LAJMI I FUNDIT:

Në Ukrainë luftohet e në Ballkan flitet për konflikt të hapur!

Në Ukrainë luftohet e në Ballkan flitet për konflikt të hapur!
Ilustrim

Lufta e Serbisë që solli viktima e shkatërrime në Ballkan, asnjëherë nuk u analizua si duhet. Krejt ato gabime të mëdha politike, i lexoi mirë e po i shfrytëzon sot Rusia në Ukrainë. Nuk do shumë koment çka deklaron sot Putini dhe si e arsyeton agresionin ndaj Ukrainës. Pas mbarimit të luftës në Ballkan, bashkësia ndërkombëtare, pa asnjë kusht serioz, Serbisë ia hoqi të gjitha sanksionet. Serbia në vend që të këndellej nga krimet që beri mbi popujt e Kroacisë, Bosnjës e Kosovës, asnjëherë nuk pranoi fajësinë; e vazhdoi propagandën, ashtu sikur vozhdi Millosheviq. Dorëzoi disa nga drejtuesit ushtarakë e politikë në Tribunalin e Hagës, por në qeverisje vazhdoi shkronjë për shkronjë politikën e tyre. Serbia edhe sot është në gjendje lufte me të gjithë fqinjët e saj.

Duke parë se nuk ka rrezik nga askush, vazhdoi të kontestonte krimet që ka bërë. Vazhdoi thurjen dhe zbatimin e planeve të destabilizimit në Kroaci, në Bosnje, në Kosovë e në Mal të Zi. Bashkësia ndërkombëtare, gjithnjë duke menduar se Serbia do të shndërrohet në vend demokratik, vazhdoi t’i japë donacione e mjete të mëdha për zhvillim. Duke ia njohur disi vazhdimësinë e shtetit jugosllav, BE-ja e ledhatoi aq shumë sa ajo përforcoi pushtetin e bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Millosheviqit. Kriminelët serbë të dënuar në Hagë, Serbia i rehabilitoi me rend duke iu dhënë edhe dekorata e pozita të privilegjuara në shoqëri. Muralet e mëdha të krimineleve serbë të luftës sot “stolisin” fasadat e ndërtesave në Beograd. Bosnjën e ka marrë peng Republika Sërpska. Malin e Zi e trazon përmes Kishës Ortodokse Serbe, ndërsa Kosovën nuk e lë të qetë për asnjë çast.


Atë ditë që filluan takimet mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, bashkësia ndërkombëtare deklaroi hapur se ua lë palëve të arrijnë marrëveshje. Kjo dëshmon se BE nuk e kishte për ngutë këtë punë. Madje e dinte se palët edhe po të bisedojnë për njëqind vjet, nuk do të arrijnë marrëveshje. Po të kishin arritur marrëveshje, lufta me aq shumë krime nuk do kishte ndodhur fare.

Serbia me Kosovën, me ndërmjetësimin e BE-së, filloi një dialog që në fillim i thoshin teknik e që më kohë doli krejt politik. Madje. gjatë këtij dialogu, në prapaskenë filluan edhe takime të fshehta për pazare me territore. Këto bisedime “të fshehta” i dinin ata që merrnin mëditje dhe mendonin se edhe pa ndonjë garanci të fortë mund të bisedojnë me Serbinë. Siç thotë populli: “Dikur plasi perdja krejt”. Pas sa e sa takimesh, një ditë kjo “tregti” u zbulua para auditorit! Fuqitë garantuese nuk kishte nga askush. Në zhvillimin i këtyre ngjarjeve, dikush nga Brukseli kishte dorë. Prekja e kufijve në këto negociata tronditi ata që e njohin më mirë e më seriozisht Serbinë.

Serbia kandidate potenciale për anëtarësim në BE, sot është në dispozicion të Rusisë me të gjitha mjetet që ka. Që nga pushtimi rus i Krimesë, atje u transferuan shumë vullnetarë serbë që deri dje kishin vrarë e masakruar civilë pa dallim moshe a gjinie – në Kroaci, në Bosnje e në Kosovë.

BE tash e 22 vjet vetëm e ka ledhatuar Serbinë me të gjitha mënyrat, pa e kushtëzuar me asgjë. Madje kur flitej për fjalën e lirë të gazetarëve, thuhej se në Serbi respektohet liria e shtypit. Beogradi zyrtar akoma i duartroket bombave që hedhen mbi Ukrainë. Edhe Ukraina e sheh këtë dhe akoma e mban Serbinë si mike të saj. Qëndrimi zyrtar i Ukrainës po del kontrovers me ngjarjet në terren. Ukraina e di mirë se që nga pushtimi i Krimesë, në Donbas ka çetnikë serbë që vrasin civilë.

Askush qe interesohet për rrjedhat e konflikteve nëpër botë, nuk ka nevojë të merret me epoka e shekuj, por duhet të shohë në prizmin real zhvillimet e mëdha gjatë njëqind vjetëve të fundit.

