LAJMI I FUNDIT:

Malajzia – fitimtarja e habitshme e luftës së çipave mes ShBA-së dhe Kinës

Malajzia – fitimtarja e habitshme e luftës së çipave mes ShBA-së dhe Kinës
Ilustrim (fotomontazh: Julia Bellack/FT; Reuters/AFP/Getty)

Burimi: The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Menjëherë pasi një kompani kineze u hap aty pranë, punonjësit e prodhuesit të kontraktuar malajzias, Kemikon, dolën jashtë fabrikës dhe gjetën fletushkat e ngjitura në xhamin e përparmë të makinave.


Fletushkat ishin nga Fengshi Metal Technology, rival nga Suzhou i cili operon në zona të ngjashme të prodhimit të pajisjeve gjysmëpërçuese. Premtuan pagat me 30 për qind mbi normën e tregut dhe “mundësitë e tjera unike”, duke përfshirë udhëtimet jashtë shtetit dhe ushqimet falas.

Fengshi është një nga dhjetëra kompanitë që në 18 muajt e fundit po hapen ose po zgjerohen në Penang – shtet ky në Malajzinë veriore i njohur më shumë për plazhet, kuzhinën e larmishme dhe atmosferën e qetë. Kompanitë e tjera përfshijnë gjigantët amerikanë të çipave Micron dhe Intel, dhe kompanitë gjysmëpërçuese evropiane AMS Osram dhe Infineon.

Derisa kompanitë në mbarë botën kërkojnë mbështetje për t’u mbrojtur nga pengesat gjeopolitike – strategji e njohur si Kina plus një – Malajzia po bëhet destinacion i papritur i investimeve.

Ajo ka histori 50-vjeçare në “fundin” e zinxhirit të prodhimit të gjysmëpërçuesve: paketimi, montimi dhe testimi i çipave. Por, ka ambicie për të lëvizur në krye të një industrie globale prej 520 miliardëve dollarëve – që fuqizon gjithçka, që nga televizorët te telefonat inteligjentë dhe automjetet elektrike. Kjo përfshin aktivitete me vlerë më të lartë, si fabrikimi i pllakës dhe dizajni i qarkut të integruar.

Zgjerimi i kufizimeve amerikane ndaj teknologjisë kineze, veçanërisht për prodhimin e çipave, janë arsyeja kryesore për tërheqjen neutrale kah Malajzia, thonë grupet e industrisë. Amerika po përplaset me Kinën për supremacinë globale të teknologjisë dhe ka marrë mbështetje nga aleatët në Evropë dhe në Azi – pasi te rivali gjeopolitik i kufizon shitjet e çipave dhe të pajisjeve më të avancuara të prodhimit.

“Ka një garë. Nuk janë vetëm kompanitë kineze [të ngritura në Penang]. Janë ato koreane, japoneze dhe perëndimore”, thotë Marcel Wismer, shefi ekzekutiv i Kemikon-it. Dhe, e gjithë kjo lidhet me luftën teknologjike midis ShBA-së dhe Kinës.

Kemikon-i ndërton pjesët e tilla, si kornizat e makinerive, për klientët ku përfshihen LAM Research dhe Applied Materials në ShBA. Fengshi nuk është e vetmja kompani kineze që përpiqet të marrë punonjësit e tij, thotë Wismer.

Ai shton se, për shkak të kufizimeve të ShBA-së, prodhuesit kryesorë perëndimorë të pajisjeve gjysmëpërçuese nuk mund t’i shesin pajisjet e veta më të avancuara në Kinë. “Por, pjesa tjetër e rrëfimit është se të gjithë këta prodhues i marrin pjesët nga kompanitë kineze”, shpjegon ai.

“Kështu që ata u thonë furnitorëve të tyre: nëse nuk largoheni [nga Kina], ne duhet t’i gjejmë të rinjtë. Kompanitë kineze më pas detyrohen të lëvizin ose të zgjerohen në vendet si Azia Juglindore, në mënyrë që të mos e humbasin biznesin. Këtu hyn Penangu”.

