LAJMI I FUNDIT:

Heroi i fjalës së lirë

Heroi i fjalës së lirë

I.

Profesioni i gazetarisë, është një profesion interesant dhe mjaft tërheqës. Është thënë nga plotë hulumtues dhe studiues se nga ky profesion secili që hynë, është mirë të tërhiqet me kohë! Ka ndodhur për secilin pothuajse e kundërta! Janë të rrallë ata që kanë mundur t’ia kthejnë shpinën këtij profesioni. Paralelisht me të qënurit tërheqës, profesioni i gazetarit është jashtëzakonisht i vështirë, delikat dhe me dimensione të rrezikshme veprimi e përjetimi!


Jeta e gazetarëve është më e shkurtra prej të gjithëve…! Është më e shkrutra sepse gazetaria imponon përkushtim të thellë, shumë dije dhe energji, por edhe shumë prova të vështira profesionit dhe të cilat, u kushtojnë gazetarëve me jetën e tyre. Në anën tjetër, duke qenë një profesion i dashur dhe tërheqës, shumë njerëz kanë të dëshirë që ta provojnë gazetarinë. Megjithatë, jo secili që dëshiron, mund të bëhet gazetar. Prandaj, të qënurit gazetar me integritet, do të thotë që t’i takosh “Pushtetit të Katërt”!

Pse mendoj që gazetari është një person me integritet, është një figurë që zgjohet pothuajse me ne në mëngjes, dhe që bie i fundit në gjumë? Pse mendoj që gazetari është heroi i përditshmërisë së shoqërisë dhe shtetit?

Në një institucion medial, qoftë gazetë ditore, radio, televizion, pasqyrohet përditë kujtesa dhe përditshmëria jonë. Pasqyrohet me përkushtim! Në media përfshihen segmente të shumta dhe lëmi të ndryshme edukative, arsimore, politike, ekonomike, artistike, historike etj. Nuk ka hapësirë më gjithëpërfshirëse se hapësira mediale. Secili individ, secila moshë, secila kategori shoqërore, e gjen diku vetën tek faqet e shtypit të shkruar, tek valët dhe ekranet e mjeteve radiovizuele!

II.

S’ka dyshim: gazetari është heroi ynë i përditshmërisë sonë. Në kontekst të kësaj teme dhe lidhur me ditën e 3 majit, dita e lirisë së shtypit në botë, profesioni i gazetarit është delikat në dy aspekte: në atë që ai bartë apo e paraqet në publik punën e tij, dhe në mënyrën se si “e bartë, apo se si e paraqet atë publik”! Gazetari ballafaqohet jashtëzakonisht shumë me përditshmërinë e tij. Ai nuk e ka aspak të lehtë që ta arrijë, ta grumbullojë dhe përgatis e ta plasojë në opinion, për shembull një lajm apo një informacion, një raport, një hulumtim, një intervistë etj. Sfidat e tij janë të gjitha ngapak: që prej ambientit në të cilin ai punon, e deri te kushtet teknike, ato materiale etj.

Në diktatur, gazetari është i privuar nga e drejta e mendimit dhe shprehjes së lirë. Por, edhe në shoqëritë tranzitore, në shoqëritë jo stabile ku dominon varfëria, pushteti arrogant, gjysmëdemokracia etj., gazetari ndihet përditë edhe i privuar për të qenë i sigurt në kryerjen e lirë të detyrës së tij, por edhe i privuar nga rreziku pskik dhe fizik. Gazetarëve, individë dhe grupe të ndryshme të interesit, organizata mafioze, klane parapolitike u bëjnë presione të ndryshme, shantazhe të ndryshme. Gazetarët, shpesh marrin mesazhe kërcënuese, rrahen tinëzisht, kidnapohen e madje, edhe burgosen e likuidohen.

