LAJMI I FUNDIT:

FMN: Rritja ekonomike e Shqipërisë vetëm 2.7%

FMN: Rritja ekonomike e Shqipërisë vetëm 2.7%

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përkeqësuar vlerësimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë duke e ulur atë me 0.7 pikë përqindje krahasuar me variantin e fillimit të vitit.

Ekspertët e fondit, që kanë mbërritur në Tiranë për rishikimin e buxhetit, vlerësojnë se ekonomia shqiptare do të rritet këtë vit me vetëm 2.7 për qind në terma realë, ndryshe nga fillimi i vitit kur FMN kishte parashikuar një rritje prej 3.4 për qind.

Ecuria jo e fortë e ekonomisë është sinjalizuar gjatë kësaj periudhe nga disa tregues të tërthortë, si ai i të ardhurave në buxhet dhe konsumit. Të ardhurat në buxhet janë thuajse në nivelin e një viti më parë, duke mos justifikuar dot as rritjen e çmimeve, ndërsa konsumi vlerësohet të jetë në ulje.

Edhe vetë qeveria e ka pranuar se rritja ekonomike këtë vit do të jetë më e ulët nga sa ishte parashikuar në fillim, pasi në buxhetin që pritet t’i dërgojë kuvendit për rishikim e ka ulur rritjen e prodhimit kombëtar nga 5.5 në 5 për qind.


Ngadalësimi i rritjes ekonomike krijon probleme për gjendjen ku është ekonomia jo vetëm në ngadalësimin e rritjes së të ardhurave familjare, por edhe tek treguesi i brishtë i borxhit publik, i cili përkeqësohet kur rritja ekonomike është e ulët.

Në fakt llogaritë e buxhetit kanë ndryshuar jo pak nga fillimi i vitit, aq sa në zyrat e FMN vlerësojnë se këtë vit vendi do i rikthehet deficitit primar, jo pak por 1.2 për qind e PBB-së, raportoi TCH./Telegrafi/