Investimet po lulëzojnë. Shteti tërhoqi 60.1 miliardë RM (12.72 miliardë euro) në investime të huaja direkte më 2023, më shumë se totali që mori nga viti 2013 e deri më 2020.

Është “qëllim kryesor” zhvillimi i industrisë gjysmëpërçuese të Malajzisë dhe i fuqisë punëtore në këtë prodhim me vlerë të lartë, thotë kryeministri Anwar Ibrahim për Financial Times.

Malajzia është në “një moment shumë kritik, në largim nga historia jonë”, thotë ai ndërsa shikon një nga katet e një fabrike në Penang. Si vendas nga ky shtet, pranon se është personalisht krenar për lulëzimin e tij.

Por, rrëfimi ka një dobësi. Këto përfshijnë mungesën e madhe të talenteve dhe dështimin për të krijuar një kampion vendas të gjysmëpërçuesve i cili do të mund të tërhiqte të tjerët.

Një tjetër është politika. Uashingtoni ka ushtruar tashmë presion mbi Kuala Lumpurin për “animin” drejt Pekinit nën Anwarin – i cili detyrën e mori në vitin 2022. ShBA-ja, kontribuuesi më i madh në investimet e huaja direkte në Malajzi, mund ta ndalojë edhe më tej teknologjinë kineze; disa analistë dhe grupe të industrisë kanë frikë se mund të ndalojë – nga vërshimi i kompanive të reja kineze – produktet dhe pajisjet e ndërtuara në Malajzi.

Por, Gautam Puntambekar, shefi ekzekutiv i Bankës së Amerikës thotë se “kur flisni për gjysmëpërçuesit, Malajzia gjithmonë është pjesë e temës”.

“Diversifikimi i zinxhirit të furnizimit nga Kina mbetet fokus kryesor për kompanitë”, thotë ai, duke shtuar se kjo do të përshpejtohet përpara zgjedhjeve të vitit 2024 dhe se do ta bëjë Penangun “një nga pikat më interesante në Azi”.

Në vitin 1972, një fushë me baltë në Penang u bë objekti i parë i prodhimit jashtë ShBA-së për Intel-in. Të joshur nga një zonë e re e tregtisë së lirë dhe një port i ngarkuar transporti në ngushticën e Malakës, Intel-i së bashku me AMD-në, Renesas (ish-Hitachi), Keysight Technologies (ish-Hewlett-Packard) dhe disa kompani të tjera shumëkombëshe të teknologjisë, ishin pioniere të asaj që dikur quhej “Lugina e Silikonit në Lindje “.

Malajzia u bë makinë mirë e vajosur në montimin e paketimit dhe testimin e çipave, e konsideruar deri vonë si pjesë e fundit e procesit, por e domosdoshme e zinxhirit të furnizimit të prodhimit të gjysmëpërçuesve.

Tashmë është eksportuesi i gjashtë më i madh në botë i gjysmëpërçuesve dhe mban 13 për qind të tregut global të paketimit, montimit dhe testimit të gjysmëpërçuesve. Është origjina për 20 përqindëshin e importeve të gjysmëpërçuesve amerikanë çdo vit, më shumë se Tajvani, Japonia apo Koreja e Jugut. Por, nuk e kishte një katalizator që të lëvizte në zinxhirin e vlerës së gjysmëpërçuesve – deri tash.

Kërkesa për çipa me fuqi gjithnjë e më të lartë, në sektorët e tillë si automjetet elektrike dhe inteligjenca artificiale, nënkupton të ashtuquajturin paketim të avancuar – i cili lidh çipat me qarqet dhe i mbron nga ndotja – që cilësohet si kryesori për përmirësimin e performancës. Procesi që më parë kërkonte më shumë punë, tani shpeshherë po zhvillohet në fabrikat e automatizuara.

