LAJMI I FUNDIT:

Në BE, për 40 vjet në ëndërr!

Në BE, për 40 vjet në ëndërr!

Ne jetojmë në një rajon, që prodhon histori më shumë se ç’është në gjendje të konsumojë,” por dita e sotme mund të quhet historike. Komisioni Evropian ka paraqitur në Parlamentin Evropian në Strasburg, perspektivën e gjashtë vendeve të Ballkanit në raport me BE.

Është ditë historike se Kosova trajtohet në një dokument zyrtar si kandidat potencial për anëtarësim.


Strategjia e paraqitur bën të qartë se, Mali i Zi dhe Serbia janë në radhën e parë me procesin e anëtarësimit. Kanë hapur bisedimet dhe po “negociojnë”. Konfirmim i progresit të këtyre dy vendeve është vizita që do të zhvillojë këtë javë komisioneri Hahn në Podgoricë dhe Beograd.

Në radhën e dytë ndodhet Shqipëria dhe Maqedonia. Nëse do të ketë rezultate, këtë pranverë komisioni mund të rekomandojë hapjen e negociatave. Dhe nëse kjo ndodh, vendimi do të merret në qershor.

Në radhën e tretë janë Kosova dhe Bosnja e Hercegovina.

Rajoni është rrethuar nga vende anëtare të BE-së, por nuk “dorëzohet lehtë”. Për t’u anëtarësuar, dera është e hapur, por duhet t’i lëvizë vetë këmbët. Ndihma nga BE nuk mungon, por duhen sakrifica. Kryefjala është fjala “reformë”.

Entuziazmi i njerëzve për Unionin është i lartë, por jo edhe i elitës politike.

Anëtarësim nuk do të thotë vetëm – negociata qeveritare, por edhe gjithëpërfshirje e të gjithë shtesave të popullsisë.

Në dhjetor të vitit 1990, shqiptarët dolën në protesta për të rrëzuar regjimin komunist me parullën: E duam Shqipërinë si gjithë Evropa! Askush nuk e kishte menduar që 30 vjet nuk do të mjaftonin për t’u bërë si Evropa.

Nëse Shqipëria hap negociatat këtë vit, nga përvoja e vendeve të tjera, duhen afro 10 për t’i përfunduar. Afro 40 vjet në tranzicion.

Një në tre shqiptarë gjatë këtyre tre dekadave, afro një milion qytetarë, e ka zgjidhur individualisht integrimin në Evropë – ka zgjedhur të jetojë në vende të BE-së. Shqiptarët në Shqipëri presin reformat e premtuara dhe transformimin e dëshiruar.

Presin jetë më të mirë, dhe mundësi më të mira.

BE mbetet një ëndërr për shqiptarët edhe pas tre dekadave pritje. Shqiptarët mbajnë vendin e parë si azilkërkues në vendet e BE-së. BE është partneri më i madh tregtar i Shqipërisë dhe mbështetësi kryesor i reformave në vend.

Shqipëria ndodhet prapa në procesin e integrimit, krejtësisht për fajin e elitës së vet politike, që në momente kyçe, secili aktor ka parë interesin e vet të ngushtë para interesit të vendit.

BE e ka pasur gjithmonë derën hapur dhe sa herë kemi mundur, kemi bërë zhurmë dhe kemi shuar dritat e shtëpisë, me qëllim që të mos i afrohemi momentit të madh transformues.

Hapja e negociatave për 35 kapitujt është edhe fillimi i fundit të tranzicionit të stërzgjatur. Detyrat e shtëpisë janë të qarta, por askush nuk do të ulet dhe t’i bëjë për ne.

Perspektiva e rajonit për integrimin në BE ka qenë e qartë dhe publike që nga samiti i Selanikut, 15 vite më parë. Premtimi është i vjetër. Ajo çfarë ndryshon tani, është angazhimi më i madh ndaj rajonit. BE është e pakonkurrueshme për rajonin, por nuk është e vetme. Kina, Rusia, Turqia, vende të Lindjes së Mesme kanë hedhur sytë nga rajoni dhe në strategjinë e re, ndonëse nuk përmendet, ndihet faktori gjeopolitik.

Që nga Samiti i qershorit të 2003, ka rrjedhur shumë ujë: kriza financiare, kriza greke, kriza e emigrantëve, BREXIT, rritja e partive ekstremiste. BE ka ndryshuar, por ndryshimi është tipik për unionin.

Strategjia e re e vë theksin te reformat, sundimi ligjit, por edhe te zhvillimi ekonomik i rajonit. Si në të gjitha rastet e mëparshme, BE kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me vendet fqinjë.

Integrimi në BE në Shqipëri është dëshirë kombëtare, por nuk ka lidhje me goglat dhe lotarinë kombëtare. BE ka nxjerrë mësime nga anëtarësimet e mëparshme dhe mësimi kryesor është: lista e punëve të kryera në realitet dhe jo lista e zotimeve që mbeten në letër.

Topi është në fushën tonë. Tani është radha për të parë nëse sërish do të shuajmë dritat apo do t’u japim këmbëve?!