LAJMI I FUNDIT:

Këndimi biblik i dashurisë ose transparenca e një kënge model

Këndimi biblik i dashurisë ose transparenca e një kënge model

Nga: Murteza Osdautaj

Kur ishim studentë shpeshherë rastiste që profesori ynë i Letërsisë së Përgjithshme, Hasan Mekuli, pa përtesë të na rrëzonte në provim vetëm pse nuk i kishim lexuar Biblën dhe Këngën e të gjitha këngëve. Dëshira jonë e madhe për ta kryer provimin dhe përtesa e njohur studentore për të lexuar ishin shkaktarët kryesorë që një pjesë e studentëve asnjëherë nuk e kishin lexuar këtë këngë.


Ata që e lexuan këngën në fjalë do të mbesin përherë të për­çud­nuar me të papriturën që do të sjellë leximi i saj. Të njohur me filozofinë asketike të krishterimit, leximi i biblës në for­mën e vështrimit jashtë kon­tekstit filozofik-teologjik, po bren­da kontekstit letrar-artistik, me vështrim të posaçëm në eroti­ken dhe artisti­fikimin e saj në veprën letrare, do të shkaktojë te cilido lexues ndërrimin e hori­zontit të pritjes – përçudjen me mundësinë e ekzistencës së një këngë të tillë transparente brenda kornizës së hermeti­zuar të problematikës biblike.

Kënga e të gjitha këngëve, në këtë formë, bëhet një çadër mbrojtëse nga karakteri abstenues jetësor që, në shumë raste, e propagandon filozofia fetare e krishterë. Mirëpo Bibla është një libër i parakrishterimit. Ajo shumë më vonë u bë libër i shenjtë për të krishterët dhe libër bazë për tërë filozofinë e ngritur më vonë nga strukturat dhe superstrukturat kishtare që po ndërtoheshin mbi bazat e monoteizmit.

Kënga e të gjitha këngëve është kënga e parë an­tologjike që, në mënyrë të hapur, pa ekuivokë, i këndon dashurisë njerë­zore, dashurisë së vajzës për djalin dhe anasjelltas. Kjo këngë nuk e koncepton dashurinë si diçka ideale por, për më qartë, dashuria e kënduar me mjeshtërinë antike të këngëtimit dhe të komponimit të poezisë, atë e sheh diçka reale, të thjeshtë, të prekshme.

Bibla, në këtë formë, bëhet libër tokësor, pra libër për njeriun dhe për ekzistencën e tij. Duke e shqyrtuar problematikën e tillë të ekzistencës universale të njeriut ajo shndërrohet në libër të ekzistencës tokësore të njeriut. Me anë të “Këngës…” Bibla i nënshtrohet vlerësimit artistik dhe filozofik nga njeriu si qenie konkrete – jashtë kontek­stit filozofik dhe vlerësues të mistikës fetare.

Filozofia e poezisë së Këngës së këngëve shtrihet brenda kornizave racionale të pikëpamjes njerëzore për dashurinë duke e eksploruar atë në mënyrën më të kap­shme të mund­shme. Në këtë poezi këndohet dashuria njerëzore, këndohet dëshira dhe përpjekja e tij e përjet­shme për gjetjen jetësore të prehjes dhe lumturisë.

E tillë, poezi për përpjekjen për të gjetur, ajo ka hyrë në anto­­logjinë botërore të poezisë nga arsyeja e thjeshtë se, për dallim nga i tërë korpusi biblik, parqet tentimin hu­man për t’u njësuar si qenie e gjallë që di të dashurojë dhe të jetë i dashu­ruar.

Prandaj kjo këngë sjell te lexuesi diçka jo të zakontë, bile të be­fasueshme, e cila do të ndikojë tepër fuqishëm, sido­mos në pranimin psikologjik të një përmbajtjeje të tillë.

Kënga e të gjitha këngëve në të vërtetë është kënga e dashu­risë njerëzore që, siç mund të nënkuptojë edhe ven­dndodhja e saj brenda kornizave të shenjtërisë biblike, është pjesë e am­shu­eshmërisë dhe pjesë përmbajtjesore e dashurisë njerëzore për Zotin dhe Perëndinë. Dashuria që përshkruhet në këtë këngë është një dashuri e thjeshtë e cila tregohet me figura të thjeshta të cilat, në shumë çaste, mund t’i quajmë edhe folklorike. Është interesant se kjo këngë për nga koncepti, stili dhe mikrostrukturimi është tepër e ngjashme me poezinë tonë popullore të dashurisë. Edhe në këtë këngë personazhi lirik, qoftë vajza apo djali, i bëjnë thirrje të dashurit që t’i afrohet duke e provokuar me anë të epiteteve më të ndryshme të cilat janë edhe tejet “të qarta”. Materializimi i përpjekjes së të dashuruarit në këtë këngë bëhet me anë mikrostrukturës së provokimit erotik të cilin e përdorë i dashuruari/a.

Kështu që në fillim të këngës do të hasim në atmosferën ‘jashtëbiblike’ të dashurisë të shprehur me një theks tejet të angazhuar erotik dhe pa komplekset e njohura njerëzore për dashurinë:

‘Oh! Sikur buzët e tua me puthje t’më mbulonin
Se dashuria jote më e ëmbël se vera është
Aromat tua të mrekullojnë…’

Këto janë fjalët me të cilat vajza e dashuruar i dre­jtohet më të dashurit të saj. Shprehja e dashurisë në for­mën e paraqitur në këtë këngë bëhet nëpërmjet metodës së arsyetimit. Me anë të kësaj ‘metode’ vajza apo djali do t’i paraqesin faktorët themelorë të cilët e kushtëzojnë dashurinë e tyre marraken­dëse për partnerin e kundërt. Kështu, vajza, pasi i paraqet arsyet e saj themelore lidhur me ndjenjën e saj të dashurisë, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me ndërtimin fizik dhe shpirtëror të djalit, më vonë fillon t’i përshkruaj karakteristikat e saj të cilat e shkaktojnë reaksionin e njëjtë të djalit ndaj saj:

“E zezë jam, po e bukur jam, bijë Jerusalemi
Si tendat e Kedarit, si qilimat e Sollomonit

Dielli m’ka ndezur”

“Ndezja” e tillë nga dielli, siç do të shohim më vonë, va­jzës nuk do t’i shkaktohej vetëm në lëkurën e rreshkur. Ajo do të ndizet edhe në nivelin emocional:

“M’i japin vreshtat t’i ruaj
Po s’i ruaj vreshtat e mia.-
Më thuaj, dashuri, shpirti im
Ku i qet delet në kullosë

T’mos endem si e marrë
Tufave t’shokëve të tu…”

Kjo sepse siç thotë djali:

“Me atkinë timë n’qerre t’Faraonit
Krahasohesh ti, e dashura ime!
Të bukura janë faqet e tua në gushore
E bukur qafa jote me rradhë inxhishë…”

Përndezja emocionale, siç mund të vërejmë, është e anas­jelltë, dmth. dypalëshe. Një ndezje e tillë emocionale do të kush­tëzojë përshkrime dhe figurshmëri të tillë që do të indor­porojë përshkrime, kryesisht vetëm të aspekteve të ndërtimit fizik të objektit që përshkruhet.

Një mënyrë e tillë e përshkrimit dhe e figurëzimit të objektit poetik nuk e dëmton strukturën shprehëse dhe kompozicion­nale të kësaj kënge shkaku se kjo formë e tillë e pikëvështrimit poetik nuk është e sotme, por antike. Në anën tjetër, konteksti kulturor oriental i të shkruarit është një faktor bazë të cilin, për asnjë çast, nuk duhet lënë pasdore. Po kështu faktor tjetër i rëndësishëm që e kushtëzon një formë të tillë poetike është edhe sistemi po­etik-teorik që mund të ketë ekzistuar në kohën kur është shkruar dhe ka marrë formën përfundimtare kënga.

Sigurisht që në antikë nuk ka qenë në nivelin e sotëm të shprehurit poetik abstrakt dhe sigurisht që mikrostrukturimi i atëhershëm ka qenë shumë më i ‘varfër’ nga ç’është sot.

Por, t’i kthehemi këngës!

Kënga përshkohet në tërësi nga dëshira njerëzore për të gjetur. Kjo ndjenjë që i kaplon të dyja subjektet lirike të kën­gës shndërrohet, thuaja, në një obsesion të vërtetë. Mënyra se si personazhet lirike e tregojnë ndjenjën e tyre për të zbuluar dhe për t’u vetëzbuluar zhvillohet me anë të shkallës sipërore të formulimit të krahasimit dhe epitetit. Vajza ose duhet të jetë më e bukura, ose ajo, faktikisht, nuk mund ta përkufizojë ekzistencën e saj brenda këngës. Po kështu, edhe mashkulli duhet të jetë më i bukuri apo më i forti se, në të kundërtën nuk mund ta fitojë simpatinë e parezervë të të dashurës.

Parë nga ky aspekt në këtë këngë kemi të bëjmë me një da­shuri të pakompromis në mes të personazheve lirike e cila, edhe pse zhvillohet me anë të elementeve fizike të vënies në shprehje të saj, fiton karakteristika të një dashurie të shkallës idealiste. Për ta treguar, siç thamë, dashurinë po edhe ele­mentet e par­tnerit që e vetëshkaktojnë këtë dashuri per­sonazhet, qoftë femra, qoftë mashkulli, do të na “bindin” me anë të këtyre mikrostrukturimeve që do të paraqiten më poshtë:

“Unë jam trëndafile Saroni
Zambak i luginës.-
Siç është zambaku mes therrave
E dashura ime është ndër vajzat.-”

Dhe, në rastin tjetër:

“Siç dallon dru i mollës nga drutë në pyll
Ashtu m’është i dashuri ndër djem
T’ja dua flladin e tij e të ulem
E frutat e tij t’ma ëmbëlsojnë gojën…”

Apo:

“E bukur më je e dashura ime e bukur më je
sytë m’i ke si dy pëllumbesha
nën peçen tënde
flokët si tufë dhishë m’i ke

dhëmbët i ke si tufë delesh të qethura…” etj.

Ndërtimi kompozicional, në anën tjetër, është krijuar në bazë të tipit monolog – dialog në mes djalit – vajzës, vajzës – shoqeve të saj dhe djalit – shokëve të tij. Forma e tillë ndih­mon, sidomos, në ndërtimin e personazhit lirik dhe formimin përmbajtjesor të materialit të këngës së dashurisë.

Pjesa monologjike e këngës është, si­domos, pjesa e fillimit në të cilën marrin pjesë edhe djali edhe vajza dhe e cila ka për qëllim të na paraqesë vijat kry­esore fiziko-shpirtërore si të vajzës ashtu edhe të djalit. Në pjesën fillimore, nga ç’mund të kemi kuptuar, në disa nga shembujt që u paraqitën më lart, kemi ekspozimin e dashurisë si një katalizator i zhvillimit shpirtëror dhe filo­zofik të personazheve.

