LAJMI I FUNDIT:

Ndërtimi i identitetit kombëtar nëpërmjet etno-simboleve dhe roli i medieve të reja në shpërndarjen e tyre

Ndërtimi i identitetit kombëtar nëpërmjet etno-simboleve dhe roli i medieve të reja në shpërndarjen e tyre
Ilustrim

Nga: Haqif Mulliqi

Fillimi i mileniumit të ri ka shënuar kthesa në llojllojshmërinë e zhvillimit të medieve si dhe të zgjerimin e tyre duke avancuar kështu edhe format dhe konceptet e të komunikuarit të përgjithshëm publik. Ne, në këtë hulumtim, jemi marrë me fenomenin e ndërtimit dhe të ruajtjes së identitetit nacional dhe kulturor në Kosovë, në këto rrethana të krijuara, përmes medieve të reja, në periudhat e ndërveprimeve politike dhe kulturore në regjion e më gjerë, ku, shoqëria, përditshmërisht, është përballur me fenomenet e reja të mendimit publik në botën e mediatizuar globalisht. Në këtë punim i kemi hulumtuar edhe mënyrat e të komunikuarit publik, sidomos ato që bëhen përmes simboleve, të etno-simboleve si dhe të shenjave kombëtare dhe ndikimin e tyre në formësimin dhe grafikimin e identiteteve të vjetra dhe reja – politike, shoqërore apo dhe ato antropologjike.


Qëllimi i këtij punimi është, që: a) të tregojë lidhjet e pashkëputshme ndërmjet komunikimit dhe të antropologjisë së medies si dhe të kulturës, në krijimin e marrëdhënieve të reja në të komunikuarit dhe të shpërfaqjes së identitetit publik, dhe b) që të shestojë problematika dhe fenomene që ndërlidhen me komunikimin joverbal, përmes simboleve dhe etno-simboleve duke krijuar një semiologji të shenjave e cila, falë medieve të reja, rrjeteve sociale, internetit si dhe zhvillimeve teknologjike, janë të përhapura dhe arrijnë gjithandej.

Hyrje

Nocioni i identitetit është i ndërlidhur me secilin njeri. Nocionet identitet, shenja dhe simbole nuk mund të ndahen sot, ngase ato krijojnë një lidhje të pandarë në të kuptuarit të një shoqërie, të një kombi, të një entiteti politik, atij kulturor pra, të vetë njeriut dhe jetës së tij. Mirëpo, identiteti e ka një rëndësi, të thuash, relative ngase atë njeriu nuk e fiton me të lindur, por e krijon gjatë jetës së tij, me ç’rast fiton kuptimësi përmes rrjeteve të identiteteve, siç janë: kombi, tradita, territori, gjuha, si dhe identitetet e ndryshme kulturore. Një prej veçorive të identitetit është edhe aftësia e pashtershme e njeriut apo e një grupi për t’u ndryshuar si dhe ajo për të komunikuar me të tjerët. Komunikimi është çelësi më shpirtëror në jetën e çdo njeriu. Është formë e të kuptuarit përmes gjuhës dhe simboleve, apo, thënë sipas koncepteve të sofistëve, në fakt: çdo gjë në jetën e njeriut ndërlidhet me komunikimi, qartë dhe i saktë, dhe se çdo gjë, në fakt, është komunikim. Në ndërlidhje me këtë gjemë edhe një mendim interesant të profesorit emeritus të Universiteti të San Diegos sipas të cilit: …Komunikimi është gjithçka. Shumica e kërkesave tona, dhe, vërtetë, e gjithë ajo që na bënë të jemi njerëz, në rrënjët e saja e ka komunikimin. Nevoja njerëzore për dashuri dhe afri lindë si rezultat i të komunikuarit, për shembull ajo, ndërmjet prindërve dhe fëmijëve. Brengën e shfaqim përmes fjalëve dhe veprave. Jemi të socializuar dhe të edukuar përmes një procesi komunikativ. Për shkak të komunikimit e njohim veten dhe rolet tona në shoqëri, mësojmë mbi të tjerët si dhe organizohemi në grupe të ndryshme.[1] Sikundër e thotë edhe profesori i Historisë së Artit të Universitetit të Prishtinës, Dr. Hivzi Muharremi, të komunikuarit është një produkt shoqëror si sistem i shenjave përmes të cilit, mbi të gjitha, shpërfaqet dhe shprehet pikërisht identiteti. Ndaj dhe ne, në studimin tonë, flasim, më shumë, për komunikimin e njerëzve përmes simboleve dhe shenjave i cili, në një mënyrë apo tjetrën, në kohën e sotme, është shndërruar në një prej formave më të shpeshta të të komunikuarit.

