LAJMI I FUNDIT:

Letra e Hakslit për Oruellin (1949): Vizioni im për ferrin e së ardhmes është më i saktë se i yti!

Letra e Hakslit për Oruellin (1949): Vizioni im për ferrin e së ardhmes është më i saktë se i yti!
Dy gjigantët e distopisë: Oruelli dhe Haksli (fotomontazh)

Përktheu dhe përgatiti: Agron Shala

Pasi e lexon veprën 1984 (Nineteen Eighty-Four), Oldus Haksli (Aldous Huxley) – autori i fantashkencës së famshme distopike Brave New World (1932), që në shqip është përkthyer si Më e mira e botëve – ia dërgon një letër Xhorxh Oruellit (George Orwell) të cilin e kishte student në Kolegjin Iton. Haksli e çmon veprën e Oruellit, pajtohet me vlerësimet pozitive të kritikëve, por shton se më i saktë është parashikimi i tij për skëterrën e së ardhmes.


Nëse Oruelli kishte të drejtë dikur, mund të thuhet se Haksli ka më shumë të drejtë për të realitetin e sotëm. Sepse, përderisa në diktaturën komuniste përmes survejimit, gënjeshtrave e izolimit populli mashtrohej për realitetin brenda dhe jashtë sistemit – me atë që njihet si botë oruelliane – në demokraci kjo bëhet ndryshe: përmes mediave sociale dhe “bombardimit” me lajme – apo botës haksliane. Oruelli paralajmëronte se njerëzit do të kaplohen nga shtypja e jashtme, Haksli parashikonte se njerëzit do ta shtypin veten duke adhuruar teknologjitë që zhbëjnë kapacitetet e të menduarit; Oruelli kishte frikë nga ata që do të ndalonin librat, por Haksli kishte frikë se nuk do të ketë nevojë që të ndalohen ato – pasi askush nuk do të dojë t’i lexojë; Oruelli kishte frikë se e vërteta do të fshihej, Haksli kishte frikë se ajo do të hidhej në detin e parëndësisë …

Letrën e shkruar më 21 tetor 1949, mund ta lexoni të plotë më poshtë:

***

Pjesë nga letra e Hakslit, drejtuar Oruellit

I dashur z. Oruell [George Orwell],

Qe gjest shumë i mirë nga ana jote, që botuesve u the të ma dërgonin një kopje të librit tënd. Mbërriti kur isha në mes të një pune që kërkonte shumë lexime dhe shumë konsultime të referencave; dhe, meqenëse shikimi im i dobët e bën të domosdoshëm pakësimin e leximit, për një kohë të gjatë më duhej të prisja – para se të mund t’ia filloja me 1984-shin.

Duke u pajtuar me gjithçka që kritikët kanë shkruar për të, nuk kam nevojë të ta them – edhe një herë – se sa i mirë dhe se sa i thellë është libri. Në vend të kësaj, a mund të flas për një gjë që libri trajton – revolucionin përfundimtar?[1] Lëvizjet e para të filozofisë së revolucionit përfundimtar – të revolucionit që shtrihet përtej politikës dhe ekonomisë dhe që synon përmbysjen e plotë të psikologjisë dhe të fiziologjisë së individit – gjenden te Markez de Sadi [Marquis de Sade] që veten e konsideronte si pasues, në çdo detaj, të Robespierit [Maximilien Robespierre] dhe të Babefit [François-Noël Babeuf].[2] Filozofia e pakicës sunduese, në 1984, është sadizmi që bartet deri në përfundimin e vet logjik që kapërcen dhe mohon seksin. Duket e dyshimtë nëse, në realitetin aktual, pafundësisht mund të vazhdojë politika e përplasjes së çizmeve në fytyrë.[3] Besimi im është se oligarkia sunduese do të gjejë mënyra më pak të mundimshme dhe më pak të dështuara për të qeverisur dhe për ta kënaqur epshin e vet për pushtet, dhe këto mënyra do të ngjajnë me gjërat që përshkrova te Më e mira e botëve. Tash së voni pata rastin të analizoja historinë e magnetizmit kafshëror dhe të hipnotizmit dhe së tepërmi jam befasuar nga mënyra me të cilën bota, për njëqind e pesëdhjetë vjet, ka refuzuar të njoh seriozisht zbulimet e Mesmerit [Franz Mesmer], Brejdit [James Braid], Ezdejlit [James Esdaile] dhe të tjerëve.[4]

Pjesërisht për shkak të mbisundimit të materializmit dhe pjesërisht për shkak të mbisundimit të parimeve të sjelljes, filozofët dhe njerëzit e shkencës së shekullit të nëntëmbëdhjetë nuk ishin të gatshëm që për njeriun praktik – si politikanët, ushtarët dhe policët – t’i hetojnë faktet e çuditshme të psikologjisë së njerëzve, për t’i aplikuar pastaj ato në fushën e qeverisjes. Falë injorancës së qëllimshme të baballarëve tanë, mbërritja e revolucionit përfundimtar u shty për pesë ose gjashtë breza. Një rastësi tjetër fatlume ishte paaftësia e Frojdit [Sigmund Freud] për të hipnotizuar me sukses dhe pastaj përçmimi i tij ndaj hipnozës.[5] Për të paktën dyzet vjet kjo e vonoi zbatimin e përgjithshëm të hipnozës në psikiatri. Por, psikanaliza tash po kombinohet me hipnozën; dhe, hipnoza është bërë më e lehtë dhe zgjat deri në kohë të pacaktuar nëpërmjet përdorimit të barbiturateve të cilat edhe te subjektet më të pabindura shkaktojnë gjendje hipnotike dhe sugjestive.

