LAJMI I FUNDIT:

Fondi (jo) emergjent i Qeverisë

Fondi (jo) emergjent i Qeverisë

Fondi prej 200 milionë eurosh i tërhequr si dividentë në vitet e kaluara nga Postë-Telekomi dhe i konsideruar si fond rezervë për rrezikshmëri, është fshirë në tërësi nga tabelat financiare të vitit 2011 të përgatitura nga kabineti i Qeverisë Thaçi. Mjetet e këtij fondi pritet të shfrytëzohen nga ekzekutivi si bilanc bankar në fundvit në buxhetin vjetor. Ky fond është bartur nëpërmjet të buxheteve për vite me radhë që nga krijimi i tij, dhe tash është hera e parë që Ministria e Financave ia ka ndërruar destinimin. Tashmë këto mjete Qeveria mund t’i përdorë edhe në raste joemergjente.

Në buxhetin e vitit 2010 ishte parallogaritur që për vitin 2011 fondi i rrezikshmërisë të ngrihej në 350 milionë euro. Përkundër parashikimeve, mjetet e konsideruara si të rrezikshmërisë kanë mbetur në nivel të njëjtë. Ndërkohë, bilanci bankar i Qeverisë i ruajtur në Bankën Qendrore në fillimin e muajit qershor, sipas deklarimeve të ministrit të Financave, Bedri Hamza, ka kaluar vlerën prej 342 milionë eurosh, nga 244 milionë sa ishte në fund të dhjetorit 2010, shkruan Koha Ditore.

Me fondin rezervë, i cili është i dizajnuar për të mbuluar shpenzimet gjatë ndonjë katastrofe natyrore apo gjendjeje të jashtëzakonshme, Qeveria synon të mbulojë deficitin të cilin e krijoi vetë në vlerë prej 226 milionë eurosh.

Në Ministrinë e Financave thonë se nuk ka nevojë që Qeveria të japë sqarime se përse e përdor fondin e rezervës dhe se kur duhet ta përdorë atë. Përfaqësuesit për media të kësaj ministrie thonë se të gjitha mjetet e Qeverisë që ruhen në BQK, përfshirë edhe fondin e rezervës, mund të shfrytëzohen si pjesë unike e buxhetit vjetor.


“Gjatë hartimit të buxhetit për vitin 2011, këto mjete janë marrë në konsideratë dhe si të tilla me versionin final të buxhetit 2011 kjo rezervë është vlerësuar të ngrihet në nivelin prej 476 milionë eurove në fund të vitit 2011. Kjo nënkupton se këto mjete nuk mbahen në kurrfarë llogarie sekrete, por ato mbahen në një llogari të vetme të Qeverisë në Bankën Qendrore të Kosovës”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini.

Dividenta prej 200 milionë eurosh e Korporatës së Postë-Telekomit është cilësuar si e paprekshme në mandatet e kaluara të Qeverisë. “Qeveria e Kosovës këto mjete do t’i lërë në rezerva shtetërore për t’i orientuar ato më vonë në projekte në bazë të prioriteteve të Qeverisë”, pati deklaruar kreu i Ministrisë së Financave në shtator të vitit të kaluar.

Sipas raporteve të kaluara të auditorëve, mjetet e rezervës janë mbajtur të depozituara për vite në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës për një interes shumë të ulët. /Telegrafi/