LAJMI I FUNDIT:

Këngët e pakënduara të Xhevdet Bajrajt

Këngët e pakënduara të Xhevdet Bajrajt
Zyrafete Shala dhe Xhevdet Bajraj, gjatë një debati për poezinë në koloninë letrare “Muzat e Jezercit” (2021)

(Vështrim mbi vëllimin me poezi Angelus Novus botuar nga “De Rada”  2023)

Nga: Zyrafete Shala


Ndryshe nga vëllimet e tjera poetike të Xhevdet Bajrajt, vëllimi Angelus Novus është pagëzuar para se të merrte formën finale, madje edhe para se të përzgjidheshin poezitë që do të përfshiheshin brenda tij. Meqë kishim disa vjet që bashkëpunonim, e kishim krijuar një sistem të detajuar të punës që e ndiqnim me përpikëri, dhe sipas tij, titulli i librit zakonisht lindte pas përfundimit të të gjitha fazave. Mirëpo, edhe pse i pazakontë ky veprim atëbotë nuk më bëri shumë përshtypje sa më bëri vetë kuptimi i titullit: Angelus Novus (engjëlli i ri) sipas traditës hebraike, është një krijesë qiellore e krijuar vetëm për të kënduar një këngë të përjetshme përpara Zotit. Një legjendë talmudike thotë se në çdo moment, një legjion engjëjsh të rinj krijohen që, pasi të këndojnë himnin e tyre para Zotit, të përfundojnë dhe të treten në hiç. Pas largimit të Xhevdetit nga kjo botë ky titulli i librit mori përmasa të reja, që krijonin përshtypjen se edhe vetë poeti u bë pjesë e atij legjioni të engjëjve që pasi përmbushi misionin e ekzistencës së tij u tret, iku në amshim. Megjithatë, ndryshe nga engjëjt, ai krahas shumë vëllimeve poetike të botuara më parë, la edhe këngë të pakënduara, disa prej të cilave zunë vend në këtë vëllim e të tjerat do të jenë pjesë e ndonjë libri tjetër. Angelus Novus është libri të cilin Xhevdet Bajraj sapo kishte filluar ta bëj gati për shtyp dhe që do të botohej në Tiranë, me kërkesën e një botuesi të atjeshëm. Mirëpo, pas shfaqjes së shenjave të para të sëmundjes së tij gjithçka mori kah tjetër. Përkundër dëshirës dhe këmbënguljes që të vazhdonte me radhitjen e përzgjedhjen e poezive deri, libri mbeti i papërfunduar dhe të tillë ma përcolli pak ditë para se të largohej nga kjo botë. Prej atëherë, u kthehesha kohë pas kohe poezive të dërguara dhe sado që e ndjeja vazhdimisht peshën e porosisë së papërmbushur, e kisha të vështirë, në kufij të së pamundurës, të krijoja atmosferën të punës. E njihja mirë metodën e tij të punës në organizimin e poezive, kriteret rigoroze të përzgjedhjes së fjalëve dhe thyerjes së vargjeve, prandaj u desh kohë që të bindem se librin mund ta finalizohej.

Poezitë e vëllimit Angelus Novus janë të ndara në pesë cikle, Stina e ftohtë e jetës, Lulet kishin provuar të çelin, Në fushën e ëndrrave, Kujtimet në tokat e shkreta dhe Ka mbetur edhe pak diell, mirëpo nuk është kjo një ndarje klasike sipas temës që trajtojnë. Në secilin cikël gjenden poezi me motive të ndryshme nga njëra-tjetra, ashtu siç është edhe vetë jeta, një mozaik përjetimesh, situatash e ngjyrash që na i mbushin ditët. Poezitë e këtij vëllimi kanë lindur në harkun kohor 2020-2022 dhe si të tilla, pjesa dërmuese janë vazhdimësi e preokupimeve dhe dhimbjeve të mëhershme të poetit; ndërkohë që vetëm një numër i vogël i tyre trajtojnë shqetësimet e ditëve të fundit të tij. Për nga lënda që trajtojnë këto poezi janë heterogjene dhe i sjellin edhe njëherë të përmbledhura motivet mbi të cilat u vunë themelet e krijimtarisë së Bajrajt dhe që në të njëjtën kohë ishin dhimbja e tij. Gjejmë këtu dashurinë dhe mallin për vendlindjen si lajtmotiv që rimerret në secilin vëllim poetik dhe që merr ngjyrime të reja emotive krahas kalimit të kohës; pastaj zhgënjimin me realitetin aktual shqiptar, qoftë nga paaftësia e zënies së hapit në rrugëtimin drejt të ardhmes, apo nga fytyra e mjerë që i krijuam lirisë dhe nëpërkëmbja e vlerave të saj; që të gjitha këto sjellin si pasojë pamundësinë e kthimit, gjegjësisht pamundësinë e gjetjes së shtëpisë. Gjurmimi i arsyeve që e gjenerojnë kaosin tonë kombëtar, e në anën tjetër e rritin intensitetin e dhimbjes për të kaluarën, nga e cila nuk nxorëm mësim, përbën gjithashtu tabanin e disa poezive të cilat ndonjëherë përshkohen nga nota të fuqishme sarkastike, e ndonjëherë edhe nga mllefi i papërmbajtur.

