LAJMI I FUNDIT:

Infeksionet seksualisht të transmetueshme, një problem i shëndetit publik

Infeksionet seksualisht të transmetueshme, një problem i shëndetit publik

Në vendet në zhvillim, IST dhe komplikimet e tyre renditen në 5 kategoritë e para të sëmundjeve për të cilat të rriturit kërkojnë kujdes shëndetësor.

Lumturi Merkuri, Alban Ylli, Pëllumb Pipero
Instituti i shëndetit publik, Ministria e shëndetësisë

IST një problem i shëndetit publik
IST-të janë një risk madhor për të gjithë adoleshentët seksualisht aktiv. Çdo vit, 1 në 20 adoleshent preket nga një IST, dhe mosha në të cilën këto infeksione merren po vjen duke u bërë gjithmonë dhe më e re. Globalisht të gjitha këto infeksione krijojnë një problem të madh shëndetësor dhe një barrë ekonomike, sidomos në vendet në zhvillim, ku ato sjellin 17% të humbjeve ekonomike shkaktuar prej sëmundshmërisë.


Kostot sociale-ekonomike të këtyre infeksioneve si dhe komplikacioneve të tyre, janë të konsiderueshme dhe në shumicën e vendeve në zhvillim shterojnë buxhetet kombëtare për shëndetin dhe të ardhurat familjare (4). Pse investojmë në parandalimin e IST-ve
Për të reduktuar sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë e shkaktuar prej tyre- IST rrisin barrën e sëmundshmërisë e vdekshmërisë nëpërmjet impaktit direkt në cilësinë e jetës, në shëndetin riprodhues të meshkujve e femrave, në jetën e fëmjëve si dhe indirekt duke lehtësuar transmetimin e HIV si dhe ndikimit në ekonomitë kombëtare e individuale.
Për të reduktuar riskun e transmetimit të HIV parandalimi dhe trajtimi i IST-ve redukton riskun e transmetimit seksual të HIV. Efekti bashkëshoqërues në transmetimin e HIV është më i lartë në sëmundjet ulcerative: Evidencat tregojnë se herpes genital mund të jetë përgjegjës për një përqindje të lartë të rasteve të reja me HIV. Përmirësimi i menaxhimit të rasteve me IST është një ndërhyrje shkencërisht e provuar në reduktimin e incidencës së HIV në popullatën e përgjithshme. Objektivi 6 i MDG, kërkon reduktimin e përhapjes HIV/ AIDS në 2015. Parandalimi i IST-ve është një ndërhyrje që në mënyrë të dukshme dhe kostoefektive kontribuon në arritjen e këtij objektivi.

Për të parandaluar komplikacionet serioze tek gratë- IST janë ndër shkaqet kryesore të parandalueshme të infertilitetit, në veçanti tek gratë. Rreth 10-40 % e grave me infeksion të klamidias të patrajtuar zhvillojnë sëmundje inflamatore pelvike. Dëmtimet e tubave mbas infeksionit, janë përgjegjës për 30-40 % të rasteve të infertilitetit tek femrat. Gratë që kanë kaluar sëmundje inflamatore pelvike kanë 6-10 herë më tepër mundësi të zhvillojnë barrë ektopike (12). MDG 5 dhe 6 kërkojnë reduktimin e mortalitetit amtar me ¾ në 2015. Parandalimi i IST do të kontribuojë në arritjen e këtij objektivi duke parandaluar vdekjet tek gratë të lidhura me barrat ektopike. Nga ana tjetër parandalimi i infeksionit HPV do të reduktojë numrin e grave të cilat vdesin prej kancerit cervical, kancerit të dytë më të zakonshëm tek gratë mbas atij të gjirit. Për të parandaluar përfundimet negative të shtatzënisë dhe sëmundjet e të porsalindurit-IST-të e patrajtuara janë të lidhura me aborte, lindje parakohe, infeksione kongenitale e perinatale të të
porsalindurit. Në gratë shtatzëna me sifiliz të patrajtuar, 25% rezultojnë në lindje parakohe e 14% në vdekje neonatale (16). Mbi 35% e grave që kanë një infeksion gonokoksik të patrajtuar rezultojnë në aborte e lindje parakohe dhe mbi 10% në vdekje perinatale (17). Në mungesë të parandalimit, 30-50% e fëmijëve të lindur nga nënat me gonorre të patrajtuar dhe mbi 30% e fëmijëve të lindur nga nënat me klamidia do të
zhvillojnë oftalminë neonatale, e cila mund të shkaktojë verbëri tek fëmijët (18,19). Në mbarë botën 1000-4000 bebe të porsalindura verbohen çdo vit për këtë arsye (20).

