Ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Valdrin Lluka, ka reaguar ndaj një grupi të organizatave të shoqërisë civile të cilët kanë vënë në dyshim transparencën e kësaj ministrie në dhënien e lejes në qasjen e dokumenteve publike për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Lluka me anë të një shkrimi në Facebook, ka treguar kronologjinë e kërkesës së OJQ-ve për qasje në dokumente.

“Më datë 11 korrik 2019 një grup i organizatave të shoqërisë civile [Instituti GAP, Balkan Green Foundation, GLPS dhe INDEP] përmes një letre të hapur drejtuar deputeteve të Kuvendit të Kosovës kanë aluduar në mungesë të transparencës për dhe rreth projektit të ndërtimit të TC ‘Kosova e Re’ dhe mos respektim të vendimeve të autoriteteve gjyqësore”, shkruan Lluka, përcjell Telegrafi.

Ditë më parë, Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), kanë prezantuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj padisë së organizatave për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) për moslejim të qasjes në dokumente zyrtare për termocentralin “Kosova e Re”.

OJQ-të fituan rastin ndaj MZHE-së, kërkojnë sërish qasje në dokumentet për 'Kosova e Re' OJQ-të fituan rastin ndaj MZHE-së, kërkojnë sërish qasje në dokumentet për 'Kosova e Re'

Ata bënë të ditur se Gjykata Themelore ka aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e organizatave dhe detyron Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik që të lejojë qasje në dokumentet e kërkuara.

Shkrimi i plotë i ministrit Lluka

Për media dhe gjithsecili që është i interesuar:

Kronologji e ngjarjeve dhe zhvillimeve në raport me kërkuesit e “dokumenteve publike” për dhe rreth TC ‘Kosova e Re’

Më datë 11 korrik 2019 një grup i organizatave të shoqërisë civile [Instituti GAP, Balkan Green Foundation, GLPS dhe INDEP] përmes një letre të hapur drejtuar deputeteve të Kuvendit të Kosovës kanë aluduar në mungesë të transparencës për dhe rreth projektit të ndërtimit të TC ‘Kosova e Re’ dhe mos respektim të vendimeve të autoriteteve gjyqësore; në këtë rast dëshirojmë të sqarojmë kronologjinë e ngjarjeve dhe të vejmë dritë mbi të vërtetën si në vijim:

1. Ministria e Zhvillimit Ekonomik me datë 8 mars 2012 nga Instituti GAP [kërkuesi] ka pranuar kërkesë për qasje në dosjen tenderuese të TC ‘Kosova e Re’.

2. Më datë 14 mars 2012 Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka njoftuar kërkuesin se i refuzohet qasja në dokumente për dy arsyeje dhe atë:
a. [..]pakoja ka dokumente të cilat janë në formë të draftit, si të tilla para marrjes së formës përfundimtare nuk do të mund të i’u vihen në dispozicion dhe
b. [..] dokumentet e pakos tenderuese marrin formën e prerë pas nënshkrimit të kontratës përfundimtare, ndërsa në këtë moment të gjitha dokumentet janë konfidenciale.

3. Kërkuesi me datë 15 nëntor 2012 ka ushtruar kërkesëpadi ndaj Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik duke ofruar si provë materiale kërkesën e datës 8 mars 2012, respektivisht përgjigjen zyrtare për refuzim nga MZHE e datës 14 mars 2012. [gjuha e përdorur dhe objekti i kërkesëpadisë së datës 15 nëntor 2012 dhe i kërkesës për qasje në dokumente publike e datës 8 mars 2012 në disa drejtime është e ndryshme].

4. Gjykata Themelore në Prishtinë me aktgjykim me nr.750/13 i datës 12 dhjetor 2017, ka vendosur në favor të kërkuesit duke vlerësuar se “[..] pretendimet e organit të paditur i cili ka konsideruar se të dhënat e kërkuara janë në formë të draftit dhe nuk janë të finalizuar; këtë pretendim gjykata e vlerëson si të pabazuar kjo për faktin se dokumentet e tilla të institucioneve publike duhet të jenë të hapura për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe nga ky aspekt, ata kanë drejtëpërdejti interes të arsyeshëm të informohen lidhur me këtë përmbajtje.” Pra, Gjykata nuk trajton tutje këtë çështje dhe në aktgjykimin e saj nuk ofron qartësi për dokumentet që duhet të ofrohen – kjo duke vepruar brenda kërkesës së palës e cila dukshëm ka dështuar të saktësoj objektin e kërkesëpadisë.

5. Kundër këtij aktgjykimi Ministria e Zhvillimit Ekonomik brenda afatit ligjor ka ushtruar ankesë.

6. Gjykata e Apelit e Kosovës me aktgjykim nr.72/2018 I datës 13 dhjetor 2018 ka refuzuar ankesën duke e konsideruar të pabazuar.

7. Ministria e Zhvillimit Ekonomik më datë 12 janar 2018 ka pranuar shkresë nga kërkuesi [pa e pranuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës] për qasje në dokumente duke i’u referuar aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe ka kërkuar dokumentet si në vijim;
a. Procesverbalet e të gjitha takimeve të Komitetit Drejtues të Projektit TC ‘Kosova e Re’.
b. Qasje në ofertën finale e cila i është dërguar kompanive të para-kualifikuara në mars të viti 2012
c. Kontratën e nënshkruar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe ContourGlobal, duke përfshirë pjesët e papërfunduara.

