LAJMI I FUNDIT:

Kundërshtimi i mbylljes nga bizneset pas vendosjes së masave kundër COVID-19 dhe përfundimi i afatit për tërheqjen e 10 përqindëshit në Trust – top ngjarjet e javës në ekonomi

Kundërshtimi i mbylljes nga bizneset pas vendosjes së masave kundër COVID-19 dhe përfundimi i afatit për tërheqjen e 10 përqindëshit në Trust – top ngjarjet e javës në ekonomi

Kundërshtimi i mbylljes nga ana e bizneseve pas vendosjes së masave kundër COVID-19 nga Qeveria e Kosovës, përfundimi i afatit të tërheqjes së 10 përqindëshit nga Trusti dhe konstituimi i Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ishin ngjarjet kryesore që e karakterizuan këtë javë në ekonomi.

Qeveria e Kosovës në fillim të javës ka marr vendim për vendosjen e masave, duke ndaluar veprimtarinë e qendrave tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre, siç janë marketet ushqimore, farmacitë si dhe shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri më datë 18 prill.

Me masat e reja, po ashtu ndalohet veprimtaria e tregjeve publike të automjeteve dhe kafshëve.


Vendimi thotë që shërbimet e gastronomisë lejohen të punojnë vetëm me shërbim “merr me vete”, “dërgesë me porosi” dhe “drive-through”, ndërsa marketet e mbyllura ushqimore obligohen që të përcaktojnë numrin maksimal të konsumatorëve në të njëjtën kohë sipas rregullit – 1 person për 8 metra katrorë.

Pas vendosjes së këtyre masave, i menjëhershëm ka qenë reagimi i bizneseve.

Sogojeva: Vendimi i Qeverisë për vendosjen e masave ishte i ngutshëm, bizneset e hotelerisë janë para kolapsit
Lexo po ashtu Sogojeva: Vendimi i Qeverisë për vendosjen e masave ishte i ngutshëm, bizneset e hotelerisë janë para kolapsit

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva në një intervistë për Telegrafin ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave ndaj disa aktiviteteve biznisore ishte i ngutshëm.

“Vendimi ka qenë i ngutshëm. Ne do t’i presim këto ditë të kufizimit, por me kusht që pas kësaj të lirohen komplet bizneset hoteliere e turistike për arsye se është dëshmuar se nuk ka qenë vatër e pandemisë”, thotë Sogojeva.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se do të dalin së shpejti me dizajnin e masave për të ruajtur ekonominë në Kosovë, me theks të veçantë ata tha se synojnë që të ndihmojnë bizneset me pagesat e qirave dhe pagat e punëtorëve.

Murati në një konferencë për medie, theksoi se e kanë për qëllim të ruajnë vendet e punës.

“Jemi të gatshëm që të qëndrojmë pranë vendimeve të Qeverisë dhe atyre të ministrit të Shëndetësisë. Jetët e njerëzve janë më të rëndësishme sesa ekonomia, fundi i fundit. Sa i përket masave që do të merren për të mbështetur bizneset që preken nga masat, kemi takuar përfaqësuesit dhe i kemi siguruar që mbështetja nuk do të mungoj. Ideja është të mbështeten qiratë dhe pagat e punëtorëve. Synimi jonë është të ruhet shëndeti ekonomik dhe vendet e punës. Shumë shpejt do të të marrim masa konkrete”, është shprehur Murati.

Murati: Do të ndihmojmë bizneset e prekura nga masat anti-COVID me pagesat e qirasë dhe pagat e punëtorëve
Lexo po ashtu Murati: Do të ndihmojmë bizneset e prekura nga masat anti-COVID me pagesat e qirasë dhe pagat e punëtorëve

Më 6 prill ka përfunduar afati për aplikim për tërheqjen e 10 përqindëshit nga Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës.

Sipas Trustit, pas kësaj date kontribuuesit nuk mund të aplikojnë për këtë shërbim.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Jeton Demi në një intervistë për Telegrafin ka njoftuar se, deri më 23 mars, janë tërhequr 197 milionë euro nga aplikimi për 10 përqindëshin.

