablo, por veshur me fleta ari, Klimti e ka kthyer puthjen në një lloj tempulli.

Sigurisht, “Puthja” e Klimtit nuk është e vetme në historinë e artit. Në të njëjtin vit, pra më 1908, edhe Brankusi krijonte “Puthjen” e tij të skalitur në gur. Auguste Rodin para tyre kishte gdhendur me daltë të famshmen “Le Baiser” (Puthja) siç e kishte bërë dhe e dashura e tij Camille Cladel. Të tjerë mjeshtër të mëdhenj të artit figurativ e plastik i kanë kushtuar vepra që janë bërë të famshme, edhe pse nudoja femërore në vetvete, mbeti më e preferuara e piktorëve dhe skulptorëve që nga mugëtirat e lindjes së artit.

Sipas legjendës dhe besimeve të vjetra, puthja njerëzore nis me Zotin. Ishte Zoti ai që i dha Adamit prej balte frymë me gojë, që i dha shpirt duke vendosur buzët në gojën e tij dhe duke i dhënë frymë. Por, shpejt njeriu e kuptoi se buzët e tij nuk ishin thjesht pjesë përbërëse e gojës, e nevojshme për të shijuar ushqimet, por diçka më shumë. Pikërisht buzët do të paraprinin dhe shoqëronin gjithë aktin seksual, por kjo nuk dihet se kur filloi ekzaktësisht, pasi gjetjet arkeologjike nuk na e thonë këtë. Në popuj të rrallë të rruzullit tokësor, kanë mbetur ende sjellje që nuk e përfshijnë puthjen mes njerëzve: inuitët apo popujt maori dhe të Polinezisë fërkojnë hundën e njëri-tjetrit për të treguar afërsinë e tyre; banorët e Kajas së Ekuatorit u marrin erë duarve të njeri-tjetrit për të shprehur miqësinë; në Guinenë e Re ka ende tribu që fërkojnë sqetullat e njëri tjetrit, duke i fërkuar pastaj mbi veten e tyre.

Në kohën romake, në latinisht puthja sensuale kishte tjetër emërtim nga puthjet e llojeve të tjera: suavium, për puthjen sensuale; osculum, për puthjen miqësore në faqe; dhe basium, puthjen në buzë, po në shenjë miqësie. Pikërisht kjo “suavium” ishte gdhendur në një altar të shekullit të parë në Venecie, e ruajtur deri më sot dhe që quhet “Altari Grimani”. Servius, një komentues latin i Virgjilit, shkruante se “i japim një ‘osculum’ fëmijëve, një ‘basium’ gruas dhe një ‘suavium’ dashnoreve”. Achilles Tatius i kohës romake, tregonte për puthjen e parë kur “djaloshi bënte gjoja se e kishte pickuar grenxa në buzë, duke i thënë vajzës që adhuronte t’i vinte buzët e saj që t’i ikte dhimbja”… Dhe kështu ai humbi pastaj në ekstazën e puthjes. Meleagre shkruante në librat e tij: ”Puthja jote Timarion është si një lëng ngjitës dhe sytë e tu si zjarri. Nëse të shikoj, ti të djeg dhe nëse të prek me buzë, ti të lidh me zinxhirë.” Ndërsa, Rufin shkruante se “kur të prek buzët, puthja e Evropës është e ëmbël. Por, ajo nuk të puth vetëm me buzë. Ajo ta tërheq drejt vetes gojën dhe shpirtin që të thith.”

Sigurisht, atëherë nuk ekzistonte ajo që në shekullit XX do të quhej “French kiss”, “puthja franceze”, e quajtur kështu nga një etnolog holandez i cili pikasi se bretonët e veriut të Francës, kur putheshin, fusnin gjuhën në gojën e njëri-tjetrit dhe që atëherë kjo u bë mode. Në një dokument të vjetër të vitit 206 para erës sonë, në pallatin e dinastisë kineze Han, shkruhet se “për të zgjatur orgazmën e gruas gjuhët shtrëngohen me njëra-tjetrën”; tekstet arabe shkruajnë për “pështymën e shijshme të gojës së gruas” etj.

Padyshim që puthja në buzë, të cilat siç dihet janë një zonë tepër erogjene, jo gjithnjë ka qenë shenjë e dashurisë dhe e ndjenjës sensuale, pasi në mijëra vjet ajo ka qenë dhe shprehje e miqësisë dhe e vartësisë, siç ishte në kohët e vjetra, se dhe burrat putheshin në buzë (duke treguar në kohën antike se i detyroheshin tjetrit), madje deri sot për të shprehur miqësi. Nikita Khrushchevi, Leonid Brezhnev, Nicolae Ceausescu putheshin buzë më buzë me njëri-tjetrin, duke puthur njëkohësisht dhe Wojciech Jaruzelskin, Erich Honeckerin!

Askush nuk e di me saktësi se kur njeriu e zbuloi puthjen si element të sensualitetit të tij dhe që përbën një nga tri pjesët e sensualitetit njerëzor që janë seksi mashkullor e femëror (klitorisi), gjinjtë dhe buzët. Vizatimet e shpellave nuk e tregojnë këtë, as mbishkrimet e vjetra arkeologjike të qytetërimeve të vjetra sumeriane, asiriane, mesopotamase, faraonike etj. Autori i filmit “Lufta e zjarrit” (për njerëzit në kohën e zbulimit të zjarrit), përpiqet ta nënkuptojmë këtë element të puthjes njerëzore, por asnjë fakt nuk e vërteton këtë. Për puthjen sensuale, atë që shtyn burrin drejt gruas, mashkullin drejt femrës, njoftimet e para na vijnë nga Testamenti i Vjetër hebraik. Në 40 raste flitet për puthjen e dashur në librat e shenjtë, por më bukur ajo përshkruhet në Kantikën e Kantikëve, që është dhe një nga librat më të veçantë që është integruar në Testamentin e Ri apo Biblën e sotme. Kantika e kantikëve është një poemë e mrekullueshme që na lanë trashëgim hebrenjtë e vjetër, për dashurinë e Sulamites për mbretin e hebrenjve, ku puthja zë një vend të veçantë: “Buzët e tua, që nxjerrin mjaltë të pastër, o e fejuar / mjalti dhe qumështi janë nën gjuhën tënde”.