8. Kërkuesi në shkresën e datës 12 janar 2018 del krejtësisht jashtë objektit të aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe asaj të Apelit duke kërkuar dokumente shtesë të cilat madje e njëjta as me kërkesëpadi nuk i kërkon;

9. Gjithsesi, Procesverbalet e takimeve të Komitetit Drejtues të Projektit TC ‘Kosova e Re’, janë dokumente me qasje të kufizuar në përputhje me dispozitat e Ligjit nr.03/L-125 për Qasje në Dokumente Publike nenit 12 par.1, pika 1.11 dhe par 2 i po këtij neni, për më tepër të njëjtat nuk janë objekt i shqyrtimit gjyqësor, meqenëse kërkuesi asnjëherë të njëjtat nuk i ka trajtuar në padi. Po ashtu, sqarojmë se gjithsecili vendim i Komitetit Drejtues të Projektit TC ‘Kosova e Re’, është i qasshëm dhe publik. Interesi publik preket nga vendimmarrja përfundimtare dhe jo nga diskutimet paraprake, rrjedhimisht asnjë procesverbal nuk do të ofrohet për qasje.

10. Në ndërkohë gjatë procesit gjyqësor me Institutin GAP, Ministria e Zhvillimit Ekonomik më 25 janar 2017, pas kërkesës së organizatës jo-qeveritare Balkan Green Foundation e datës 10 janar 2017 [lexo më poshtë për procesin gjyqësor] ka bërë publike thirrjen për shprehje të interesit të datës 18 dhjetor 2009 si dhe listën e kompanive-konsorciumeve të parakualifikuara, e cila i përgjigjet interesit të kërkuesit [Institutit GAP]. Plotësim-ndryshimet në thirrjen për propozime kanë ndodhur në vitin 2013 e tutje, rrjedhimisht marrë në konsideratë se Gjykata vendos brenda kërkesëpadisë së palëve, Ministria e Zhvillimit Ekonomik në dritën e vendimit gjyqësor nuk ka obligim për publikim të ndryshimeve pas dorëzimit të kërkesëpadisë.

11. Tutje, marrëveshjet komerciale për ndërtimin e TC Kosova e Re janë publike nga data 19 janar 2018, në të cilën ngjarje kanë qenë të ftuar edhe kërkuesit.

12. Ministria e Zhvillimit Ekonomik pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës të datës 12 janar 2018 nuk ka pranuar kërkesë nga kërkuesi për qasje në dokumente për dhe rreth TC ‘Kosova e Re’, që janë objekt i aktgjykimit.

13. Paralelisht procesit gjyqësor me Institutin GAP, organizata tjetër jo-qeveritare Balkan Green Foundation më datë 10 janar 2017 [siç u përmend në pikën 10] ka kërkuar qasje në dokumentet si në vijim: a) thirrjen për para-kualifikim të kompanive për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’, b) kompanitë të cilat kanë aplikuar dhe janë para-kualifikuar, c) thirrjen finale për aplikim e cila i është dërguar kompanive të para-kualifikuara si dhe d) ndryshimet në pakon tenderuese që kanë ndodhur nga thirrja e parë për para-kualifikim e tutje. Në përputhje me këtë kërkesë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka ofruar qasje në dy kërkesa; respektivisht në a) thirrjen për para-kualifikim të kompanive për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’ si dhe b) listën e kompanive të para-kualifikuara, ndërsa në dy kërkesat tjera ka kufizuar qasjen duke ofruar shpjegime të mjaftueshme për arsyet e kufizimit.

14. Pas refuzimit të pjesshëm të kërkesës më 22 shkurt 2017 organizata Balkan Green Foundation ka parashtruar kërkesëpadi në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

15. Gjykata Themelore në Prishtinë me aktgjykim nr.318/17 i datës 10 prill 2019 ka aprovuar kërkesëpadinë e kërkuesit.

16. Ministria e Zhvillimit Ekonomik në përputhje me këshillën juridike përmes Avokaturës Shtetërore, më 29 maj 2019 ka ushtruar ankesë, dhe është në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit e Kosovës.

17. Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të respektoj në përpikëri vendimet përfundimtare gjyqësore, pavarësisht cili është rezultati i tyre.

Siç kemi komunikuar paraprakisht puna e Njësisë për Implementimin e Projektit TC ‘Kosova e Re’, gjegjësisht e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, bazohet mbi parimin e transparencës. Mbi këtë parim – të gjitha vendimet duke përfshi marrëveshjet komerciale për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’ të cilat reflektojnë në përpikëri kërkesat e Qeverisë së Republikës së Kosovës gjatë fazës së tenderimit janë publike dhe të qasshme për çdo palë të interesuar.

Kërkojmë dhe ju lutem secilës palë e përfshirë që të kursehet nga deklaratat dhe presioni publik, përderisa lëndët janë objekt shqyrtimi gjyqësor. /Telegrafi/