LAJMI I FUNDIT:

Malli dhe mali

Malli dhe mali
Ilustrim

Piku fliste me letrën, sikur të ishte diçka e gjallë, megjithëse akoma nuk kishte asnjë ide se çka kishte të shkruar në një faqe letre, pa pikë e presje..

Nuk mbajmë më, as lopë, as dele, as pulë, as gjel, para derës. Dikur mbaja njëqind krerë dele. Nga blegërima e qengjave, ushtonte fshati. Tash, gjarpërinj, breshka e iriqë sillen lirisht nëpër oborr! Bishat e egra përditë i shoh si afrohen deri të porta e shtëpisë. Ato nuk kanë nga kush frikësohen


Malli i gjyshit për nipin qëndronte strukur në çdo lis mali, nën çdo shkurre, nën çdo fije bari, nën çdo dru e nën çdo gurë. Malli i gjyshit qëndronte në çdo pëllëmbë toke të Zezës. Kishte shkelur e prekur Piku edhe pjesë metalesh të ndryshkura fare. Nuk kuptoi çka mund të ishin ato, pasi ishin dëmtuar nga koha. Mund të ishte ndonjë pjesë e saçit apo tepsisë ku piqej buka? Mund të ishte ndonjë pjesë e plugut, me të cilin do të ketë lëvruar arën gjyshi? Ndoshta mund të ketë qenë ndonjë pjesë e vjetër arme? Një zot e di sa vegla pune do të ketë pasur gjyshi? Po të mos vinte edhe ndonjë vjet në Zezë, dheu do të kishte tretur gjithçka, përfundimisht!

Pikun e mundonte misteri i letrës që gjeti mes rrënojash. Përsiatjet për të kuptuar përmbajtjen e letrës nuk i ndali për asnjë çast. Mund të ketë fjalë, me nga një shkronjë? Ndoshta gjyshi ka nisur një fjalë me një shkronjë, por i ka mbetur përgjysmë? Ndodhë që, një shkronjë mund të jetë fjalë e plot dhe me kuptim !? Shumë herë i vajti mendja te vetmia e plakut. Gjyshit i kishin ikur fëmijët, kur akoma e mbanin këmbët mirë.

Rastësia ishte vendimtare për zbulimin e letrës. Për shkollën e fshatit, që ishte shembur pa nxënës, as nuk i shkoi mendja fare. Vetmia e ka mbytur plakun para kohe, mendoi djaloshi mjekër-verdhë, pa kuptuar fare shkronjat. Kush mund të konstruktonte për një çast se, çka kishte folur vetmeveti një plak, në skaj të botës?

Shumë net pa gjumë kishte kaluar Gjyshi duke biseduar me djem e nipër, pa i parë, me vite? Imagjinonte sa është rritur nipi! Nuk besonte se i ka treguar dikush Pikut që ka gjysh, i cili nuk e harron kurrë! Sa shumë i lakmonte Hënës për udhëtimin e saj rreth botës! E krahasonte veten me hënën e zbehtë e të ftoftë. Ndjente inat pse hëna nuk ka rrudha në fytyrë si plaku. Ndjente inat, pse nuk përtërihej si hëna! Edhe oborri i shtëpisë, i dukej i zbrazët e i ftoftë, pa fëmijë. Po kush mund të përshkruante përjetimet e plakut? E ka ditur mirë plaku se, hëna e vetmuar, e ftoftë në dimër e verë, nuk e përfill fare, por ja që, ai bisedonte me te, krejt me ironi! Për plakun, dita e nata, vera e dimri, më nuk kishin ndonjë dallim. Për te, gëzimet kishin mbaruar atë ditë, që para syve, ia morën nipin nga djepi. Plaku moti kishte filluar të mendonte larg, më larg, shumë larg!

Në errësirë, tretej në mendime pa fund. Bisedën e vazhdonte në heshtje, derisa e lodhte gjumi. Sa shumë e kishte dashur jetën dhe natyrën. Stina e luleve, tash nuk i sillte gëzime, por kujtime të largëta, plot zëra fëmijësh. Nuk i harroi për së gjalli lojërat e fëmijëve në oborr? E dinte mirë se, vetëm fëmijët i japin kuptim jetës!

