LAJMI I FUNDIT:

Kosovës i duhet privatizim nga i cili përfitojnë qytetarët

Kosovës i duhet privatizim nga i cili përfitojnë qytetarët

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka vizituar të hënë Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), me ketë rast kryeparlamentari është njohur me punën e AKP-së.

Krasniqi gjatë takimit me udhëheqësit e AKP-së, ka marrë informacione për procesin e privatizimit dhe përgatitjen e legjislacionit përkatës. Ligjin për AKP-në dhe ligjet e tjera që prekin fushëveprimtarinë e saj, të cilat pritet të vijnë në Kuvend, kreu i legjislativit i cilësoi të një rëndësie të veçantë dhe kërkoi qartësi në përmbajtjen e tyre.

Ai tha se Kosovës i duhet privatizim nga i cili favorizohen dhe përfitojnë qytetarët e saj. “Kemi vullnet që të krijojmë premisa për zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës”, theksoi Krasniqi.

Kryetari i Bordit të AKP-së, Dino Asanaj, e njoftoi kryetarin e Kuvendit për punën e bërë në hartimin e katër ligjeve të fushës, duke e konsideruar si të rëndësishëm zbatueshmërinë e tyre. Ai dha informacione të tjera për punën e AKP-së dhe privatizimin në tërësi, të cilin e cilësoi të domosdoshëm. /Telegrafi/