LAJMI I FUNDIT:

Homazh poetik për Xhevdet Bajrajn

Homazh poetik për Xhevdet Bajrajn
Pamje nga edicioni i gjashtë i kolonisë letrare “Muzat e Jezercit”, organizuar nga klubi letrar "De Rada" (foto: Laura Siner Brahimi)

Edicioni i gjashtë i kolonisë letrare “Muzat e Jezercit”, organizuar nga Klubi Letrar “De Rada” – mbështetur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe nga Komuna e Ferizajt (gjegjësisht DKRS) – iu kushtua poetit Xhevdet Bajraj (1960-2022). Në aktivitetet që zgjatën tri ditë me radhë (28-30 tetor), morën pjesë krijues e studiues nga të gjitha viset shqiptare. Në tryezën “Poezia e Xhevdet Bajrajt dhe vendi i saj në letërsinë shqipe”, me kumtesa, shkrime, e analiza letrare u paraqitën mysafirët Fatmir Sulejmani, Lulzim Haziri, Sulejman Dërmaku, Halil Matoshi, Kemajl Aliu, Ahmet Selmani … që trajtuan segmente të ndryshme të poezisë së Bajrajt, duke përvijuar kështu konturat e personalitetit të tij krijues. Ndërsa, në orën letrare, përveç leximit të vargjeve të shkëputura nga krijimtaria e pasur e Bajrajt, poezi dedikuar poetit lexuan Sabit Rrustemi, Shefqete Gosalci, Menduh Leka, Gazmend Bytyçi dhe Zymer Haliti. Bajraj që nga viti 2018 ishte anëtar nderi i Klubit letrar “De Rada” dhe ishte i pranishëm pothuajse në të gjitha edicionet e mëparshme të kolonisë “Muzave të Jezercit”. Telegrafi sjell më poshtë disa prej kumtesave dhe poezive kushtuar poetit të madh shqiptar, të përkthyer në gjuhët më të mëdha të botës, i cili nga viti 1999 jetoi dhe veproi në Meksikë (ku punoi edhe si profesor i Letërsisë dhe i Shkrimit Kreativ në Universitetin Autonom të Meksiko Sitit).

***


1. FJALA HYRËSE E TRYEZËS “POEZIA E XHEVDET BAJRAJT DHE VENDI I SAJ NË LETËRSINË SHQIPE”

***

EDICIONI I GJASHTË I KOLONISË LETRARE “MUZAT E JEZERCIT”: PËR XHEVDETIN QË PËRJETËSISHT U KTHYE NË VENDLINDJE

Nga: Zyrafete Shala

Ky edicion, siç ju kemi njoftuar edhe në ftesa, i dedikohet poetit të madh, mjeshtrit të fjalës artistike dhe njeriut me virtyte të larta, Xhevdet Bajrajt, që këtë vit, më 22 qershor, u nda nga ne fizikisht, por u kthye në vendlindje përjetësisht.

E kemi zgjedhur pikërisht koloninë letrare “Muzat e Jezercit” për ta kujtuar Xhevdetin dhe për të diskutuar mbi veprën e tij për shkak se, siç po e tregojnë edhe pamjet në fotografi, Xhevdeti ishte mysafir yni i rregullt në koloninë letrare, dhe për më tepër ishte kthyer në simbol të “Muzave të Jezercit”. Edhe pse nuk ishte në natyrën e tij të merrte pjesë nëpër manifestimet letrare ku ftohej gjatë kohës sa ishte në Kosovë, kur bëhej fjalë për organizimet tona, i thyente pa hezitim rregullat e tij dhe na bashkohej. Në këtë mënyrë, për një kohë të shkurtër ai u bë mik jo vetëm i yni, i klubit “De Rada”, por edhe mik i qytetit të Ferizajt.

Gjatë ditëve të kaluara në kuadër të kolonisë, këtë vend, në Jezerc, dhe në këto hapësira, ne arritëm të njohim çdo vit, pak nga pak, madhështinë e personalitetit të Xhevdet Bajrajt që fshihej nën vellon e një modestie të pazakontë për mjedisin tonë. Në bisedat që zhvilloheshin këtu Xhevdeti u drejtohej me të njëjtin respekt dhe i dëgjonte me të njëjtin përkushtim si kolegët e tij, miqtë, si nxënësit vullnetarë të klubit tonë, personelin dhe këdo që i rastiste ta takonte këtu. Kjo sepse ai përpiqej të depërtonte përtej atij zhguallit prapa të cilit është bërë trend të fshihet origjinaliteti dhe natyrshmëria e njeriut. Ashtu siç kishte gërmuar brenda vetes tërë jetën përmes krijimit, në mënyrë spontane përpiqej të gërmonte edhe te të tjerët për të arritur deri tek esenca e qenies. Madje këtë e thotë mjeshtërisht edhe në një poezi (Mallkimi):

Qëmoti më përcjell një mallkim
sa herë të takoj ndonjë të panjohur
instinktivisht çohem
në maje të gishtërinjve
dhe e shikoj në zemër

Ashtu si te njerëzit që kërkonte sinqeritetin dhe korrektësinë, por edhe më me ngulm këtë e kërkonte te krijuesi, te poeti. Sepse, të qenit poet, për Xhevdetin ishte mënyrë e ekzistencës.

Kjo qasje e veçantë ndaj procesit të krijimit u vërejt qysh në fillim të rrugëtimit të tij në botën e poezisë shqipe, me vëllimin poetik Nënë prej guri (1989), ku zëri i tij poetik u shfaq i formësuar, i sigurt, i thellë dhe për më tepër, tejet origjinal, sado që Xhevdeti u përpoq të ndiqte rrjedhat poetike të kohës. Me vëllimet e tjera ai i tejkaloi propozimet estetike të kohës, sepse nuk ishin të mjaftueshme për dimensionet e ndjeshmërisë dhe potencialit të tij krijues, nuk përkonin me këndvështrimin e tij specifik ndaj botës dhe perceptimet subtile të dukurive të saj. Ato kërkonin forma të reja shprehëse, shtigje të reja, hapja e të cilave, përveç dhuntisë kërkonte punë dhe formim intelektual e artistik.