Disa principe kryesore të Strategjive të parandalimit të IST-ve
1. Pabarazia gjinore duhet të adresohet në të gjitha ndërhyrjet lidhur me IST-të. Promocioni i përgjegjësisë së meshkujve dhe fuqizimit të grave në parandalimin e IST-ve janë element thelbësor dhe një përgjigje efektive gendër sensitive.
2. Ndërhyrjet për IST-të duhet të jenë pjesë integrale e shërbimeve të shëndetit seksual e riprodhues.
3. Bashkëpunimi i ngushtë i programeve për IST-të me ato të HIV është jetike. Duke kombinuar pikat e forta të dy programeve, krijohet sinergji.
4. Ndërtimi i partneriteteve për një bashkëpunimi ndërsektorial është kritik për parandalimin e IST-ve duke arritur një përgjigje intensive.
5. Përfshirja e komunitetit si partner në hartimin, implementimin e vlerësimin e ndërhyrjeve. Kjo siguron fuqizimin e komuniteteve, nxit pjesëmarrjen nga ana e publikut dhe kërkon një akces të plotë dhe të vazhdueshëm për informacion (21).
6. Reduktimi i stigmatizimit dhe diskriminimit në të dy nivelet, atë individual dhe shoqëror, është një komponent kyç në parandalimin e kontrollin e IST-ve.

Elementet thelbësore të strategjive parandaluese të IST-ve
Elementët kryesore strategjik për një program të kontrollit për IST-të janë të krijuara dhe përfshijnë: rishikimin e politikave përkatëse, ligjeve e rregulloreve për t’u siguruar që kontribuojnë në arritjen e qëllimit të programeve parandaluese; promovimin e sjelljeve të shëndetshme; kujdesi për IST në shërbimet antenatale; sigurimi i një furnizimi të sigurt, me cilësi e të përballueshëm të barnave për parandalimin e IST-ve përfshirë prezervativët dhe forcimin e komponentëve mbështetëse.

Komponentët e strategjive të parandalimit dhe kontrollit të IST-ve
Strategjitë duhet të disenjohen bazuar në mësimet e nxjerra dhe në veprime qartësisht të suksesshme, të cilat duhen shkallëzuar. Ato duhet të përshkruajnë elementët esenciale të një përgjigjeje efektive ndaj barrës së infeksionit, të japin informacion në çështjet kyçe e të jenë të përshtatshme për të maksimalizuar impaktin. Programet duhet të analizojnë se: cilat grupe janë më në rrezik; cilat sjellje vënë këto popullata në rrezik; cilat janë ndërhyrjet më të mira në thyerjen e zinxhirit të transmetimit; si të prioritizojnë e të shtrijnë më tej ndërhyrjet.

Disa prej strategjive të suksesshme parandaluese:
1. Ndërhyrje të parandalimit dhe kontrollit të IST-ve
Promovimi i sjelljeve seksuale të shëndetshme. Një përgjigje efektive ndaj përhapjes së IST-ve, fillon me parandalimin. Edukimi shëndetësor rreth IST-ve duhet të jetë pjesë integrale e çdo shërbimi shëndetësor. Komunikimi për ndryshimin e sjelljeve seksuale si një proces interaktiv me komunitetet ka qëllim të zhvillojë mesazhe të përshtatshme për target grupe të veçanta duke përdorur një sërë kanalesh komunikimi. Komunikimi si komponent i aktiviteteve rrit njohuritë, stimulon dialogun në komunitetit, promovon ndryshime në qëndrime, redukton stigmën e diskriminimin, rrit kërkesën për informacion e shërbime e përmirëson aftësitë.