Vonë, shumë më vonë, do të shfaqen puthjet e të dashuruarve në artet figurative dhe fillimthi në afresket e Pompeit të shkatërruar nga llava e Vezuvit, afreske këto (një antologji e vërtetë puthjesh) të zbuluara afro dy shekuj më parë. Pikërisht nga ato ne kuptojmë botën seksuale dhe erotike të një shoqërie të zhvilluar, e që njëkohësisht në këtë fushë që atëherë asgjë nuk ka ndryshuar.

Edhe në kulturën islame, që në fillimet e saj poetët persë i këndonin dashurisë dhe të puthurës. “Njëmijë e një netët” i këndon në mënyrë të veçantë dashurisë, puthjes dhe seksit, por dhe Omer Kajami në poemat apo një tjetër poet i famshëm i botës arabe, sheiku Nefzani, i cili në vitin 1510, për beun e Tunisit dhe haremin e tij shkruante: “Të kafshosh lehtë buzët dhe gjuhën gjersa të shfaqet lëngu i ëmbël dhe i shijshëm, si mjalti i përzier me ujin e pastër”.

Mesjeta e hershme ishte një epokë e vrazhdë ku feja katolike e frenoi puthjen në publik dhe zhvillimin e jetës seksuale publike. Shtëpitë publike për “vajzat e gëzimit” u mbyllën. Femrat nuk shkonin më në tempujt e Afërditës për t’iu dhënë një herë në vit një të panjohuri, duke shprehur kështu adhurimin për perëndeshën Afërditës. Koha e kryqëzatave solli një tjetër marrëdhënie, edhe pse letërsia e heronjve kalorësiakë nuk mungon ta përfshijë puthjen në poemat epike. Mbretëresha e Francës puthte kalorësit e saj sa herë ata niseshin në beteja, por kjo ishte një lloj pagëzimi në prag lufte dhe jo diçka sensuale.

Do të ishte koha e Rilindjes ajo që do të zgjonte dëshirën për ta bërë publike puthjen dhe për ta nxitur atë. Titiani në disa tablo të tij, kushtuar legjendës së dashurisë së Venerës dhe Marsit vendos në qendër të tablosë pikërisht puthjen e personazheve simbolikë, ashtu siç do të bëjnë dhe Michelangelo, Raffaelo, Tintoreto, Giotto te “Takimi i Joakimit dhe Anës në portën e artë”.

Duke iu referuar tablosë “Danaë” të Ticianit, një kardinal i Vatikanit thoshte se “kjo nudo bën të të vijë djalli në trup” (1304). Të tjerë piktorë të shquar e kthyen puthjen në një himn piktural: Bronzino Agnolo na e shfaq atë në “Alegori e Venerës dhe Kupidonit” (1545), Rubens tek “Festa e madhe fshatare” (1635), Palma le Jeune te “Venera dhe Marsi” (1580), François Boucher te “Herkuli dhe Omfala” (1735), Rosseti tek “Paola dhe Françeska” (1855) apo puthjet në tablotë e Rembrandtit, Ingresit, Gericaultit etj, për të ardhur gjer në kohërat moderne me Picasson, Toulouse Lautrecun, Dalin, dhe modernët më të fundit të shekullit XX dhe këtij fillim mijëvjeçari.

Në fakt, në mënyrën e saj, kinematografia do të zbulonte imazhet më pasionante të puthjeve që mund të jenë në llojin njerëzor, çka e kemi parë në filmat e njohur me aktorët mitikë të kinemasë, nga Greta Garbo e Marlen Dietrich e gjer në aktorët e ditëve tona, të cilët gjithnjë e më shumë e rrëmbejnë spektatorin, duke e çuar drejt botëve tjera.

Ja pse “Puthja” e Gustav Klimt, përbën sot një lloj ikone, një lloj tempulli që të gjithë e pëlqejnë, pasi puthja në vetvete është ndjesia më njerëzore, është ajo që si të thuash hap portat e mëdha të shpirtit… Puthja, si gjumi dehës, një enigmë, një mister, një lloj ëndrre e përhumbur ku dhe mund të harrohesh, të flesh gojëhapur, me buzët ngjitur në buzët e të dashurës tënde, humbur në një gjumë që nuk di nëse do të zgjohesh. Një puthje shekspiriane, ku nuk dihet se ku është kufiri midis botës së të gjallëve dhe botës tjetër… /Shqip/

Në trend Kultura

Më shumë
Historia e marigonave të Kosovës: Qëndisën flamuj edhe kur ishte e ndaluar

Historia e marigonave të Kosovës: Qëndisën flamuj edhe kur ishte e ndaluar

Kulture
Rreth romanit “Tmerri” të Arben Kondit

Rreth romanit “Tmerri” të Arben Kondit

Kulture
Bardi i Bruklinit

Bardi i Bruklinit

Kulture
FALJA

FALJA

Poezi
Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut nuk janë origjinale?

Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut nuk janë origjinale?

Kulture
Libri i pashkruar i Petro Markos

Libri i pashkruar i Petro Markos

Kulture
Kalo në kategori