Ndërkohë, rruga jetësore e vuri përballë një udhëkryqi të vështirë, e vuri përballë tundimit që, krahas gjuhës amtare, të krijojë edhe në një gjuhë tjetër. Një sprovë e tillë do të ishte e patejkalueshme për shumë krijues, apo më mirë të them për krijuesit mediokër, por Xhevdet Bajraj e tejkaloi me sukses këtë barrierë. Me integrimin në letërsinë spanjolle, ai hyri në arenën prej nga kishin dalë kolosë të letërsisë botërore, u bë pjesë e konkurrencës krijuese në gjuhën e Markezit, Nerudës, Lorkës, Borgesit, Maçados, Pazit e shumë të tjerëve, duke arritur kështu jo vetëm të sigurojë një vend të rëndësishëm për krijimet e veta në letërsinë hispanike, por arriti të fusë brenda kësaj letërsie edhe ndjeshmërinë dhe përvojat e popullit të tij që e përbëjnë lëndën e parë të poezisë së Xhevdetit.

Nga poezitë e vëllimeve të botuara në vitet e fundit, pas antologjisë Copa ime e qiellit, që do të thotë prej vitit 2017 e këndej, vërejmë se pavarësisht nga fakti që jetonte në skajin tjetër të botës, pavarësisht që ishte i integruar aktivisht në jetën letrare dhe sociale të vendit ku jetonte, Xhevdet Bajraj ishte thellësisht i preokupuar me rrjedhat e jetës në vendlindje. Ai frymonte me jetën në vendlindjen dhe përjetonte bashkë me ne dhimbjet që na shkaktonte stërkeqja e lirisë.

Xhevdet Bajraj nuk ishte ai mërgimtari, të cilit malli për vendlindjen mund t’i krijoj imazhin jo real të saj, atë imazhin e sajuar nga dëshira për ta pasur një atdhe që e bën të ndjehet krenar në mjedisin ku jeton, ai nuk joshej as nga prirjet për himnizimin e së kaluarës të cilat janë intriguese për shumë krijues. Për më tepër ai zgjodhi të jetë zëri kritik i devijimeve që e karakterizojnë aktualitetin tonë. Poezia e tij depërtoi në të gjitha poret e jetës, ndriçoi anët më të dhimbshme të saj, u bërë zëri i atyre që bartin mbi supe padrejtësitë dhe pasojat e veprimeve të paturpshme të të tjerëve, por shpeshherë edhe ligjeve absurde të kësaj bote.

Njohja me poezinë e Xhevdetit për mua ka qenë befasia më e bukur që më ka ofruar letërsia shqipe, ishte si një ishull i bukur në mesin e ujërave të turbullt që e rrethonin. Forca emocionale që e ushtron te lexuesi, ndikimi estetik, preciziteti i përzgjedhjes së fjalëve, mjeshtëria e ndërtimit të figurave, të gjitha këto, e bënin poezinë e Xhevdetit të paarritshme dhe një kohë të gjatë as që kisha guxim të shkruaj për të.

Mirëpo, edhe përkundër këtyre vlerave të dëshmuara, poezia e Xhevdetit këtu, në atdheun e tij nuk zuri vend në planprogramet shkollore të asnjërit nivel. Madje as në studimet themelore dhe Master për Letërsi shqipe, në lëndët Poezi e sotme shqipe, Letërsi aktuale etj. Kjo nuk ka se si shpjegohet ndryshe përveç se si një nga shumë absurditetet e botës shqiptare. Përfshirja e poezisë së Xhevdetit në planprograme shkollore nuk do t’i bënte nder poetit, por do t’u ofronte nxënësve dhe studentëve tanë një mundësi që të dalin nga vorbulla apo qarku vicioz ku ka ngelur letërsia jonë aktuale.

***

2. ESE PËR XHEVDET BAJRAJN

***

EDHE VETË XHEVDETI QE POEZI

Nga: Sulejman Dërmaku

Xhevdet Bajraj do të mbetet sinonim i poezisë dhe i njerëzisë. Sa ishte poet, po aq ishte njeri. Dhe po të kishte qenë ndryshe, zor se do të kishim një poezi të tillë, çfarë na e ka lënë poeti Bajraj. Poezia e tij, ndonëse fund e krye përshkohet me fije të kulluara kombëtare, ajo po aq mund të quhet edhe universale, nga këndvështrimi human. Në vargjet e poetit Bajraj me mjeshtëri të hollë poetike, me një fjalës të zgjedhur, është bërë shenjëzim i kontekstit të trishtë të një periudhe tragjike kombëtare, kur bishat e Karpateve, në pamje njeriu, shfrynin tërë urrejtjen, mbëltuar në vazhdimësi ndaj qenies sonë kombëtare, duke mos kursyer as krijesat më të brishta, më të pafuqishme, siç janë pleqtë, fëmijët e femrat, të cilat u përpoqën t’i çnderonin me synimin e fundmë poshtërimin e etnisë sonë … Urrejtja patologjike ndaj kombit shqiptar, e kultivuar që në djep, bëri që të vepronin jashtë çdo norme njerëzore.

Me gjithë ndjenjën internacionaliste dhe kozmopolite të poetit Bajraj, që kultivonte krahas ndjenjës së çiltër kombëtare shqiptare, para makabritetit të veprimeve të ulëta, poshtëruese e morbide të paramilitarëve e militarëve serbë mbi popullatën civile, nuk mundi të mbetej indiferent, ndaj nga thellësi shpirti nxori vargje që kumbojnë si një klithmë poetike. Një kozmopolit që besonte në liri e barazi nuk mundi e të mos e shpërfaqte tërë atë vrer, që i ishte mbledhur, nëpërmjet diskursit poetik, në formën e vargjeve me nota elegjiake, të cilat pasqyrojnë gjendjen e nderë shpirtërore të autorit, si refleksion i akteve çnjerëzore të armikut amoral e dehuman, i cili historikisht kurrë nuk ka bërë luftë kundër ushtrive, por gjithmonë vetëm masakra, dhunime e çnderime mbi popullatën civile, siç ka ndodhur, pas ushtrisë ruse, në pushtimin e Toplicës e sanxhakut të Nishit dhe, pas ushtrisë frënge, në pushtimin e Kosovës.