Sigurimi i kondomëve
Sigurimi i kondomëve si një mundësi shumë efektive dhe në dispozicion, duhet të jetë komponent kyç i strategjive të parandalimit të transmetimit seksual të IST-ve. Strategjitë duhet të arrijnë popullatën e shëndetshme e cila ka nevojë për informacion dhe njohuri për të mbetur e lirë nga IST-të.

Zhvillimi i shërbimeve të parandalimit e kujdesit për IST-të
Ofrimi i shërbimeve parandaluese për IST parandalon komplikacionet tek të infektuarit e transmetimin e infeksionit tek partnerët seksual, fetusi e i porsalinduri. Programet e parandalimit duhet të jenë të arritshme, të pranueshme dhe efektive për personat e infektuar për të parandaluar infektimet e mëtejshme dhe komplikacionet afatgjata. Komponentë të tyre janë: diagnoza e trajtimi korrekt, reduktimi e parandalimi i infektimit të mëtejshëm, promovimi i përdorimit të kondomit si dhe njoftimi i partnerëve seksualë. Menaxhimi i syndromik-IST shpesh janë asimptomatike dhe strategji të ndryshme duhen
përdorur për kapjen e tyre si: zbulimi i rastit, ndërhyrje për arritjen e partnerëve seksualë, e rritja e njohurive për rriskun individual. Zbulimi i rastit i referohet testimit të individëve për IST, të cilët kërkojnë kujdes shëndetësor për arsye të tjera. Në çdo rast duhet patur parasysh konfidencialiteti, këshillimi dhe trajtimi i rastit.

Strategji për njoftimin e partnerve seksualë
Njoftimi i partnerit seksual është pjesë e manaxhimit të rastit. Partnerët seksual të personave të diagnostikuar informohen për ekspozimin e tyre ndaj infeksionit. Manaxhimi i partnerëve seksualë është një nga ndërhyrjet më të vështira, por komponent i rëndësishëm për kontrollin e IST-ve.

Medikamentet
Të pasurit në dispozicion në mënyrë të vazhdueshme të barnave është esenciale për suksesin e programeve parandaluese të ISTve. Trajtimi i menjëhershëm dhe efektiv thyen zinxhirin e e transmetimit dhe parandalon zhvillimin e komplikimeve.

Testet diagnostike
Rreth 80-90% të barrës globale të IST-ve e zënë vendet në zhvillim ku ka akces të kufizuar apo nuk ka akces për diagnostikim të përshtatshëm. Prandaj ekziston nevoja për zhvillimin e testeve të shpejta diagnostike për të përmirësuar diagnozën.

Vaksinat
Për të siguruar zbatimin e suksesshëm të çdo strategjie vaksinimi duhet përcaktuar me kujdes popullsia target e të sigurohet pranueshmëria e vaksinës, veçanërisht tek një popullsi që nuk mund të perceptojnë veten si në rrezik për IST. Shtrirja e ndërhyrjeve Mjaft programe implementojnë ndërhyrjet në zona pilot të vogla të cilat arrijnë rezultate të mira por nuk arrijnë gjithë popullatën. Për të arritur një impakt të madh ndërhyrjet parandaluese duhen vlerësuar për të bërë korrigjimet e duhura dhe më pas duhet rritur mbulimi gjeografik për të arritur popullatën e gjerë. Shtrirja e programit ka impakt më të madh kur fokusohet veçanërisht në popullata që ndikojnë dinamikën e shpërndarjes së IST-ve dhe që arrijnë sa më shumë individë të jetë e mundur prej këtyre popullatave.
Përmirësimi i informacionit për zhvillimin e politikave dhe programeve. Sigurimi i informacionit për zhvillimin e politikave dhe të programeve është një element parësor i strategjive parandaluese. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori