LAJMI I FUNDIT:

Ukrainës i kanë mbetur vetëm gjashtë muaj!

Ukrainës i kanë mbetur vetëm gjashtë muaj!

Burimi: The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Verën e kaluar kishte pritshmëri të mëdha se kundërofensiva e madhe e Ukrainës do t’ia dilte në zmbrapsjen e forcave ruse, duke përcaktuar kështu terrenin për fitore. Kjo nuk ndodhi; në vend të kësaj, ofensiva u lëkund dhe fitoi pak në terren. Ky dështim mund t’i ngarkohet drejtpërdrejt refuzimit të Perëndimit për të ofruar ndihmën e duhur ushtarake. Rezultat i kësaj ishte reagimi i heshtur në politikën e brendshme në të dy anët e Atlantikut, gjë që padyshim kontribuoi në dështimin e presidentit amerikan për të marrë me kohë një pako të mëtejshme ndihme – përmes Kongresit – si dhe në ngurrimin e vendeve evropiane për të shtuar ndihmën e vet.


Kombinimi i humbjeve të mëdha ukrainase dhe mungesa në municione, ua mundësoi forcat ruse të ktheheshin në ofensivë dhe të merrnin iniciativën strategjike në gjithë zonën e luftës. Në përparimet që kanë bërë kanë arritur fitore të kufizuara, por konkrete në front, duke e detyruar Ukrainën të heq dorë nga toka, si dhe duke shkaktuar dëme të rënda – nëpërmjet sulmeve ajrore – në infrastrukturën e Ukrainës.

ShBA-ja dhe Britania e Madhe tani kanë njoftuar për një pako të konsiderueshme me ndihma, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore, raketat e sulmit me rreze të gjatë, si dhe municionet. Me kusht që shpërndarja e këtyre municioneve të jetë e shpejtë, ato mund t’ia mundësojnë Ukrainës të stabilizojë vijën e frontit – duke mbrojtur kështu infrastrukturën në frontin e brendshëm. Kjo mund të jetë çështje kritike përballë një ofensive të madhe ruse në verë.

Derisa paketat e reja të ndihmës mund të lejojnë lehtësimin e situatës, ato nuk do t’ia mundësojnë Ukrainës të marrë iniciativën dhe të kthehet në ofensivë. Njëra arsye për këtë është se Rusia e ka rritur epërsinë ajrore në shumë fusha, teksa mbrojtja ajrore e bazuar në tokë mbetet e pamjaftueshme. Arseja tjetër është se Ukraina, e lodhur nga lufta, thjesht nuk ka trupa të mjaftueshme dhe se pas më shumë se dy viteve të luftimeve të vështira, duket se nuk dëshiron të fillojë mobilizimin e madh që i nevojitet.

Sfidat para janë pothuajse të pakapërcyeshme. Rusia ka ekonomi të kohës së luftës dhe me rritje të shpejtë, ndërsa tani ka krijuar nivele të mëdha të forcave të cilat është e gatshme t’i sakrifikojë për t’i arritur qëllimet e Putinit. Nëse Moska është në gjendje të arrijë sukses të konsiderueshëm gjatë verës, ndoshta duke përfshirë marrjen e Harkivit – qytetin e dytë të Ukrainës – nuk do të ketë më oreks për më shumë shpenzime të perëndimorëve në dimër.

Kjo perspektivë e zymtë do të përkeqësohet nga pasiguria e shtuar rreth zgjedhjeve të përgjithshme – si në ShBA ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Si në luftërat e mëparshme, Rusia duket se ia nisi keq, por përfundoi mirë përmes nivelit të vendosmërisë që mungon aq shumë mes aleatëve të Ukrainës në Perëndim. /Telegrafi/