LAJMI I FUNDIT:

Komunat të varura nga buxheti që u jep Qeveria

Komunat të varura nga buxheti që u jep Qeveria
-->

Mungesa e menaxhmentit cilësorë në komuna të hyrat vetanake të tyre, janë në nivel shumë më të ulët sesa vëllimi i financimit nga Buxheti Qendror.

Mesatarja e të hyrave nga komunat është mbi 80 për qind nga planifikimet e tyre buxhetore dhe që ende mbetet një varësi e komunave ndaj buxhetit.

Gjithashtu, shqetësimin për varshmërinë e komunave në grantet qeveritare e ka ngritur edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportet periodike për Kosovën.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), që ka siguruar Telegrafi, pjesëmarrja e buxhetit komunal është 23.61 për qind e totalit të Buxhetit për vitin 2017.

“Buxheti komunal për vitin 2018 është 491 milionë euro ose 23.61 për qind pjesëmarrje në totalin e Buxhetit të Përgjithshëm Qeveritar”, tha për Telegrafin, Divizioni për Komunikim Publik në MAPL.

Gjithashtu, në MAPL kanë treguar se më 2017 mesatarja e realizimit të hyrave vetanake është 86 për qind.

“Mesatarja e realizimit të hyrave vetanake në krahasim me planin vjetor për vitin 2017 është 86 për qind, ndërsa për vitin 2016 është 83 për qind”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së, për Telegrafin.

Nga të dhënat e Buxhetit të Kosovës për vitin 2018, për 38 komunat e vendit pjesëmarrje më të madhe në buxhetin e komunave e ka Prishtina, ndërsa më të voglin e ka Kllokoti.

“Si përqindje, pjesëmarrje më të madhe në buxhetin e komunave e ka Komuna e Prishtinës me 16.42 për qind, pasuar nga Komuna e Prizrenit me 10.24 për qind dhe Komuna e Ferizajt me 5.95 për qind. Ndërsa, pjesëmarrje më të vogël e ka Komuna e Kllokotit me 0.28 për qind në buxhetin e komunave, ndjekur nga Komuna e Parteshit me 0.29 për qind dhe ajo e Junikut me 0.38 për qind”, thuhet në Ligjin për Buxhetin e Kosovës për vitin 2018, shkruan Telegrafi.

Komunat më së shumti arkëtojnë të hyra vetanake nga Tatimi në Pronë dhe Lejet e Ndërtimeve.

Sipas të dhënave të MAPL-së, del se në vitin 2017 pati rënie të të hyrave në Tatimin në Pronë prej 2.9 milionë euro, ndërsa kishte rritje prej 1.4 milion euro në Tatimin për Lejet e Ndërtimeve.

“Tatimi në pronë në vitin 2016 është 25.44 milionë euro, ndërsa në vitin 2017 është 22.56 milionë euro. Kurse, të hyrat nga lejet e ndërtimit në vitin 2016 janë 17.29 milionë euro, ndërsa në vitin 2017 është 18.61 milionë euro”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së për Telegrafin.

Po ashtu, në “Raporti Vjetor Financiar për vitin 2017”, prezantuar nga Ministria e Financave rezulton se komunat e Kosovës patën rënie të grumbullimit të Tatimit në Pronë prej rreth 11 për qind.

Pjesa dërrmuese e komunave të Kosovës të paraqitura në këtë raport të ministrisë, patën rënie të grumbullimit të të hyrave nga taksa komunale e pronës.

Janë gjashtë komuna të Kosovës të cilat grumbullojnë miliona euro të hyra nga kjo taksë.

“Në vitin 2017, Komuna e Prishtinës grumbulloi 6.9 milionë euro, pastaj Komuna e Prizrenit 2.06 milionë euro, Komuna e Ferizajt 1.5 milionë euro dhe komunat e Gjilanit, Gjakovës, Pejës grumbulluan nga 1.4 milionë euro të hyra. Në anën tjetër, komunat më të vogla të cilat grumbulluan më pak të hyra nga taksa e pronës janë Komuna e Parteshit me 12 mijë euro, Mamushës me 19 mijë euro dhe Ranillugut me 25 mijë euro”, thuhet në raportin e MF-së, shkruan Telegrafi.

Berat Thaqi nga Instituti GAP, tha për Telegrafin se komunat kanë varshmëri të madhe ndaj grantit që vjen nga Qeveria e Kosovës.

“Është e vërtet që komunat kanë varshmëri të madhe ndaj grantit që vjen nga Qeveria e Kosovës. Për shembull, 82 për qind e të hyrave komunale të planifikuara për vitin 2018, janë nga transferët qeveritare. Shqetësimin për varshmërinë e komunave në grantet qeveritare e ka ngritur edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportet periodike për Kosovën”, tha Thaqi.

Ai tregon se arsyeja e varshmërisë së komunave është se shumica e të hyrave sigurohen nga niveli qendror.

“Një nga arsyet pse komunat nuk mbledhin të hyra të mjaftueshme nga burimet ekzistuese vetanake, është pikërisht fakti që shumica e të hyrave sigurohen nga niveli qendror. Burimet për realizimin e të hyrave nga komunat janë të kufizuara. Arsyeje tjera janë edhe mungesa e menaxhmentit cilësorë në komuna, korrupsioni në dhënien e lejeve të ndërtimit, aktivititeti i ulët biznesor, etj.”, tha ai.

Thaqi sugjeron që duhet të ridizajnohet sistemi aktual i financimit të komunave.

“Qeveria e Kosovës duhet ta ridizajnoj sistemin aktual të financimit të komunave. Duhet të krijohet një sistem i cili komunave ju lejon që të kryejnë aktivitetin e tyre në bazë të të hyrave vetanake. Kjo do të rriste pavarësinë e komunave, mirëpo edhe ndikon që ato të bëhen më të përgjegjshme”, tha Thaqi.

Projeksionet e të hyrave vetanake komunale për vitin 2018 janë bazuar në vlerësimet makro-fiskale dhe janë në shumë prej 82 milionë euro. Këto të hyra i shtohen financimit komunal krahas granteve komunale. Kjo shpërndarje e projeksioneve të të hyrave është bërë në bazë të parametrave tatimi në pronë, taksat komunale, gjobat, tarifat, të hyrat nga lejet e ndërtimit, si dhe të hyrat tjera komunale.

Në Buxhetin e Kosovës për vitin 2017, shpenzimet e komunave ishin 440.23 milionë euro. Krahasuar me vitin 2018 kemi një rritje të buxhetit të komunave mbi 50 milionë euro, apo në total 491.28 milionë euro. /Telegrafi/