Po përpiqej Piku të imagjinonte përjetimet e gjyshit, i cili e kishte përkundur në djep për disa muaj. Pastaj, kishte heshtur përkundja e djepit përfundimisht. Gëzimet e plakut kishin humbur udhën në kohë!

Ndryshimet që bënte natyra rreth shtëpisë, përditë e më tepër, ia shtonin vuajtjet dhe mallin. Nuk u besonte syve kur shihte se si, ferrat kishin ngadhënjye mbi pemët e tija të dikurshme.

Djaloshit mjekër-verdhë, i dukej sikur po dëgjonte zërin e gjyshit, i cili i thoshte: Hej nipash; dardha kulaçe piqej e para , akoma pa u pjekur gruri përreth saj. Qershitë nuk i kam kërkuar, që kur djepi mbeti thatë, para syve të mijë. Qershitë nuk kanë kuptim pa fëmijë…! Që kur ikët ju, dardhat e mollët kalben, pasi t’i ketë qitë era në tokë. Moti kam harruar shijen e pemëve!.

Pikut, herë-herë i dukej sikur po bisedon me gjyshin e gjallë, por zërin e tij nuk ia kishte dëgjuar, që kur e kishte përkundur në djep.

… Sa herë janë ndërruar pushtuesit, kam gjetur strehim në pyll, dhe kështu mbeta gjallë. U martova në moshë të shtyrë, por ia dola ta kthej jetën në truallin e vjetër. Pas gjithë atyre vuajtjeve, tash jam pajtuar me humbjen. Lufta ime për ekzistencë, përfundoi me disfatë, aty nën hije të kumbullës, në oborr. Luftërat e pushtimet me armë, nuk na shfarosën dot, por kjo ikja juaj, arat tona i ktheu në mal.

Atë ditë që iku djali me nipin në krah, gjyshi qau me zemër! Qau pa zë. Nuk donte ta pikëllonte askënd. Hëngri buzët për të mos ia parë dikush lotët. Ky është fundi, ia përsëriti vetes shumë herë! Gjëma, më nuk iu ndal, sa qe gjallë.

Plak, he thi, i thoshte vetit shumë herë, krejt me ironi! Ku mbeti gëzimi yt, për nipin, që akoma pa folur fjalët e para, iku në pa-kthim? Po kush qe gëzuar si gjyshi, kur lindi nipi?

Djepi thatë afër trungut të kumbullës, dëshmonte çdo gjë! Ngado që lëvizte, shikonte djepin si një përmendore të ftoftë. Sa herë binte shi, padashur vraponte andej kah kumbulla, duke menduar për nipin, që mund të lagët në djep. Plaku nuk e largoi djepin nga vendi, ku ia morën nipin derisa qe gjallë. Djepi kishte bërë vend aty afër kumbullës, në çdo stinë. Edhe në acarin e dimrit, djepi qëndronte i ftoftë dhe bosh, ashtu si zemra e plakut.

Që nga ajo ditë, kur iku djali, plaku, më nuk lëvroi arat. Nuk kositi livadhet.

Një ditë, mësyu, të shoh varret e të parëve, jo fort larg nga shtëpia. Nuk i pa dot gurët e vjetër, mbuluar nga ferrat. E mendoi veten të vdekur, pa varr. Mendoi se si, nuk do të ketë kush ta varrosi, pas vdekjes. Ferrat kishin mbyllur rrugët deri të fqinjët. Ato pak të mira, me të cilat jetoi, i kishte harruar. Mallin, vështirë po e përballonte.

Kujtonte zhurmat e fëmijëve, kur shkonin në shkollë, dhe përherë dilte nga shtëpia për t’i parë. Kënaqej duke shikuar nxënësit, derisa kolona e tyre tretej në largësi, atje në shkollën e fshatit, e cila moti është rrënuar. Para sa vjetësh, çatia e shkollës, pa nxënës, u shembë në pik të ditës. Ushtoi lugina e fshatit. U shembë shkolla, pa rënë termet fare! U shembë shkolla pa këngën e fëmijëve! Edhe shkolla u pikëllua pa nxënës, mendonte plaku jetim!

