LAJMI I FUNDIT:

Etnomuzikologjia shqiptare: Detyra themelore – të sotme e të ardhme

Etnomuzikologjia shqiptare: Detyra themelore – të sotme e të ardhme

Spiro J. Shetuni

PARASHTRIM


Si ligjësori universale, brenda fushës së muzikës, studiuesit e saj – muzikologë e etnomuzikologë – nga pikëpamja numerike, përfaqësojnë një kategori tepër të kufizuar. Në të vërtetë, numri i tyre, si rregull, është në raport të drejtë me vetë nevojat e shoqërisë njerëzore për ‘ta. Ashtu sikurse në fusha të tjera të artit e të shkencës, edhe në atë të muzikës, përgatitja e studiuesve të saj – muzikologë e etnomuzikologë – është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar.

Historia e muzikës Perëndimore – kulturës muzikore profesioniste të Evropës dhe Amerikës – dëshmon qartë se, studiuesit në përgjithësi dhe studiuesit e muzikës në veçanti, zakonisht, nuk bëhen të njohur në një moshë disi të re ose shumë të re, sikurse ndodh, p.sh., me interpretuesit (këngëtarë, instrumentistë, valltarë, dirigjentë etj.), madje edhe me krijuesit. Ata – studiuesit e muzikës – si rregull, bëhen të njohur në një moshë disi më të madhe ose shumë më të madhe sesa interpretuesit e krijuesit. Një dukuri e tillë rrjedh, sa nga natyra e veprimtarisë kërkimoro-shkencore në përgjithësi, aq edhe nga specifika e fushës së muzikologjisë dhe asaj të etnomuzikologjisë në veçanti, pra, është me karakter objektiv. Vetëm se mosmarrja në konsideratë e saj fare lehtë mund të shpjerë në mendime subjektive ndaj studiuesve të rinj muzikologë e etnomuzikologë.

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX në përgjithësi dhe çerekut të tij të fundit në veçanti, mendimi muzikologjik e etnomuzikologjik shqiptar s’ka qëndruar në vend. Një dukuri e tillë mund të dëshmohet fare mirë me botimet dhe studimet e kryer. Sakaq, është për t’u përshëndetur fakti që, krahas emrave të njohur, gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, kanë dalë emra të rinj studiuesish muzikologë e etnomuzikologë. Me siguri që, në të ardhmen, studiues të tjerë do të bëjnë emër duke iu përkushtuar pikërisht hulumtimit të muzikës tradicionale e profesioniste shqiptare.

Midis detyrave themelore, që do të shtroheshin përpara etnomuzikologjisë shqiptare, si në ditët tona, ashtu edhe në të ardhmen, më lejoni të përmend vetëm disa prej tyre, si:

• Pasqyrimi i gjendjes së muzikës tradicionale: Teori dhe praktikë (me këto nën-çështje):

o Botimi i muzikës tradicionale
o Studimi i muzikës tradicionale
o Fjalorët muzikorë enciklopedikë
o Zgjerimi i rrethit të studiuesve

• Vëzhgimi i bashkëkohësisë së muzikës tradicionale: Teori dhe praktikë (me këto nën-çështje):

o Ndërsuazimi krijues
o Etja e shkollave të muzikës
o Përpunime të njëanshme
o Përdorimi i tepruar i melizmave
o Prania e tercave paralele harmonike
o Prirja drejt elementeve sensuale
o Parapëlqimi i instrumenteve elektrikë

• Përmbyllje: Teori dhe praktikë (me këto nën-çështje):

o Misioni i etnomuzikologjisë
o Autoriteti i etnomuzikologjisë shqiptare
o Baza të shëndosha teorike e metodologjike
o Shmangie e qëndrimeve të njëanshme
o Kalim i natyrshëm nga një stad i procesit studimor në një tjetër

Lejomëni që të bëj një shtjellim të shkurtër, vetëm se thelbësor, të çështjeve të mësipërme.

PASQYRIMI I GJENDJES SË MUZIKES TRADICIONALE: TEORI DHE PRAKTIKË

Botimi i muzikës tradicionale

Nga pikëpamja e hapësirës etniko-socialo-gjeografike, botimi i muzikës tradicionale shqiptare, ashtu sikurse edhe studimi i saj, mund dhe duhet bërë në disa plane:

• brenda hapësirës etniko-socialo-gjeografike të quajtur Shqipëri-shtet;
• brenda hapësirës etniko-socialo-gjeografike të quajtur Shqipëri-komb (zonave etnografike të banuara nga shqiptarë etnikë kudo që ata jetojnë: Shqipёri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Serbi etj.);
• brenda hapësirës etniko-socialo-gjeografike të shteteve ku historikisht kanë emigruar shqiptarë, si: Greqi, Itali, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (muzika tradicionale arvanitase, muzika tradicionale arbëreshe, muzika tradicionale albano-amerikane) etj.