Tragjikja në dheun e tij kurrë nuk e la të qetë atë, as atëherë kur ai bënte një jetë poeti e ligjëruesi në dhe të huaj. Nëpërmjet vargjeve të fuqishme shfaqte elemente thadruese estetike, si për lexuesit hispanikë, ashtu edhe për lexuesit e dheut të tij. Humaniteti i tronditur, i mbrujtur në personalitetin e poetit Bajraj, që kontraston me luftën dhe me mizoritë e poshtërimet që bënë militarë e paramilitarë mbi popullatën duarthatë shqiptare në Kosovë, patjetër reflektoi me vargjet elegante, me tërë tragjiken përbrenda tyre, të autorit Bajraj. Aq bukur i pasqyroi poetikisht ato vorbulla të skëterrshme të mizorive të papara që ushtroheshin nga bisha të egërsuara, në pamje njerëzish e me aspak njerëzi brenda vetes.

Ai kontekst i jetës, në zgrip ekzistencial, poetin nuk e la të qetë as pas kalimit të atij ferri. Narrativi elegjiak dinamik i vargjeve të poetit Bajraj, lexuesin e fut në ato hone të skëterrshme nëpër të cilat kaluan personazhet e poezive të shumta të tij, disa nga të cilët mbetën në ato hone të figurshme ose u hodhën në hone të drejtpërdrejta, siç ishin bunarët.

Vargjet e poezive të tij janë një zë i amplifikuar poetik, pas leximit të të cilave as lexuesi më flegman nuk mund të mbetet indiferent. Ndonëse nuk manipuloi me fjalë të mëdha, shprehur figurshëm, vargjet e tij janë tejet të fuqishme, pothuajse përherë duke u përmbyllur me një masazh metaforik për çdo kohë e për çdo njeri. Edhe rrjedhën e rëndomtë të jetës ai diti ta ngrinte në art. Ndërkaq, krahas figurave të shumta stilistike, alegoria qe figurë e pashmangshme, që poeti Bajraj e përdori fuqishëm në vargjet e tij.

Fundja, librat, përgjithësisht, e ata letrarë, posaçërisht, veç të tjerash, mision jetik kanë ballafaqimin e lexuesit me realitetin jetësor, me problemet tona, madje dhe me veten tonë, e jo rrallë duke dhënë u përgjigje edhe pyetjeve të shumta që e preokupojnë njeriun.

Bodleri thotë: Gjithmonë ji poet, edhe në prozë. E, Xhevdeti qe poet jo vetëm në shkrime poetike, por edhe në biseda të rëndomta, të zakonshme, ngase fjala e tij, sikurse edhe vargu poetik, ndonëse e butë, e qetë, gjithmonë qe e fuqishme, domethënëse dhe me mesazh polisemik. Madje, shprehur figurshëm, edhe vetë Xhevdeti qe poezi.

Duke lexuar poezinë e poetit tonë me përmasa ndërkombëtare, Xhevdet Bajrajt, me syrin e mendjes shohim rrjedhën e së përditshmes sonë në dy kohë: në të tashmen dhe në të shkuarën. Mbase mund të shtrohet pyetja, ku mbeti e ardhmja? Kujtojmë që pikërisht këtu qëndron dhe fuqia e këtyre vargjeve: Të gjymtuar në të shkuarën, sikur në vazhdimësi duhet të merremi me shërimin e plagëve, pa pasur mundësi të jetojmë të tashmen si duhet dhe të projektojmë të ardhmen. Është kjo një poezi realiste, e cila sikur në një pëlhurë të një ekrani të madh, në të tashmen na paraqet skena të jetës sonë, pasojë e një të shkuare që kërkon mjekim të vazhdueshëm.

Pikërisht ajo e shkuar, me të cilën jemi të shtrënguar të merremi sot, po, pikërisht ajo, na e ka vrarë edhe të ardhmen, e cila tashmë është bërë aktualitet, e tashme pra. Në formën më të bukur të mundshme poetike, Xhevdet Bajraj na e bën të ditur që e shkuara nuk bën të harrohet, për të mos u përsëritur, siç na ka ndodhur përgjatë historisë.

Sipas përvojës sime, librat kanë fuqinë për të ndalur kohën, për ta kthyer në të shkuarën dhe për të fluturuar në të ardhmen, pohon gazetari dhe shkrimtari amerikan, Xhim Bishop. Pikërisht veprat e poetit Xhevdet Barjaj hyjnë në radhën e librave të tillë, duke qenë shenjë dalluese jo vetëm të një epoke, shprehur në mënyrën më të bukur të mundshme, nëpërmjet prizmit poetik.

***

MITI I KTHIMIT: P’EJ SH’PIE

Nga: Halil Matoshi

1. Prolog

Vjet në verë Xhevdet Bajraj ishte këtu, me ne e fliste për poezinë, për Mjeshtrit e magjisë hlyer (term i Ernest Koliqit) për realizimin magjik.

Sivjet na flasim për poezinë e tij e ajo flet për nji kthim legjendar – kthimin p’ej shpie, si në nji film pa zâ.

(Xhevdeti ka luejt dhe në film (Aro Tolbukhin: In the Mind of the Killer).

Dhe, asht kthy p’ej sh’pie, por na s’e pamë, s’e ndjemë, çka na bân me hlye se kthimi filozofikisht hly i pa mundun: Refugjati kurrë nuk kthehet në sh’pi!

Ai kurrë ma s’mundet me u kthy në kohën kur hly nisë për dikah: Njerëzit moçmohen, desin, lejnë tjerë … Ndrrojnë peizazhet, konstelacionet, qëllimet. Vetëm fjala poetike rikthehet e rikthehet.

Në fillim ishte fjala.

