LAJMI I FUNDIT:

Mesazhi i Rona Nishliut për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna

Mesazhi i Rona Nishliut për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna

“61.4% e fëmijëve në Kosovë deri në moshën 14 vjeçare, kanë pësuar nga ndëshkimi fizik apo dhuna psikologjike nga familjet e tyre.”

Duke marrë shkas nga shumë video të publikuara në mediat sociale, ku fëmijët ishin viktimë e prindërve, fillova të shfletojë shumë për dhunën dhe shfrytëzimin e fëmijëve, ku për një raste dhe reagova publikisht.


Mësova vërtetë shumë dhe në të njëjtën kohë kuptova se ky si problem është shumë më i thellë dhe se duhet adresuar në shumë mënyra.

Për fillim, shokuese për mua ishte statistika e Agjencisë së Statistikave të Kosovës se 61.4% e fëmijëve në Kosovë deri në moshën 14vjeçare, kanë pësuar nga ndëshkimi fizik apo dhuna psikologjike nga familjet e tyre. Kjo si e dhënë duhet të jetë një alarm për të gjithë ne si shoqëri.

Shkaqet e dhunës, llogariten të ndryshëm. Faktorët individual të dhunës lidhen kryesisht me faktorë gjenetikë, apo edhe me histori të ndryshme abuzimi të përjetuara. Në Kosovë kjo mund të lidhet edhe me faktin se si shoqëri kemi kaluar nëpër histori dhune kolektive, në luftë dhe para saj.

Faktorët janë edhe social sikurse: niveli i ulët arsimor, varfëria, papunësia, konfliktet familjare, mungesa e shkathtësive dhe programeve për edukimin e fëmijëve pa dhunë, normat e ndryshme kulturore që dominojnë në shoqëri, sidomos ato që promovojnë dhunën si mjet të përshtatshëm disiplinimi.

“Dhuna prodhon dhunë, ne po krijojmë rreth vicioz të dhunës, ku dhuna po bartet prej një gjenerate në gjeneratën tjetër.”

​Dhuna shkakton probleme zhvillimore. Dhuna sistematike dëmton zhvillimin e fëmijëve si në aspektin mendor, aspektin psiko-emocional dhe social. Dhuna sjell edhe pasoja të tjera si depresioni, performanca e dobët në shkollë, mungesa e vetëbesimit, frikë dhe tërheqje në vete, dhe e kundërta tek disa fëmijë, sjellje agresive, të dhunshme dhe potencialisht në të ardhmen ata mund të shndërrohen në bashkëshortë apo prindër të dhunshëm.

Të fillojmë të punojmë për të mbyllur ciklin e dhunës ndaj fëmijëve! Të fillojmë të mendojmë për edukim të fëmijëve, pa dhunë!

Fëmijët duhet të rriten pa dhunë, fëmijët duhet të mbrohen nga dhuna. E ky si obligim na takon të gjithë ne pa përjashtim, si prind, si motër, vëlla, familjar, shok dhe shoqe, fqinj, profesionist, fundja na takon të gjithë ne si qytetarë.

“Prindërit kanë të drejtë për mbështetje dhe ndihmë gjatë rritjes së fëmijëve”

Ne mund të kontribuojmë të mbrojmë fëmijët nga dhuna në forma të ndryshme. Institucionet përgjegjëse  mund të mbështesin prindërit e rinj apo prindërit potencial në mirërritjen e fëmijëve të tyre pa dhunë.

Prindërit duhet të kërkojnë mbështetje dhe këshilla për mirërritjen e fëmijëve.

Si një Mike e Fëmijëve, unë sot zgjodha të shkruaj. Shpresoj që sado pak të ndikoj në sensibilizimin për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna.

Çfarë do të bëni ju? Ju mund të bëni shumë! Fëmijët duhet të gëzojnë të drejtat e tyre dhe të mbrohen nga dhuna! Jemi ne ata të cilët mund të bëjmë ndryshimin! Të mbyllim ciklin e dhunës, t’i rrisim fëmijët tanë pa dhunë!

Rona Nishliu është pjesë e platformës avokuese Miqtë e Fëmijëve, platformë kjo e iniciuar dhe e koordinuar nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF. Miqtë e Fëmijëve mbështetet nga projekti “Mbrojtja e të Drejtave të Fëmijëve në Kosovë”, implementuar nga KOMF, mbështetur nga BE dhe menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Miqtë e Fëmijëve” është platformë avokuese e përbërë nga personalitete me karrierë të suksesshme nga fusha e diplomacisë, artit, kulturës, sportit etj, e cila do të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimin e mbrojtjes së fëmijëve në të gjithë Kosovën, duke synuar rritjen e vetëdijesimit të institucioneve relevante dhe popullatës së gjerë, mbi rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve dhe investimin afatgjatë në fëmijë. (Ky shkrim publikohet me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve).