LAJMI I FUNDIT:

Lansohet gara për inovatorët e rinjë

Lansohet gara për inovatorët e rinjë

Në Kosovë është lansuar gara e re që u bën thirrje inovatorëve të ri për të hartuar zgjidhje të cilat do ta përmirësojnë arsimimin, zhvillimin e aftësive dhe trajnimin për të rinjtë dhe për t’i fuqizuar ata për të ndërmarrë veprime lidhur me çështje të rëndësishme për ta.

Kandidatët fitues do të kontribuuojnë në suksesin e Generation Unlimited, e cila është një partneritet i ri ambicioz – i lansuar në një organizim të nivelit të lartë gjatë Seancës së 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara – me qëllim përfshirjen e çdo të riu në arsimim, trajnim ose punësim cilësor deri më 2030.


Youth Challenge, e cila do të mbahet këtë vit në 16 vende në botë, duke përfshirë Kosovën, u bën thirrje të rinjve të krijojnë zgjidhje të cilat do t’i përkrahin tri shtyllat kryesore të Generation Unlimited: arsimi i mesëm; aftësitë e të mësuarit, punësimit dhe punës së denjë; dhe fuqzimi, veçanërisht për vajzat.

“Të rinjtë janë disa prej shpikësve, krijuesve dhe inovatorëve më të mirë që kemi. Shpresojmë se kjo garë do të inspirojë ide të mrekullueshme nga Kosova për të ndihmuar në trajtimin e disa prej sfidave kritike me të cilat përballen të rinjtë sot”, ka thënë Murat Sahini, shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.

Kandidatët e suksesshëm do të ftohen të marrin pjesë në një punëtori hartuese në Prishtinë në nëntor. Pas organizimit të punëtorive, do të përzgjedhen pesë idetë më premtuese dhe do të shpërblehen deri në 1,000 secila në financim dhe do t’u ofrohet mentorim për ta përkrahur zbatimin e projekteve.

Në pranverë të vitit 2019, projektet e përzgjedhura nga secili vend do të dorëzohen në një proces botëror vlerësimi. Këto projekte do të marrin një investim të mëtejmë prej 20,000 dollarë, së bashku me një program të përshtatur mentorimi nga partnerët e Generation Unlimited për t’i mbështetur që të vazhdojnë më tutje.

Youth Challenge në Kosovë po zbatohet me përkrahjen e UNICEF Kosovo dhe Rrjetit të Edukatorëve Bashkëmoshatarë.

Me 1.8 miliard të rinjë në botë, Generation Unlimited është një partneritet dinamik botëror që bazohet në ekspertizën e të rinjëve, përfaqësuesve të qeverive, organizatave multilaterale, sektorit privat dhe shoqërisë civile për të inspiruar investim urgjent në arsim, trajnim të aftësive dhe fuqizim për popullatën globale gjithnjë në rritje të adoleshentëve dhe të rinjëve të moshave mes 10 dhe 24 vjet.

Generation Unlimited bashkon partnerët për të bashkëkrijuar dhe përkrahur zgjidhje të dëshmuara dhe që kanë potencial për të dhënë rezultate në shkallë dhe për të zhvilluar një platform për ndarjen e dijes dhe të të mësuarit dhe për t’u ofruar të rinjëve një hapësirë ku ata mund të angazhohen dhe të bashkëkrijojnë.

Me 200 milionë të rinjë të moshës së shkollës së mesme të ulët dhe të lartë që nuk ndjekin shkollën, në vend se të jenë duke kontribuuar në progresin e paanshëm, të rinjtë – sidomos ata më të pafavorizuarit – mund të përballen me të ardhme me privim dhe varfëri të shtuar, nëse nuk ndërmirret veprim urgjent.

Generation Unlimited, e cila kontribuuon në zbatimin e Strategjisë së Kombeve të Bashkuara për Rini 2030, do t’i plotësojë dhe do të mbështetet në programet ekzistuese që përkrahin adoleshentët dhe të rinjtë.

Bëhuni pjesë e garës duke e vizituar këtë link: http://kosovoinnovations.org/sq/genu/