2.

Tue u nisë nga arketipi Homerik i Odiseut dhe kthimit në Itakë studjuesi Douglas Frame, e ndërlidhë hlyer me të menduemit, që në shqipen gege munet me u thânë tuebâmje!

Frame për argument kryesor të librit “Miti i kthimit në epikën e hershme greke”, e ka faktin se lidhja e sugjeruar nga Homeri midis “dredhave” dhe “bredhjeve” të Odiseut në fakt mbështetej në një traditë të mëparshme, domethënëse dhe të thellë. Origjina e kësaj tradite ka të bâj me etimologjinë e fjalës greke nóos, ‘mendje’, të cilën Frame propozon me e lidhë me foljen greke néomai, ‘kthehem në shtëpi’. Një përpjekje e tillë kërkon që nóos të rindërtohet si nos-os, një derivat nga hlye foljore nes- . Rândësia e këtij propozimi për traditën që qëndron në themel të Odisesë hly e qartë. Kjo nënkupton se lidhja që ende ndihet nga Homeri midis ‘ditunisë’ dhe ‘bredhjes’ së Odiseut shkon prapa në nji lidhje themelore midis ‘mendjes’ dhe ‘kthimit në sh’pi’ dhe se lidhja midis asaj që Odiseu ‘âsht’ dhe asaj që ai ‘bân’ ka nji bazë solide në historinë e gjuhës greke (nga Parathënia Botuar fillimisht në 1978 nga Yale University Press).

Bajraj e ridëshmon këtë pamundësi kthimi p’ej shpie tek poezia “Refugjatët”:

keni bartur numrat e telefonit të të vdekurve lumenj male kodra qiellin e atdheut
Dashuri
Dhe frikë në një qese plastike

Dhe ju arrini në një vend të ri për të jetuar të lirë Përgjithmonë
Brenda vajzës me syrin vrasës Që ju shikon në pamjen teleskopike

3.

Bajraj e kishte nji urgjencë që t’i kundërvihej me fjalën poetike mizorisë së botës. Por, ai i kushton nji vëmendje honorable sh’pisë, për të cilën, edhe kur nuk hly, duhet ta kemi nji koncept të qartë, si për gjuhën, si strehë e qenies (Heidegger);

Përmasat e dhimbjes së Xhevdet Bajrajt (5 Shkurt 2021, nga revista “Cardenal”) nga Mateo Mansilla-Moya, madhësia e dhimbjes ka madhësinë time thotë Bajraj dhe simas tina “madhësia e dhimbjes është përshtatur edhe me përmasat e lexuesve, si te poezia “Ajo shtëpi dikur dukej si në përrallë” (po aty. Fq.120).

(…)

Po
e tërë kjo është poezi i dashur lexues
për fat të keq
a të mirë
ti je pjesë e saj

4.

Në kujtimet e poetit janë të pranishme edhe ëndrrat që “shumë kohë më parë i ka ngrënë krimbi” dhe janë në të njëjtin territor me lirinë:

Ata erdhën në ëndrrën time
pa paralajmërim
Më kanë thyer dyert e shtëpisë Ata donin të kapnin fëmijët, dashuri
Të donin … Nuk guxoj të mendoj për këtë, Zot
Bëra sikur ia mora armën babit Më kujtova se shumë kohë më parë kishim mbetur pa të!

Dhe, përkundër faktit se vdekja dhe pafuqia janë gjithmonë të pranishme si tek poezia “Dëshirova të … “: /Ngrihu t’i thyej me grushte / Por nuk lëviza dot nga shtrati / Flutura e vdekjes më puthi në ballë / Pastaj bërtita me gjithë tmerri i botës / Kërkova të vras morrat e njerëzimit me rënkimet e mia – këndon Bajraj, nga ndjeshmëria që përshkon fjalët e mundimit, aureolët e shpresës që nuk humben kurrë, edhe pse njerëzimi po vritet.

5.

Marcelline Block në ekspozitën “Ku do të migrojmë?”, gjurmon potencialin estetik të gjendjes nomade bashkëkohore, të përfaqësueme në çastin e amshimit që në themelet e saj, në letërsi, filozofi dhe kinema.

Shfaqja thekson përvojat e emigrantëve duke shtyrë kufijtë e gjuhës dhe zhanrit në mënyrë që të miratojë idenë se arti pamor (por jo poezia) mund të “ndërmjetësojë përtej kufijve dhe të flasë në gjuhët e emigrantëve me thekse të shumta”.

Nëpërmjet qasjeve të tyne të ndryshme dhe hlyer të ndryshëm – tue përfshipyetjen e konceptit të shumëanshëm të “sh’pisë” – ky grup ndërkombëtar prej nëntëmbëdhjetë artistësh në plan të parë spikat problematikat e e kalueshmërisë së globalizuar të shekullit XX dhe XXI.

Në “Ku do të migrojmë?”, imigrimi dhe e huaja rikonfigurohen si aspekte universale të gjendjes njerëzore, duke ftue artistët dhe shikuesit të njohin njâni-tjetrin në figurën e emigrantit.

Në “Ku do të migrojmë?”, pamundësia e sh’pisë (ajo sh’pi që nuk ekziston e Bajrajt) siç hetohet nga videoja e Fernandes dhe eseja e Schusterit, nënvizon paqëndrueshmëninë komplekse të sh’pisê si koncept, simbol dhe realitet. Sh’pia mund të jetë, si në formulimin e Rousseausë për gjendjen e natyrës, “nji shtet që nuk ekziston ma, i cili ndoshta nuk kishte ekzistue kurrë, i cili ndoshta nuk ka me ekzistu kurrë dhe për të cilin hly gjithsesi e nevojshme me pasë konceptin e duhun.”

Megjithatë, dëshira dhe kërkimi për sh’pinë nuk hly vetëm një impuls primordial, por hly gjithashtu nji koncept/shqetësim (post)modern: ndërkohë që ‘përvoja e modernitetit hly krahasue shpesh me të pastrehët. Georg Lukács, tek Novalis jep atë koncept për sh’pinë si banim në gjuhë. “Filozofia hly me të vërtetë malli, dëshira për me qenë në sh’pi, kudo”.