Intel-i, prodhuesi më i madh i çipave në botë për nga të ardhurat, po shpenzon shtatë miliardë dollarë për objektet e reja në Malajzi, duke përfshirë një vend për paketim të avancuar “3D” që do të përfundojë më vonë këtë vit. Teknologjia e fundit i vendos çipat njëri mbi tjetrin, për të përmirësuar performancën.

Ajo gjithashtu po e ndërton një fabrikë tjetër për montimin dhe testimin e çipave në Kulim, i cili kufizohet me Penangun. “Jemi rritur nga 100 njerëz në montim – për të testuar, për të dizajnuar – dhe tani në paketim të avancuar dhe në 15 mijë njerëz”, thotë Eric Chan, nënpresident i Intel-it në Penang. Ekosistemi ekzistues i Malajzisë, ndërlidhja dhe infrastruktura për çipat ishte pjesë e kësaj tërheqjeje, thotë ai.

Micron-i dhe Infineon-i i Gjermanisë janë gjithashtu në modalitetin e zgjerimit. Micron-i me bazë në ShBA, vitin e kaluar e nisi objektin e tij të dytë për montim dhe testim në Penang, ndërsa Infineon-i, një ish-degë e konglomeratit inxhinierik gjerman Siemens, tha se do të shpenzojë deri në 5.4 miliardë dollarë për t’u zgjeruar gjatë pesë viteve të ardhshme. Po e ndërton vendin më të madh të prodhimit në botë për çipat e karbitit të silikonit, të përdorur gjerësisht nga prodhuesit e automjeteve elektrike.

David Lacey, shef ekzekutiv në Penang për AMS Osram-in, thotë se diversifikimi i zinxhirit të furnizimit filloi me pandeminë, “por sfondi gjeopolitik po i shtynë njerëzit të gjejnë vendndodhje dhe burime alternative”. Grupi elektronik me bazë në Zvicër ishte një nga kompanitë e para që vendosi të jetë e pranishme në Penang dhe ende po investon atje.

Zafrul Aziz, ministri i Malajzisë për Investimet, Tregtinë dhe Industrinë dhe kryetar i task-forcës kombëtare të gjysmëpërçuesve të nisur në shkurt, thotë se ishte i befasuar nga fakti se sa produktive dhe të automatizuara janë bërë fabrikat në Penang.

Ka një efekt rrjedhës për sipërmarrjet fillestare. Oppstar është një nga kompanitë e pakta malajziase e specializuar në projektimin e qarkut të integruar – pjesa fillestare e zinxhirit të furnizimit – që vitin e kaluar u listua në bursën e Kuala Lumpurit.

Bashkëthemeluesi Tan Chun Chiat thotë se Malajzia ka një “mundësi të artë” për ta shfrytëzuar. “Për më 10 vite e më shumë mendoj se do të shohim shumë më tepër aktivitet – për shkak të joefikasitetit të krijuar nga lufta tregtare [SHBA-Kinë]”.

Ethet e investimeve janë edhe në qeverinë që është miqësore ndaj biznesit të Penangut. Vizita e Anwarit gjatë vitit të ri hënor përkoi me një ceremoni tjetër themelimi në një vend industrial – për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje.

Qeveria e Penangut zotëron pjesën më të madhe të tokës në shtet, që është ndihmë për arkat e saj. Loo Lee Lian, shefe ekzekutive e Invest Penang, krahu jofitimprurës i qeverisë së shtetit, thotë se organizatës i është dashur të bëhet “më selektive” se kush hyn, kjo për shkak të kufizimeve për tokë. Zhvillimi është përhapur në shtetet fqinje Kedah dhe Perak.

Çmimet e tokës industriale kanë shkuar nga rreth 50 RM [9.77 euro] për 0.1 metër katror më 2022 deri në 85 RM [16.6], thotë Mark Saw, drejtor ekzekutiv në Knight Frank Penang, konsulencë kjo për pasuritë e paluajtshme. Në të gjithë Azinë juglindore, rritja e çmimit të pronave të banimit në Penang, në gjysmën e parë të vitit 2023, ishte e dyta pas qytetit-shtetit të shtrenjtë të Singaporit, siç raporton Knight Frank.

Bllokimi i trafikut është bërë tipar i rregullt; zëvendëspresidenti i Micron Malaysia, Ramu Iyer, bën shaka se pavarësisht se jeton vetëm 14 kilometra nga fabrika e tij, ai e kalon një orë në trafik duke shkuar për çdo ditë në shtëpi.

Gjithashtu, është bërë më e theksuar mungesa e personelit inxhinierik në vend. Zafruli, ministri i Tregtisë, thotë se vetëm sektori elektrik dhe elektronik kërkon 50 mijë inxhinierë, por vetëm pesë mijë inxhinierë diplomohen çdo vit – dhe shumë prej tyre kalojnë në Singapor, ku paguhen shumë më tepër. Pagat e inxhinierëve, veçanërisht për të diplomuarit fillestarë, është ende nën shumicën e sektorëve të tjerë profesionistë në Malajzi dhe ekspertët thonë se ekziston një mungesë e ekspertizës së specializuar për të shkuar deri në fund të zinxhirit të furnizimit.

Tan Eng Kee, specialist i pajisjeve të automatizimit të fabrikës Greatech Technology i cili e priti Anwarin në vizitën e tij në Penang, thotë se qeveria duhet të jetë “më e fokusuar” në rritjen e kampionëve vendas dhe në rritjen e pagave. “Në Tajvan dhe në Korenë e Jugut, ata janë krenarë që punojnë për kompanitë kombëtare si TSMC, Pegatron apo Samsung”, thotë shefi ekzekutiv.

Historikisht ka pasur mungesë të vullnetit politik për të ofruar stimujt e synuar të nevojshëm, për të joshur kompanitë më të mëdha gjysmëpërçuese e për të ngritur fabrikat e investimit kapital, të njohura si fabe, dhe Malajzia nuk ka model kombëtar të gjysmëpërçuesit si TSMC-ja e Tajvanit.

Kryeministri i pestë i Malajzisë në pesë vjet, Anwari pranon një nivel të “kënaqësisë” së shkuar, kur është fjala për nxitjen e industrisë së gjysmëpërçuesve – pas bumit fillestar në vitet 1970 dhe 1980. Por, industria tani është objektiv kryesor i planit që fokusohet në ringjalljen e ekonomisë.

Anwari thotë se janë shumë të larta subvencionet globale, por i ka thënë Ministrisë së Tregtisë që të shikojë se çfarë ofrojnë vendet e tjera, për të qenë më konkurrues. “Po marrim mjaftueshëm investime. Jam këtu [në Penang] për të hapur një faqe të re”, shton ai.

Pjesa më e madhe e kësaj është falë rritjes së lojtarëve të rinj në Penang: kompanive kineze.

Sipas Invest Penang-ut të Loosë, qëkur ShBA-ja nën administratën Trump filloi të vendoste kufizime tregtare mbi teknologjinë kineze – sidomos pasi ato u ashpërsuan nga presidenti aktual i ShBA-së, Joe Biden – Penangu përjetoi vërshimin nga grupet kontinentale si Fengshi.

Shumë prej tyre janë kompani me furnizues globalë ose klientë perëndimorë që mbrojnë kufizimet e mëtejshme të ShBA-së, thotë ajo. Invest Penang vlerëson se tani ka 55 kompani kontinentale në Penang që operojnë në prodhim, kryesisht me gjysmëpërçues. Kjo krahasohet me vetëm 16 që ishin para fillimit të goditjes amerikane.

Kufizimet e ShBA-së aktualisht nuk zbatohen për shërbimet e avancuara të paketimit të çipave, por bizneset kineze kanë frikë nga kufizimet e mundshme në të ardhmen, thotë një analist me qendër në Hong-Kong i cili kërkoi të mbetet anonim. Disa po rrezikojnë duke u bërë partnerë me firmat malajziane, për të mbledhur një pjesë të çipave të tyre të nivelit të lartë, shtuan ata.