Motive të tilla, që siç u tha më lart, janë trajtuar edhe më herët në krijimtarinë e Bajrajt,  nuk ishin nga ato që zënë vend pahetueshëm brenda universit poetik dhe ngrenë kokë herë pas here, kur rrjedha e kohës zë në thua rastësisht në to; përkundrazi ato ishin dallgë të krijuara nga stuhitë shpirtërore të një ndjeshmërie të thellë, stuhi të thadruara herët, që në fazën e formësimit të unit poetik të Bajrajt. Ndaj ligjërimi i tij, edhe në këtë vëllim poetik, duke vazhduar të jetë i tendosur dhe i stërngarkuar emocionalisht, nuk i lejon flatrat e retorikës të krijojnë stilema që gudulisin shijet estetike sipërfaqësore, por u jep forcë atyre të çajnë fuqishëm për të arritur në lartësitë e ftohta prej nga pas kondensimit bien si klithma të thekshme që gërvishtin edhe zhguajt më të fortë të ndërgjegjes kombëtare, apo si sentenca urtësie që i ofrohen natyrshëm lexuesit për të reflektuar mbi realitetin. Në sfondin e poezive të Angelus Novus na shfaqet peizazhi pa fund, në të cilin peneli i Bajrajt krahas reales dhe suerales ndërthurë edhe kulturat e preokupimet e njerëzve nga të dyja skajet e botës ku është zhvilluar jeta e tij.

Duke qenë gjatë tërë jetës i preokupuar me çështje esenciale të realitetit kombëtar, edhe poezitë e këtij vëllimi nuk mund të jenë ndryshe, ato i detajojnë me finesë tiparet e portretit të dhimbjes njerëzore, duke e finalizuar formën e tij të krijuar në poezitë e librave të tjerë. Gjithashtu, shpalosin versionin artistik të kësaj bote në të cilën hipokrizia e mediokriteti hapin shtigje për avancim në shoqëri, ndërsa atyre me shpirt të pastër fëmije: as në fushën e ëndrrave /   nuk u çelin lule / për varret e tyre. Ato shpalosin preokupimet e poetit me rrjedhat e jetës në vendlindje, kritikojnë devijimet dhe stërkeqjet që e karakterizojnë aktualitetin tonë, depërtojnë në të gjitha poret e jetës, duke ndriçuar anët më të dhimbshme të saj, duke u bërë zëri i atyre që bartin mbi supe padrejtësitë dhe pasojat e paturpësisë së të tjerëve, por shpeshherë edhe ligjeve absurde të kësaj bote. Refleksionet e Bajrajt mbi jetën dhe perceptimi i realitetit kaotik, shfaqen përmes imazheve dhe rrëfimeve të shkurtra, të ndërtuara me një sistem të sofistikuar figurativ, sistem ky që me kohë është kthyer në shenjë identifikuese të poetikës së tij, që mund ta quajmë poetikë të dhimbjes e zhgënjimit. Universi poetik i Xhevdet Bajrajt edhe kësaj radhe ka në qendër rrugëtimin e njeriut nëpër labirintet e jetës, zvetënimin moral të shoqërisë njerëzore, me theks të veçantë në botën shqiptare, pamundësinë për t’u përballur me të keqen brenda vetes dhe asaj që ofron shoqëria.

