LAJMI I FUNDIT:

Interesat kombëtare dhe tekstet e historisë

“T’u lëmë historinë historianëve, të mos merremi me histori”. Kjo tingëllon bukur, por në fakt është një idiotizëm i llojit të vet. Historianët janë për t’i nxjerrë në dritë faktet, por edhe për t’i komentuar ato në dritën e fakteve të tjera.

Historia është shkencë, kurse shkrimi i teksteve të historisë është politikë. Kjo sepse nxënësve në shkollë fillore është e pamundur t’u servirësh gjithë faktet historike. Ata nuk do të mësojnë historinë e gjithë kombeve të botës e as gjithë historinë e kombit tonë. Ata do të mësojnë gjëra të përzgjedhura nga tekstshkruesit e historisë. Pikërisht kjo përzgjedhje është politikë.


Fakte ka si për periudhën e Skënderbeut (1443-1468), si për Lidhjen e Prizrenit (1878-1881), por cilave fakte duhet t’u japësh më shumë hapësirë para nxënësve, kjo është politikë.

Fakt është edhe Lidhja e Dytë e Prizrenit (16-20.09.1943), edhe Konferenca e Bujanit (30.12.1943-02.01.1944), por përse nxënësit duhet të mësojnë vetëm për Konferencën e Bujanit e jo për të dyja, apo edhe vetëm për Lidhjen e Dytë të Prizrenit?

Cila ishte politika e tekstshkruesve të historisë deri më tani dhe cila duhet të jetë në të ardhmen, ky lipset të jetë një debat politik i përhershëm, ashtu siç duhet të jenë të përhershme debatet për politikat zhvillimore.

Shkrimi i teksteve të historisë në kohën e Enver Hoxhës ishte plotësisht në funksion të sistemit të tij politik. Shkrimi i teksteve të historisë në këtë kohë është krejtësisht në disharmoni me vlerat demokratike dhe interesat kombëtarë.

Jo se tekstet e historisë nuk kanë ndryshuar fare, por ky ndryshim vetëm sa i bën me qesharake tekstet e historisë.

Nuk ka ndryshim thelbësor se ç’është ndryshimi mes sistemit komunist dhe atij demokratik apo çfarë është ndryshimi në kursin kombëtar shqiptar: nga kursi izolacionist në një kurs të tejhapur ndaj botës.

Faktet që na i servirin tekstshkruesit e historisë në kohën e Enverit sa i përket historisë botërore, lidheshin me orientimet e politikës së tij të jashtme.

Nxënësit në shkollë fillore dhe të mesme kishin mundësi të mësonin në shkollë për historinë e lashtë kineze dhe hinduse e egjiptiane, për historinë franceze, greke, ruse e serbe, por shumë pak apo aspak për historinë amerikane, angleze, gjermane, italiane, skandinave etj.

Kjo sepse Enver Hoxha miqtë tradicionalë të shqiptarëve – gjermanët, anglezet e amerikanët – i konsideroi armiq dhe anasjelltas, për miq konsideroi armiqtë tradicionalë. Nga këto tekste del se kombi gjerman e italian nuk kanë prodhuar gjë tjetër, pos nazizmit e fashizmit.

Në tekstet e historisë përmendet pakëz biografia e profetit Muhamed, por jo edhe periudha e ndritur që pasoi paraqitjen e tij në histori.

Në filmin e historisë që i krijohet një nxënësi të mirë në shkollat e Kosovës dhe Shqipërisë pas vdekjes së profetit Muhamed, pason periudha e errët mesjetare.

E vërteta historike është krejt e kundërt: hopi më i madh i zhvillimit njerëzor në të gjitha rrafshet është bërë pikërisht në këtë periudhë. Zhvillimi shkencor, teknologjik, mjekësor, artistik, juridik, ekonomik, moral, kulturor etj. ka bërë hapin e vet më të madh pikërisht në këtë periudhë. Injorimi i kësaj periudhe nga tekstshkruesit kosovarë e shqiptarë të historisë i lë mangët nxënësit në shumë fusha.

Derisa nxënësit nga gjithë Evropa kanë dëgjuar për mbretin e lavdishëm Sallahudin Jusuf ibn Ejub (1138-1193), si një shembull i një mbreti luftëtar fisnik me kod moral të luftës, nxënësit në Kosovë e Shqipëri as që kanë dëgjuar ndonjëherë për këtë emër.

Është jashtëzakonisht jo-falënderuese që nxënësit shqiptarë mësojnë shumë-shumë pak për historinë e Austro-Hungarisë, shtetit që ka krijuar shqiptarët si komb e Shqipërinë si shtet. Të mos flas për atë që derisa politikanët kosovarë kanë plot gojën Amerikë, nxënësit kosovarë nuk dinë pothuajse asgjë për historinë e Amerikës. E për me tepër, nga edukata që marrin nga këto tekste shkollore, thonë se amerikanët nuk janë komb!