LAJMI I FUNDIT:

Lufta e Putinit kundër Ukrainës do ta dridh botën si 9/11-shi: Të mos i bëjmë të njëjtat gabime

Lufta e Putinit kundër Ukrainës do ta dridh botën si 9/11-shi: Të mos i bëjmë të njëjtat gabime
Bilbordët e propagandës së Vladimir Putinit në Krime: “Rusia nuk i nis luftërat; Rusia i përfundon ato” (foto: Alexey Pavlishak/Reuters)

Nga: Jonathan Freedland / The Guardian
Përktheu: Telegrafi.com

Njëjtë si ketri i verbër që herë pas here e gjen ndonjë arrë, Liz Truss e drejtoi gishtin te diçka që është e vërtetë. Të enjten, sekretarja e Jashtme e mbajti një fjalim ku tha: “Pushtimi i Ukrainës nënkupton ndryshimin fondamental të qasjeve tona, të nivelit të 9/11-shit (sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 – v.j.)”. Po si ajo ndjesia e çuditshme që e ke kur e shikon orën e prishur që e tregon kohën e saktë, po aq e pazakontë ishte ta dëgjoje një vlerësim të saktë – që nuk çohet deri në fund – nga një anëtar i lartë i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Natyrisht, ka shumë gjëra tjera që Truss nuk i tha dhe nuk do t’i thotë. Për dikën, ajo që tash askush nuk po e quan si 2/24 (dita e nisjes së pushtimit të Ukrainës – v.j.) ka mundësi të jetë më domethënëse se 9/11-shi. Për dikë tjetër, qëllimi kryesor për krahasim të këtij momenti me agoninë e shtatorit 2001 është që të jemi të sigurt të mos i bëjmë të njëjtat gabime.

T’ia nisim me shembujt e duhur. Sulmet që dikur u bënë ndaj Nju-Jorkut dhe Uashingtonit u kuptuan si apel – drejtuar botës demokratike – për mbrojtje të parimit themelor të lirisë. Ky apel është më i zhurmshëm sot, jo pse kërcënimi që paraqet Vladimir Putin është më i madh se ai i rrëmbyesve të 9/11-shit, por sepse parimi i sulmit është më i qartë. Duke e pushtuar Ukrainën ai e ka shkelur konceptin themelor të sovranitetit dhe të vetëvendosjes përmes të cilit kombet bashkëjetojnë. Tha se shtetet e mëdha mund t’i gllabërojnë më të voglat, duke i kthyer njerëzit e atyre vendeve në vasalë. Me këtë lëvizje e ka goditur me teh sëpate mënyrën se si bota jonë funksionon e që është mënyra e vetme me të cilën mund të funksionojë.


Është thënë gjithashtu se autorët e 9/11-shit paraqesin rrezik më të madh që kërcënon vlerat dhe mënyrën tonë të jetesës: u paraqitën si kult nihilist që e do vdekjen po aq sa objektivët e tyre e donin jetën. Cilado qoftë vlera e përshkrimit të asaj kohe, nihilizmi është mënyrë e duhur për ta karakterizuar kërcënimin e tashëm putinist. Jeni dëshmitarë të shkatërrimit dhe të mospërfilljes së jetëve njerëzore, gjë që shprehet me bombardimet e përsëritura të civilëve ukrainas, madje edhe të atyre që ikin për të shpëtuar; pastaj shënjestrimi i qëllimshëm i ndërtesave të banimit, i kopshteve dhe spitaleve, përfshirë atë për nënat, fëmijët dhe foshnjat në Mariupol.

Lexojini gënjeshtrat për ato sulme që shpalosen me shkelje syri e që shihen e vërehen nga cicërimat e profileve të qeveritarëve rusë. Mendoni për dezinformimin e shkaktuar nga shteti që me paturpësi thotë se dita është natë dhe nata është ditë, se fqinjët e Rusisë nuk duhet të kenë frikë nga pushtimi, sepse Rusia “nuk e ka pushtuar Ukrainën”. Edhe nëse mundoheni të largoheni nga jehonat e dukshme historike, shikojini mitingjet e orkestruara të ultra-nacionalistëve të rinj, të gjithë të mbuluar me simbolin “Z” teksa i bëjnë përshëndetjet e njëpasnjëshme me krahun e djathtë (fashizëm – v.j.). Nëse i shikoni në fytyrë ata, nuk mund të mos arrini në përfundimin se ajo që jeni duke parë në fakt është kulti i nihilizmit.

Dhe, po, kjo ka më shumë rëndësi se versioni që u shpall për 9/11-shin, sepse fjala është për pushtet shtetëror. Putinizmi komandon me një arsenal bërthamor dhe me një ushtri të madhe, ndonëse të dobët. Teksa ShBA-ja dhe aleatët e saj bënin “luftë kundër terrorit”, Putini hap pas hapi përparonte drejt këtij momenti – duke e mbytur ngadalë përbrenda demokracinë foshnjore të Rusisë dhe duke e mprehur tehun e veprimit përjashta. Marrja e tokës nga Gjeorgjia më 2008 dhe kapja e Krimesë më 2014; shkatërrimi i pamëshirshëm në Siri i shkaktuar ashiqare me të njëjtat bombardime të pamëshirshme që i kishte bërë në Çeçeni. Pushtimi i Ukrainës nga Putini nuk ndodhi rastësisht. Siç ka thënë Quentin Sommerville i BBC-së gjatë një raportimi mjaft prekës nga Kharkivi: “Nëse nuk i njihni këto taktika, atëherë nuk ia keni kushtuar vëmendjen”. Por, ky është problemi: qeveritë perëndimore e kthenin kokën në anën tjetër.

Këto na sjellin te pikat ku Liz Truss kishte frikë të shkelte. Nëse me të vërtetë është një ndryshim fondamental i qasjeve si për 9/11-shin, atëherë mësimi i parë duhet të jetë ky: të mos e pështjellim punën si herën e kaluar.

Një gabim lehtë mund të shmanget. George W Bush dhe Tony Blair gabuan kur i shpalosën retorikat dhe metodat e luftës për atë që duhej të ishte operacion policor. Në vend të kësaj, terroristët e rrezikshëm – të cilët duhej të ishin caqe të punës së gjatë, intensive dhe komplekse të policisë dhe të inteligjencës – u ngritën në armiq luftarakë, duke ua dhënë atyre statusin për të cilin donin të vdisnin. Këtë herë nuk ka ndonjë rrezik për të gabuar në këtë rast specifik: është luftë aktuale që përfshin një shtet aktual.

Por, ekziston rreziku i keqidentifikimit të armikut. Dy dekada më parë, skifterët (fjala është për helikopterët “Black Hawk” – v.j.) u ngutën duke e mbështetur “përplasjen e qytetërimeve”, thuajse Perëndimi nuk ishte i destinuar të luftonte me një grup të caktuar të ngushtë xhihadistësh të dhunshëm, por me islamizmin – apo me vetë Islamin. Gabim keqdashës dhe fatal. Kjo e shtyri ShBA-në dhe Britaninë e Madhe të godisnin ashpër, duke e pushtuar Afganistanin – kur në fakt duhej vetëm angazhimi i forcave speciale për ta çrrënjosur al-Kaidën. Dhe, gjëja më e rëndë: pushtimi i Irakut në kërkim të armëve që nuk ekzistonin. Kjo na solli gjithashtu te një sërë lëvizjesh të brendshme, pasojat e të cilave nuk ishin vetëm izolimi dhe kapja e xhihadistëve të dhunshëm, por demonizimi dhe përjashtimi i myslimanëve.

Perëndimi nuk duhet ta përsërisë këtë gabim. Duhet të jetë më specifik. Sot beteja është kundër Putinit dhe putinizmit, jo kundër Rusisë apo rusëve. Ka kuptim ndërprerja e lidhjeve me institucionet e afërta me Kremlinin, por ndalimi i një kursi për romanet e Dostojevskit është budallallëk. Shumica e rusëve janë viktima të putinizmit. Ata janë plaçkitur pa mëshirë – nga ai dhe nga xhelatët e tij; atyre me dhunë ua imponojnë gënjeshtrat. Në luftën kundër putinizmit, ata do të jenë aleatët kryesorë.

Studiuesi dhe analisti nga Uashingtoni, Shadi Hamid, beson se Ukraina mund të shërbejë si alarm zgjimi për brezin që, si ai, u rrit i rrethuar nga mbetjet e 9/11-shit. Këtë javë më tha se ato vite e bënë të jetë “jo entuziast dhe ambivalent” në lidhje me pushtetin e forcës së ShBA-së, sepse kishte parë se si gjërat shkonin mbrapshtë, sidomos në Irak. Trashëgimia e 9/11-shit shkaktoi një preferencë – të paktën mes progresistëve amerikanë – për “gjëra të bukura e me gëzof, si pushteti ekonomik”. Pas Ukrainës, Hamidi parashikon se kjo gjë do të ndryshojë. Një brez i ri po kupton se për t’i bërë ballë një diktatori vrasës që kundërshton gjithçka tek të cilat ata besojnë – nga të drejtat e pakicave e deri te shprehja e lirë – ndonjëherë është vetëm forca ajo që ka sukses. Me fjalë të tjera, ky ndryshimi i fundit fondamental i qasjeve po e zhbën rastin e mëparshëm.

Sigurisht, është ende herët të dihen gjërat. Lufta në Ukrainë do të sjellë akoma më shumë mizori, edhe më shumë gjak. Por, ky pushtim ka shkaktuar një reagim të cilin arkitekti i kësaj nuk e kishte parashikuar: vendosmërinë perëndimore që jo vetëm se Putini duhet të ndalohet në Ukrainë, por se putinizmi duhet të mposhtet. Është vendosmëri më këmbëngulëse se çdo tjetër që nga viti 2001. Kjo betejë ka më shumë rëndësi se ajo e atij viti dhe kjo është arsyeja se pse nuk duhet të rishfaqen marrëzitë e dikurshme e pse nuk duhet të përsëriten gabimet. /Telegrafi/