Bajraj e ka sh’pinë e nji të pastrehe, e cila nuk ekziston (poezia me të hlyer titull, po aty. Fq.234)

Si ky njeri i shtrirë në rrugë
Nuk ka ku t’i varë kujtimet
Nëse i vdes ndonjë mik

Sh’pi e poetit që nuk ekziston i ka lulet e padokshme dhe dritaret që kur i hap mundesh me ra e mos me u que mâ, sepse sh’pia hly veç koncept poetik dhe gravitacion mental.

6.

“Shtëpitë e braktisura” (nga vëllimi “Kafe me nënën”, Armagedoni 2020, faq. 94) hly nji poezi tjetër që hedh dritë dhe ajër mbi fytyra e të dashtunvet, që kanë mvetë varun në mure, kur ikë të gjallët, për të mos u kthye kurrë:… dyert i kishin lënë të hapura/çelësat ishin në duer/dritaret ishin të hapura/që njerëzit nëpër fotografitë e varura në mure/të merrnin -frymë.

E njâjta pamje hlyerë shfaqet tek poezia “Brenda shtëpisë së braktisur” që është një poezi e ndieme, e dalë nga brendësia e shpirtit të poetit, i cili flet me mallëngjim dhe nostalgji prej të mërguari për vendlindjen larg së cilës jeton tash sa vjet e mâ përafërt për nânën në nji fotografi të mbetun, nga e cila ajo i buzëqesh të birit, diku në botë:

… dhe nji çiri I dikur
është ajo duke vallëzuar në nji restorant
e buzëqeshur

Kjo poezi është në linjë ideore dhe tematike me poezinë Shtëpitë e braktisura, e realizueme me emocion dhe mjeshtri. Në rrafshin e hlyer dhe t’mënduemit, subjekti lirik (Odiseu modern, i plakun) e dëgjon të hlyer kângë që i mbetët të degdisunit, atë të gjumit të hlyer:

… që e këndojnë
gjithandej nëpër botë
njerëzit
të cilëve ua kanë hlyer rrugën
e kthimit në atdhe … (
“Një copë e Atdheut”, po aty. Fq.122)

Ose, poezia “Sa herë e kujtoj Atdheun” që vjen si ulërimë dhe ndjell zi e vdekje (fq. 142)

… e ndiej mëngën e majtë të vdekjes
duke ma fshirë gjakun nga hunda.

7. Epilog

Në fund, nga fillimi, Bajraj kurrë nuk erdhi si në poezinë “Rruga që kurrë nuk humbet” (Nga vëllimi “Me zemër në qese najloni”) – që kur nisi udhëtimin e tij, kështu që kurrë nuk humbë udhën – sepse gjithmonë e gjen varrim e tij. Odisea u kthy porse nuk gjeti Itakën e tij. Gjeti nji Itakë të tjetërkujt.

Nji Penelopë të tjetërkujt.

Prandej, poeti e shtron dilemën e tij etike të cilën e shtrinë deri në harresë, në nji varr pa nji trup apo Atdhe pa emër sepse në gojën e heshtur rritet bari – si tek poezia “Zgjohu”.

Bajraj e humbi për së gjalli Itakën e tij. Por, ai qartësisht e ka konceptu sh’pinë.

Sepse në konceptin heideggerian, poetikisht banon njeriu.

***

“GJELLA SHQIPTARE” E POETIT XHEVDET BAJRAJ

Nga: Arsim Hamiti

Poezia “Gjellë Shqiptare,” përndryshe një nga poezitë më të bukura të shkruara deri më tani, me tematikë nga lufta e fundit në Kosovë, është në të vërtetë një paradigmë e dhimbjes së madhe dhe vuajtjeve të popullit shqiptar, si dhe mizorive dhe krimeve serbe në Kosovë. Autori Xhevdet Bajraj ia arrin që nëpërmjet vargjeve të pashembullta në letërsinë tonë, të na përshkruajë neve dhe gjithë botës, atë monstruozitetin dhe tmerrin që ushtron armiku ndaj një populli të tërë. Dhe, në poezinë e Bajrës, tmerri është vetë gjella me të cilën armiku ushqen urrejtjen e tij. Po, tmerri dhe lemeria janë ushqyesit e krimit, ndërsa krimi nuk ka arsye, ashtu siç aktet makabër, që përshkruhen në poezi, duken të pa arsyeshme dhe të pa kapshme për mendjen e shëndoshë. Të pa imagjinueshme edhe për vetë rrethanat e luftës. Një luftë, plotësisht e pa barabartë, ku njëra palë ushqehet me dhembjen e tjetrit.

Poezia edhe fillon me dhembjen. Ne qysh në fillim nuk shohim tjetër veç vasha dhe nëna të dhunuara, aso syzeza, sy kaltërta e sy gështenjë. Dhuna, natyrisht se është ushqimi i mëngjesit që duket si aperitiv i kriminelëve, të cilën ata e përcjellin me nga një gotë lot valë. Më pas vjen ushqimi kryesor, dreka. Masakra të pa para ndonjëherë ndaj fëmijëve, plakave dhe pleqve të pa mbrojtur. Klithma, tmerr e gjak vashash të reja. Ndërsa për darkë, çfarë do që mund të vrasësh quhet ushqim. Mjafton të jetë e ngjyer në kripën e nxjerrë nga lotët e viktimave. Vrasja ka kuptim për armikun vetëm kur bëhet sa më mizore, mundësisht mos të duket e rëndomtë si në vargun refren “dikush kënaqet edhe sall me një kokë të pjekur” që kumbon fuqishëm në ndërgjegjen e lexuesit. Çfarë figure e absurdit! Në këtë gosti hienash ky edhe mund të mos quhet tamam krim. Dhe krimi nuk ngopet. Ai vetëm rritet e rritet dhe kërkon akoma gjak, vuajtje e dhembje të pafund. Gostisë së kriminelëve nuk i shihet fundi. Ajo nuk përfundon me dhunën, vrasjen e masakrimin e fëmijëve, grave e pleqve të pafajshëm. Në meskohë, mes vaktesh mizore, në mullirin e krimit, bluhet çdo ndjenjë humane, ndërsa ëndrrat e thara të njerëzve të viktimizuar dalin para murit të pushkatimit.

