LAJMI I FUNDIT:

Kosova ilegalisht eksporton me Serbi

Kosova ilegalisht eksporton me Serbi

Eksporti me Serbinë nuk është i bllokuar tërësisht. Pavarësisht se ky shtet ka vënë bllokadë që tri vjet radhazi për produktet kosovare, tregtarët vendorë po gjejnë mënyra të tjera për të eksportuar mallrat e tyre në Serbi. Saktësisht, ky eksport po bëhet nëpër rrugë ilegale. Disa prej eksportuesve kosovarë po pajisen edhe me dokumente nga strukturat paralele në vend, e disa prej tyre po e shfrytëzojnë ilegalisht pjesën veriore të Kosovës për të qarkulluar në tregun e këtij shteti.

Edhe pse Serbia nuk respekton Marrëveshjen për Tregti të Lirë, CEFTA dhe nuk pranon vulën e dokumentet e tjera të Republikës së Kosovës, megjithatë po shfrytëzon forma të ndryshme që të blejë mallrat kosovare. Sipas të dhënave që ofron Enti i Statistikave të Kosovës (ESK), në prill të këtij viti në këtë shtet janë eksportuar mallra në vlerë prej 557 mijë eurosh, ose gati katër herë më shumë se në të njëjtin muaj të viti të kaluar.

Burime në Doganën e Kosovës bëjnë të ditur për Express se tregtarët kosovarë për të dalë në tregun e Serbisë po pajisen me dokumente nga strukturat paralele në vend.

“Eksportimi me dokumente të institucioneve paralele varet më shumë edhe nga ajo se kush qëllon në ndërrim prej anës serbe, sepse ka disa që nuk lejojnë qarkullimin edhe me këso dokumente”, ka thënë ky burim për gazetën.


Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, pranon se ka eksport indirekt në këtë shtet, por jo ilegalë. Sipas tij, tregtarët shfrytëzojnë rrugë të tjera për të shitur mallrat e tyre në Serbi.

“Kompanitë kosovare shfrytëzojnë Malin e Zi e Maqedoninë për të dalë në tregun serb. Ata fillimisht eksportojnë në këto shtete, e pastaj prej aty mallrat e tyre dalin në Serbi, edhe pse kjo rrugë u kushton shumë më shtrenjtë”, ka thënë Stavileci.

E tregtarët kosovarë thonë se nuk janë në dijeni se cilat rrugë shfrytëzohen për të eksportuar mallrat kosovare drejt këtij shteti. Sipas tyre, produktet e tyre nuk mund të kalojnë në tregun e Serbisë as përmes Malit të Zi, e as Maqedonisë.

Që nga shpallja e pavarësisë, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina kanë bllokuar produktet kosovare dhe nuk i njohin vulat e Republikës së Kosovës. E, Qeveria shumë shpejt pritet të marrë vendimin që për këto produkte të aplikojë tarifën doganore prej 10 për qind. Sipas të dhënave të ESK-së, deficiti tretar është në rritje. Në mars, minusi ishte 163 milionë euro, kurse në prill 166 milionë euro.

Mirëpo, shkalla e mbulimit të importit me eksport është pak më e mirë, nga 14,1 për qind në 15 për qind. Në tërësi, u eksportuan 29,3 milionë euro, ose 15,2 për qind më shumë. Ndërkaq importi ishte në shumën 195,8 për qind, përkatësisht 8,7 për qind më shumë. Edhe më tutje, shtyllë kryesore e eksportit janë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, ku “Ferronikeli” dhe hekuri mbeturinë përbëjnë gati 60 për qind të eksportit. /Telegrafi/