LAJMI I FUNDIT:

Loja me veriun

Janë dy ngjarje, të një rëndësie jo dhe aq të madhe në dukje, që kanë ndodhur në Kosovë javën që lamë pas. E para ishte përzënia me forcë e ministrit serb Goran Bogdanoviq nga territori i shteti të cilin ai refuzon ta njohë, dhe së dyti përzënia e strukturave paralele, edhe pse jo krejtësisht nga komuna e Shterpcës dhe zëvendësimi i tyre me të zgjedhurit e ligjshëm të 15 nëntorit. Sado që e para, pra përzënia e ministrit provokator që luan me dy karta, edhe të Kosovës , si banor i saj, dhe atë të Serbisë si i emëruar politik në krye të ministrisë fantome për Kosovën, erdhi më shumë si pasojë e erës së ndryshimeve që po fryn në kreun e policisë, (dikush u përpoq të marë kredite patriotizmi për ambicie personale) efekti ishte shumë pozitiv.

Institucionet e Kosovës guxuan dhe provuan për herë të parë se nuk mund të injorohen kaq lehtë nga zyrtarët serbë, ndryshe nga ç’ndodhi pak ditë më parë me vizitën e presidentit Tadiq, vizitë e cila më shumë sesa thirrjet për paqe, të shpërndara bashkë me temjanin në kishën e Deçanit, shërbeu për të përçarë serbët e Kosovës dhe të ndezë edhe një herë inatin e klerikut të mllefosur Artemie.


Argumenti i dytë, edhe më i rëndësishëm se i pari është se të dyja rastet dëshmuan se nëse institucionet e Kosovës do të kishin vullnet politik, futja e komuniteti serb në zinxhirin e rendit dhe ligjit është mision i vështirë por jo i pamunudur. Por drita që bie mbi këto dy zhvillime pozitive do të nxjerrë në pah edhe anë të tjera të medaljes. Ose më thjeshtë do të ngrinte një pyetje të pashmangshme. Përse ka munguar vullneti politik për tu përballur me perandorinë dhjetëvjeçare të krimit, të ngritur sidomos në veri të Kosovës?

Them vullnet politik sepse dëshira për të ndryshuar atë realitet, ka qenë prezente tek e gjithë shoqëria, përjashto ata që janë të lidhur me kontrabandën që zhvillohet nga veriu, që kanë përfitime të mëdha ekonomike nga kjo situatë e që shpesh i tërheqin fijet deri lart, tek përfaqësues institucionesh nga më të rëndësishmet. Por liderët politik nuk zgjidhen për të shprehur dëshira futuristike para kamerave, por që nëpërmjet aksioneve konkrete të ndryshojnë një realitet të dhënë apo të caktuar.

E vërteta është se përgjegjës kryesorë për vrimën e zezë në veri, janë institucionet ndërkombëtare e në radhë të parë UNMIK-u. Ishte ajo administratë e që me apatinë e saj, me mungesën e vullnetit e herë herë për shkak të lidhjeve të forta me krimin (jo rrallë policë të UNMIK-ut nga vende të ndryshme të botës kanë qenë pjesë e kontrabandës në veri) apo nëpërmjet dhënies së disa funksioneve strukturave paralele, që këto të fundit të ndërtojnë pashallëkun e tyre, që sot nuk po mundet ta shkatërrojë askush.

U tolerua gjithçka, strukturat paralele, targat e vjetra te makinave, dokumentet e vjetra, pasaporta e Serbise, mospagimi i rrymës dhe shërbimeve të tjera komunale, paga nga Serbia, investime të Serbisë pa kaluar në institucionet e Kosovës, ndërtimet pa leje, mungesa e doganave, shërbimet sekrete e gjithçka tjetër që nënkuptonte lidhjet me shtetin serb. Veriu u bë dhe vazhdon të mbetet vendstrehimi më i sigurt i kriminelëve të luftës.

