LAJMI I FUNDIT:

Ministrja Kusari-Lila lavdërohet për 100 ditëshin

Ministrja Kusari-Lila lavdërohet për 100 ditëshin

Drejtuesja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimoza Kusari-Lila, në prezantimin e 100 ditëshit të punës është lavdëruar për punën e bërë, duke përmendur se është ndryshuar klima e të bërit biznes.

Në një konferencë për shtyp, të dielën, ajo ka thënë se në mbështetje të Planit të Qeverisë së Kosovës ka draftuar ose rishikuar disa nga strategjitë sektoriale të fushës së saj dhe është në proces të rishikimit të pjesës së mbetur.

“Politikat e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme kanë reflektuar reformat e të bërit biznes. Promovimi i investimeve si pjesë e rëndësishme e reformës së të bërit biznes ka shënuar progres. Implementimi i Planit të Veprimit për Partneritet Evropian është trajtuar si një nga prioritetet e ministrisë”, ka thënë Kusari-Lila.

Duke iu referuar situatës së disfavorshme ekonomike për Kosovën në raport me Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën, ministrja Kusari-Lila ka thënë se ka vënë si prioritet ndryshimin e kësaj situate, duke shkuar nëpër dy faza.


“Fillimisht vendosjen e tarifës doganore 10 për qind për import të produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, që do të fillojnë të aplikohet nga mesi i qershorit të këtij viti. Dhe faza e dytë, masa e plotë e reciprocitetit do të jetë bllokimi i plotë i importit”, ka thënë Kusari-Lila

Sipas saj, MTI-ja ka bërë përparim të dukshëm në implementimin e agjendës legjislative.

“Në fund të muajit prill janë miratuar në Kuvend tri projekt ligje në leximin e parë.
Sa i përket agjendës legjislative MTI, ka dy projektligje që janë në fazën e fundit të draftimit. Derisa tetë akte nënligjore – udhëzime administrative, janë aprovuar, ndërsa 16 janë në fazën e draftimit apo shqyrtimit në grupe punues”, tha ministrja Kusari-Lila.

Po ashtu, sipas saj, së shpejti pritet themelimi i këshillit kombëtar për pronësi intelektuale, i cili do të monitorojë dhe propozojë politikat e pronësisë intelektuale dhe industriale. /Telegrafi/