Janë shumë autor që janë marrë, dhe që trajtojnë çështjet që ndërlidhen me definicionet që kanë të bëjnë me komunikimin. Sipas një studimi të teoricienit amerikan, Stjuar Price, të publikuar tek “Media Studies” (më 1998) për komunikimin thuhet se ai është një prodhim individual i ndonjë përmbajtjeje simbolike në raport me ndonjë kod të caktuar i cili anticipon pranimin e asaj përmbajtjeje tek subjektet tjera, në raport me po të njëjtin kod.[2] Ndërsa, Charles Horton Cooley, madje që në vitin 1909, në një studim të tijin tepër interesant, dhe të parakohshëm, mbi atë që sot i njohim shkenca të komunikologjisë do ta nxjerrë konstatimin se me nocionin komunikim nënkuptohet mekanizmi nëpërmjet të cilit ekzistojnë si dhe zhvillohen marrëdhëniet njerëzore, të cilat përbëhen nga të gjitha simbolet shpirtërore bashkë me mjetet e tyre që kanë për qëllim bartjen në hapësirë si dhe në kohë të informacioneve.[3] Pra, sipas kësaj mund të thuhet se, në fakt, komunikimi është, siç do ta thoshin latinët e vjetër një Conditio sine qua non e që në përkthim më të lirë do të thotë: një kusht pa të cilin nuk bënë në veçanti nëse do ta kemi parasysh jetën e njerëzve dhe rregullimet shoqërore në të cilën zhvillohet ajo.

Qeniet njerëzore, duke qenë kreative dhe duke ndërtuar ide dhe sisteme komunikojnë për arritjen dhe përplotësimin e nevojave të tyre

Komunikimin mund ta vështrojmë edhe si diçka që është një parakusht i domosdoshëm dhe funksional për çdo rend shoqëror si dhe një prej proceseve bazike shoqërore. Pra, komunikimi është një element esencial i marrëveshjes ndërmjet njerëzve, bashkëpunimit ndërmjet tyre si dhe të të vepruarit të përgjithshëm në shoqëri. Pikërisht, për këtë arsye, Kethleen K. Reardon studimin e saj Interpersonal Communication: Where Minds Meet e fillon me gjashtë konstatime bazë të të komunikuarit ndërmjet njerëzve: 1.) kur njerëzit komunikojnë për shumë arsye të ndryshme; 2.) kur komunikimi rezulton me synime, por jo edhe me të bëra të qëllimta; 3.) kur komunikimi është i ndërsjellë; 4.) kur komunikimi në vete i ngërthen të paktën dy persona, me ç’rast njëri ushtron ndikim, në masë të pabarabartë, tek tjetri; 5.) kur ai ndodhë edhe atëherë kur, madje nuk është i suksesshëm; dhe, 6.) kur komunikimi ngërthen në vete edhe përdorimin e simboleve dhe të shenjave. E kjo do të thotë se – komunikimi është diçka që, në fakt, mësohet.

Qeniet njerëzore, duke qenë vetë kreative dhe duke ndërtuar ide dhe sisteme, faktikisht komunikojnë me qëllim të arritjes dhe të përplotësimit të nevojave vetanake. Për këtë arsye janë krijuar së tepërmi shumë definicione të cilat kanë mëtuar dhe mëtojnë ta definojnë komunikimin. Kështu, në vitin 1976 një grup i teoricienëve amerikan, me në krye komunikologun e shquar, Frank E. Dance i kishin identifikuan, hiç më pak se 126 definicione mbi komunikimin. Ishte ky numri që, në mënyrën më të qartë, ofronte dëshmi, jo vetëm mbi ndërlikueshmërinë dhe gjithëpërfshirjen e çështjeve që kanë të bëjnë me komunikimit, por edhe për shumësin subdisciplinar të teorive të cilat, për lëndë të hulumtimit, siç është edhe rasti ynë, e kanë pikërisht komunikimin, ekzistojnë shumë kuptime dhe shikime të ndryshme, por që shpijnë në një pikë të vetme – tek të komunikuarit si shkencë shoqërore.

Brenda kësaj ne, në këtë studim kemi bërë përpjekje që të shkoqisim një përmbledhje të disa prej këtyre definicioneve të cilat kanë ndërlidhshmëri më të qartë dhe më diskurseve me çështjet që po trajtojmë këtu që ndërlidhen me vetë thelbin e këtij studimi. E para, se simbolet, fjalët apo edhe e folura janë komunikim me të cilin bëhet këmbimi i ideve; e dyta, se komunikimi është një proces që vendoset brenda natyrës së vetë dinamike; e treta, se komunikimi është transmision dhe këmbim, e që, në definicionet e këtij lloji nënkupton synimin e kategorizimit të marrëdhënieve të ndërsjella ndërmjet njerëzve; e katërta, se komunikimi është qëllimi i cili ndërlidhet me synimin e një individit apo të një grupi që të ndikohet efektshëm tek sjelljet e pranuesit/pranuesve të informatës apo të informatave; e pesta, se komunikimi është forcë e cila ka të bëjë edhe me definicionet e këtij lloji e që e ka për qëllim shpërfaqjen e çastit ideologjik i cili, në mënyrë strategjike, e bënë një vendosje ndryshe të një individi, respektivisht të pranuesit të informacionit; si dhe, e shtata, se kjo është situata që ka të bëjnë me elementin e kohës, gjegjësisht atë të kontekstit në të cilin zhvillohet marrëdhënie komunikuese.

