LAJMI I FUNDIT:

Rreth romanit “Tmerri” të Arben Kondit

Rreth romanit “Tmerri” të Arben Kondit

Nga: Zyrafete Shala

 


Ata që nuk e njohin historinë janë të dënuar ta përsërisin atë – thotë Edmund Burke, filozof dhe burrështetas irlandez që jetoi në shekullin e XVIII. Pas tij, George Santayana, filozof, eseist, poet dhe romancier, e modifikon këtë thënie duke e vënë theksin te kujtesa: Ata që nuk e kujtojnë të kaluarën janë të dënuar ta përsërisin atë. Këto dy thënie dhe variacione të ndryshme të tyre janë përsëritur shumë shpesh në mjedisin tonë, veçmas gjatë dy dekadave të fundit. Mirëpo, nga mënyra se si trajtohet e kaluara nga ne si popull, madje edhe e kaluara më e afërt, lë të kuptohet se kemi një problem serioz me kujtesën dhe se thëniet e mësipërme i përmendim në përpjekje për ta bindur në radhë të parë veten për vërtetësinë e tyre. Prandaj, nuk është aspak befasues fakti që së fundi gjithnjë e më tepër po shfaqen njerëz që marrin guximin të thonë publikisht, madje nga foltorja e kuvendit, se është e pakuptimtë të merremi me të kaluarën apo se jemi lodhur nga e kaluara.

Historia më e re e popullit tonë është një thesar i pashtershëm i temave dhe motiveve, e si e tillë cilitdo popull tjetër do t’i shërbente për krijimin e kryeveprave artistike të denja për të mbetur në trashëgiminë e përbotshme si dëshmi e dhunës, gjenocidit dhe egërsisë së pashembullt që një popull mund ta ushtrojë ndaj një populli tjetër, edhe atë në kohën kur civilizimi njerëzor ka arritur kulmet e tij. Mirëpo te ne, mund të numërohen ato pak vepra që janë frymëzuar nga ngjarjet ngjethëse, pasojat e të cilave ende i vuajnë shumë familje kosovare. Dhe ajo që është edhe më absurde, botimi apo publikimi i tyre përcillet me heshtje, për të mos thënë shpërfillet, duke filluar nga institucionet e deri te lexuesit që kanë qenë dëshmitarë të asaj epoke. Një nga këto botime është edhe romani Tmerri i shkrimtarit dhe publicistit çam Arben Kondi, subjekti i të cilit, nëse do të realizohej nga ndonjë mjeshtër i regjisë mbase do të arrinte efektin e shpërfaqjes se fatit të individit në kohë luftërash, ashtu siç paraqitet te Pianisti i Roman Polanskit e shumë filma të tjerë.

Romani Tmerri ka në qendër dramën e një familjeje të vogël, të krijuar nga martesa e përzier, mes një francezeje e një serbi, dy historianë që jetojnë në Nish të Serbisë, bashkë me birin e tyre trevjeçar. Duke e paraqitur rrëfimin nga perspektiva e një të huaje, që nuk i takon asnjërës prej palëve në konflikt, autori ka arritur që jo vetëm t’i shmanget subjektivitetit, por edhe t’i paraqesë detajet e atmosferës dhe përjetimeve te të dyja palët. Rrëfimi i protagonistes së romanit, Natalisë, fillon nga dita e parë e bombardimeve të NATO-s, aty ku edhe zë fill plasaritja brenda familjes së saj, plasaritje kjo që thellohet aq shumë sa që arrin përmasat e një hendeku të patejkalueshëm. Ditë pas dite, nën ankthin e sulmeve të NATO-s, duke u njohur me natyrën dhe arsyet e konfliktit mes dy popujve fqinj, protagonistja zbulon gjëra që nuk i ka njohur te bashkëshorti i saj, Zllatko Iviç, e të cilat janë po aq të tmerrshme sa lufta që zhvillohet përreth.