Pjesa dialogjike e këngës është pjesa më e gjatë dhe, në përgjithësi, luan rolin përpunues të tërë asaj që mund të jetë thënë në pjesën ekspozicionale. Në këtë pjesë vend më të madh zë, sidomos, dialogu i vajzës e cila me çdo kusht dhe me çdo mjet përpiqet ta imponojë dashurinë e saj në mënyrë që ajo të jetë e pranueshme si për subjektet e këngës, si për subjektin lexues. Në këtë pjesë, gjithashtu, bëhet i mundur shpalimi shpirtëror i per­sonazhit. Në këtë mënyrë ne arrijmë të kuptojmë se kemi të bëjmë me një dashuri që i kalon kufijtë e dashurisë, të shprehemi, fizike. Edhe vajza, edhe djali sigurisht se ëndërrojnë një materializim fizik të dashurisë, por për ta është imanente realizimi emocional dhe shpirtëror i dashurisë së tyre. Kjo vërehet edhe në monologizimet e per­sonazhit femër dhe në monologizimet e personazhit mash­kull. Për t’u paraqitur intensiteti i lartë i dashurisë dhe ndjenja e fortë e saj, personazhet e ‘Këngës…’ në shumë raste do ta quajnë të dashurin apo të dashurën motër apo vëlla. Me anë të shprehjeve të tilla që tingëllojnë:

‘Zemrën ma rrëmben, motra ime, nusja ime
zemrën ma rrëmben me shikimin e syve të tu
dhe me gjerdanin e qafës tënde.
T’ëmbël ma ke dashurinë, motra ime, nusja ime…”

Dhe:

‘Ah pse s’te kam vëlla
Të kishe thithur në gjinjtë e nënës!
E në takim të t’puthja me mall
E turp mos të kisha nga bota’

Paraqitet ndjenja e njeriut e stërholluar me materialin e shprehjes poetike që ishte i mundur. Kjo ndjenjë e hollë e shprehjes së dashurisë dhe gjendjes së të qenit i dashu­ruar paraqitet edhe në shumë raste të tjera, gjithashtu, me mjaft viskozitet shprehesh dhe mikrostrukturor. Epiteti është figurë përmbushëse e një poetike të tillë të shprehjes së ndjenjës dhe gjendjes së caktuar emocionale. Djali dhe vajza përdorin të gjitha mjetet e mundshme për ta krijuar bindjen dhe kumtimin lidhur me ekzistencën e dashurisë ndaj njëri-tjetrit.

Dashurinë e thellë ndaj njëri-tjetrit personazhet herë e tre­gojnë duke bërë përshkrime të pamjes së jashtme fizike të të dashurit apo të dashurës, herë duke bërë përshkrime të botës shpirtërore të tyre. Kryesisht në këtë këngë mund të hasim në elemente të përshkrimit fizik të të dashurit apo të dashurës. Në përshkrimet fizike zakonisht bëhet një përshkrim i tërë­sishëm i karakteristikave të tilla të personazhit për të cilin flitet. Djali zakonisht është më transparent në përshkrime të tilla dashurore:

“E bukur më je, e dashura ime, e bukur më je
sytë m’i ke si dy përllumbesha
nën peçen tënde
flokët si tufë dhishë i ke

dhembet i ke si tufë delesh të qethura

buzët t’janë si një pe i purpurtë
t’buta janë buzët tuaja
si flegra shege cicat i ke

Qafa t’është si e Davidit Kullë
Për luftë e punuar…

Apo:

‘Dy gjinjt tuaj si dy sorkadhe
si dy kaproj bineq
që kullosin mes zambakësh…’ etj.

Dhe përshkrimet për djalin që nuk janë aspak më të pain­tensitetshme se këto:

I dashuri im është i bardhë dhe ngjyrë trëndafili
njihet po të jenë dhjetëmijë
koka e tij ar i pastër
Flokët e tij të valëzuara
Të zeza si korbi
Sytë i janë si dy pëllumba
Brigjeve të lumit
Sikur t’jenë larë në qumësht
Kur t’kenë pushuar shumë…’

‘Trupi m’i është fildish i vërtetë
Stolisur me safir
Këmbët i ka shtylla nga mermeri i bardhë
Me themele n’ar
Trupin ma ka si Libani
E të bukur si qedër…’

Përshkrimet që u panë më lart dhe që nuk janë vetëm këto, e plotësojnë vetëm njërën anë të dashurisë së paraqitur në Këngën e të Gjitha Këngëve. Kjo dashuri, më tutje, do të plotësohet me anë të efekteve të drejtpërdrejta që prodhojnë karakteristikat e tilla fizike në zhvillimin e dashurisë njerë­zore. Pra, derisa përshkrimet që i pamë dhe materializojnë dashurinë, të themi, nga distanca, përshkrimet që do t’i thek­sojmë më vonë, do ta bëjnë këtë gjë në mënyrë të drejtpër­drejtë – nga afërsia:

‘Fryjë erë e veriut, eja puhi jugu
fryni kopshtit tim

le të vijë i dashuri im në kopsht
le t’i hajë pemët e tij të ëmbla’

Dhe:

‘ngrihem derën t’ja hap të dashurit
dhe mirra shkrihet nga duart e mia
gishtave të mij curril rrjedhë mirra
drejt rezës…’

Siç shihet, pra, nuk ka mënyrë më të drejtpërdrejtë për ta paraqitur më kthjellët dashurinë dhe dëshirën e zjarrtë për ta realizuar atë. Mirra dhe shkrirja e saj mbi duart e së dashu­ruarës në të vërtetë e paraqet edhe shkrirjen e saj të brend­shme që do të shkaktohet si efekt i drejtpërdrejtë i af­rimit të tij. Intensiteti erotik i shprehjeve të tilla erotike në shumë raste ka efekt dalldisës. Ky efekt dhe kjo atmos­ferë e tillë nxitëse që përcillet dhe forcohet nga vargu në varg është një element i veçantë që poezisë i jep një dukuri të shpërthimit ndjenjësor. Në shumë pjesë të saj poezia jonë ka elemente ndërsymëse, të cilat krijohen me anë të frazeologjisë provokuese që e përdo­rin personazhet për t’i paraqitur para njëri-tjetrit karakteristik­kat gjinore dhe të bu­kurisë. Këto efekte, në anën tjetër, përforcohen edhe më shumë në çastet kur personazhet, me një formë tejet të hapur, i manifestojnë dëshirat dhe vullnetin e tyre seksual:

‘Shtatin ma ke sikur palma
gjinjtë tu sikur kalavesh rrushi!
Thashë: do t’i ngjitem palmës
E t’i kap degët e saj!…”

Apo:

‘Ja hyra në kopshtin tënd, motra ime, nusja ime
po vjel shegën tënde, po vjel moraqen tënde
e vojshtinën e mjalten tënde e ha
dhe verën dhe qumshtin tënd…’

Një përndezje e tillë seksuale zor se shihet në ndonjë poezi, qoftë të korpusit popullor qoftë të asaj të shkruar. Prandaj stili transparent, figurshmëria e pasur (si­domos epiteti dhe kraha­simi), përkushtimi tematik tokësor dhe filozofia ekzistenciale e kësaj poezie do ta bëjnë këtë poezi interesante dhe antolo­gjike.