Nëse të gjitha këto do t’i sublimonin brenda një kornize, atëherë na duhet të shërbehemi me një mendim interesant të profesorit të komunikologjisë të Universitetit të Kembrixhit, Robert Hajnd, sipas të cilit, faktikisht, komunikimi është gjithçka[4]. Ngase, sipas tij, edhe pjesa më e madhe e nevojave tona si dhe e gjithë ajo që na bënë të jemi njerëz në rrënjë të veta e ka të komunikuarit[5]. Kështu mund të konstatohet se komunikim i suksesshëm konsiderohet ai i cili përmban brenda vetes informacione të rëndësishme dhe të shërbyeshme.[6]

Traditat kyçe dhe qasjet e ndryshme në mënyrat e të komunikuarit ndërmjet njerëzve

Njerëzit komunikojnë për shumë arsye. Një prej tyre është që të marrin ndonjë informacion, por edhe që të bartin ndonjë informacion si dhe mesazhe për të tjerët, por edhe për veten e tij.[7] Kjo, në të shumtën e rasteve përkon me një lloj përkatësie apo edhe shpalosjeje të një identiteti të caktuar. Sipas ligjëruesit të artit konceptual në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, Zeni Ballazhit, nëse i shikojmë të gjitha variacionet që janë bërë me simbolet tona kombëtare, ta themi, duke u nisur nga flamuri kombëtar e deri tek konsumimi mediatik i figurave të rëndësishme historike shqiptare, mund të thuhet se, komunikim është edhe çdo mjet me anë të cilit ne bëhemi të aftë për të bërë edhe ndonjë një abstragim.[8] Sipas tij, në një simbol (vepër arti apo ndonjë tjetër formë etnolokulturore dhe vizuale), si mjet komunikimi mund të lëvizë lirshëm nga një metaforë tek një mit personal i autorit apo i komunitetit shoqëror të cilit i përket ai dhe anasjelltas. Me këtë, ky studiues mendon se, edhe miti personal i një autori si dhe i një historie që e ka një vepër e caktuar, pavarësisht nga ajo sa komplekse është, mund të shndërrohet në thelbin e dëshirës së vetë autorit që objektin e jashtëm mund ta bëjë të brendshëm, ndërsa, të njëjtin, e mbushë me dashuri, me emocion, madje me guxim dhe me frikë e që thjeshtë vazhdon të jetë një mjet komunikimi.[9]

Ndërsa, sipas Robert Craig-ut, një profesor i komunikologjisë nga Universiteti i Kolorados dhe anëtar i Bordit të American Asotiaton of Comunication (jemi takuar me të para dy vjetësh në edicionin e 101-të të asociacionit në fjalë në Las Vegas, ShBA), ekzistojnë disa tradita kyçe, gjegjësisht qasjesh të ndryshme në mënyrat e të komunikuarit ndërmjet njerëzve. Sipas tij këto, para së gjithash janë: – qasja retorike; – qasja kritike; – qasja social-psikologjike; – qasja semiotike; – qasja socio-kulturore, – qasja e gjuhës së shenjave dhe e simboleve, etj.[10]

Kjo do të thotë se, pikërisht ashtu siç është zhvilluar komunikimi nëpër histori, ashtu janë zhvilluar edhe qasjet për të në shoqëritë njerëzore.

Komunikimi dhe përdorimi i simboleve dhe shenjave

Komunikimi inkorporon brenda vetes edhe përdorimin e simboleve dhe të shenjave. Simbolet dhe shenjat janë pjesë e fjalëve dhe e gjestikulacionit tonë. Ato kanë të bëjnë me ndjenjat dhe me mendimet e njerëzve në përgjithësi. Rëndësia e simboleve dhe shenjave, në të komunikuar, është e pazëvendësueshme. Komunikologu kroat Dario Çerepinko thotë se njerëzit janë qenie të cilat jetojnë në botëra simbolike ndërsa gjuha me të cilën komunikojnë e bënë konstruktimin e realitetin shoqëror duke i këmbyer ndërmjet vete domethëniet e sajë.[11] Pra, sikur do të thoshte edhe shkrimtari i shquar malazezo-hebre, Danillo Kish se, atdheu i vetëm i njerëzve nuk është gjë tjetër veçse një përmbledhje shenjash si dhe i rregullimit të kombinimit të tyre përmes të cilëve njerëzit i konstituojnë dhe i identifikojnë gjithçka rreth vetes.[12]

Fakti që njerëzit, jo rrallë, i përcaktojnë domethëniet e ndryshme edhe të simboleve të njëjta edhe të shenjave të njëjta, patjetër se paraqet një sfidë në komunikimin njerëzor e, jo rrallë, dhe vështirësi në interpretim të tyre. Ngase,”… njerëzit janë qenie të cilat jetojnë nëpër botëra simbolike. Të komunikuarit përmes simboleve është mekanizëm në të cilin njerëzit e konstituojnë realitetin e tyre duke i këmbyer ndërmjet veti domethëniet e tyre”[13], thotë profesor Muharremi nga Fakulteti i Arteve i UP-së, sipas të cilit, komunikimi përmes mund të konsiderohet e vetmja përkatësi shoqërore e njeriut, e që nuk është asgjë më shumë e as më pak se sa një përmbledhje e simboleve dhe shenjave si dhe e rregullave të të kombinuarit të tyre ku njerëzit përpiqen që të njohin sa më mirë gjithçka rreth vetes, por edhe veten e tyre.[14] Për profesorin e Historisë së Artit nga Tirana, Dr. Shpend Bengu, i cili në mënyrë të vazhdueshme është marri me studimin dhe hulumtimin e semiologjisë së komunikimit, komunikimi nëpërmjet simboleve dhe shenjave, në fakt është vetë origjina e komunikimit të njerëzve që në lashtësi e i cili fillon me shenjat piktografike, madje, që në periudhën prehistorike.[15] Sipas tij, në njëfarë mënyre edhe është pranuar që edhe origjina e alfabeteve dhe e shkrimit është pikërisht shkrimi piktografik pra që ndërtohet mbi shenjat dhe simbolet.[16]

Sipas kësaj del se, njeriu, në fakt, është një qenie që jeton në simbole dhe shenja ndaj dhe “universin” e vetë e konsideron si botë të mbushur me shenja dhe simbole të panumërta, ndërsa edhe kjo jetë zhvillohet në dy botëra: atë realen dhe në botën e simboleve. Shi për këtë siç e thonë edhe studiuesi francez Jean Chevalier dhe Alain Gheerbrant në librin e tyre Fjalor i simboleve: Mitet, ëndrrat, zakonet, gjestet, format, figurat, ngjyrat, numrat, mbase është e paktë të thuhet se jetojmë në botën e simboleve dhe se bota e simboleve jeton në neve.[17]

Është e thënë se, në linguistikë, shenjat janë bartëset e të gjithave informacioneve. Ndërsa, dihet se, vetë simbolet janë shenjat më domethënie që munden të interpretohen, por edhe të vetë-interpretohen në komunikim. Kështu, simbolet e ndryshme mund të kenë domethënie të njëjtë, por edhe i njëjti simbol mund të ngërthejë në vete edhe më shumë se sa një domethënie. Këtë e përcaktojnë vetë individi apo edhe grupi i ndryshme shoqërore sepse, edhe interpretimi i simboleve, faktikisht mësohet dhe mund ta përcaktojmë vetë në kushtet dhe rrethanë e zhvillimeve shoqërore.[18]

Në gjithë këtë një rol të rëndësishëm e ka zhvillimi i teknologjisë dhe i medieve të reja.

Sidomos, me zhvillimin e kibernetikës, njerëzit kanë filluar që t’i zhvillojnë edhe pajisjet përmes të cilave pretendohet që të orientohen edhe materia e edhe energjia, në sistemet e sotme të të komunikuarit. Ndërsa, sipas profesor Ballazhit, edhe vetë mekanizimi informativ, respektivisht mundësitë për të komunikuar sot përmes medies është fuqizuar aq shumë sa që është shndërruar në një energji të re dhe të papërmbajtshme njerëzore. Ndaj teoriku i shquar Norber Wienger, i quajtur ndryshe edhe babai i kibernetikës, me siguri nuk do ta thoshte më me aq lehtësi dhe bindje se – informata nuk është materie e as energji. Bile, pikërisht nga shkaku se informata mediale është energji e materializuar, thotë Ballazhi, sipas të cilit edhe diktatori Sllobodan Millosheviqi e aplikoi politikën e tij gjenocidiale kundër shqiptarëve, duke e rrënuar në tërësi sistemin e gjykimit logjik dhe të arsyeshëm të popullit që udhëhiqte.[19]

Simbolet në komunikim ndërmjet njerëzve

Ne jetojmë në një botë simbolesh dhe është e pamëdyshtë se përditshmërisht shërbehemi me to, ndërsa, ndonjëherë, për këtë mund të mos jemi as të vetëdijshëm. Ndërsa shenjat na dërgojnë mesazhe të drejtpërdrejta, të thjeshta domethënia e të cilëve mund të jetë me domethënie të drejtpërdrejtë dhe të atypëratyshme, ndaj dhe ato kanë zënë vend të rëndësishëm në komunikimin ndërmjet njerëzve.

Gjithashtu, sot, është krijuar dhe begatuar edhe një fjalor i gjerë i gjuhës së shenjave dhe të simboleve, paçka se dallimet ndërmjet tyre ndonjëherë janë mjaft të të paqarta. Megjithëkëtë është krijuar një kulturë shoqërore, pamore, e që është shndërruar në pjesë të rëndësishme të të komunikuarit tonë si dhe të kulturës së komunikimit. Shi për këtë, shenjat dhe simbolet janë shndërruar në një “gjuhë” të pashmangshme në të komunikuarit tonë të përditshëm. Ndërsa, me zhvillimin e rrjeteve shoqërore si dhe të aplikacioneve të tyre bashkëkohore, përdorimi i simboleve, të thuash, është imponuar në komunikimin ndërmjet njerëzve. Kështu, komunikimi është shumë më i shpejtë dhe nuk kërkon ndonjë proces të stërzgjatur në të shkruar të një teksti. Për këtë është e qartë se edhe vetë procesi i komunikimit e ka shkurtuar kohën e komunikimit.

Shenja është e drejtpërdrejtë në funksionin e saj dhe kështu mund të shndërrohet në pjesë të të komunikuarit. Simbolet janë një shpërfaqësim vizual apo edhe shenja që shpalosin ide, e që mund të quhen edhe tregues më i thellë i të vërtetës universale. Shqiponja, siç dihet, paraqet simbolin kryesor kombëtar të shqiptarëve: identitetin, të kaluarën tonë historike, aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, e që, është një si lloj motivimi i cili shpirtërisht na bënë të fuqishëm me një forcë e cila nuhatet gjithandej rreth nesh. Ky simbol, të thuash në mënyrë të vazhdueshme, e në veçanti në momente të rëndësishme të ngjarjeve apo edhe të mbamendjes sonë historike dhe kombëtare shkakton emocione dhe kështu edhe jeta e përditshme, ndonjëherë monotone dhe përplot stereotipa, përjetohet dhe perceptohet si më e begatë dhe me përplot domethnënshmëri.

Në këtë dritë duhet shikuar edhe spektrin e shenjave dhe të simboleve me të cilat komunikojnë shqiptarët sot, e në veçanti me simbolikën e duarve e cila paraqet shqiponjën krahapur. Ky simbol që e hasim kudo, në jetë, nëpër koncerte e ndeshje sporti, nëpër videoklipe muzikore dhe reklama, nëpër shkolla e universitete, në politikë, në sport, në kulturë, e madje edhe nëpër çerdhe të fëmijëve, gjithandej, s’do mend se e shpërfaq edhe vetë domethënien dhe funksionet kryesore të një shenje në komunikim. Masiviteti, dhe mënyra se si e kanë përqafuar shqiptarët këtë shenj, nga dita në ditë, gjithnjë e më shumë është shndërruar në rast për studiues të komunikimit, por edhe ata të psikologjisë si dhe ata që merren me psikanalizës, ngase, me anë të këtij simboli në komunikimin e shqiptarëve, ndonjëherë hasen edhe elementë të një dëliri. Ngase, kjo formë e komunikimit – komunikimit simbolik – është e bazuar në marrëdhënien, shenjë-shenjë, para se në marrëdhënien shenjë-objekt. Dhe komunikimi simbolik, këtu, mbështetet edhe tek një planifikim në të komunikuar të një personi me më shumë të tjerë, ndërmjet një shenje ose simboli dhe të asaj së cilës mund t’i referohet ai si dhe të përçimit të mesazheve të ndryshme, vizuale, në publik, gjithandej.

Duke iu referuar këtij simboli që ka zënë shtrirje gjithandej ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët, mund të gjejmë se kuptimi i shenjës varet edhe nga pajtueshmëria e përbashkët e komunitetit mbi kontekstin e saj. Për shembull kur themi për dikë se ka “sy shqiponjë” në kontekstin kulturor shqiptar, dhe jo vetëm, dhe sipas një pajtueshmërie brenda llojit, e kuptojmë se po flasim për dikë që e ka një shikimin e mprehtë. Ndërsa, kur përdoret shprehja “krahë-shqiponjë”, atëherë, në të njëjtin kontekst përshkruajmë dike me figurë epike, shpatull gjer, por edhe të lehtë dhe të fuqishëm në veprim. Kjo është, në fakt, një lloj marrëveshjeje, apo një pajtueshmëri për çfarë nuk është e domosdoshme që ata që e kanë akceptuar këtë (t’i quajmë komuniteti), të kenë një nivel të njëjtë intelektual, social apo edhe kulturor për të arritur tek kjo “marrëveshje” dhe kuptimi i simbolit. As në komunikim shumë më të gjerë kulturor dhe etno-kulturor se sa është ky i shqiptarëve në hapësirën e tyre kulturore dhe historike (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginë e Preshevës apo Mal të Zi), kur janë në pyetje shenjat dhe simbolet me të cilat komunikohet vizualisht, gjithandej, madje nuk është e nevojshme as që të përdorën fjalë të caktuara apo slogane, pra elementë të gjuhës verbale, që ky mesazh të akceptohet dhe të kuptohet edhe nga të tjerët, aq më tepër kur mëtohet që, me këtë simbol, pra, krahët e shqiponjës të improvizuar me pëllëmbë të lidhura dhe gishtërinj të hapur si krahët e shpendit (simbol në flamurin shqiptar), të shpërfaqen ide politike, shenja të një tradite të lashtë apo edhe një domethënie më komplekse që, qartësisht shpie në identitetin kombëtar.[20]

