LAJMI I FUNDIT:

Në Shqipëri jetojnë rreth 684 persona me sindromën Down

Në Shqipëri jetojnë rreth 684 persona me sindromën Down

21 marsi i vitit 2016, shënon përvjetorin e 11-të të Ditës Botërore të Sindromës Down, dhe çdo vit në këtë datë zëri i individëve që kanë këtë sindromë apo i atyre që jetojnë me ta bëhet më i dëgjuar. “Miqtë e mi, komuniteti im” është slogani i fushatës së këtij 21 Marsi.

Temë kjo e diktuar nga Down Syndrome International, ku Down Syndrome Albania është anëtare.


Të dhënat tregojnë se në nivel global 1 në 800 lindje të gjalla rezulton me sindromën Down.Ndaj kjo ditë, për të theksuar të drejtat e tyre është themeluar në vitin 2006 nga Shoqata Kombëtare e Sindromnës Down në Amerikë dhe është ndjekur nga shumë shtete më pas.

Synimi i kësaj dite është ndërgjegjësimi, informimi si dhe promovimi i të drejtave dhe nevojat për individët që kanë këtë sindromë në mënyrë që të jetojnë një jetë të shëndetshme, të pavarur dhe gjithëpërfshirëse në komunitetin ku jetojnë. Një rezolutë për të observuar 21 marsin si ditën ndërkombëtare të sindromës down është adaptuar me konsensus nga asambleja e përgjithshme e kombeve të bashkuara në dhjetor të vitit 2011. Prej 2012-ës 21 Marsi shënjohet dhe në vendin tonë.

Në Shqipëri jetojnë rreth 684 individë me sindromën Down

Individët me sindromën Down, në baza të barabarta me personat e tjerë,duhet ta kenë të mundur t’i gëzojnë të drejtat e plota dhe të barabarta, si fëmijë ashtu dhe të rritur.Kjo përfshin mundësinë e pjesëmarrjes së plotë në komunitetet ku jetojnë.

Realiteti për shumë nga ta është se,qëndrimet negative që janë të përhapura jo pak, rezultojnë në pritshmëri të vogla, diskriminim dhe përjashtim, duke krijuar kështu komunitete ku fëmijët dhe të rriturit me sindromën Down nuk mund të integrohen në mënyrë të suksesshme në grupet e moshatarëve të tyre.

Por aty ku fëmijëve me sindromën Down dhe atyre me nevoja të tjera të veçanta iu jepet mundësia e pjesëmarrjes, të gjithë fëmijët përfitojnë dhe aty krijohet mjedisi i shoqërisë, i pranimit, i respektit për të gjithë dhe pritshmëritë e larta.

Jo vetëm kaq, por këto mjedise i përgatisin të gjithë fëmijët e të sotmes si të rriturit e së nesërmes, duke ua mundësuar kështu të rriturve me sindromën Down jetesën e pavarur, punësim dhe pjesëmarrje me vetëbesim, të përfshirë plotësisht në shoqëri përkrah shokëve dhe moshatarëve të tyre.

Në kuadër të Ditës Botërore të Sindromës Down, do të zhvillohen një sërë aktivitetesh. /Telegrafi/