Sekuencat fabulare që e ndërtojnë linjën e rrëfimit, sado që përcillen nga objektivi i një personazhi që fillimisht bën jetë relativisht të mbyllur, përkojnë me situatat reale të zhvilluara brenda  historisë shtatëdhjetë e dy ditëshe, e cila për shqiptarët nuk ishte veçse një natë e gjatë e Shën Bartolemeut. Brenda errësirës së kësaj nate, shembet edhe kufiri mes ëndrrës dhe realitetit, prandaj përmasat e tmerrit, që shihet e përjetohet, i tejkalojnë shumëfish ato të makthit. Autori shpalos me tone ngjethëse tërë barbarinë dhe urrejtjen e ushtarakëve e paramilitarëve serbë ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare. Në roman i shohim të parakalojnë radhë të gjata të refugjatëve shqiptarë të deportuar nga shtëpitë e tyre, të pambrojtur, të ekspozuar ndaj dhunës së egër të armiqve. Parakalojnë gratë dhe vajzat e përdhunuara, burrat dhe djemtë që shkëputen nga radhët, apo rreth katërqind të tjerë të masakruar në masakrën e Mejës, e të cilët përfundojnë si ushqim për korbat ose në varrezat masive diku në Serbi, shfaqen shtëpitë e djegura, familjet e shuara dhe gjithçka tjetër që ishte planifikuar nga mendjet monstruoze.

Duke qenë fillimisht në anën e palës që kryen krime ndaj popullatës vendëse, Natalia i përjeton nga distanca vuajtjet e tyre. Qëndrimi i përkohshëm në një apartament të një familjeje artistësh shqiptarë, kontakti me gjërat e tyre personale që flisnin për ndërprerjen e befasishme të ritmit të përditshmërisë, bëjnë që ajo ta përjetojë më thellë tragjedinë e të dëbuarve. Gjatë ditëve që kalon në Prishtinë, ajo padashur bëhet dëshmitare e skenave makabre të vrasjeve e përdhunimeve dhe sheh se si ngrihet autoriteti i të shoqit, përpara bashkëkombësve të vet, sa më shumë që ai thellohet në aktet kriminale. E sa më shumë që respektohej nga të tjerët, për të ai bëhej më huaj. Kur Zllatko i tregon që do të transferohen në Gjakovë, ajo e kupton se çdo gjë mes tyre ka përfunduar: Dëgjo këtu Natali, ke rast të mësosh diçka të re për këtë qytet. Në gjuhën e shqiptarëve, emri i tij ka kuptimin e gjakut që derdhet me kova. Nëse ne do të humbim luftën dhe NATO do të fitojë, atëherë të siguroj që ky qytet vërtet do të mbytet në lumenj gjaku. Mos i harro këto fjalë. Ato janë betim…

Si bashkëshorte e tij, Natalisë i shfaqet obsesioni i Zonjës Makbeth, duart e përgjakura, nga i cili nuk gjen qetësi dhe i cili e vë në lëvizje për të kërkuar rrugëdalje. Ajo shpejt e kupton se gjendja në të cilën ndodhej, i jepte mundësinë të zgjidhte mes dy alternativave, të vazhdojë jetën me Zllatkon, që tanimë nuk ishte ai që ajo e kishte njohur dikur, ose të merrte mbi vete rrezikun e arratisjes. Kalimi në anën e refugjatëve shqiptarë e bën ta përjetojë realisht dhunën dhe të dëgjojë përvojat e trishta të të mbijetuarve me të cilët njihet gjatë rrugëtimit drejt kufirit me Shqipërinë. E lindur dhe e formësuar në gjirin e një populli që di ta vlerësojë lirinë e secilës krijesë, për Natalinë është jashtë çdo logjike sjellja e bashkëshortit të saj. Ajo nuk mund ta kuptojë se si njeriu, në këtë rast bashkëshorti i saj, që është ne gjendje ta vë në lëvizje një ushtri  për ta marrë birin e tij, me aq lehtësi vret dhe masakron fëmijët e të tjerëve.

Edhe pse romani fund e krye është konceptuar si rrëfim në vetën e parë, monologët, meditimet, digresionet nga e kaluara, janë shumë të reduktuara, duke arritur kështu të krijojë te lexuesi ndjesinë e ankthit që e përjeton vetë protagonistja, qoftë kur ndodhet e mbyllur në objektet apo vendet ku transferohet i shoqi me detyrë, qoftë kur u bashkohet radhëve të refugjatëve shqiptarë. Gjatë rrjedhës së rrëfimit krahas intensifikimit dramatik të kundërshtive ndërmjet bashkëshortëve, intensifikohet edhe konflikti brenda protagonistes, derisa tundimi për të ndërmarrë vendimin e rrezikshëm përfundon me arratisje. Akti i arratisjes vë në sprovë edhe personazhe të tjera rreth Natalisë, siç janë Zvjetllana, fqinja kroate që e ndihmon në sajimin e planit dhe Milutini, shoferi i të shoqit që vihet në ndjekje të saj. Derisa përkrahja e Zvjetllanës është e pritshme për te, sjellja e Milutinit është befasuese. Ai edhe pse pas përndjekjes së gjatë arrin ta identifikojë Natalinë, brenda radhëve të refugjatëve, nuk e tregon tek i shoqi, veprim ky që krijon aluzionin se edhe aty ku e keqja ka arritur deri në stadin më të lartë, mund të shfaqet një shkreptimë e njerëzores, sado e dobët qoftë ajo.

Me romanin Tmerri, shkrimtari Arben Kondi, nuk synon të sjellë risi në planin e kompozicionit e as në atë të rrëfimit, por duke u mbështetur në traditën e deritanishme të romanit shqiptar, përqendrohet te tema e tij, që prek plagët e luftës të cilat ende janë të hapura. Qëllimi që autori i ka vënë vetes është përjetësimi i ngjarjeve që kanë trandur botën, e të cilat duket se po rrezikojmë t’i harrojmë së pari ne. Në periudha të tilla krizash morale, siç janë këto nëpër të cilat po kalon shoqëria jonë tash e njëzet vjet, ndoshta edhe është normale, për të mos thënë e domosdoshme, që letërsia dhe arti në përgjithësi të kenë mision, krahas funksioneve themelore të saj. Një nga detyrat e shkrimtarit është edhe të flasë me zërin e atyre që u është marrë kjo mundësi. Arben Kondi në këtë roman përmes një personazhi neutral flet me zërin e të vrarëve, me zërin e fëmijëve që e njohën anën më të egër të jetës, të rinjve që iu përgjakën ëndrrat, burrave që u shuan me pengun e pamundësisë së mbrojtjes së familjes, grave të përdhunuara…

Përmes këtij romani, lexuesi që nuk i ka përjetuar këto ngjarje, jo vetëm që mëson mbi luftën e fundit në Kosovë, por arrin ta ndjejë edhe tmerrin e atyre ditëve, kur jeta e secilit kosovar varej në një fije të hollë dhe askush nuk e dinte se çfarë sjellin minutat dhe orët. Ky rrëfim, sado që i kufizuar në një kohë reale të shkurtës, i jep lexuesit ndjesinë e përjetimit të shumë epokave historike, duke filluar nga legjendat e lashta biblike, epoka e skllavërisë e të gjithë shekujt me radhë deri në vigjilje të mijëvjeçarit të tretë të erës sonë. Një mësim i tillë, sado që do të mund të zgjojë kureshtjen e lexuesit të huaj, më i nevojshëm mbetet për ne, të mbijetuarit, një leksion se si duhet trajtuar liria, rrugëtimi drejt së cilës ka qenë një tmerr shumëvjeçar.

Në trend Kultura

Më shumë
“Lufta civile shqiptare”

“Lufta civile shqiptare”

Daut Dauti
Shkrimi i vitit 1939, për disqet me muzikë shqiptare

Shkrimi i vitit 1939, për disqet me muzikë shqiptare

Aurenc Bebja
Revolucioni i vitit 1821 në Greqi, ishte revolucion i shqiptarëve!

Revolucioni i vitit 1821 në Greqi, ishte revolucion i shqiptarëve!

Kulture
ASNJË

ASNJË

Poezi
SHUMË MARRËZI

SHUMË MARRËZI

Poezi
RUBAIRAT

RUBAIRAT

Poezi
Kalo në kategori