Forma e zhvillimit kompozicional është një element tjetër interesat që ka të bëjë me formën e kësaj kënge. Në përgji­thësi, siç mund të kemi thënë më lart, kënga krijohet me anë të dialogëve dhe monologëve të ndryshme që i bëjnë persona­zhet me vetveten apo me të tjerët. Futja e tyre, e sidomos e dialogëve të shurd­hët (mënyrë e shprehjes dialogjike e ngjashme me monologun, por që nuk mund të quhet monolog), personazhet na paraqiten me karakteristikat e tyre personale apo edhe me karakteristikat që mund t’i ketë personazhi ndaj të cilit shpre­het dashuria apo simpatia e tjetrit. Po me anë të këtyre eleme­nteve per­sonazhet e bëjnë shpalimin e tyre ndjenjësor. Kjo formë u mundëson atyre një shpalosje të tërësishme ndjenjë­sore dhe emocionale gjë që mundëson që para nesh personaz­het të paraqiten të kompletuara në të gjitha aspektet e mund­shme formësore. Elementet e monologëve dhe të dialogëve kanë edhe këto një teknikë të posaçme të for­mësimit, Mikro­strukturimi, për të cilin mund të kemi folur më herët dhe që është një element përcaktues stilistik për Këngën, luan gjitha­shtu një rol vendosës kompozicional, strukturor dhe stilistiko-estetik.

Epiteti dhe krahasimi janë mikrostrukturat funda­mentale që aplikohen brenda strukturës së këngës. Me anë të këtyre figu­rave, që janë të shumta dhe të llojllojshme aktualizohet perso­nazhi lirik i këngës. Epitetet për të cilat po flasin dhe të cilat aplikohen brenda këtyre strukturave mund të klasifikohen në dy grupe themelore:

-epitete të forta, dhe
-epitete të buta.

Epitetet e forta janë të gjitha ato mikrostruktura stilistike të cilat përdoren dhe kanë për qëllim paraqitjen fizike të perso­nazhit. Këto epitete materializohen me anë të mjeteve të forta figurative duke iu përshtatur treguesh­mërisë së tyre kupti­more. Do të marrim si shembull shprehjen e butë motra ime të përcjellë gjithmonë me shprehjen epitetike nusja ime. Edhe pse këto dy shprehje figurative, për shumëçka e përjashtojnë njëra-tjetrën. Ato, megjithatë, semantikisht e përforcojnë dhe janë në ‘aleancë’ shprehëse ndaj njëra-tjetrës. Edhe epitetet e tjera të kësaj fushë siç janë:

‘Ti je kopsht i mbyllur, gurrë e ndalur
puthjet tuaja- kopsht i freskët…’

Kryejnë thuaja funksione të njëjta kuptimore dhe seman­tike. Epitetet e forta, në anën tjetër, në këtë këngë janë më të paktë dhe, për nga funksioni i tyre stilistiko-kompozicional, ndih­mojnë në krijimin e imazhit fizik për personazhet e ‘përfolura’ në poezi. Po sjellim, më poshtë, një shembull që përsëritet disa herë në poezinë që po e shqyrtojmë:

‘Ti je kopsht i mbyllur, gurrë e ndalur
puthjet tuaja- kopsht i freskët…’

Lloji i tillë i epitetit krijon atmosferë të fortë lirike nga e cila portretizohet në mënyrë të përpiktë dhe pa përzgjatje silu­eta morale dhe fizike e personazhit për të cilin bëhet fjalë. Këto epitete funksionojnë edhe si katalizatorë që ndihmo­jnë drejt­përdrejt në përfutjen në trupin e poezisë edhe një varg mikro­strukturimesh të tjera që dalin si produkt i drejtpërdrejtë poe­tik i semantikës së epiteteve.

Krahasimi është mikrostruktura më e përdorur në këtë poezi. Format e krahasimit janë të shumta dhe, si të tilla, paraqiten me vlera të ndryshme semantike dhe kupti­more. Në shumë raste krahasimet përdoren pa ndonjë kontekst kup­timor por, thjesht, si një lloj dekori që ka për qëllim përmbi­shjen relievore të këngës. Në përgjithësi epiteti dallohet, njëko­hësisht edhe për bukurinë e tij, po edhe për aftësinë e tij shprehëse. Me anë të krahasimit poezia funksionon në atë mënyrë që katalizon paraqitjen estetike të figurave të përpu­nuara të personazheve për të cilat këndohet dhe flitet. Poezia fillon me krahasimin:

‘…
…dashuria jote më e ëmbël se vera është

E veç emri yt
Aromë që merr dhenë është…’

Dhe vazhdon:

‘e zezë jam po e bukur jam, bijë Jerusalemi
Si tendat e Kedarit, si qilimat e Sollomonit”

Kështu ne, që në fillim krijojmë figurën bazë të përjetimit të figurës së vajzës së dashuruar. Kuptojmë se ajo është vajzë e racës së zezë, por e pajisur me bukuri të posa­çme femërore. Kjo figurë, kjo pamje e cila arrin ta magjepsë djalin e dashu­ruar, paraqitet dhe sintetizohet me anë të krahasimit të cilin e përdorë djali për të:

‘e zezë jam po e bukur jam, bijë Jerusalemi
Si tendat e Kedarit, si qilimat e Sollomonit”