Simbolet si shenja për shpërfaqjen e një botë meta-empirike të njerëzve

Funksioni kryesor i këtij simboli, në rastin konkret, i cili është shndërruar në pjesë të identitetit kombëtar të shqiptarëve, jo vetëm në hapësirat etnike kombëtar, por gjithandej nëpër botë, e ka për qëllim, e ai është – që të bëjë zbulimin e domethënieve që përfaqëson për shqiptarët simboli i cili, më shumë se 100 vjet ka zënë vend në flamurin shtetëror (dhe kombëtar), ndërkohë që edhe Shqipëria, brenda dhe jashtë quhet vend i shqipeve (apo i shqiponjave). Shi për këtë ajo që shpreh ky simbol mund të shpjegohet përmes destinimeve më të vogla dhe të disa funksione vizuale-shoqërore, siç janë:

– E para, funksioni ekspresiv që ndërlidhet me atë të paraqitjes së jashtme, të brendësisë, të mendimeve dhe ideve, të ndjenjave dhe të metodave.

– E dyta, funksioni sinjalizues, që do të thotë se kemi të bëjmë me krahasimtaren si një tregues karshi një realiteti ekzistues politik, shoqëror e mbi të gjitha kulturor (identitar)

– E treta, duke luajtur funksionin reprezentues, që do të thotë ajo është diçka artistike, fiksionale, e portretizuar por aktive dhe domethënëse në një realitet tjetër i cili është analog me realitetin ekzistues të deritanishëm, dhe, së fundmi:

E katërta, funksionin sinjifikues, i cili që rrjedh nga domosdoshmëria e paramenduar dhe simbolike e figurës së shqiponjës të cilën shqiptarët e kanë përvetësuar dhe e konsiderojnë identitet të vetin.

Në bazë të gjithë kësaj për përcaktimin e domethënies së këtij simboli tek shqiptarët, mbi të gjitha janë dy gjëra që e kanë stimuluar ngritjen dhe shtrirjen e tij: 1. momenti politik që po e kalojnë shqiptarët ndërmjet delirit të fitoreve dhe të zhgënjimit nga realiteti objektiv; dhe, 2. vetë konteksti i shenjës.

Ky kontekst, faktikisht ka ushtruar dhe ushtron ndikim domethënës sidomos në kuadër të vetë komunikimit joverbal, në përgjithësi, ndërkohë që konteksti, është e qartë se, ka ardhur edhe nga kontekstet e disiplinave të tjera që burojnë tek fusha e shenjave si dhe nga pozita e vetë shfrytëzuesve të simbolit të shqiponjës.

Nga kjo del se simbolet janë shenja të cilat shpërfaqin një botë meta-empirike. Ata janë pikëlidhja e dy entiteteve apo të dy ekstremiteteve të cilat ndërmjet tyre i zbulojnë lidhjet dhe përngjajshmërit që kanë ato, siç është edhe simboli në flamurin shqiptarë dhe shenja gjithëpërfshirëse të krahëve të shqiponjës që ndërtohet si e tillë me pëllëmbët e duarve dhe gishtërinjtë e hapur si krah të sajë. Kështu mund të konstatohet se simbolizimi është një edhe proces psikologjik eminent si dhe një proces tipik që është karakteristikë vetëm për njerëzit.

Këto për të cilat po flasim, thotë profesori Shpend Bengu, sipas tij, janë shembull i mirë për ta treguar se, një simbol mund të jetë element i një simboli tjetër dhe kështu gjithçka mund të shkojë deri në pafundësi, sepse, simbolet më të reja janë të afta që ta bëjnë edhe shumëzimin e domethënieve të simboleve mbi të cilat janë ndërtuar, për të krijuar kështu një sistem të tërë të shenjave, siç e kemi ne rastin e shqiponjës, paçka se ai simbol nuk është vetëm i shqiptarëve.[21]