Përsa i takon botimit të muzikës tradicionale, detyra themelore, të sotme e të ardhme, të etnomuzikologjisë shqiptare, mendoj se do të ishin:

• së pari, regjistrimi i plotë i lëndës muzikore më përfaqësuese të të gjithë dialekteve, nën-dialekteve dhe stileve të muzikës tradicionale shqiptare;
• së dyti, vënia në notë, transkriptimi, notizmi i saj;
• së treti, botimi i lëndës muzikore më përfaqësuese.

Duke çmuar arritjet e derisotme në drejtim të botimit të muzikës tradicionale, nënvizoj se, mjerisht, ende nuk ekziston as edhe një përmbledhje e vetme muzikore me këngë një-zërëshe gege, të titulluar, p.sh.:

• Këngë të Malësisë së Madhe ose të Shkodrës
• Këngë të Malësisë së Vogël ose të Gjakovës
• Këngë mirditore
• Këngë matjane
• Këngë dibrane etj.

Mjerisht, ende nuk ekziston as edhe një përmbledhje e vetme muzikore me këngë shumë-zërëshe toske, të titulluar, p.sh.:

• Këngë polifonike toske
• Këngë polifonike myzeqare
• Këngë polifonike çame etj.

Mjerisht, ende nuk ekziston as edhe një përmbledhje e vetme muzikore me këngë qytetare, të titulluar, p.sh.:

• Këngë qytetare beratase
• Këngë qytetare përmetare
• Këngë qytetare vlonjate
• Këngë qytetare myzeqare
• Këngë qytetare kolonjare etj.

Në asnjë mënyrë nuk mendoj se, përmbledhje muzikore të tilla, janë të lehta për t’u përgatitur. Ato vërtet që s’mund të hartohen brenda një kohe të shkurtër. Por, vallë a duhen pritur shekuj që të mund të dalin në dritë përmbledhje muzikore të kësaj natyre?! Pastaj, kush do të mund t’i përgatisë, në radhë të parë, antologji të tilla muzikore?! Kush më mirë sesa vetë etnomuzikologët e muzikologët shqiptarë do të mund t’i përgatisë ato?!

Botimi i muzikës tradicionale mund të përmbushet nga kompozitorë, studiues e muzicienë të talentuar të mbarë vendit. Në këtë qerthull, s’duhet të harrojmë për asnjë çast sidomos muzicienët profesionistë që e zhvillojnë veprimtarinë e tyre nëpër pallatet dhe shtëpitë e kulturës të të gjitha rretheve të Shqipërisë. Duke qenë se, në mjaft raste, ata kanë një përvojë artistike të pasur, muzicienë të tillë mund të aktivizohen, në forma të ndryshme, sidomos për hartimin e antologjive muzikore. Libri 250 këngë qytetare shkodrane, i cili u botua në vitin 2000, në Shkodër (Shqipëri), p.sh., u hartua nga muzicienët e talentuar e të përkushtuar ndaj muzikës tradicionale qytetare shkodrane – Tonin Zadeja e Tonin Daija (Zadeja, Daija 2000). Ky shembull i gjallë, i cili s’ka nevojë për koment, vlen që të ndiqet nga kompozitorë, studiues e muzicienë të tjerë të talentuar të mbarë rretheve të vendit.

S’ka dyshim që, dalja në dritë, përmes librash të veçantë, e lëndës muzikore më tipike të të gjithë dialekteve, nën-dialekteve dhe stileve më përfaqësuese të muzikës tradicionale shqiptare, do të nxiste, qoftë procesin e shqyrtimit teoriko-shkencor, qoftë atë të përpunimit praktiko-artistik, të saj. Në këtë mënyrë do t’u hapej rrugë e sigurtë monografive të gjera e të thella shkencore, si edhe veprave muzikore të mëdha profesioniste, përfytyra etniko-kombëtare e të cilave do të jepej natyrshëm përmes një materieje muzikore nacionale.

Studimi i muzikës tradicionale

Nga pikëpamja e hapësirës etniko-socialo-gjeografike, studimi i muzikës tradicionale shqiptare, ashtu sikurse edhe botimi i saj, mund dhe duhet bërë në disa plane:

• brenda hapësirës etniko-socialo-gjeografike të quajtur Shqipëri-shtet;
• brenda hapësirës etniko-socialo-gjeografike të quajtur Shqipëri-komb;
• brenda hapësirës etniko-socialo-gjeografike të shteteve ku historikisht kanë emigruar shqiptarë, si: Greqi, Itali, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (muzika tradicionale arvanitase, muzika tradicionale arbëreshe, muzika tradicionale albano-amerikane) etj.

Përsa i takon studimit të muzikës tradicionale, detyra themelore, të sotme e të ardhme, të etnomuzikologjisë shqiptare, mendoj se do të ishin:

• së pari, studimi i bazave të muzikës tradicionale shqiptare, d.m.th., hulumtimi në rrafsh kombëtar i mjeteve të saj kryesore shprehës – melodikës, kontrapunktit, harmonisë, metrikës/ritmikës, dinamikës, agogjikës, organikës (timbrit, instrumenteve muzikore, orkestrimit muzikor);
• së dyti, studimi i dialekteve, nën-dialekteve dhe stileve më përfaqësues të muzikës tradicionale shqiptare, pra, hulumtimi i saj sipas krahinave e zonave kryesore etnografike;
• së treti, studimi në rrafsh kombëtar ose të pjesshëm i zhanreve të caktuar të muzikës tradicionale shqiptare, siç janë, p.sh., nina-nana ose ninulla, vajtimi ose ligjërimi, kënga maje-krahi ose kushtruese, boroitja ose logatja, ballada, eposi heroik legjendar etj., të cilët, për vetë shkallën e individualizimit muzikor, japin mundësi të gjera hulumtimi;
• së katërti, studimi i afrive dhe dallimeve midis muzikës tradicionale shqiptare dhe kulturave të tjera muzikore të hapësirës etniko-socialo-gjeografike ballkanike e mesdhetare. Studime krahasuese mund dhe duhen bërë, p.sh, midis muzikës tradicionale shqiptare dhe muzikës tradicionale greke, midis muzikës tradicionale shqiptare dhe muzikës tradicionale arumune, midis muzikës tradicionale shqiptare dhe muzikës tradicionale turke, maqedonase, serbe, malazeze etj.

Fjalorët muzikorë enciklopedikë

Çdo kulturë muzikore mbi rruzullin tokësor, tradicionale ose profesioniste, përfaqësohet nga tre grupe, klasa ose kategori kryesore njerëzore: i) krijues; ii) interpretues (këngëtarë, instrumentistë, valltarë, dirigjentë etj.); iii) studiues (muzikologë, etnomuzikologë). Nën-vlerësimi ose mbi-vlerësimi i njërit grup ose tjetër është një veprim i njëanshëm, teorikisht i gabuar dhe praktikisht i dëmshëm. Si ligjësori universale, grupet kryesorë njerëzorë të botës muzikore janë njësoj të vlefshëm: ata parakuptojnë dhe plotësojnë njëri-tjetrin. Statusi i tyre në jetën e shoqërisë e të artit është i barabartë, si nga pikëpamja teorike, ashtu edhe nga pikëpamja praktike.

1. Përfaqësimi i muzikës tradicionale e profesioniste shqiptare në fjalorë enciklopedikë ndërkombëtarë, nuk mund të jetë vetëm se shprehje e njohjes përherë e më të gjerë të saj në botën intelektuale e akademike. Lejomëni të vë në dukje, midis të tjerash, një vepër të mirënjohur enciklopedike me karakter akademik, siç është, Fjalori Grouv i Ri i muzikës dhe muzicienëve, i cili është fryt i punës së qindra e mijra hartuesve. Nëse krahasohet botimi i parë i këtij fjalori (Sadie, hartues 1980) me botimin e dytë të tij (Sadie, hartues. 2001), me kënaqësi vërehet një rritje e ndjeshme e lëndës mbi muzikën shqiptare. (Vetë përmasat e fjalorit u rritën në mënyrë të përfillshme: ndërsa botimi i i parë ka 20 vëllime, botimi i dytë vjen me 29 vëllime!) (Si shtjellim akademik të sintetizuar të muzikës tradicionale e profesioniste shqiptare, brenda këtij fjalori, j’u lutem, shihni artikullin me titull “Albania.” (Stockmann, Stockmann 1980); (Leotsakos, Sugarman 2001).)

Sidoqoftë, për hir të objektivitetit shkencor, nuk mund të mos vihet në dukje se, Fjalori Grouv i Ri i muzikës dhe muzicienëve, s’ka mundur që t’i shpëtojë një mangësie parimore: njëanshmërisë së theksuar. Brenda tij, ndërsa krijuesit janë përfaqësuar në një masë deri-diku të pranueshme, interpretuesit (këngëtarë, instrumentistë, valltarë, dirigjentë etj.) e studiuesit (muzikologë, etnomuzikologë) janë mohuar tërësisht! Njëanshmëria në përfaqësimin e kategorive kryesore njerëzore të universit muzikor s’është në nderin dhe prestigjin e asnjë lloj fjalori akademik, sado me emër qoftë ai!

Brenda qerthullit të parashtruar më sipër, vijnë si të ligjshme një radhë pyetjesh të mprehta, të cilat meritojnë plotësisht përgigje, si: Përse?! Përse vallë?! Përse vallë të ndodhë kështu?! Thjesht për shkak të mungesës së kohës?! Apo mos ndoshta edhe për të treguar, domosdoshmërisht, me çdo kusht, në çdo rast, ose një lloj mbi-vlerësimi ndaj disa grupeve njerëzorë të botës muzikore, ose një lloj nën-vlerësimi ndaj disa grupeve të tjerë njerëzorë të botës muzikore?! Por, duke qenë se, dukuri të tilla, kanë natyrë jashtë-profesionale, ato janë, që të dyja, teorikisht dhe praktikisht, të dëmshme!

2. Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, janë botuar, gjithashtu, fjalorë muzikorë enciklopedikë në gjuhën shqipe, midis të cilëve, kronologjikisht, lejomëni të përmend: Enciklopedia [sic] e muzikës popullore shqiptare (Tole, hartues. 2001), Enciklopedia [sic] e muzikës shqiptare, Vëllimi i parë (Shupo, hartues. 2002) etj. Pa dyshim se, hartuesit e tyre – Vasil S. Tole, Sokol Shupo – meritojnë vetëm që të përshëndeten nga opinioni shkencoro-artistik. Fjalorë të tillë ndihmojnë që të ngushtohet boshësia kritike në aspekte të ndryshëm të muzikës tradicionale e profesioniste shqiptare, si: pasuria, historia, përvoja estetike, autorët më në zë, veprat më përfaqësuese etj. Mirëpo, duke çmuar ndihmesën e tyre, njëkohësisht, nuk mund të mos vihet në dukje se, ata, herë pjesërisht o herë tërësisht, kanë pasur edhe mangësi parimore, midis të cilave lejomëni të përmend vetëm dy: së pari, niveli shkencor cilësisht i diskutueshëm, si rrjedhojë e një lloj nxitimi, rrëmbimi, përshpejtimi, në përgatitjen e tyre; së dyti, zbehja e besueshmërisë shkencore, si pasojë e një lloj subjektivizmi, personalizmi, arbitrarizmi, në parashtrimin dhe interpretimin e lëndës.

3. Mjerisht, në fjalorin enciklopedik me titull Enciklopedia [sic] e muzikës shqiptare, Vëllimi i parë (Shupo, hartues. 2002), i cili, në mënyrë parimisht të gabuar, i paraqitet lexuesit me titullin e një enciklopedie (!), mungojnë kriteret objektivë të parashtrimit dhe interpretimit të lëndës: ata janë zëvendësuar de facto me praninë e kritereve subjektivë. Kështu, çështje të tilla, sa të rëndësishme, aq edhe delikate, si: i) autorët që përfaqësohen; ii) autorët që nuk përfaqësohen; iii) sasia e informacionit për një autor të caktuar; iv) interpretimi i informacionit për një autor të caktuar etj., zgjidhen, kryesisht, duke u nisur nga raportet personalë të hartuesit me autorët! (Të mos harrojmë se shumica e autorëve ende jeton!) Si rrjedhojë, në rrafsh të përgjithshëm, bien në sy veçanërisht katër dukuri subjective, personale, arbitrare:

• prania e diskutueshme, pra, subjektive, personale, arbitrare, e autorëve të caktuar!
• mungesa e diskutueshme, pra, subjektive, personale, arbitrare, e autorëve të caktuar!
• lartësimi i diskutueshëm, pra, subjektiv, personal, arbitrar, i autorëve të caktuar!
• ultësimi i diskutueshëm, pra, subjektiv, personal, arbitrar, i autorëve të caktuar!

Që të mund të shprehem në një mënyrë tjetër, autorët që hartuesi i konsideron si simpatizues të tij, këtë radhë, ishin me fat: ata, ose u përshinë subjektivisht, personalisht, arbitrarisht, ose u lartësuan subjektivisht, personalisht, arbitrarisht! (O tempora! O mores!) Ndërkohë, autorët që hartuesi nuk i konsideron si simpatizues të tij, këtë radhë, ishin pa fat: ata, ose s’u përfshinë subjektivisht, personalisht, arbitrarisht, ose u ultësuan subjektivish, personalisht, arbitrarisht! (O tempora! O mores!) Prandaj, vetkuptohet se, në cilat raste vërehet njëra dukuri dhe se në cilat raste vërehet dukuria tjetër. Sidoqoftë, në analizë të fundit, duke iu përmbajtur kritereve subjektivë, personalë, arbitrarë, në parashtrimin dhe interpretimin e lëndës, herë-herë, të vërtetat ua lënë vendin gjysmë të vërtetave, kurse gjysmë të vërtetat ua lënë vendin thjesht gënjeshtrave. Pra, dëmi s’është i vogël: veprimtaria e përfaqësuesve të muzikës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, në vend që të jepej në dritë të vërtetë, jepet pak a shumë e shpërfytyruar! E shpërfytyruar! E shpërfytyruar! E shpërfytyruar!

Brenda qerthullit të parashtruar më sipër, sërish vijnë si të ligjshme një radhë pyetjesh të mprehta, të cilat meritojnë plotësisht përgjigje, si: Përse?! Përse vallë?! Përse vallë të ndodhë kështu?! Thjesht për shkak të mungesës së kohës?! Apo mos ndoshta edhe për të treguar, domosdoshmërisht, me çdo kusht, në çdo rast, ose një lloj simpatie personale ndaj disa autorëve, ose një lloj antipatie personale ndaj disa autorëve të tjerë?! Por, duke qenë se dukuri të tilla kanë natyrë jashtë-profesionale, ato janë, që të dyja, teorikisht dhe praktikisht, të dëmshme!