Vajza, në anën tjetër, paraqitet me krahasimet e saj preten­cioze për të dashurin e saj:

‘I dashuri im është thellë mirre
Që mes gjinjve të mi shkrihet
I dashuri im është pupë rrushi
Nga Vreshtat e Engadit’

Ndërsa, më vonë, do të fillojnë ‘lojërat’ figurative në mes të djalit e vajzës, gjithmonë në funksion të krahasimit. Djali do të fillojë me ngacmimin e tij:

‘Siç është zambaku mes therrave
E dashura ime është ndër vajzat…’

Dhe përgjigjja e vajzës:

‘Siç dallon dru i mollës nga drutë në pyll
Ashtu m’është i dashuri ndër djem!’ dhe

‘Ja shihe… po vjen…
nëpër suka kërcen
i dashuri im si dreri
si sorkadhja…’

Pastaj i kthehet djali me afsh:

‘E bukur më je, e dashura ime, e bukur më je
sytë m’i ke si dy pëllumbesha
flokët si tufë dhishë m’i ke

dhëmbët i ke si tufë delesh të qethura…’

dy gjinjt tuaj si dy kaproj bineq
Qafa t’është si kullë e Davidit…’ etj.

Nga ç’mund të kemi parë, poezia është e përmbushur me kraha­sime nga më të ndryshmet dhe nga më të bukurat. Këto mikrostruktura funksionojnë në atë mënyrë që ndihmojnë në individualizimin e personazhit dhe funk­sionalizimin e situatës poetike të krijuar në poezi.

Ndër mirkostrukturat e tjera që ndihmojnë në ndërtimin kompozicional dhe stilistik të poezisë mund ta përmendim edhe metaforën, figurë e cila arrin ta kamu­flojë shprehjen poe­tike dhe aktin e dashurisë njerëzore. Përmbajtja e poezisë, siç kemi parë, është një tërësi në të cilën shkaktohet shpalimi i dashurisë së dy njerëzve që nga baza e fillimit të saj e deri në materializimin e saj përfun­dimtar. E tërë kjo situatë përshko­het me metafora të ndryshme të këtij funksioni. Kështu që në fillim matafori­zohen objektet dhe ndjenjat e personazheve:

‘Sa e bukur je, e dashura ime, sa e bukur je
Krevati ynë është vllanja me lule
Trarët e tonës shtëpi çedrat janë
E mure na bëhen qiparisat’

Kjo pamje paraqet fillimin e dashurisë që kishte filluar të rrënjëzohej në zemrën e djalit. Ndërsa po me të njëjtën masë këto simptoma ishin evidente edhe në shpirtin e njomë të vashës:

‘T’ja dua flladin e tij e të ulem
E frutat e tij t’ma ëmbëlsojnë gojën
Të më fusë në shtëpi ku piqet vera
Dhe flamurin e dashurisë mbi mua le ta shtrijë…’

Kjo dëshirë e flaktë nuk ndalet vetëm me kaq. Ajo do të për­punohet edhe më tej nga shprehjet plot afsh të vajzës së da­shu­ruar:

‘T’ja dua flladin e tij e të ulem
E frutat e tij t’ma ëmbëlsojnë gojën
Të më fusë në shtëpi ku piqet vera
Dhe flamurin e dashurisë mbi mua le ta shtrijë…’

Për të rrjedhur pastaj përgjigja e djalit:

‘Nga buzet tua mjaltë rrjedhë e dashur
Nën gjuhë më ke mjaltë e qumësht’

Në vazhdën e një situata të tillë, kur ngacmimet e njëpasnjë-shme të të dyja personazheve, krijojnë një situatë të nxehtë emocionale, figurëzimi i përmbajtjes së shprehur, gjithnjë e më shumë, fiton tipare të tilla:

‘Nga buzet tua mjaltë rrjedhë e dashur
Nën gjuhë më ke mjaltë e qumësht’

Në një situatë të tillë të ndezjes afshore të dashurisë, ngac-mimi emocional i vajzës që pret është më se transpar­ent dhe i tejdukshëm:

‘Ngrihem t’ja hap të dashurit
dhe mirra shkrihet nga duart e mia
Gishtave të mij curril rrjedh mirra…’

Situata të tilla dashurore dhe emocionale shpesh ta përkuj­tojnë Kabalanë çifute dhe këshillat e saj për dashurinë dhe realizimin e saj konkret. Megjithatë, një formë e tillë e thurjes dhe e konstruktimit poetik të poezisë nuk e dobëson vlerën artistike të saj. Kjo sepse një mënyrë e tillë e shprehjes është prodhim shpirtëror i reali­zuar brenda suazave dhe konte­ksteve kulturore në të cilat ka lindur ajo.

Pas ftohjes ndjenjësore, metaforat vijnë duke u bërë më të logjikshme dhe më ‘normale’ por, gjithmonë, duke e ruajtur karakterin e tyre përndezës. Pas krahasimit me palmen që i bën djali të dashurës së vet, ai nuk e lë pa thënë se:

‘Tash do t’i ngjitem palmës
e t’i kap degët e saj’.

Pas një situate të tillë edha vajza do të inkorporohet në ar­ritjen e një përflakjeje të tillë ndjenjësore. Ajo do t’i pranojë ‘provokimet’ e të dashurit të saj duke shtuar se:

‘Tash do t’i ngjitem palmës
e t’i kap degët e saj’.

Pasi efektet e tilla përndezëse e krijojnë efektin e tyre për­mbajtjesor, fundi i një poezie është një ngjizje e të gjitha atyre që mund të jenë thënë brenda tërësisë së saj:

‘Tash do t’i ngjitem palmës
e t’i kap degët e saj’.