Ndërsa sipas pedagogut universitar, Zeni Ballazhi, simbolin apo emblemën e shkabës se zezë, dykrenare, që ne shqiptarëve na identifikon mirë ndër popuj të tjerë, ka lidhje me një fushë studimore jo shumë të rrahur tek ne, ndërsa është shumë i vlerësuar nga studiues të ndryshëm botërorë dhe evropianë.[22] Kjo fushë, sipas tij, ndërlidhet direkt me heraldikën si disiplinë shumë e hershme. Ndërsa, për sa i përket formësimeve të reja të një simboli siç është rasti i shqiponjës, tek ne,s’do mend se ai krijon emocion, përçon mesazhe tek publiku vendës dhe ai ndërkombëtar dhe kështu e shpërfaqë një identitet dhe një përbashkësi të shqiptarëve kudo që janë.[23] Sipas Ballazhit,[24] kjo nuk do të thotë se simbolet si këto do të mundë t’i sfidojë simbolet kombëtare dhe t’i vë në ndonjë rang tjetër të ndonjë rëndësie më të vogël, e madje as që është qëllimi i krijimit dhe i përdorimit të tyre, por e tëra kjo flet për fuqinë e ve simboleve si mjete të komunikimit vizual si kulturë vizuale e një individi apo grupit të cilit i përket ai.[25] Kjo ka të bëjë me kulturën vizuale e cila ndërlidhet edhe fisnikërimin e aftësive psikologjike të të perceptuarit dhe të imagjinuarit si dhe të përçimit të një apo edhe më shumë informacioneve përmes shenjave dhe simboleve të caktuara e që janë të identifikueshme, tashmë në publik.

Përfundim

Nga kjo që u tha më lartë, mund të përfundojmë se, kultura vizuale bënë pjesë në fushën e hulumtimeve që përbashkojnë shumë disiplina siç janë: historia e artit, filozofia, sociologjia, artet mediale si dhe teoritë e komunikimit. Shumë aspekte të kulturës vizuale harmonizohen edhe me hulumtimet teknologjiko-shkencore, me hulumtimet kulturore të komunikimit si dhe me teorinë e percepcionit vizual. Komunikimi përmes simboleve ka të bëjë me komunikimin multidisciplinar dhe ngërthen brenda vetes edhe medie të shumta siç janë – massmediet, mediet elektronike, artin figurativ, reklamat, dizajnin grafik, ueb dizajnin, story-board-in, stripat /comiks/, e madje edhe video lojërat – duke e bërë këtë fushë edhe më komplekse dhe më të veçantë për studim.

Teoria e kulturës vizuale, edhe në rastin e lojës masive me duar të shqiptarëve sot, kudo në glob, është komunikim përmes të cilit mund të sqarohet ajo se si shenjat dhe simbolet shndërrohen në medium, e madje edhe në një brend, dhe se si mund të ushtrojnë ato ndikim aq të gjerë, gjegjësisht se si mund t’i përdorim ato që të shprehemi dhe të mësohemi që të komunikojmë vërtetë fuqishëm përmes tyre, duke u shndërruar në shenja të reja të një identiteti dhe të një përkatësie të lashtë.

__________

Literatura

Čerepinko, Dario (2012), Komunikologija, Universitet Varazdinit, Varazdin (Cro)

Chevalier, Jean, Gheerbrant, Alain (1997), Dictionnaire des symboles: Mythes, rêves, coutumes, gestes, formes, figures, couleurs, nombres, Bouquins, Paris

Cooley, Horton Charles (2009), Social Organization, a Study of the Larger Mind, This volume from the Cornell University Library’s print collections was scanned on an APT BookScan, NY,

Craig, Robert (2014), Encyclopedia of Communication Theory, Vol. 2 Littlejohn, S. W.; Foss, K. A.SAGE Publications, (fifth edition), Lincoln University. 1570 Baltimore Pike

Hinde, Robert (1975), Non-Verbal Communication, Cam-bridge, Cambridge UniVersity Press

Price, Stuart (1998), Media Studies Paper, 2nd. Edition Paperback, Longman, De Montfort University, The Gateway, Leicester, UK

Robbins , S. P. (2003,), Organizational Behavior, 10 th ed., Prentice Hall, New Jersy

__________

Intervista

Ballazhi, Zeni , intervistë e realizuar për këtë punim studimor.

Muharremi, Hivzi, intervistë e realizuar enkas për këtë punim.

Bengu, Shpend, intervistë e realizuar enkas për këtë punim.

__________

Kumtesa

Mulliqi Shpresë, Mulliqi Haqif, co-authors: Sesioni: Communication and Culture in South East Europe, kumtesë e lexuar në: The National Communication Association (NCA) 101 Convention – Emracing Oportunities, 18-22 November 2015, Las Vegas, Nevada, USA.

__________

[1] Robbins, S. P. (2003), Organizational Behavior, 10 th ed., Prentice Hall, New Jersy, f. 139.