E bëra të gjithë këtë hyrje për të ardhur tek një moment i rëndësishëm. Këto ditë, një dokument, i cili ende është në fazën e përpunimit, përflitet nëpër media. Strategjia për veriun, ku institucionet vendore dhe ndërkombëtare më në fund e kuptuan se vrima e zezë në veri mund të hedhë në erë të gjithë rrëfimin për shtetin funksional.

Dalja e kësaj strategjie të papërfunduar në momentin që kreu i qeverisë ka paralajmëruar ndryshime në kabinetin e tij, nuk duket të jetë mjaft serioze. Ose “spindoktorët” e tij kanë pasur një qëllim tjetër, të zhvendosin vëmendjen e opinionit publik dhe në këtë mënyrë të blihet edhe ca kohë. Kjo sepse formula magjike e “riformatizimit” ende nuk është gjetur mes partnerëve të koalicionit, që nëse nisemi nga faktet se si i kanë punët e brendshme, më shumë do t’iu shkonte përcaktimi rivalë.

Por mund të ketë edhe një arsye tjetër. Rënia e reputacionit të kësaj qeverie si pasojë e problemeve me zgjedhjet do të mund të restaurohej disi nga një dokument me emër të madh, i cili i referohet problemit më të madh, veriut të Kosovës ose mollës së sherrit mes Serbisë dhe Kosovës. Këto paranteza shtrohen natyrshëm duke pasur parasysh se deri tani skemi parë asgjë konkrete që do t’i ngjante një aksioni të fuqishëm për të futur atë pjesë të territorit nën administrim. Madje asnjë nga institucionet e këtij vendi, qofshin vendore apo ndërkombëtare nuk është marrë me veriun deri tani; asnjë dokument, plan, strategji e cila do të mbetej qoftë edhe në letër.

Situata në këtë pjesë të territorit është mjaft dramatike. Mjafton të përmendim se edhe një vit pasi policët e EULEX-it kanë marrë përsipër sigurinë në ndërtesën e Gjykatës dhe një numër i vogël prokurorësh, hetuesish apo gjykatësish të këtij misioni po punojnë, akti i tyre vazhdon të mbetet simbolik. Gjykatësit shqiptarë ende nuk mund të shkojnë në ndërtesë dhe rikthimi i tyre do të ishte jo më shumë se një kthim në gjendjen para 17 shkurtit 2008. Për fjalën progres këtu nuk ka vend.

Shpallja e pavarësisë e ka radikalizuar qëndrimin e serbëve në këtë pjesë ku loja politike e Beogradit vazhdon të luhet me ritëm të shtuar, me qëllimin e qartë për ta shndërruar veriun në një konflikt të ngrirë. Shuarja e strukturave paralele jo domosdoshmërisht do të bëhej me zhvillimin e zgjedhjeve pas disa muajsh në komunën e Mitrovicës. Në të vërtetë pa një spastrim të terrenit nga ata “liderë” që shantazhojnë qytetarët e thjeshtë serbë që kanë dëshirë të ndërtojnë një të ardhme më të mirë dhe të dalin në zgjedhjet e organizuara nga institucionet e Kosovës , kjo gjë është e kotë të ëndërrohet. Sa më shumë kohë ka kaluar, aq më thellë i kanë futur rrënjët këto struktura të paligjshme.

Prandaj dora e butë, e EULEX-it, e paralajmëruar këto ditë si pjesë e strategjisë kur të bashkohet me një qeveri e cila vlon nga pakënaqësitë e partnerëve, apo frikën e zgjedhjeve të parakohshme, vështirë se do të jepte ndonjë rezultat të hatashëm. Strategjia për veriun, edhe pse e vonuar, pothuajse një dekadë, do të ishte veprimi i duhur në rast se ajo do të mund të implimentohej me vendosmëri. Në të kundërtën do të shndërrohej në një bumerang.

(Autorja është analiste pranë gazetës Kosova Sot)