LAJMI I FUNDIT:

Ia grahin këmbë

Ia grahin këmbë

Shumica prej 52 inspektorëve që mbikëqyrin zbatimin e Ligjit të punës, dalin këmbë. Gjithsej janë 8 makina për të 36 komunat e Kosovës. Përveç kësaj, inspektorët ballafaqohen edhe me mungesë të zyrave. E, Ligji i punës i obligon ata që secilin subjekt afarist ta vizitojnë së paku një herë në vit. Me rishikimin e buxhetit, ata mund të kenë më shumë para.

Inspektimet e tyre janë shtuar gjatë këtij viti. Por me këtë nuk janë përmirësuar kushtet e tyre të punës. Mungesa e makinave, zyrave dhe numri i vogël i tyre bën që efikasiteti i Inspektoratit të Punës të mos jetë në nivelin e duhur. Hyrja në fuqi e Ligjit të punës i obligon të 52 inspektorët e këtij inspektorati që të jenë në çdo cep të Kosovës për të inspektuar subjektet afariste që janë të obliguara ta zbatojnë këtë ligj.

Por, problemi më i madh në punën e tyre është mungesa e makinave. Gjithsej, ky inspektorat posedon vetëm 8 makina për të 36 komunat e Kosovës, në të cilat janë të shpërndarë të 52 inspektorët. Saktësisht, 90 për qind e komunave nuk kanë makina për inspektorët, të cilët detyrohen që inspektimet e tyre t’i bëjnë këmbë, shkruan Express.

E, Ministria e Punës dhe Mirëqenies sociale nga buxheti i saj për këtë vit i ka ndarë 581 mijë euro për Inspektoratin e Punës. Zyrtarë të kësaj të fundit thonë se në Ministri kanë bërë kërkesë që të paktën të përmirësohen kushtet për punëtorët të cilët e kanë obligim daljen në terren për të vizituar subjektet afariste për respektimin e Ligjit të punës. Me rishikimin e buxhetit, pritet të shtohen mjetet për të plotësuar kushtet e tyre. Kryeinspektori Basri Ibrahimi, në një bisedë për Express, tregon se kushtet e punës në përgjithësi nuk janë edhe aq të mira. /Telegrafi/