LAJMI I FUNDIT:

Humbin nga shpronësimi

Humbin nga shpronësimi

Shumë prej banorëve të Suharekës janë ankuar se janë duke humbur shumë nga vlerësimi që po u bëhet pronave të tyre në zonën ku po ndërtohet autostrada Vërmicë-Merdar. Ata thonë se tokat e tyre vlejnë më shumë. Tani presin Gjykatën Supreme, që t’ua ngre çmimet e këtyre tokave. Për këtë vit, Qeveria ka ndarë 23 milionë euro për shpronësimet.

Banorët që i janë nënshtruar procesit të shpronësimit në zonën ku po ndërtohet autostrada Vërmicë – Merdar, vazhdojnë të ankohen për çmimet e vlerësimit të tokave të tyre. Pas atyre të Vërmicës, tani ankesat kanë filluar të bëhen edhe nga banorët e shpronësuar të komunës së Suharekës. Ata thonë se janë duke humbur shumë nga vlerësimi që po u bëhet pronave të tyre. Madje për këtë gjë, ata herë pas here edhe kanë protestuar.

E për pakënaqësitë e tyre, ata kanë shkuar deri në Gjykatën Supreme të Kosovës. Tani presin që kjo gjykatë t’ua vlerësojë më shumë tokat e tyre. Qeveria e Kosovës për këtë vit ka ndarë rreth 23 milionë euro për shpronësimin e tokave në pjesën ku po ndërtohet autostrada Vërmicë-Merdar. Sadik Kuqi, nga Suhareka, pronar i një prone të shpronësuar, thotë se vlerësimi i paluajtshmërisë së tij ka qenë shumë i ulët dhe nuk i përgjigjet aspak vlerës që e ka. Njëjtë thotë kjo nuk iu përgjigjet as pronarëve të tjerë të shpronësuar,. Shkruan Express.

Ai tregon se dallojnë çmimet prej një prone në pronë. Kjo sipas tij, është anomali. “Prona ime është vlerësuar 600 euro për ar, ndërsa jo më larg se 200 metra nga prona ime, është vlerësuar deri në 6500 euro. Kjo është një anomali e madhe që nuk gjendet askund”, thotë ai. Dallimi, sipas tij, ka ardhur për shkak se vlerësimi i pronave është bërë nga kompani të ndryshme.


Kuqi ka thënë për ‘Express’ se pronarët me këtë shpronësim kanë humbur shumë dhe pjesa më e mirë e vreshtave është zënë me asfalt. “Ata nuk janë kompensuar as me para si duhet, ndërsa në anën tjetër, do të ketë humbje të madhe edhe për vreshtarinë, dhe për ekonominë e komunës në përgjithësi”, ka thënë Kuqi. Sipas tij, më se 80 për qind e pronarëve të shpronësuar janë të pakënaqur. /Telegrafi/