Demi kishte thënë se numri i atyre që kanë aplikuar për ta shfrytëzuar këtë të drejtë është rreth 425 mijë kontribuues.

Sot përfundon afati për tërheqjen e 10 përqindëshit nga Trusti
Lexo po ashtu Sot përfundon afati për tërheqjen e 10 përqindëshit nga Trusti

“Për 425 mijë kontribuues janë tërhequr 197 milionë euro për 10 përqindëshin. Është pak a shumë brenda kufijve që kemi pritur, ku maksimumi i tërheqjes së parashikuar ka qenë 200 milionë euro”, kishte thënë Demi.

Ai ka treguar se vetëm ditën e parë kanë aplikuar gjysma e kontribuuesve.

“Vetëm për 9 orë kanë aplikuar më shumë se gjysma e të gjithë kontribuuesve që kanë aplikuar deri më tani. Në ditën e parë kemi pasur 220 mijë aplikime dhe për të gjithë periudhën tjetër janë rreth 205 mijë aplikime. Andaj, në total janë rreth 425 mijë aplikime, prej momentit kur është hapur deri më 23 mars 2021. Volumi i aplikimeve, pas muajit dhjetor 2020 ka qenë shumë i ulët. Në përgjithësi, procesi nuk ka pasur vështirësi teknike, përveç ditës së parë, ankesa dhe çështje të aplikimit që ndërlidhen me Trustin nuk ka pasur, por kanë qenë probleme teknike që kontribuuesit kanë pasur me bankat ose me parakushtet ligjore në kuptimin që duhet të kishte një llogari bankare aktive”, ka treguar ai.

Tërheqja e këtyre mjeteve është garantuar me Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, i votuar në Kuvendin e Kosovës si ndihmë për periudhën e pandemisë COVID-19.

Qeveria e Kosovës me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Fondin Pensional kishte paraparë kompensimin e mjeteve të tërhequra në vlerë nën 10 mijë euro.

Aplikimi për tërheqjen e 10 përqindëshit kishte filluar më 11 dhjetor 2020, ndërsa përfundon më 6 prill 2021.

Gjatë ditës së enjte është bërë konstituimi i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, për legjislaturën e tetë të Kuvendit të Kosovës.

Konstituohet Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike
Lexo po ashtu Konstituohet Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike

Ky Komision do të drejtohet nga ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.

Komisioni ka këtë përbërje: kryetare Hykmete Bajrami nga LDK, anëtarët Arta Bajralia nga LVV, Enver Haliti nga LVV, Mirlinda Sadiku nga LVV, Eman Rrahmani nga LVV, Fadil Numra nga PDK, Hajdar Beqa nga PDK, Jasmina Dediq nga Lista Serbe, Albana Bytyqi nga AAK.

Grupi Parlamentar i LVV-së do të udhëheq me 7 komisione nga 14 gjithsejtë. PDK do të udhëheq me 2 komisione, LDK me 2, kurse Lista Serbe dhe Grupi 6+ do të udhëheqin me nga 1 komision.

Nga lajmet botërore që karakterizuan ekonominë gjatë javës ishte, parashikimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar se ekonomia e botës pritet të rritet për 6 për qind këtë vit dhe 4.4 për qind vitin e ardhshëm.

Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon rimëkëmbje më të madhe të ekonomisë botërore
Lexo po ashtu Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon rimëkëmbje më të madhe të ekonomisë botërore

Sipas FMN-së, shifrat janë më të larta se parashikimet e bëra në janar për 5.5 për qind rritje këtë vit dhe për 4.2 për qind në vitin 2022.

“Rritja pasqyron mbështetjen shtesë fiskale në disa ekonomi të mëdha, rimëkëmbjen e mundësuar nga vaksinat në gjysmën e dytë të vitit 2021 dhe përshtatjen e vazhdueshme të veprimtarisë ekonomike”, tha përmes një deklarate FMN-ja.

Në të gjithë botën, bankat qendrore dhe qeveritë kanë lëshuar triliona dollarë për të luftuar recesionin e shkaktuar nga pandemia.

Ky recesion e ka tkurrur ekonominë botërore për rreth 3.3 për qind në vitin 2020. /Telegrafi/