LAJMI I FUNDIT:

Në spitalet e Kosovës po trajtohen 10 pacientë me COVID-19

Në spitalet e Kosovës po trajtohen 10 pacientë me COVID-19
Foto ilustrim

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se në spitalet e vendit tonë po trajtohen 10 pacientë të konfirmuar me COVID-19 dhe 29 të tjerë post-COVID.

ShSKUK ka njoftuar se tetë pacientë janë në oksigjeno-terapi, kurse në mjekim intensiv të Klinikës Infektive është një pacient.

Raporti sipas klinikave dhe spitaleve të përgjithshme:


Klinika Infektive, shtatë pacientë

Klinika e Pulmologjisë, 24 pacientë post-Covid

Mjekimi Intensiv i Klinikës Infektive, 1 pacient

Spitali i Gjakovës, një pacientë

Spitali i Prizrenit, katër pacientë

Spitali i Ferizajt, një pacient

Spitali i Pejës, një pacient

Ministria e Shëndetësisë njoftoi më 27 dhjetor se janë regjistruar katër raste të reja me coronavirus.

Rastet e reja dalin pas testimit të 2,032 mostrave.

Sipas raportit të datës 27 dhjetor, në 24 orët paraprake janë shëruar dhjetë pacientë, ndërkaq raste aktive janë 343.

Sa i përket vaksinimit, në 24 orët paraprake janë administruar 498 doza të vaksinës kundër coronavirusit.

Deri më tani, 780,327 qytetarë të Kosovës janë vaksinuar plotësisht me të dy dozat.

Më 27 dhjetor, MSH-ja njoftoi se të gjithë qytetarët që kanë marrë dy dozat e vaksinës para tre muajsh, mund ta marrin dozën përforcuese.

“Shkurtimi i kohës për marrjen e dozës përforcuese është bërë duke u bazuar në hulumtimet e shteteve të ndryshme rreth vaksinimit kundër COVID-19, përkatësisht dozës përforcuese, situatës epidemiologjike në vend dhe rajon, pranisë edhe të variantit Omicorn të SARS COV-2 si dhe nevojës për vaksinim të plotë të popullatës”, njoftoi MSH-ja.

Rekomandimi i mëhershëm ishte që të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç mund të merrnin dozën përforcuese gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës kundër coronavirusit.

Ndryshe, Kosova njoftoi më 26 dhjetor se ka detektuar nëntë raste me variantin Omicron të coronavirusit, që besohet se është më i transmetueshëm. /Telegrafi/