LAJMI I FUNDIT:

Ligj për ringjalljen e Trepçës

Ligj për ringjalljen e Trepçës

Gjiganti metalurgjik Trepça në Mitrovicë, vazhdon të përballet me barriera të shumta, ndërsa ende nuk ka ndonjë vendim nga autoritetet kompetente se a do të privatizohet apo rivitalizohet ky kompleks. Në anën tjetër, udhëheqës të kësaj ndërmarrjeje dhe deputetë në Kuvendin e Kosovës, kërkojnë që sa më shpejt të miratohet Ligji për Trepçën, e pastaj të shqyrtohen format alternative për rigjallërimin e saj.

Kompleksi industrial Trepça që gjendet në Mitrovicë, vazhdon të përballet me probleme të natyrës juridike, politike dhe ekonomike. Për t’i zgjidhur këto probleme, së pari duhet të fillohet nga pikëpamja juridike, në mënyrë që të funksionalizohet edhe çështja ekonomike, thonë udhëheqës të këtij kompleksi.

Menaxheri i kësaj ndërmarrjeje, Ferat Shala, thotë se vetëm miratimi i Ligjit për Trepçën, do të mundësonte eliminimin e barrierave, me të cilat aktualisht ballafaqohet ky kompleks. Shala, megjithatë, shpreson se ky ligj do të miratohet brenda disa muajsh, pasi tregon se përfaqësues të kësaj ndërmarrjeje, në bashkëpunim me institucionet vendore, tashmë e kanë iniciuar këtë projektligj.

“Konsideroj se Ligji për Trepçën do të zgjidhte një pjesë të problemeve, një pjesë të moratoriumit dhe do ta orientonte qartë perspektivën zhvillimore të ndërmarrjes Trepça”, thotë Shala. /Telegrafi/