LAJMI I FUNDIT:

Filmi “Heroi” do të shfaqet në Filipine dhe Australi

Filmi “Heroi” do të shfaqet në Filipine dhe Australi

Rrëfimi për ish-luftëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kohën e pasluftës, kur ai përballet me jetën e vështirë, vitin që vjen do të shpaloset në ekranet e mëdha të dy festivaleve ndërkombëtare.

“Heroi” nga Kosova, me regji të Luan Kryeziut, do të futet në konkurrencë zyrtare të festivalit “Ichill Manila International Film Festival” në Filipine, që mbahet në fillim të muajit janar dhe në atë të festivalit australian “Colortape Internatonal Film Festival”, që mbahet në muajin qershor.

Sipas ueb-faqes zyrtare, “Ichill Manila…”, që mbahet në kryeqytetin filipinez, mëton të vetëdijesojë audiencën për mënyrat e reja të realizimit të filmave dhe sivjet organizon edicionin e parë, në kuadër të të cilit do të ndahen gjashtë çmime. E sipas përshkrimit në ueb faqe, “Colortape…”, ka për qëllim të promovojë diversitetin kulturor, duke mbledhur filma nga e gjithë bota. Arben Bajraktaraj i njohur për rolet e tij edhe në filmin “Taken 1” dhe në “Harry Potter” , në “Heroi” ka rolin kryesor.


Në gusht të këtij viti, “Heroi” i bashkëfinancuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës pati premierën ndërkombëtare në edicionin e 38-të të festivalit “Montreal World Film Festival”. Në këtë festival “Heroi” nuk ka qenë në garë për çmimet e festivalit, por është shfaqur në kuadër të kategorisë “Focus on World Cinema”.
Regjisori dhe skenaristi Luan Kryeziu ka thënë se është i kënaqur që “Heroi” do të vazhdojë udhëtimin nëpër festivale në botë. Ai ka thënë se ka ftesa edhe për festivale tjera, por nuk ka dashur t’i bëjë publike.

“Sapo morëm lajmin edhe nga dy festivale ndërkombëtare, në Filipine dhe në Australi, në të cilat ‘Heroi’ do të jetë në konkurrencë ndërkombëtare të filmit të gjatë”, ka thënë Kryeziu. Ky lajm e ka bërë regjisorin të ndihet krenar.

“Jam shumë i gëzuar dhe përgëzoj të gjithë artdashësit shqiptarë për këtë vlerë kulturore, e cila po duket se do të lërë gjurmë në kinematografinë botërore. Jam krenar se me një temë lokale po arrijmë të tërheqim vëmendjen e festivaleve me renome botërore”, ka thënë ai.

Sipas Kryeziut, është e rëndësishme që “Heroi” po udhëton, ani pse ekipi nuk ka përkrahje të mjaftueshme.

“E veçanta e këtij filmi është se ai përkundër pamundësive financiare për të aplikuar në festivale, është pranuar në disa nga festivalet më prestigjioze në botë”, ka thënë ai.
Kryeziu ka thënë se rrëfimi i “Heroit” po e njofton botën për moralin fisnik, kulturën e traditën shqiptare.

“Filmi është ambasadori më i mirë në botë. Ne jemi në situatë ku shteti ka nevojë për prezantim të dinjitetit dhe kulturës, afirmim të shtetit dhe lidhje bashkëpunimi ekonomike e kulturore. Prandaj konsideroj që investimi në vlera të cilat dëshmojnë se dinë të prezantojnë dinjitetshëm dhe lakmueshëm vendin dhe kulturën është i domosdoshëm”, ka thënë ai.

“Heroi” ka drejtor fotografie Roger Simonsz, i njohur për filma të njohur si: “The Devil Wears Prada”, “Rushhaur 3”, “Sex and the City” etj. Në “Heroi” luajnë edhe Çun Lajçi, Salahudin Bilali, Enver Petrovci, Xhemi Aga etj. Në Kinemanë ABC ishte dhënë premierë më 18 shkurt. Për më shumë se dy javë kishte grumbulluar veç 1.500 shikues. /Koha/