4. Në rrafsh universal, studiuesit e fushës së muzikës, ashtu sikurse studiuesit e fushave të tjera të artit e të shkencës, nuk mund dhe nuk duhet që të sillen sikur janë pronarë të muzikës tradicionale e profesioniste të një kombi, populli, ose grupi të caktuar etnik. Studiuesit e fushës së muzikës mund dhe duhet që të sillen thjesht si vëzhgues të ecurisë së artit muzikor tradicional e profesionist të një kombi, populli, ose grupi të caktuar etnik, gjatë një periudhe të dhënë historike. Nga pikëpamja e qëndrimit që mbajnë ndaj muzikës tradicionale e profesioniste, studiuesit e fushës së muzikës mund të jenë objektivë ose subjektivë, të thelluar ose të përciptë, modestë ose arrogantë etj. Sa më objektivë, të thelluar, modestë që të jenë studiuesit e fushës së muzikës, aq më e qartë do të jepet veprimtaria e përfaqësuesve të muzikës tradicionale e profesioniste të një kombi, populli, ose grupi të caktuar etnik, ashtu sikurse vetë përfytyra tërësore e kësaj muzike. Sa më subjektivë, të përciptë, arrogantë që të jenë studiuesit e fushës së muzikës, aq më e mjegullt do të jepet veprimtaria e përfaqësuesve të artit muzikor tradicional e profesionist të një kombi, populli, ose grupi të caktuar etnik, ashtu sikurse vetë përfytyra tërësore e këtij arti. Si qarqet shoqërorë në përgjithësi, ashtu edhe qarqet shkencoro-artistikë në veçanti, presin që, fjalorët enciklopedikë, në çdo fushë të jetës së shoqërisë shqiptare, të ndriçojnë sa më shumë mëndjen e lexuesve, përmes lëndës së gjallë tërë-përfshirëse dhe interpretimeve teorike të pa-anshme.

5. Fjalorët muzikorë enciklopedikë, nëse kanë synime akademike, s’duhet të përgatiten në mënyrë dramatikisht të nxituar! Në analizë të fundit, nxitimi, rrëmbimi, përshpejtimi, vetëm se krijojnë kushte për të pasur një nivel shkencor cilësisht të diskutueshëm. Po ashtu, fjalorët muzikorë enciklopedikë, nëse kanë synime akademike, s’duhet të përgatiten as në mënyrë dramatikisht subjektive! Në analizë të fundit, subjektivizmi, personalizmi, arbitrarizmi, vetëm se ua zbehin atyre parametrin themelor për çdo lloj libri me natyrë akademike: besueshmërinë shkencore.

6. Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se, në çdo fushë të artit e të shkencës, as fjalorët enciklopedikë, as enciklopeditë, nuk mund të hartohen nga një studiues i vetëm, sado pretencioz që të jetë ai! Përvoja më e mirë ndërkombëtare, dëshmon pikërisht për një dukuri të tillë. (Fjalori Grouv i Ri i muzikës dhe muzicienëve (Sadie, hartues. 1980; Sadie, hartues. 2001), i cili sapo u përmend, p.sh., është fryt i punës së qindra e mijra autorëve!) Prandaj, mbetet të shpresojmë se, në të ardhmen, brezat e rinj të muzikologëve e etnomuzikologëve shqiptarë, do të hartojnë fjalorë enciklopedikë dhe enciklopedi me ndihmesën e sa më shumë studiuesve. Eshtë e qartë se, në këtë mënyrë, do të mund të përmbusheshin më lehtë dy kërkesa themelore parimore: së pari, niveli shkencor cilësisht sa më i lartë; së dyti, parashtrimi dhe interpretimi i lëndës në një mënyrë sa më objektive.

Zgjerimi i rrethit të studiuesve

Është e qartë se, me hulumtime në fushën e etnomuzikologjisë, mund dhe duhet të merren, në radhë të parë, studiuesit e mirëfilltë të kësaj fushe. Por, s’ka dyshim që, mbarëvajtjes së gjithanshme të veprimtarisë së një shkence të tillë, do t’i shërbente sadopak edhe aktivizimi më i ndjeshëm i tërë atyre ish-studentëve që kanë mbaruar Institutin e Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve) për muzikë në përgjithësi dhe për teori muzike në veçanti. Me dhjetra e ndoshta qindra ish-studentë të këtij institucioni arsimor janë diplomuar si teoricienë të fushës së muzikës: pra, si mësues muzike, si historianë të fushës së muzikës, si kritikë muzikorë, si etnomuzikologë etj. Pas kryerjes së studimeve, më shpesh, ata punojnë si mësues të lëndëve teoriko-muzikore në shkolla të mesme muzike ose në Universitetin e Arteve. Mirëpo, pak syresh i sheh që të dalin me artikuj në shtypin letraro-artistik dhe fare pak në shtypin shkencor. Në kushte të tillë, është e qartë se, me studimin e muzikës tradicionale ose asaj profesioniste, sistematikisht, merren vetëm disa punonjës shkencorë dhe aty-këtu ndonjë pedagog.

Më pranë veprimtarisë shkencore etnomuzikologjike mund dhe duhet të qëndrojnë edhe kompozitorët. Për vetë natyrën praktike të veprimtarisë krijuese, e cila i zgjidh konkretisht çështjet e ndërlikuara që dalin, një fushë e përshtatshme e veprimtarisë së tyre hulumtuese, midis të tjerash, ndoshta do të ishte procesi i mbështetjes së muzikës profesioniste mbi muzikën tradicionale etj.

VËZHGIMI I BASHKËKOHËSISË SË MUZIKËS TRADICIONALE: TEORI DHE PRAKTIKË

Studimet etnomuzikologjikë s’duhet të bëhen asnjëherë qëllim në vetvete: krahas funksionit teorik, ata mund dhe duhet patjetër që të përmbushin edhe detyra të caktuara praktike, artistike ose arsimore, të jetës bashkëkohore. Studimet etnomuzikologjikë mund dhe duhet të rrahin, gjithashtu, probleme, mangësi, njënshmëri të ndryshme të jetës bashkëkohore artistike në përgjithësi dhe të jetës artistike folklorike në veçanti. Brenda një qerthulli të tillë, lejomëni të shqyrtoj disa çështje, të cilat, për vetë natyrën e tyre, do të ishin të rëndësishme, si për jetën e sotme, ashtu edhe për jetën e ardhme, të muzikës tradicionale shqiptare.

Ndërsuazimi krijues

Nëse hulumtimi i muzikës tradicionale – botimi dhe studimi i saj – i shërben, më së pari, njohjes, ruajtjes, mbrojtjes së vlerave shpirtërore të popullit shqiptar në plan teorik, në të njëjtën kohë, ai mund dhe duhet t’i shërbejë edhe praktikës krijuese artistike, veprimtarisë së kompozitorëve. Në këtë kuptim, entomuzikologjia lidhet ngushtë me krijimtarinë muzikore profesioniste. Prandaj kompozitorët shqiptarë me të drejtë kërkojnë nga studiuesit etnomuzikologë, në mënyrë të veçantë, studimin e çështjeve të tilla me rëndësi estetike jetike për të sotmen dhe të ardhmen e muzikës profesioniste shqiptare, si: karakterizimi i tipareve etniko-kombëtarë të muzikës tradicionale shqiptare; veçoritë e mjeteve kryesorë shprehës të kësaj muzike; tiparet themelorë dallues të dialekteve, nën-dialekteve dhe stileve muzikorë më të shquar të saj; rrugët e përpunimit të muzikës tradicionale nga kompozitorët profesionistë; mënyrat se si muzika tradicionale shërben si lëndë melodiko-modale e muzikës profesioniste etj.

Etja e shkollave të muzikës

Kur flasim për studime në fushën e muzikës dhe të vallëzimit tradicional shqiptar, s’duhet të harrojmë për asnjë çast as etjen e madhe të shkollave të mesme të muzikës, të ngritura në disa qytete të vendit, si edhe të Fakultetit të Muzikës, pranë Universitetit të Arteve të Shqipërisë, për studime të tillë. Etja ka qenë dhe është e shquar sidomos për dy tekste mësimorë bazë të muzikës tradicionale shqiptare: për një tekst mësimor për shkollat e mesme të muzikës dhe për një tekst mësimor për Fakultetin e Muzikës. Tekste të tillë mund dhe duhet të paraqesin, në nivele përkatës, arritjet më themelore të disiplinës së etnomuzikologjisë vendase të kryera deri më sot. Megjithse nuk përjashtohen as raste të qënies së një studiuesi të vetëm si autor i një teksti mësimor, përvoja më pozitive ndërkombëtare tregon se, zakonisht, tekstet mësimorë janë fryt i veprimtarisë hulumtuese të një grupi studiuesish. Prandaj, në çdo rast, kërkesa themelore qëndron në karakterin e teksteve mësimorë: më tepër sesa vëzhgime të një studiuesi të vetëm, ato sjellin hulumtime të një grupi studiuesish. Në çdo fushë diturore, sigurisht, hulumtime të tillë pasqyrojnë gjithmonë një periudhë të caktuar historike.

Brenda këtij qerthulli, ndodhem në një pozitë që, sa me dhimbje, aq edhe me protestë, të dëshmoj se, historikisht, një çështje vazhdimisht e mprehtë për Fakultetin e Muzikës ka qenë mungesa e plotë, për dhjetëvjeçarë të tërë me radhë, e teksteve teorikë mësimorë. Konkretisht, deri bukur në vitin 1975, nuk ekzistonin tekste mësimorë në shqip të lëndëve të tilla teorike themelore formuese, si: Solfezh, Folklor muzikor shqiptar, Histori e muzikës shqiptare, Histori e muzikës perëndimore, Harmoni, Kompozim, Analizë forme, Orkestracion etj. Duke qenë se mungonin tekstet, pedagogët e pëkushtuar, u jepnin studentëve dorëshkrime, të cilët sidoqoftë ishin të pjesshëm, përsa i takon përmbajtjes së lëndës! (Ata kalonin si traktate të fshehtë komunistë dorë më dorë nga njëri student tek tjetri!) Ndërkohë, ndonjë pedagog ose pedagoge, s’ngurronte t’u thoshte studentëve: “Mos u shqetësoni shumë për leksionet: Ato do t’i merrni në fund të vitit, përpara se të jepni provimin vjetor!” Pastaj, mjaft pedagogë, guxonin të mos jepnin asnjë lloj materiali të shkruar! (“O tempora! O mores!”) Dukuri të tilla e bënin, sa dramatike, aq edhe të gjymtuar, mësim-nxënien! Studentët e përkushtuar të çdo lëmi të diturisë dëshirojnë që të flenë të rrethuar me tekste mësimorë! Formimi i përgjithshëm teorik e profesional i kompozitorëve, studiuesve, pedagogëve e muzicienëve të ardhshëm u detyrohet shumë teksteve mësimorë.