Ish-njësia e Huawei-it, xFusion, po bashkëpunon me operatorin lokal NationGate për të prodhuar në Penang serverë të njësisë së përpunimit grafik. Në disa raste, kompanitë kineze dhe amerikane madje punojnë së bashku. Kompania e paketimit dhe testimit TongFu Microelectronics, e zgjeroi objektin e saj Penang në partneritet me grupin amerikan AMD më 2022.

“Kur vendi i origjinës ndryshon diku, si drejt Malajzisë, nga kompanitë kuptoj se për disa produkte mund të shmangin edhe tarifat e vendosura nga ShBA-ja ndaj Kinës”, shton Seri Wong Siew Hai, president i Shoqatës së Industrisë së Gjysmëpërçuesve të Malajzisë.

Kompania koreano-jugore Simmtech, e cila prodhon nënshtresat në të cilat janë gdhendur qarqet e integruara, hapi një fabrikë të re të prodhimit të avancuar në Penang në vitin 2022, ndërsa brenda disa muajve njoftoi se do të përshpejtonte zgjerimin e objektit. Disa nga furnizuesit e saj kinezë e kanë ndjekur atë në Penang dhe kanë ngritur operacionet atje, thotë një person i njohur me veprimet e kompanisë.

Shumica e lojtarëve kinezë janë ende nga pjesa e montimit dhe e testimit të zinxhirit të furnizimit. Por, analistët thonë se nëse kompanitë në sektorë më të ndjeshëm dhe me vlerë më të lartë fillojnë të krijojnë punishte, kjo mund të kërkojë ca analiza.

StarFive Technology me bazë në Shangai është lider në RISC-V (shqiptohet “rreziku pesë”), një teknologji me burim të hapur që përdoret në Kinë e që konkurron me dizajnerët britanikë të çipave Arm. Po e ndërton një objekt në Penang, por disa ligjvënës amerikanë tashmë duan të kufizojnë kompanitë amerikane nga bashkëpunimi në projektet RISC-V.

Çështja do të jetë nëse amerikanët vazhdojnë të zgjerojnë kriteret e tyre, thotë Wong i MSIA-së – për shembull, duke i vendosur produktet dhe pajisjet e ndërtuara në Malajzi në listën e kufizimeve. “Nëse vazhdojnë të zgjerojnë përkufizimet dhe sanksionet e tyre … atëherë Malajzia mund të shikojë një tjetër histori”.

Zafruli, ministri i Tregtisë, pajtohet se ka “pikëpyetje” se çfarë tjetër mund të bëjë ShBA-ja. “Por, kufizimet e mëtejshme ndoshta do të jenë kundërproduktive, veçanërisht duke marrë parasysh praninë e konsiderueshme të kompanive amerikane në Malajzi”, shton ai.

Ndërkohë, Malajzia duhet të fokusohet në mënyrë agresive në rritjen e investimeve të nivelit të lartë ose “humb” ndaj rivalëve rajonalë, shton Zafruli. Vietnami dhe India po ndërtojnë industritë e tyre gjysmëpërçuese, shpeshherë me stimuj shumë më të lartë shtetërorë dhe me më shumë inxhinierë dhe më të aftë që i kanë në dispozicion.

Është e arsyeshme ndjesia e tij për urgjencë. Malajzia mund të ketë marrë investime rekorde në vitet e fundit, por ende i mungon çmimi i madh: punishtja e fabrikimit. Nga rreth 80 objekte të tilla që do të ndërtohen në mbarë botën gjatë viteve të ardhshme, asnjëra nuk është në Malajzi.

“Jam optimist se do të tërheqim më shumë se një”, thotë Zafrul. “Gjithçka që duhet është një shtytje për të nisur një valë”. /Telegrafi/