LAJMI I FUNDIT:

Mosmarrëveshjet me FMN-në nuk rrezikojnë projektet në bujqësi

Mosmarrëveshjet me FMN-në nuk rrezikojnë projektet në bujqësi

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, ka hedhur poshtë dilemat se prishja e marrëveshjes “Stand By” me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) mund të rrezikojë projektet për bujqësinë, ndërsa akuzave të opozitës për planin e zhvillimit ekonomik iu është përgjigjur se partitë opozitare janë të “etshme për breshëri fjalësh” që nuk bazohen në fakte.

Gjatë prezantimit të punës si ministër gjatë 100 ditëshit të parë, Stavileci, të dielën, në një konferencë për shtyp, ka bërë të ditur se gjatë vizitës së fundit në Bruksel ka marrë përkrahjen e Komisionit Evropian (KE) për të ndihmuar sektorin e bujqësisë.

Sipas tij, në këtë drejtim Kosova është shteti i parë që ka marrë një fond vitin e kaluar prej pesë milionë eurosh dhe gjithashtu fondin për vitin 2011 KE do t’i ndajë Kosovës akoma pa qenë vend kandidat për BE.

“Unë besoj se ministri Bedri Hamza, i ka dhënë të gjitha shpjegimet e mundshme në këtë drejtim, edhe projektet e bujqësisë, edhe këto të cilat unë i përmenda ju thash që jemi në fazën përfundimtare. Të gjitha këto projekte dhe mjete do të jenë pjesë e projekteve tona në të ardhmen”, ka thënë Stavileci.


Lidhur me akuzat e opozitës për planin e zhvillimit ekonomik të bërë në Bullgari, ministri Stavileci ka thënë se opozita po është e “etshme” për të “bërë breshëri fjalësh” që nuk bazohen në fakte dhe argumente konkrete.

Në prezantimin e të arriturave gjatë 100-ditëve të punës, Stavileci ka përmendur rritjen e buxhetit, programin e grandeve për investime, funksionimin e shërbimeve këshillimore, krijimin e qendrës së grumbullimit të ruajtjeve, projektet me donatorë dhe sistemin informative.

Sipas ministrit Stavileci, grandet për investime janë rritur në 7.4 milionë euro në vitin 2011 nga 4.7 milionë sa kanë qenë në vitin 2010. Ai gjithashtu ka përmendur edhe rritjen e aplikantëve për grande prej 50 për qind, ndërsa në programin e grandeve është shënuar rritje deri në 15 milionë euro. /Telegrafi/