Përpunime të njëanshme

Në jetën bashkëkohore artistike, shpesh herë, janë vërejtur përpunime të njëanshme këngësh, pjesësh muzikore instrumentore e vallesh tradicionale: ato, ose nuk e pasurojnë fare muzikën tradicionale, ose i largohen asaj aq shumë saqë vështirë se dallohen modelet muzikorë tradicionalë. Brenda një qerthulli të tillë, disa çështje etnomuzikologjike, që do të kërkonin shqyrtim të vëmendshëm, ndoshta do të mund të formuloheshin në këtë mënyrë:

• Në ç’masë duhet bërë përpunimi i muzikës tradicionale shqiptare?
• A duhet që këngët, pjesët muzikore instrumentore, vallet tradicionale etj., të përpunohen aq pak sa të jenë gati të njëjta me modelet muzikorë tradicionalë?
• A është e pranueshme që këngët, pjesët muzikore instrumentrore, vallet tradicionale etj., të përpunohen deri në atë shkallë sa të humbasin lidhjet gjenetike e strukturore me modelet muzikorë tradicionalë?
• Cili do të ishte kriteri estetik më i përshtatshëm që mund dhe duhet ndjekur në këtë çështje?

Përdorimi i tepruar i melizmave

Në këngë, pjesë muzikore instrumentore e valle tradicionale qytetare, herë-herë, ndihet një rendje e tejskajshme ndaj melizmave, sikur ato të përbënin thelbin strukturor të tyre. Melizmat, të cilat nënkuptojnë zbritje ose ngjitje mikro-tonale të melodikës, nëse përdoren vend e pa vend, denatyrojnë përfytyrën melodiko-modale të muzikës tradicionale qytetare. Sipas mendimit tim, përdorimi i tejskajshëm i melizmave vetëm se sjell një lloj atmosfere orientale! Brenda një qerthulli të tillë, disa çështje etnomuzikologjike, që do të kërkonin shqyrtim të vëmendshëm, ndoshta do të mund të formuloheshin në këtë mënyrë:

• A duhet që të përdoren melizmat në muzikën tradicionale të qyteteve të Shqipërisë së Mesme (Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan), si edhe të qyteteve të tjerë të vendit?
• Nëse mund të përdoren, deri në çfarë shkalle do të ishin ato të pranueshme?
• Nëse nuk duhet të përdoren, cilat janë arsyet?
• Cili do të ishte kriteri estetik më i përshtatshëm që mund dhe duhet ndjekur në këtë çështje?

Prania e tercave paralele harmonike

Në këngë, pjesë muzikore instrumentore e valle tradicionale qytetare, herë-herë, ndihet si mbizotëruese përdorimi i tercave paralele harmonike. Kështu, ndodh, p.sh., në krijime, si: “Hej, aman-aman” – kënduar nga njё soliste dhe një grup burrash (“Bajram Curri”); “Po bijen tri dajre” – kënduar nga një duet burrë-grua (Pogradec) etj. Sipas mendimit tim, përdorimi i tercave paralele harmonike vetëm se sjell një lloj atmosfere sllave! Brenda një qerthulli të tillë, disa çështje etnomuzikologjike, që do të kërkonin shqyrtim të vëmendshëm, ndoshta do të mund të formuloheshin në këtë mënyrë:

• A duhet që të përdoren tercat paralele harmonike brenda muzikës tradicionale shqiptare?
• A janë ato tipike për ndërthurrjen harmonike të saj?
• Ndikojnë apo nuk ndikojnë tercat paralele harmonike në përfytyrën etniko-kombëtare të muzikës tradicionale shqiptare?
• Cili do të ishte kriteri estetik më i përshtatshëm që mund dhe duhet ndjekur në këtë çështje?