Në këtë poezi, poeti na shpërfaqë në një mënyrë të mrekullueshme nëpërmjet figuracionit dhe gjuhës së pasur poetike, atë anatominë e vërtetë të dhembjes shqiptare, atë fytyrën e vërtetë të luftës, ku njerëzit vrasin sikur mos të ishin njerëz, ku njerëzit vriten sikur mos të ishin njerëz, ku krimi është mënyrë e jetës që jetohet mbi shpirtin e përvuajtur të një populli të tërë, i cili masakrohet pak e nga pak. Dhe viktimat e këtyre masakrave nuk flasin dot. Ata në heshtje vetëm i nënshtrohen fatit të tyre tragjik, për të ngopur epshet e pangopura të një armiku mizor. Në vend të tyre flet vetë poeti Xhevdet Bajraj, i cili me anë të këtyre vargjeve antologjike, shndërrohet në klithmën plot dhembje, lot e vuajtje të popullit dhe atdheut të tij.

***

DISKURSI SIMBOLIK NË TRAJTA REALE DHE SUREALE

– Xh. Bajraj “Copa ime e Qiellit”, poezi botoi “Koha”, Prishtinë, 2015 –

Nga: Kemajl Aliu

Studiues letërsie me bursën e Parlamentit Ndërkombëtar të Shkrimtarëve si dhe i depërtuar nën tytat automatikut me dhunë nga atdheu të cilin e deshi aq shumë, në një situatë lirie, do të provojë rikthimin në Kosovë me qëllim të të jetuarit, por fati i emigrantit, si një mallkim shekujsh, do të mbetet i pashmangshëm për te deri në frymën e mbramë të tij.

Midis mërgimit në Meksiko-Siti si fat i pashmangshëm i të jetuarit latent si dhe krijimit poetik si dashuri permanente, sado që në shikim të parë edhe pse duket se ka një koegzistencë nocionesh, konceptualisht të dyja këto konvertohen në njësi divergjente; Vendimi i të frymuarit në Meksiko-Siti, për poetin do të ketë qenë i përmasave dramatike. Fatit të shurdhër poeti, në pamundësi tjetër, do tia nënshtroj jetën e tij fizike, ndërsa vetëm nëpërmjet flatrave të poezisë së tij do të arrij, të krijoj një azil tjetër, atë të poezisë, i cili qëndron përtej çdo gjeografie tokësore të rrokshme. Azili poetik qëndron më lart se çdo lloj azili tjetër i dytë, mbase poeti atë e ka pushtuar vetëm përmes shtigjeve të shpirtit të tij. Prandaj, adresa e të jetuarit të tij, falë kësaj poezie, është lehtë e identifikueshme dhe plotësisht e besueshme, është copa e qiellit, ku poeti jeton … e që në fakt është, Kosova, Rahoveci, ku ai do të endet nëpër Stinën e Luleve të vdekura, Hapësirës së Parajsës së Humbur, duke e kërkuar Njeriun e lirë pas të cilit është dhënë me tërë qenien e tij, prandaj: Nëse lumenjt rrjedhin pa emra njerëzish / i lini të qetë/ harresa ka arsyen e vet … Gjegjësisht: Nëse në këngën time/ hasni një njeri /… / në ditë me diell / e lini të qetë/ ai u lind i lirë (shih për këtë “Në këngën time”, fq. 9).

Kjo poezi do të mund të merret si prolog i tërë këtij vëllimi poetik, është si një testament poetik, që shpërfaqë gjithë besimin deri në përmasat hyjnore, në kërkimin, apo krijimin e “Njeriut të lire”, i cili mbase mund të shfaqet vetëm në kozmosin e poezisë.

Libri poetik, “Copa ime e Qiellit” ka gjithsej 200 faqe, është i shkruar në gjuhën shqipe dhe Spanjisht, dhe është i përmbledhur në pesë cikle: 1.”E bukur dhe e marrë”, 2. “Mollë e bardhë”, 3. “Në vitrinën e mortit” , 4. “Sheshi i lirisë”, dhe 5. “(The) Rock and Roll Waltz.

Poeti Xh. Bajraj, i cili përherë të parë në letrat shqipe u paraqit me përmbledhjen poetike “Nënë prej Guri” (Botim i “Rilindjes 1988) , për 30 vite rresht në të vërtetë arriti të krijoj suksesshëm poezinë e tij e cila shquhet për nga guximi krijues, vargu i lirë, deklitishizmi, figuracioni i dendur, simbolizmi i theksuar perceptimi i ri, shumësia tematike, çka e tërë kjo ka rezultuar me kultivimin e mjeteve të reja shprehëse gjuhësore e stilistike, që e bëjnë poetin individualitet të veçantë krijues në poezinë shqipe.

Ajo çka vlen të theksohet është se poezia e tij, shquhet edhe për tematikën mjaft aktuale të cilën e dominojnë motivet e vetmisë, pëshpërimat e trishta të natës, qetësia e viseve të vetmuara, dimri që përshkohet nga një pikëllim i pashpjegueshëm, ku “Era e zezë i ndjekë yjet” (shih për këtë poezinë “Pasdite e shëmtuar”, fq. 26). Është në natyrën e saj që lirika e simbolizmit të ketë për trajtim njeriun e pazakonshëm dhe të veçuar i cili në botën e sendeve dhe hapësirën e dhënë lëvizë kryesisht vetë duke dialoguar mbase me të vetmen mikeshë të vetmisë njerëzore – poezinë.