Ne thamë shumë pak për një poezi. Thamë vetëm sa për ta nisur studimin e saj më serioz. Kjo është poezia e Biblës e cila si një uragan rrëzon koncepte filozofike dhe jetësore të një sistemi dhe besimi. Si vepër letrare ajo kryen më shumë se funksion letrar. Ajo është një përpjekje e am­shueshme për reformimin dhe humanizimin e një besimi dhe filozofie. Prandaj leximi i saj dhe studimi i saj janë një luftë për jetën, për fenë dhe për Zotin. Kjo është një këngë e Zotit për njeriun dha dashurinë e tij. Nëse feja e kundërshton Zotin e saj dhe Këngën e tij për dashurinë njerëzore, ajo s’mund ta shpëtojë, pos ta zhdukë shpirtin njerëzor.

Kënga e të gjitha këngëve

(Përkthyer nga Murteza Osdautaj)

Oh. Sikur buzët e tua më puthje t’më mbulonin
Se dashuria jote më e ëmbël se vëra është
Aromat tua të mrekullojnë
E veç emri yt
Aromë që merr dhenë është.
Mermë me vete! Vrapojmë…
Mbreti më merr haremeve të tij…
Të gëzohemi, të lumnohemi me ty
Ta festojmë dashurinë tënde më shumë se verën…
Dhe e drejt është pse të donë.

E zezë jam, po e bukur jam, bijë Jerusalemi
Si tendat e Kedarit, si qilimat e Solomonit
Mos më shikoni pse jam e zezë
Dielli m’ka ndezur.
Bijtë e nënës sime hidhërohen n’mua;
M’i japin vreshtat t’i ruaj,
Po s’i ruaj vreshtat e mia.-
Më thuaj, dashuri shpirti im
Ku i qet delet në kullosë
Ku i mrizon në mesditë,
T’mos endem si e marrë
Tufave të shokëve të tu.-
Nëse se di, më e bukura ndër gratë,
Ndjeki gjurmat e dhenve
Dhe kulloti dhitë
Afër staneve të barinjëve.-
Me atkinë time në qerre t’Faraonit
Krahasohesh ti, e dashura ime!
Të bukura janë faqet tua në gushore
E bukur qafa jote me radhë inxhishë
Do t’i bëjmë gjerdanë të artë
Me figura t’argjendit.

Gjersa mbreti t’është divanit të tij
Erën time t’shegës e ndjejë.
I dashuri im është thelë mirre
Që mes gjijve të mijë shkrihet.
I dashuri im është pupë rrushi
Nga vreshtat e Engadit.-
Sa e bukur je, e dashura ime, sa e bukur je!
Krevati ynë është vllanja me lule
Trarët e tonës shtëpi çedrat janë
E mure na bëhen çiparisat.

Unë jam trëndafile Saroni
Zambak i luginës.-
Siç çshtë zambaku mes therrave
E dashura ime është ndër vajzat.-
Siç dallon dru i mollës nga drutë në pyll
Ashtu m’është i dashuri ndër djem
T’ja dua flladin e tij e të ulem,
E frutat e tij t’ma ëmbëlsojnë gojën,
Të më fus në shtëpi ku piçet vera
Dhe flamurin e dashurisë mbi mua le ta shtrijë.
Me lule më freskoni
Këndellmeni më mollë,
Se jam e sëmurë nga dashuria.
Ah, të ishte dorë e e majtë e tij nën kokën time
E dorë e djathtë të më ledhatojë!..
Ju përbejë, bija t’Jerusalemit
Në sorkadhet e drenushat e fushave,
Mos e zgjoni dashurinë time, mos e zgjoni
Derisa vetë të mos zgjohet.
Zëri i të dashurit tim!
Ja shihe… po vjen…
Nepër suka kercen
I dashuri im si dreri
Si sorkadhja.
Ja andej murit tanë;
Për dritare shikon
Parmakëve përbiret.
Fillon të flas i dashuri im e më thotë:
Ngrihu, e dashura ime, e bukura ime, eja!
Se, shih, iku dimri
Shiu ka pushuar, ka ikur.
Bulojnë lulet,
I vjen koha këngës,
Dhe zë bilbili dëgjohet fushave tona.
I ka mbushur erë fiku frutat e tij
Hardhia e lulëzuar aromë lëshon.
Ngrihu, e dashura ime, e bukura ime, eja!
Pse ndalesh, pëllumbesha ime,
Të çarave të shkëmbinjëve
Pse fshihesh gropave shkëmbore?
Me le ta shoh fytyrën tënde,
Zërin tënd ta dëgjoj
Se zërin e ke të ëmbël
E fytyrën aq të bukur e ke.

S’i zëni këto dhelpra
Dhelprat e vogla që prishin vreshtat
Se vreshtat tona janë në bulim.
I imi është i dashuri im unë jam e tija,
Ai kullot tufën e tij mes zambakëve.
Para se dita të tretet
Dhe hijet të shkojnë
Kthehu tek unë… më zgjo si drenushë
Si kaproll, i dashuri im,
Maleve që na ndajnë.
Në shtrojen time
Tërë natën e kërkoj
Atë, që shpirti im e don…
E kërkoj po së gjej dot.
Të ngritem, them, t’i bie rreth qytetit,
Shesheve e rrugëve
Ta kërkoj dashurinë e shpirtit…
E kerkova po se gjeta
Më gjëjnë rojet e qytetit
“T’ma keni parë dashurinë e shpirtit?”
I shtyj prapa
Dhe shoh dashurinë e jetës.
Mbaje… dhe mos e lësho
Gjersa se fus nën kulmin e nënës sime
Dhe kthinat e saj
Nën të cilat me zemër jam rritur.-
Ju Përbej, bija t’Jerusalemit
Në sorkadhet e drenushat e fushave
Mos e zgjoni dashurinë time, mos e zgjoni
Gjersa gjumi mos t’i dalë.