[2] Price, Stuart, (1998), Media Studies Paper, 2nd. Edition Paperback, Longman, De Montfort University, The Gateway, Leicester, UK, fq. 141.

[3] Cooley Horton, Charles, Social Organization, (2009), a Study of the Larger Mind, This volume from the Cornell University Library’s print collections was scanned on an APT BookScan, NY, fq. 86.

[4] Hinde, Robert, (1975), Non-Verbal Communication, Cambridge UniVersity Press, f. 63.

[5] Po aty.

[6] Robbins, S. P., (2003), Organizational Behavior, 10 th ed., Prentice Hall, ISBN 0-13-100069-1, New Jersy, f. 45.

[7] Shpresë Mulliqi, Mulliqi, Haqif, co-authors: Sesioni: Communication and Culture in South East Europe, kumtesw e lexuar në: The National Communication Association (NCA) 101 Convention – Emracing Oportunities, 18-22 November 2015, Las Vegas, Nevada, USA

[8] Ballazhi, Zeni, intervistë e realizuar për këtë punim studimor.

[9] Po aty.

[10] Craig, Robert, (2014), Encyclopedia of Communication Theory, Vol. 2 Littlejohn, S. W.; Foss, K. A.SAGE Publications, (fifth edition), Lincoln University. 1570 Baltimore Pike, f. 167.

[11] Čerepinko, Darijo, (2012), Komunikologija, Sveučilište sjever u Varaždinu, f. 24-25

[12] Po aty.

[13] Muharremi, Hivzi, intervistë e realizuar enkas për këtë punim.

[14] Po aty.

[15] Bengu, Shpend, intervistë e realizuar enkas për këtë punim.

[16] Po aty.

[17] Chevalier, Jean , Gheerbrant, Alain, (1997), Dictionnaire des symboles : Mythes, rêves, coutumes, gestes, formes, figures, couleurs, nombres, Bouquins, Paris, f. 62.

[18] Craig, Robert, (2014), Encyclopedia of Communication Theory, Vol. 2 Littlejohn, S. W.; Foss, K. A. SAGE Publications, (fifth edition), Lincoln University. 1570 Baltimore Pike, f. 135.

[19] Po aty.

[20] Këtu mund të flasim për disa raste të veçanta. Ta themi, kur Federata e Futbollit të Zvicrës, ua ndalon lojtarëve shqiptarë të përfaqësueses së futbollit të këtij vendi që të festojnë golat e shënuar duke e bërë, me duar, simbolin e shqiponjës. Apo, hardallosja e grekëve kur ushtarë të këtij vendi të Bashkimit Evropian, me origjinë shqiptare, fotografohen duke e bërë me duar simbolin e shqiponjës. Apo, klipi i këngëtares shqiptare me famë, Rita Ora , kur në prelud të këngës Shine Ya Light, të realizuar në Prishtinë, bashkë me publikun e tubuar tek monumenti New Born në mënyrë masive e shpalos këtë simbol. Si dhe kontinuiteti poetik i këngës dhe klipit 2 PO 2 (me Besnik Canollin) që në mënyrë absolute, sjell figura shqiptarësh nga gjithë globi duke i unifikuar me simbolin e shqiponjës e cila ngjitet mbi kokat e tyre për të fluturuar lartë, dhe duke krijuar në një rep këngë një alegori të jashtëzakonshme simbolike mbi të tanishëm dhe të ardhmen e shqiptarëve. Performanca, veprime dhe tendenca të këtilla të të komunikuarit me këtë simbol, te shqiptarët gjejmë, të thuash, përditshmërish. E s’do mend se tërë këtë komunikim, në veprim e fusin mediet e reja dhe massmedia duke i dhëne përmasa dhe dimensione të vazhdueshme në sferat e të komunikuarit joverbal përmes shenjave dhe simboleve.

[21] Bengu, Shpend, nga intervista e realizuar për këtë punim.

[22] Ballazhi, Zeni, intervistë e realizuar për këtë punim studimor.

[23] Po aty.

[24] Z. Ballazhi është autori i simbolit të logos së 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, i cili simbol, gjithashtu simbolizon shqiponjën dykrenare.

[25] Në intervistën me Z. Ballazhin.

Në trend Kultura

Më shumë
Historia e fisit Shala

Historia e fisit Shala

Kulture
Revolucioni i vitit 1821 në Greqi, ishte revolucion i shqiptarëve!

Revolucioni i vitit 1821 në Greqi, ishte revolucion i shqiptarëve!

Kulture
Vitet e fundit të Ismail Qemalit

Vitet e fundit të Ismail Qemalit

Kulture
“Lufta civile shqiptare”

“Lufta civile shqiptare”

Daut Dauti
ALELUJA

ALELUJA

Poezi
“Medea” si bazë e tragjedisë apo vetë pasoja e një gruaje

“Medea” si bazë e tragjedisë apo vetë pasoja e një gruaje

Teatri
Kalo në kategori