Gazetarja ruse, Ana Politkovskaja, u vra më 7 tetor 2006, në banesën e saj në Moskë, për shkak të publikimit të disa shkrimeve kritike kundër veprimeve të ushtrisë ruse në Çeçeni. Kurrë deri më sot nuk janë zbardhur rrethanat se si është likuiduar ajo dhe nga kush?! Plotë shoqëri dhe shtete, anekënd botës, janë të mbytura nga klanet politike dhe pushtetmbajtëse, nga strukturat korruptive, nga krimi i organizuar etj. Prandaj, si ta kryejnë detyrën e tyre profesionale me përkushtim, me liri të duhur, me besueshmëri…?

III.

E veçanta e kësaj detyre është ajo se ku paraqiten rreziqet natyrore dhe njerëzore, gazetari është ose përpara në vendin e ngjarjes, ose këmbë e krye në vorbullën e rrezikut! Shumë gazetarë gjatë kryerjes së detyrës së tyre pësojnë në forma të ndryshme. Pavarësisht shekullit modern në të cilin jemi dhe teknologjisë së përparuar, gazetarët vazhdojnë të lëndohen e të vriten në vatrat me kriza politike, në vatra me konflikte e luftëra. Sipas një raporti të UNESCO-s të bërë publik më 25 mars 2014, në periudhën 2007-13, në krye të detyrës u vranë 430 gazetarë dhe fotoreporterë. Në kontekst të kujtimit të tyre, gjatë vitit 2008 u vranë 41 gazetarë. Nga janari e deri më 3 maj 2009, që do të thotë brenda vetëm pesë muajve të këtij viti, u vranë 11 gazetarë. Statistikat janë edhe më të tmerrshme: gjatë vitit 2012, u vranë 121 gazetarë e fotoreporterë.

Megjithatë, përkundër të gjithave, gazetari vazhdon të mbetet figura emblematike e përditshmërisë njerëzore, prototipi më real i personazhit heroik! Rasti i gazetares gjermane Anja Niedringhaus, fotoreportere e Ascociated Pressit, e tregon këtë më së miri: Si e tregon…?

Anja ishte fituese e çmimit Pulitzer për mbulimin e luftës në Irak. Kjo gazetare, u vra më 04 prill 2014 nga një policë afgan deri sa ishte duke i mbuluar zgjedhjet presidenciale në këtë vend. Në të njëjtin sulm mbeti i plagosur edhe një reporter kanadez.

Në profesionin e saj, Anja ishte një heroinë e gjallë! Ajo i kishte përcjellë luftërat në ish Jugosllavi në vitet e ‘90-ta të shekullit të kaluar, në cilësinë e shefes së fotoreporterëve të Agjencisë Evropiane të Fotoreporterëve. Ditën e parë të punës në Bosnje dhe Hercegovinë, ishte plagosur nga një plumb snajperi.

Në Beograd, gjatë demonstratave opozitare të vitit 1997, Anja ishte shkelur nga një makinë policie dhe i ishte thyer këmba në tre vende. Makina me të cilën udhëtonte ajo, u hodh në erë nga një granatë në Kosovë, po gjatë vitit 1997. Ndërsa, në vitin 1999, Anja ishte pjesë e grupit të gazetarëve që u bombardua gabimisht nga aeroplanët e forcave të NATO-s, në Shqipëri, në vitin 1999.

IV.

Satisfaksioni kryesor për gazetarin, është misioni i tij: shprehja e mendimit dhe e lirisë së fjalës pa ndonjë pengesë eventuale, që domethënë plasimi i lirë i fakitit, i transparencës, i së vërtetës.

Gazetari, jeton me këto paradigma të profesionit të tij. Pa këto, gazetari është vetëm një hije në shkretëtirë! Gazetari, pothuajse nuk ka orar të punës! Gazetari, kur të gjithë pushojnë, atij i duhet ta gjurmojë lajmin, ose ta ndjek ngjarjen! Kur të gjithë duhet të flasin, gazetarit i duhet të heshtë dhe kur të gjithë heshtin, gazetarit i duhet të flasë! Gazetari, me punën e tij dhe me misionin e tij, është ndërgjegjja dhe e vërteta e shoqërisë dhe, e shtetit.

Për këto dhe për shumë arsyeje të tjera të cilat, natyrisht që s’mund të thuhen në një shkrim si ky të gjitha, unë mendoj që gazetari është heroi ynë i kudoshëm…!