Ç’është ajo që nga shkretëtira
Si shtëllungë tymi ngadalë ngritet
Si nga mirra e temjani t’ishte
Dhe nga të gjitha barërat me erë?-
Shih, shtrat të Sollomonit
Rreth tij 60 trima
Nga t’Izraelit trima
Të shkathtë në luftë;
Secili shpaten mbanë
Nga frika e natës.
Krevatin vetes ja ka bërë mbreti Sollomon
Nga dru i Libanit.
Pajndrat i janë t’argjendtë
Përkrejsa e artë
Ulësja nga shërbela
Me qendisma i mbështjellë
Prej Bijave t’Jeruslemit me dashuri.
Dilni, bija t’Sijonit, shihni
Mbretin Sollomon,
Me kurorën t’cilën ja qendisi e tija mëmë
Ditën e dasmës së tij
Ditën kur iu gëzua zemra.

E bukur më je, e dashura ime e bukur më je
Sytë m’i ke si dy pëllumbesha
Nën peçen tënde
Flokët si tufë dhishë i ke
Që z’dirgjet teposhtë Galaadit
Dhëmbët i ke si tufë delesh të qethura
Që kthehen nga lugjet ku ujë kanë pirë
Sejcila bineq qengjat i ka
E asnjëra shterpë s’ka mbetur.
Buzët të janë si një pe i purpurtë
T’buta t’janë buzët tuaja.
Si flegra shege të janë cicat ty
Nën Këmishëzen tënde të hollë
Qafa t’është si Kullë e Davidit
Për luftë e punuar;
Në të varën mijëra mburoja
Të zgjedhura të gjitha për trima.
Dy gjinjtë tuaj si dy sorkadhe
Si dy kaproj bineq
Që kullosin mes zambakësh.
Para se dita të shuhet
E hijet të shkojnë
Do nisem malit të mirrave
Dhe kodrave t’temjnanit!-
Seç je e bukur e dashura ime
Të metë s’ka në ty
Eja me mua nga Libani, nusja ime
Eja me mua nga Libani eja!
Më shih nga kurorat e Amanit
Nga majat e Senirit e t’Hermonit
Nga shpellat e luajve,
Nga pyjet e leopardeve
Zemrën ma rrëmben, motra ime, nusja ime
Zemrën ma rrëmben shikimi i syve të tu
Dhe me gjerdanin e qafës tënde.
T’ëmbël ma ke dashurinë, motra ime, nusja ime,
Dashuria jote më e ëmbël se vera
Nga të gjitha aromat e ytja më e mira!
Nga buzët tua mjaltë rrjedh, e dashur
Nën gjuhë më ke mjaltë e qumësht
E aromë të fustanave ma ke të Libanit.
Ti je kopsht i mbyllur, motra ime, nusja ime
Burim i mbyllur, gurrë e ndalur.
Puthjet tuaja kopsht i freskët
me fruta të mrekullueshëm të shegës,
prej qiparisit e safranit
prej kallamit e kanellës
me të gjithë drunjtë e botës që kallam japin
që nga mirra e alloja
me aromat më të bukura
e burime midis kopshtit
e burime t’ujit t’gjallë
ujit t’gjallë nga Libani!
Ngrihu erë e verit, eja puhi jugu!
Fryjini kopshtit tim,
Të shprëndahën aromat e saj!
Le të vij i dashuri im në kopësht
Le t’i hajë pemët e tij të ëmbla.
Ja, hyra në kopshtin tënd, motra ime, nusja ime
Po vjelë shegën tënde, po vjel moraqen tënde
E vojshtinën dhe mjaltëm tënde e ha
Dhe verën dhe qumshtin tënd…
Hani, o miq, pini
Dehuni nga dashuria!…
Fjeta, po zemra zgjuar më rri…
Ja po troket i dashuri im, ja zëri i tij:
“hapma derën, motra ime, e mira ime,
pëllumbesha ime, zemra ime!
Se koka ime me vesë është spërkatur,
Plot pika vese janë flokët e mia.”-
Këmishën e ka hequr
Si ta vesh tashmë?
Këmbët i kam larë,
E si t’i përbalt?-
I dashuri im nga dritarja dorën e shti,
Zemra më dridhet.
Ngrihem derën t’ja hap të dashurit
Dhe mirra shkrihet nga duart e mia
Gishtave të mij curril rrjedhë mirra
Drejt rezës.
Ia hap të dashurit tim
Po s’ishte më… kishte shkuar
Mos isha e ç’mendur kur zëri iu përftua?-
E kërkova po se gjeta jo,
E thirra po përgjigje s’mora dot.
Më gjetën rojat e qytetit:
Më rrahen më plaguan,
Petkat nga trupi m’i hoqen
Rojet e bedemeve.
Ju përbej, bija t’Jerusallemit
N’ë gjetshi më të dashurin tim
Çdo t’i thoni?
Që jam sëmurë nga dashuria.-
Se është i dashuri yt më i miri
E bukra e të bukurave?
Pse e ke më të mirin djalë
Ti nëve na përbenë?-
I dashuri im është i bardhë dhe ngjyrë trëndafili
Njihet po të jenë dhjetëmijë
Koka e tij ar i pastër,
Flokët e tij të valëzuara
Të zeza si korbi.
Sytë i jan si dy pëllumba
Brigjeve të lumit
Sikut t’jenë larë në qumësht,
Kur t’kenë pushuar shumë.
Futyra m’i është si një bimë mirre
Si lulet me erë:
Buzet m’i janë zambakë
Nga t’cilat mirra rrjedhë.
Duart m’i janë si jele t’arta
T’stolisura me berilë,
Trupi m’i është fildish i vërtetë
Stolisur me safir
Këmbët i ka shtylla nga mermer i bardhë
Me themele n’ar.
Trupi m’i është si Libani
E i bukur si qedër.
Buzët i ka plot ëmbëlsi;
Përplot butësi.
I tillë është i dashuri im, kështu m’është i ëmbli,
Bija t’Jerusalemit.

Kah ka ikur i dashuri yt
Oj më e bukura grua?
Kah është ai, i dashuri yt
Ta kërkojmë së bashku?-
Ai ka zbritur kopshtit tim
Drejt trapave të bimëve me erë
Që ta kollosë tufën e tij
Që të vjelë zambakë
Unë e tija, ai është imi
Ai kullot tufën e tij mes zambakëve.

E bukur je, e dashura ime, si Selvitë
E shtrenjt më je si Jerusalemi
Po e tmerrshme si një ushtri
Me flamur lufte ngritur.
Sytë tuaj m’i kthe, se më qojnë në qiell!
Flokët t’janë si tufë dhishë
Që zbresin anës Galaadit.
Dhëmbët i ke si tufë delesh,
Që ngjiten lartë torishtave;
E asnjëra s’ka mbetur shterpë.
Si flegra shege cicat m’i ke
Nën përparësen e hollë.
Gjashtëdhjet mbretëresha janë, tetëdhjet shemra,
E i vajzave numri nuk dihet jo;
E veç një është pëllumbesha ime, e dashura ime
Hasreti i nënës së saj
Kanakare për çka i japë drita diellore
E shikojnë vajzat dhe n’heshtje i thërrasin
Edhe mbretëreshat flasin mirë, e nderojnë.-

Kush është kjo që si agimi del,
E bukur si hëna, e pastër si dielli,
E tmerrshme si ushtria,
Me flamur lufte ngritur?
Po zbres arrjetit
T’i shoh pemët në luginë
Të shoh mos ka buluar hardhia
Syth mos kanë qitur shegat.
Asgjë nuk di, po malli më gjuan
N’qerre t’Aminadabit.

Kthehu, kthehu, Sulam!
Gjysh kthehu të të shohim.-
Pse ta shihni Sulamin,
Kur vallëzon Mahanaimja!
Sa të bukura këmbet i ke mbathur me këpucë,
Bijë fisniku!
Vija t’vitheve tua si gjerdane
Vepra t’duarve t’skulptorit.
Shpatullat tua kupa t’praruara
Ku kurrë vera nuk mungon;
Barku t’është si grumbull me grurë
Rrethuar gjithkah me zambakë.

Du gjitnjtë m’i ke si dy sorkadhe
Si dy drerë bineq.
Qafen ma ke si kulla nga fildishi
E sytë si liqejt e Hesbonit
Në dyert e Bat-Rabimit;
Hunda jote si kullë e Libanit
Që nga Damasku pamje ka.

Koka jote krenare si Karmeli
e ato flokë mbi kokë
si parfiri mbretëror
valvitur nga furia.
E bukur je, e ëmbël më je
O dashuria ime mbi të gjitha të mirat!
Shtatin ma ke sikur palma
Gjijt tu sikur kalavesh rrushi!
Thash: do t’i ngjitem palmës
E t’i kap degët e saj!…
Le të bëhen gjinat si kalaveshat në hardhi
Aromë e frymëmarrjes tënde si erë molle;
Buzët tua si verë e zgjedhur…
Atyre u gëzohet i dashuri im.
Dhe duket se po flasin buzët e gjumi po ikë.
Unë jamë e dashura e tij
E çejfi për mua tek unë e sjell!
Eja i dashuri im,
Eja t’i marrim fushat,
Të ndalemi fshatrave!

Mëngjeseve të ikim vreshtave
Mos ka mbirë hardhia, lulet mos kanë qelë
Lulëzuar mos kanë shegat.
Atje të ta jap dashurinë.

Qilarit i vie aromë
A para derës tanë
Çdo pemë e zgjedhur
E re e e vjetër,
O dashuria ime, ty t’i kam ruajtur.

Ah, pse s’të kam vëlla,
T’i kishe thithur gjinjt e nënës!
Ku të t’takoja të t’puthja me mall
E turp mos të kisha nga bota.

Do t’marr, tek nëna të’t sjell në shtëpi
Ti t’më mësosh,
Të t’gostis me verë plot aromë
Dhe lëng nga shegat e mia.
Ah, t’ishtë dorë e mengjër e tij nën kokën time
E dorë e djathtë t’më ledhatojë!…
Ju përbejë bija t’Jerusalemit
Mos e zgjoni dashurinë time, mos e zgjoni,
Gjersa vetë nuk zgjohet ajo.

Ç’është ajo që nga shkretëtira ngritet
E mbështetur në të dashurin e saj?…
Nën mollën e vjetër të zgjova
Ku të lindi e jotja mëmë;
Ku të lindi, ku dritën e diellit ta dha.
Vëmë në zemrën tënde si një shenjë
Si një gjerdan në zog të krahut,
Se dashuria më e fortë se vdekja është,
Dhe si ferr i vërtetë është gjelozia;
Zjarri i saj është zjarr që djeg,
Flakë e zotit.
As vërrshimet e pafund dashurinë se shuajnë,
As lumenjt nga shtrati kur degdisen,
Dhe edhe sikur njeriu ta jipte tërë pasurinë e shtëpisë
Për këtë dashuri,
Veç urrejtje do t’kishte fitim.

Të vogël e kemi motrën,
Ende gjinjt s’i kanë dalë,
E ç’të bëjmë me motrën tanë
Kur t’na vijnë për krushqi?-
Nëse mur është ajo
Mbi të do ndërtojmë mburojë argjendi;
E në qoftë se portë do të jetë
Derë të fortë qiparisi do t’i bëjmë.-
Unë jam mur,
Dhe gjinjt sikur kulla i kam.
U gjenda para syve të tij,
Sikur ajo që sjell paqen e qetësinë.
Salomini në Baal-Hamon vreshat i ka pasur;
Rojeve ua dha vreshtin,
Dhe secili për fis të tij
Nga njëmijë sikla argjendi fitonte.
Vreshtin tim unë vet e ruaj
Le t’mbesin te Salomoni njëmijë sikla
Dhe nga dyqind atyre që mbajnë fisin.

Ti që futesh kopshtijeve!
Të tjerët zërin tënd dëgjojnë
Lermë dhe mua ta dëgjoj!-
Shpejt, i dashuri im!
Bëhmu si drenusha, si kapruell
Maleve t’mia me erë.