Deri vonë, nuk kishte dëgjuar se, edhe gjuha e tij ka shkronja shqip. Kur qenë hapur shkollat në gjuhën shqipe, plakut i dukej diçka e pazakonshme. Paskemi edhe ne alfabet, pyeste veten!? Mendonte si duket emri i tij i shkruar shqip! Dikur pat vajtur dy vjet në shkollën e pushtuesit. Mësoi të shkruaj e lexoj në alfabetin e huaj. Këtë fakt nuk e kishte marr seriozisht asnjëri nga familja e tij. Bile, plaku as i kishte thënë dikujt ndonjëherë, që di të shkruaj. Atë nuk e kishte parë dikush të ketë shkruar ndonjë fjalë në letër. Ishte vështirë të paramendonte dikush, që plaku të ketë bërë përpjekje të shkruaj fjalët shqipe me alfabet të huaj. Gjyshi, herë-herë, ishte përpjekur fshehtas, të shkruaj edhe këngë për fshatin dhe bukuritë e tija, por për këtë nuk kishte folur askush!

Piku nuk mund e konstruktonte Zezën, as me fjalë, e as me laps. Mund të kenë shkruar shqip me alfabet të huaj edhe njerëz të tjerë! Do të këtë qenë vështirë, por gjyshi, ndoshta ka bërë hapin e parë. Nipi, po përpiqej të imagjinonte gjyshin e gjallë, duke shkruar. Sa shumë dëshironte të kuptojë çfarë amaneti kishte lënë në letër! Donte të kuptoj se çka e dërmoi gjyshin me shumë, para se të vdiste. Krejt çka trillonte me imagjinatën e tij i dukej kotësi, pasi gjyshi kishte vdekur moti. Mos do ta ketë parë dikush gjyshin në kasolle, pasi të ketë vdekur?! Shtëpia e vjetër, më nuk po i shërbente as njeriu. Kujt mund t’i ketë rënë ndërmend për atë letër, të fshehur mbi trarët e bungut, të nxirë katran nga tymi. Nipi, letrën e gjeti rastësisht nën rrënoja të kalbura, të harruara në mal.

Kishte plot shkronja, pa pikë e presje, shkronja të vetmuara, pa kuptim. Kishte edhe nga dy e tri shkronja të ngjitura me njëra tjetrën. Kjo e hutoi edhe më shumë djalin. Donte të kuptonte me çdo kusht përmbajtjen e letrës. Lodroi mendjen ngado, çka mund të ketë shkruar gjyshi në atë letër me shkronja të kryqëzuara në shumë vende. Zbërthimi i tyre dukej i pamundur. Kishte ardhur Piku, pikërisht aty, ku kishte lindur i ati, që fliste me mall për babin e vet, për gjyshin e Karapicit. Nuk kishte dilemë për rrënimin e natyrshëm të kasolles. Ato pak gjera që kishte pasur gjyshi, ishin kalbur brenda shtëpisë. Përjetimi i nipit, në fshatin Zezë, po shndërrohej në një rrëfim, që pak kush e beson! Nën rrënoja, gjeti dy skelete njerëzish. Në një qoshe të shtëpisë së shembur, disa trarë e dërrasa të kryqëzuara, kishin ruajtur sekretin e vdekjes. Piku po mendonte, mos vallë, shtëpia është shembur sa ishte gjyshi gjallë? Këtë, nuk donte ta besonte. Jo pak herë, Imagjinoi gjyshin e gjallë, duke u përpjekur të dali na rrënojat e shtëpisë.

Shtëpia ishte shembur pas vdekjes së pleqve. Ata kishin vdekur, pak ditë, njëri pas tjetrit dhe kasollja ishte bërë varr i tyre. Edhe po të ndërtonte shtëpi të re, gjyshin e gjyshen, nuk i ngjallte dot. I dukej sikur gjyshi po i drejtohej me zë djaloshit mjekër-verdhë. Përpiqej të konstruktonte çdo sjellje e gjëmë të gjyshit. Akoma nuk po e kuptonte se dielli i vendlindjes ka perënduar për te, atë ditë kur babi i tij, Ziziu iku nga Zeza dhe nuk u kthye më. Edhe ëndrrat për vendlindje kishin humbur rrugën. Piku nuk e lidhte dot vetveten me vendin ku kishte lindur.