LAJMI I FUNDIT:

Jo më referenca me Kosovën

Jo më referenca me Kosovën

Shqetësimi i palës kosovare se Shqipëria aplikon çmime reference për mallrat që vijnë nga vendi fqinjë ka marrë rrugën e zgjidhjes.

Pas vizitës së zëvendëskryeministres dhe Ministres së Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari-Lila në Tiranë, qeveria shqiptare ka premtuar ndryshim të procedurave. “Mora premtimin e kryeministrit dhe ai tha se nuk do ketë më çmime reference. Në rastet kur ka dyshime të kontaktojnë dy doganat që të verifikojnë mallrat”, tha Kusari-Lila.

Ky ishte viti i tretë që bizneset kosovare ankohen se taksoheshin nga doganat shqiptare, një proces ky i cili automatikisht rriste çmimin e produktit në treg.

Në vizitën e saj në Tiranë, zëvendëskryeministrja e Kosovës kërkoi edhe një përfaqësim doganor në portin e Durrësit.


Shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë vijojnë të mbeten në nivele të ulëta, në raport me vendet si Serbia dhe Mali i Zi. Me dy vendet e fundit niveli i importeve deri në fund të vitit 2011 arriti në 18.6 miliardë lekë, ndërsa me Kosovën ishte 3.8 miliardë. /Telegrafi/