Zhgënjimi i poetit me njeriun është i thellë tmerrësisht, prandaj nga kjo përmbytje zhytëse ai sikur mundohet të dal mbi sipërfaqe. Të dal mbi sipërfaqe me çka tjetër përveç se me vargun e tij të rebeluar, sarkastik dhe plot dramacitet. Kanë ndodhur gjëra vërtetë tragjike: … kur erdhi herën e dytë /…/ njerëzit ia prenë krahët / që atëherë engjulli s’guxon të flejë / ka frikë mos e endërron njeriun (shih për këtë, “Ëndrrat e engjëllit” fq. 34).

Me këtë raport perceptues artistik poeti arrin në përmasat e një meditimi abstrakt i cili reflektohet i konkretizuar krahasimisht midis dy subjekteve; engjullit dhe njeriut. Për dallim nga engjëlli i cili ngelë përgjithnjë i pagjumë, njeriu vazhdon të ëndërrojë… por kjo nuk do ta lumturojë aspak atë sepse pikërisht ndoshta dashuria për njeriun e lirë, e bënë që ai ëndrrën ta përjetoj si zhgjëndërr, me një fjalë realitetit të dhimbjes ai nuk mund t’i shmanget për asnjë çast sepse në zanafillën e tij të dashurisë e ka dhimbjen për tjetrin … për njeriun që e ëndërron … për njeriun e lirë: … mbrëmë kur hijet ktheheshin në shtëpitë e tyre / …/ flutura e vdekjes më puthi në ballë /…/ti u zgjove më ngrohe me trup më puthe / …/ ëndrra ime zhgjëndërr e kujt ishte (shih për këtë “Ëndërr zhgjëndërr” fq. 39).

Është krejt e dukshme, se poeti me një mjeshtëri të rrallë ka arritur ta transmetoj lëvizjen e subjektit nëpër situata pasigurie, ankthi dhe lemerie të cilën gjendje e unifikon në ligjërimin e trajtës së dramaticitetit, gjendje kjo ku edhe pse dyzohen të kundërtat; ëndrra dhe zhgjëndrra, dashuria dhe dhimbja, si dhe vetvetja dhe tjetri, në fund patjetër do të ndodhë kulmi i dramës: ëndrra dhe zhgjëndrra, edhe njëra edhe tjetra, janë plotësisht reale. Janë realitet nga i cili buron vetëm Dhimbja. Është kjo mjeshtri e rrallë e kombinimit të reales dhe surreales, që dëshmon fuqishëm origjinalitetin krijues dhe të rrallë artistik të poetit Xh. Bajra.

Ai gjithashtu, ka arritur suksesshëm që me motivimin tematik të mallit të bëjë strukturim të fuqishëm kuptimor i cili me trajtësimin e tij në simbol, arrin përmasa të gjëra kuptimore edhe pse me një gjuhë shprehëse emocionale krejt të natyrshme, për të mos thënë fare të ftohtë. Madje ajo çka duhet të theksohet, është se në këtë situatë artistike poeti ka arritur të racionalizojë bindshëm përparësinë e poezisë simbolike, karshi asaj tradicionale, sepse në një motiv aq konkret dhe të trajtuar aq gjatë, vërtetë shprehja artistike arrin të bëhet kulmore, falë kryesisht natyrës simbolike të poezisë: … Diku në dhe të huaj / fusha e kujtimeve çel lule me fytyra njerëzish (shih për këtë, “Maja e vetmisë”, fq. 46).

Me këtë rast mund të konstatojmë pa hezitim se poeti ka arritur të transmetoj bindshëm faktin, se poezia e tij si poezi simbolike në radhë të parë karakterizohet me fuqizimin e poeticitetit të brendshëm duke sakrifikuar, gjegjësisht aneksuar poeticitetin formal në masë evidente, sepse esencialisht dhe kuptimisht do ta varfëronte dukshëm poezinë e tij, në raporte ndërrvepruese të konsistencës formale karshi asaj përmbajtjesore.

Prandaj, kujtoj, se pikërisht natyrës krijuese të këtyre vargjeve iu shkon bindshëm parafrazimi i V. Hygoit, i cili për poezinë simbolike në një rast shkruante se, është “Ligjërata në ligjëratë”.

Të natyrës së ngjashme gjithashtu vazhdojnë të jenë më tej, poezitë “Grim i vdekjes” (fq, 48) apo “Kohë e ndalur” (fq. 49) etj.

Ndërkaq, cikli poezive “Në Vitrinë morti” i dedikohet tmerrit të luftës së fundit, tragjedisë sonë, ku poezitë shquhen për nga mëvetësia motivore, të cilat edhe pse të ndërlidhura aq natyrshëm mes vete, secila ka në vete dramaticitetin e saj, por që mendoj se unifikmi i tyre, si një model në tërësinë e njësive është rezultat i spontanitetit ligjërimor poetik të poetit Xh. Bajra, që është karakteristikë esenciale e gjuhës së tij krijuese.

Konsideroj se edhe pse pretendimi i poetit ka qenë kryesisht të poetizoj brenda strukturës së poezisë, ky cikël për nga tërësia rrokë përmasat e dramës si gjini letrare, çka e bënë edhe më të veçantë poezinë e tij, duke e shquar edhe më, individualitetin e tij origjinal artistik: … kjo poezi s’është e imja/ këto vargje i kanë shkruar ushtarët e armikut / e imja është veç dhimbja (shih për këtë “Odë ushtarëve të armikut” fq.65). Apo, poezia “Ftohtë” (fq. 83), ku poeti thotë: … bën kaq ftohtë / brenda zemrës së njeriut.

Ndërsa, në poezinë “Dikur dhe tani” (fq. 171), kuptojmë se gjithë jeta e poetit Xh. Bajraj, qe vetëm një bredhje, Kosovë, mërgim, prapë kthim në Kosovë dhe përsëri, mërgimi në Meksiko-Siti, që dëshmojnë se lumturia për te ndoshta ishte vetëm ai kërkimi i njeriut të tij të ëndërruar, që në fakt unë nuk arrita ta gjej dot, as në leximin këmbëngulës që i bëra librit të tij: … Derisa shkruaja poezi për ditët që kurrë nuk erdhën. Apo, më tej ku thotë: … në një gjuhë tjetër shkruaj vargje për ditët që kurrë nuk do të kthehen / në një gjuhë tjetër e kërkoj bukën në shitore /…/ tani/ dhemb jeta (shih për këtë, po aty, fq. 171).