I përpiktë në skalitjen e përmasave të dhimbjes Bajraj sjell variacione të shumta të saj, duke i mundësuar secilit lexues të gjejë pjesën e vet të dhimbjes nga një kënd prej ku ajo merr tiparet e virtytit që e determinon ekzistencën njerëzore. Në poezitë që përshkohen nga motivi i mallit për atdheun, të cilat më parë karakterizoheshin me vendosmërinë e kthimit në vendlindje, tani vërehet një pasiguri: përpiqem të vrapoj / drejt së ardhmes / me një këmbë në varr në Kosovë / me tjetrën këmbë / në një varr në Meksikë  / Vetëm edhe pak kohë më duhet / më prit të lutem / sa t’i shkurtoj këmbët me sharrë. Rrjedha e viteve të lirisë, duke mos dhënë shpresë për ndryshime pozitive, duket se për subjektin lirik e bën të ardhmen po aq të errët sa që ishte e kaluara: Rraketaken në duart e foshnjës / e thyen ata që i solli liria në pushtet / tashti gjysma e kokrrave të saj rrokullisen / drejt të kaluarës së errët / e gjysma drejt të ardhmes së zymtë. Lodra e foshnjës, një gjetje e goditur figurative, jep përmasat e dëmit që u kemi shkaktuar brezave të tërë të lindur në liri, duke u vrarë ëndrrat dhe perspektivën. Në sistemin poetik të librit vendosen paralele mes poezive me natyrë si kjo e fundit dhe atyre që sjellin imazhe me tablo të luftës apo pasojave që solli ajo: Gruaja ishte shtangur nga frika / nuk mund ta bënte as edhe një hap / drejt vendit të ekzekutimit / Vajza ia kapi dorën dhe i tha / hajde nënë. Skena të tilla janë të papërballueshme për ndjeshmërinë e poetit, prandaj në një poezi tjetër shton se: Të gjithë kemi vdekur / në atë pranverë të luftës / (edhe ne që mbetëm gjallë). Nuk mungon as shpërfaqja e paradokseve të realitetit tonë: Në këtë vend të bukur / gjithçka është kthyer përmbys  / qytetarët normalë trajtohen si kriminelë / kriminelët trajtohen si zotërinj / apo edhe si heronj / vrasësit si viktima / e viktimat si fajtorë. Apo metamorfozave që e karakterizojnë kohën e zvarranikëve: Ndonjëherë / jeta di të jetë e pamëshirshme / qengjat e bardhë i shndërroi në desh të zi / në politikanë / e këta pastaj / ulur mbi varret e të rënëve për liri / i hëngrën ditët tona  / si të ishin / fara të pjekura kungulli.

“Nëse mendon që je në gjendje të jetosh pa shkruar, mos shkruaj” thotë poeti austriak Rainer Maria Rilke, që njëkohësisht konsiderohet si një nga lirikët më të shquar gjerman; që do të thotë se procesi i të shkruarit mund të arrijë nivelet më të larta estetike kur është ekuivalent me nevojën për të jetuar. Nëse këtë thënie do ta adaptojmë në rastin e poetit Bajraj, atëherë do të mund të thuhej pa hezitim se deri në fund të jetës për Xhevdet Bajrajn poezia ishte e vetmja formë konkrete e ekzistencës, e domosdoshme për t’u përballuar me ashpërsinë e jetës, për ta nxjerr zërin e protestës, për ta artikuluar pakënaqësinë dhe për të klithur. Vetëm gjatë procesit të krijimit ai arrinte të gjente daljen nga ai labirint vuajtjesh ku e degdisnin dëshpërimet e jetës dhe  (siç deklarohej shpesh) turpi i të qenit njeri. Duke frymuar pareshtur me jetën dhe ndodhitë e botës shqiptare poezia e Bajrajt është një pasqyrë ku ne mund ta shohim fytyrën reale të shoqërisë sonë, por padyshim është edhe testament, nga i cili ata që vijnë pas nesh do të mësojnë se si nuk duhet jetuar, apo se sa i padukshëm është kufiri mes njerëzores dhe çnjerëzores.

 

Në trend Kultura

Më shumë
HËNA

HËNA

Poezi
Komploti i Taksimit dhe Kosova si strumbullar i lëvizjes për pavarësi të Shqipërisë

Komploti i Taksimit dhe Kosova si strumbullar i lëvizjes për pavarësi të Shqipërisë

Kulture
Pse qeshim?

Pse qeshim?

Analiza
MENDJEPULA

MENDJEPULA

Poezi
Të prodhosh veten

Të prodhosh veten

Kulture
I kanë thënë të mençurit...

I kanë thënë të mençurit...

Kulture
Kalo në kategori