Perandoritë e mëdha zakonisht kanë rënë si pasojë e krimbjes se brendshme. Vrojtuesit e mirë e shohin se popullin e gjorë të Rusisë së sotme e mjelin disa dhjetëra oligarkë me pasuri marramendëse dhe ata jetojnë larg Moskës, në vende të zgjedhura ekzotike nëpër botë.

Se çfarë historie mësojnë nxënësit e studentët serbë, e di gjithë Evropa, por nuk merret me këtë punë. Gjithë zhvillimet e deritashme po dëshmojnë se BE-së nuk po i bëhet vonë për asgjë. Integrimi i Ballkanit për të cilin flitet kudo e në cilindo rast, tashmë është bërë aq bajat dhe më nuk i beson kush.

Kush nuk e di sa vjet e pengoi Greqia Maqedoninë, vetëm për ndryshimin e emrit. Kur mbaroi ajo punë, doli Bullgaria që kontestoi historinë dhe gjuhën maqedonase!  Pastaj, BE doli me qëndrim qesharak, se edhe Shqipërinë po lëmë pa nisur negociatat pasi duam që ajo të pranohet bashkë me Maqedoninë.

Serbia po kthehet edhe më shumë kah e djathta ekstreme. Ajo po ndryshon historinë e Luftës së dytë Botërore dhe të luftës duke rehabilituar fashizmin çetnik dhe duke mohuar krimet e gjenocidin në Srebrenicë, thotë Aleksandër Olenik, deputet i zgjedhur na Koalicioni i hungarezëve. Ai tregon se në zgjedhjet e fundit arriti të bëhet deputet edhe përfaqësuesi i lëvizjes çetnike “Sokolovi”, Millosh Stanimiroviq nga Shidi, i cili në vitin 2012 është dënuar për krime kundër njerizimit në Tovarnik të Kroacisë me 20 vjet burg.

I gjendur përballë opozitës radikale serbe në Kuvend, presidenti serb Vuçiq nxori vendimin me të cilin janë amnistuar një numër i shqiptarëve të arrestuar e të burgosur gjatë luftës në Kosovë. Ai lexoi emrin e Albin Kurtit të cilin e kishte amnistuar Vojisllav Koshtunica që ishte president serb asokohe. Po ky Vuçiqi, kur i duhet, nuk heziton të hapë vetëm një fletë të dosjes serbe për vrasjen e gjashtë të rinjve serbë nga shërbimi sekret i Serbisë në lokalin Panda afër Pejës. Po ashtu, kur një polic serb deklaron se di shumëçka për të zhdukurit, edhe për rastin e aktivistit Idriz Rreci, Vuçiq nuk nguron t’i përgjigjet atij polici, se bash ai e di saktë çka ndodhi me atë grup shqiptarësh që ishin nisur drejt Novi Pazarit gjatë luftës në Kosovë. Nëse ai di kush është përgjegjës për këtë, Vuçiqi e di saktë ku është zhdukur edhe Ukshin Hoti që u nxor nga burgu i Dubravës pasi kishte vuajtur gjithë kohën e dënimit të tij.

Kufoma e shqiptarëve të vrarë e të zhdukur diku në Serbi nuk zbulohen me qellim për të ruajtur rejtingun e tashëm të Vuçiqit.  Sa kufoma janë nxjerrë nga varreza masive në Batajnicë e sa në Petrovo Sello, dihet, por nuk dihet pse nuk u nxorën të gjithat?! Edhe në këto dy raste u penguan hetimet deri në fund. Kur filloi gjykimi i Millosheviqit, nga Serbia qenë kërkuar dokumentet e Këshillit të Sigurisë së Shtetit Jugosllav të cilin e drejtonte Millosheviqi. Në një moment ishte marrë vendimi që ato dokumente ti dorëzohen gjykatës. Kur kishte filluar hapja e tyre, Xhefri Najs thotë se ishte parë se krejt shteti serb ishte i përfshirë drejtpërdrejt në të gjitha krimet që kishin ndodhur në Bosnje.

Për të amnistuar Serbinë, gjykata vendosi të marrë në përgjegjësi vetëm serbët e Bosnjës gjë që faktikisht dhe ashiqare e fali Serbinë nga akuzat tjera. Se kush po komandonte krimet serbe në Bosnje e kishin të qartë të gjithë, por akuzat i përkufizuan në emrat e një numri të vogël përgjegjësish serb. Pse bashkësia ndërkombëtare nuk e detyron Vuçiqin të hapë dosjet e të zhdukurve, kjo është e pafalshme.
Zbulimi dhe identifikimi i të zhdukurve dosido do të pajtonte shumë familje në Kosovë të cilat akoma (ata prindër që janë gjallë) presin në lajm për më të dashurit e tyre.

Në Ukrainë luftohet e në Ballkan flitet për konflikt të hapur, megjithëse akoma nuk janë shëruar plagët e mëdha që ua shkaktoi Serbia sidomos Kroacisë, Bosnjës e Kosovës.

Ku janë integrimet evropiane për të cilat flitet tash 22 vjet rresht?

Askund!

Mashtrimeve njëzetvjeçare iu ka dalë boja.