Marrë në përgjithësi mund të thuhet lirisht se poezia e poetit Xh.Bajraj, në tërësinë e saj shpërfaqet si poezi e sensiblitetit specifik, e cila brenda për brenda me variatetet e saj arrin të funksionojë në një harmoni të natyralizuar simbolike dhe gjuhësore ku realja dhe surrealja marrin trajta të veçanta kuptimore estetike

Siç e filluam këtë shkrim, me poezinë për kërkimin e njeriut të lirë, duke bredhur librit “Copa ime e qiellit”, mund të përfundojmë se poeti kurrë nuk e përjetoi lirinë, në kuptimin e lirisë së ëndërruar dhe të kërkuar. U dha me tërë qenien pas saj, brodhi shumë në kërkimin e saj, sikur pas ndonjë “Utopie”. Ishte dhe mbeti poet i Parajsës së Humbur, të cilën nuk arriti ta gjejë kurrë, mbase Trëndafili gjithmonë do të ngelë me gjemba dhe njeriu nuk do të gëzohet dot. Çastet e tmerrit nuk ndodhin vetëm në ëndërr … Pasi që në fakt ajo është zhgjëndërr…

Nisur nga ky perifrazim i poetit, ndoshta njeriu i këngës së tij, nuk ishte ëndërr … nuk ishte as personifikim … por ishte vet ai … që as ai e as ne nuk arritëm ta shihnim të lirë … kushedi … apo një pretendim tjetër me synim për të qenë më i saktë. Liria, ëndrra për Lirinë, njeriu që do të Lindet i Lirë, është dhe mbetet një kërkim për racën e poetëve në vazhdimësi …

Përndryshe ky shkrim do të mund të përmbyllej fare natyrshëm me poezinë “Kati i shtatë” të librit poetik “Copa ime e qiellit” si një lloj epilogu, për njeriun e këngës, apo për vet fatin e poetit, ku ai thotë: … Në katin e gjashtë shoh /një zog brenda kafazit/ që kishte vdekur buzë këngës së vet.

***

3. POEZI PËR XHEVDET BAJRAJN

***

SA HERË T’NA MERR MALLI PËR TY

Nga: Sabit Rrustemi

Paske ndërruar vend, o Plis i madh i Poezisë
e s’di ku të gjej më
ku të kërkoj
a të pres
…. pos brenda Vargut Tënd të pashtershëm

E xhelozoj atë Dhe që do ta prekë para meje Trupin Tënd
e nuk e fali për të gjallë
po nuk ta ktheu atë Paqe të Vjedhur
( a pogaçe të djegur )
diku para Atit e Krishtit e të Birit
plasave të thella të Truallit Dardan

Kjo natë
e ky lajm i trishtë
mes qiellit e tokës diku
varur nëpër valë ere
mbet
… jetime e pangushëlluar
si ne
duke larë mëkate

Sa herë t’na merr malli për Ty
s’do t’na ngushëllojë
jo
ajo raki rrushi e Rahovecit
… pos Ai Shpirt i Gjallë dhe i pafundosur Poezie
që kurrë nuk vdes

***

UDHA E PËRPJETSHME
(ose kuajt e Xh. Bajrës)

Nga: Ahmet Selmani

Maestro,
seç u shkëpute këndejza
dhe more udhën e përpjetshme
si zog i bardhë
me butësi engjëlli
e me buzëqeshje dielli
ah maestro,
ti nuk më ke braktisur
si njerëzit me sëmundje të harresës
ti prapë po zbret poshtë
bie si shi kujtimesh
mbi dhembjen time
duke më krijuar një lumë
për të notuar si peshk i përmalluar
e për të dalë në brigje
ku më presin vargjet e tua
si kuaj të bukur
ah maestro,
tani më ke bërë
ta dua më shumë qiellin
se tokën.

***

KUJDES

Nga: Gazmend Bytyçi

Kur të lexosh poezinë e Xhevdet Bajrajt
Kujdes
të mos shkelësh në copëza të fëmijërisë së tij
Ndoshta s’ka problem
këtë e përballon ai
Se shpirtin ka hedhur në çdo varg
Por kujdes në strofa
Me zemra të ngjyrosura si rrushi i kuq

Aty sheh edhe shokë të tij që mbetën të rinj
Ushtari armik vendosi për ta
Gjithmonë të mbeten fëmijë
Deri në përjetësi

Nëse bash ke vendosur Xhevdetin ta lexosh
Imagjino zotat e poezisë
duke krijuar
çdo ditë nga një botë
e nga një duke shuar
Bëhu gati të shkelësh në çdo cep
Historie të atdheut
Në çdo qoshe njerëzimi
në çdo pllakë heronjsh
në çdo dashuri rinie
E hyjnie

Nëse ende s’ke frikë
Ha një kokërr rrush Rahoveci
përtype krejt ngadalë
derisa nuk dihet
nëse ke kafshuar gjuhën
Apo është bërë verë gjaku
në damarë duke të rrjedhë
Edhe nëse ke shok nga istikamet
e jetës
Seriozisht kujdes
nga mrekullia e vargjeve të tij

***

RRUGA E JONË

Nga: Zymer H. Haliti

Nëpër ecjen plot me sfida
erërat pluhurin ngrenë në rrugë
jeta ikte nëpër prita
nëpër stinën përplot mugë.

Dita vinte nëpër vapë
pema hijen e kish rrudhë
nata ikën si me vrap
shtërgu jugut merrte udhë.

Zemra tundet nga stuhitë
tek ëndërrojmë rrugën e vjetër
retë mbuluan kaltërsitë
sikur erdhi stina tjetër …

Buzë detit vala me shkumë
derdhet lehtas pa rënkim
fati im si zog fatlum
mbërthen ëmbël shpirtin tim.

/Telegrafi/