Besoj se brenda brezit të ardhshëm, sundimtarët e botës do të zbulojnë se kushtëzimi i foshnjave dhe narko-hipnoza janë instrumente më efikase të qeverisjes sesa klubet dhe burgjet, dhe se epshi për pushtet pothuajse tërësisht mund të përmbushet duke ua sugjeruar njerëzve rënien në dashuri me robërinë e vet – po aq njëjtë sikurse përmes fshikullimit dhe shkelmimit derisa të binden. Me fjalë të tjera, ndjej se makthi i 1984-shit është i paracaktuar për t’u shndërruar në makthin e një bote që ka më shumë ngjashmëri me atë që unë e kam paramenduar te Më e mira e botëve. Ndryshimi do të ndodhë si rezultat i ndjesisë për nevojën për të shtuar efikasitetin. Me siguri, në ndërkohë mund të ketë luftë biologjike dhe atomike të shkallës së gjerë – në këtë rast do të kemi makthe të tjera dhe të llojeve që më me vështirësi mund të paramendohen.

Edhe një herë të falënderoj për librin.

Sinqerisht,
I yti, Oldus Haksli

___________

[1] Revolucioni Përfundimtar [The Ultimate Revolution] për të cilin ka shkruar Haksli ka të bëjë me zhvillimin e kontrolleve të reja të sjelljes, të cilat drejtpërdrejt veprojnë në organizmat psiko-fiziologjikë të njeriut. Kjo është aftësia për të zëvendësuar kufizimet e jashtme me shtrëngime të brendshme. [shën. i përkth]

[2] Të tre këta emra kanë të bëjnë me Revolucionin Francez. Termi sadizëm ndërlidhet me konceptin e de Sadit se nuk mund të gjykohet krimi (qoftë edhe vrasja) që ndodhë gjatë dëshirës së dikujt për kënaqësi. [shën. i përkth]

[3] Ka të bëjë me një fjali të Oruellit nga vepra 1984: Nëse dëshiron ta kesh një fotografi të së ardhmes, paramendoje çizmen që shkel mbi fytyrën e njeriut – përgjithmonë. [shën. i përkth]

[4] Magnetizmi i kafshëve, që ndryshe njihet si mesmerizmi, është teori e shpikur në shekullin XVIII nga Mesmeri – mjek gjerman. Teoria e tij parashtron ekzistencën e një force të padukshme natyrore (Lebensmagnetismus) që zotërohet nga të gjitha gjallesat, duke përfshirë njerëzit, kafshët dhe perimet. Sipas tij, kjo forcë që e fut njeriun në një gjendje të caktuar mendore, mund të ketë efekte fizike – përfshirë ato shëruese. Në vitin 1843, Brejdi – mjek skocez – e propozoi termin “hipnotizëm” si teknikë që rrjedh nga studimi i magnetizmit të kafshëve. Por, e hodhi poshtë idenë e Mesmerit se rrjedhja e lëngut magnetik shkakton fenomene hipnotike meqë, sipas tij, çdokush mund t’i shkaktojë ato “duke ndjekur rregullat e thjeshta”. Ai e refuzoi idenë që brejdizmi të jetë sinonim i “hipnotizmit”. Ezdeili – po ashtu mjek skocez i shekullit XIX – besonte se përmes mesmerizmit (që shpeshherë përdoret si sinonim i “hipnozës”) mund të zhduket dhimbja e pacientëve gjatë operacioneve. [shën. i përkth]

[5] Frojdi e ka përdorur hipnozën si mjet trajtimi dhe shërimi, por me zhvillimin e psikanalizës së tij e konsideroi si gjë të kotë. [shën. i përkth]

Në trend Kultura

Më shumë
Jeta në komunizmin shqiptar

Jeta në komunizmin shqiptar

Kulture
Fjalë të urta orientale: Mjeshtri i paaftë zihet me veglat e tij

Fjalë të urta orientale: Mjeshtri i paaftë zihet me veglat e tij

Kulture
Fadil Hoxha e Veli Deva, Enver Hoxhës më 1968: Kujdes me Titon, se po na e vështirësoni punën në Kosovë

Fadil Hoxha e Veli Deva, Enver Hoxhës më 1968: Kujdes me Titon, se po na e vështirësoni punën në Kosovë

Kulture
Karnavalet, origjina dhe domethënia

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Kulture
Poezia dhe poetika e Martin Camajt

Poezia dhe poetika e Martin Camajt

Analiza
INTIME

INTIME

Poezi
Kalo në kategori