LAJMI I FUNDIT:

Kroatët e austriakët në garë për PTK-në

Kroatët e austriakët në garë për PTK-në

Janë kualifikuar dy kompani për privatizimin e Postë Telekomit të Kosovës. Kroatët së Bashku më gjermanët dhe austriaket do të jenë privatizuesit e kompanisë më profitabile në vend, proces ky i cili është përcjellë me kritika të shumta si nga opozita e po ashtu edhe nga vetë sindikatat e punëtorëve të PTK-së.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) e cila është e dhe bartëse privatizimit të PTK-së ka njoftuar se Komisioni Qeveritar për Privatizimin e Postë Telekomit të Kosovës, ka kryer procesin e para-kualifikimit të ndërmarrjeve të interesuara për privatizimin e PTK-së.

“Pas analizës së aplikacioneve të kompanive pjesëmarrëse në para-kualifikim, KQP, njofton se për pjesëmarrje në tenderin për blerje të 75 për qind të aksioneve të PTK-së, kualifikohen kompanitë Hrvatski Telekom- Kroaci, kompania amë Deutche Telecom-Gjermani dhe Telekom Austria AG, Austri”.

Ndërsa janë diskualifikuar Albtelekom nga Shqipëri dhe SabaFon nga Jemeni.


Për para-kualifikim të kompanive sipas MZHE-së janë vënë një varg kushtesh, të cilat kanë qenë identike për të gjithë pjesëmarrësit. “Kompanitë e kualifikuara bashkë me kompanitë e tyre amë, kanë mbi 170 milionë abonentë në mbarë botën, janë të shtrira pothuajse në të gjitha pjesët e globit, kanë të kapital të mjaftueshëm me të hyra vjetore për vitin 2009 prej mbi 67 miliardë euro, që do të garantojnë një konkurrencë të mirëfilltë në këtë proces”, thuhet në njoftimin e MZHE-së.

Hyrja e një operatori të madh të telefonisë mobile në Kosovë, siç është rasti me kompanitë në fjalë, garanton një zhvillim të hovshëm të këtij tregu dhe është një shembull i suksesshëm i investimit në Kosovë. /Telegrafi/