Prirja drejt elementeve sensualë

Interpretues të muzikës tradicionale qytetare – këngëtarë, instrumentistë, valltarë etj. – herë-herë, shkojnë deri aty sa të denatyrojnë përfytyrën tërësore melodiko-modale, bukurinë estetike, magjinë e vërtetë, të saj. Krahas rendjes ndaj elementeve muzikorë orientalë, në raste të tillë, zakonisht, vërehet një prirje e shquar drejt një lloj interpretimi sensual. Kështu ndodh, p.sh., në këngë, si: “Doli goca në penxhere,” “Qaj, moj zemër, mos pusho,” etj. Sipas mendimit tim, sensualizmi s’duhet të jetë atomsfera mbizotëruese emocionale e muzikës tradicionale qytetare! Brenda një qerthulli të tillë, disa çështje etnomuzikologjike, që do të kërkonin shqyrtim të vëmendshëm, ndoshta do të mund të formuloheshin në këtë mënyrë:

• A duhet që muzika tradicionale e qyteteve të Shqipërisë së Mesme (Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan), si edhe e qyteteve të tjerë të vendit, të interpretohet sensualisht?
• A duhet rendur pas një intepretimi sensual me qëllim që të tërhiqen dëgjuesit?
• A s’ka rrugë të tjera që të mund të bëhen për vete artdashësit?
• Cili do të ishte kriteri estetik më i përshtatshëm që mund dhe duhet ndjekur në këtë çështje?

Parapëlqimi i instrumenteve elektrikë

Sidomos gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, brenda formacioneve instrumentorë të muzikës tradicionale qytetare (ageng, grup, saze, orkestrinë, orkestër, ansambël), herë-herë, është vërejtur zëvendësimi i instrumenteve tradicionalë aktustikë me instrumente modernë elektrikë. Kështu, p.sh., linjën kryesore melodike, në vend të klarinetës ose violinës, e luan pianua elektrike o fizarmonika. Ose: kitara akustike është zëvendësuar thuajse gjithmonë prej kitarës elektrike etj. Pa u futur në hollësira, nënvizoj vetëm dallimet e mëdha timbrike që ekzistojnë midis instrumenteve akustikë dhe atyre elektrikë! Brenda një qerthulli të tillë, disa çështje etnomouzikologjike, që do të kërkonin shqyrtim të vëmendshëm, ndoshta do të mund të formuloheshin në këtë mënyrë:

• A duhet që të përdoren instrumentet muzikorë elektrikë brenda orkestrinave të muzikës tradicionale shqiptare?
• Nëse nuk duhet që të përdoren, cilat janë arsyet?
• Përse, brenda orkestrinave të muzikës tradicionale shqiptare, duhet të përdoren vetëm instrumente muzikorë akustikë?
• Cili do të ishte kriteri estetik më i përshtatshëm që mund dhe duhet ndjekur në këtë çështje?

PERMBYLLJE: TEORI DHE PRAKTIKË

Etnomuzikologjisë shqiptare – shkencës që studion muzikën tradicionale shqiptare – i kanë kushtuar jetën e tyre mjaft studiues albanologë, shqiptarë e ndërkombëtarë, etnomuzikologë e muzikologë. Si qarqet shoqërorë në përgjithësi, ashtu edhe qarqet shkencoro-artistikë veçanti, do të donin që ajo të bëhej një fushë diturore autoritare! Në këtë qerthull, çështja shtrohet: Si mund të arrihet një dëshirë e tillë?

Pasuria e shquar e muzikës tradicionale shqiptare jep mundësi të gjera për studime etnomuzikologjike. Vetëm se, vlera teorike ose praktike e studimeve të tillë, nuk vjen domosdoshmërisht për shkak të pasurisë së kësaj muzike. Faktorë të shumtë, objektivë e subjektivë, artistikë e jashtë-artistikë, profesionalë e jashtë-profesionalë, ndërhyjnë në procesin teorik etnomuzikologjik. Brenda një qerthulli të tillë, lejomëni të shqyrtoj disa çështje, të cilat, për vetë natyrën e tyre, mbase do të ishin të rëndësishme, si për jetën e sotme, ashtu edhe për jetën e ardhme, të etnomuzikologjisë shqiptare.

Misioni i etnomuzikologjisë

Muzika tradicionale, si pjesë e artit tradicional të një kombi, populli, ose grupi të caktuar etnik, është mjet i fuqishëm i emancipimit shoqëror e shpirtëror, i edukimit ideo-estetik e etiko-moral, i shprehjes së atdhedashurisë, i mbrujtjes dhe forcimit të ndërgjegjes kombëtare. Rrjedhimisht, etnomuzikologjia nuk është një lloj veprimtarie teorike, e cila ekziston thjesht në vetvete, që nuk lidhet me jetën e gjallë kulturoro-artistike, që parapëlqen të flejë gjumë, si gjatë natës, ashtu edhe gjatë ditës me diell! Në të vërtetë, ajo e kryen misionin e saj – njohjen, studimin, interpretimin e muzikës tradicionale – duke vëzhguar thellë jetën e djeshme, të sotme dhe të ardhme, të kësaj muzike. Përfundimet e shkencës së etnomuzikologjisë, duke u saktësuar nga koha në kohë, në fund të fundit, hedhin dritë mbi veprimtarinë artistike krijuese e interpretuese të kombeve, popujve, ose grupeve etnikë në përgjithësi.

Autoriteti i etnomuzikologjisë shqiptare

Autoriteti i etnomuzikologjisë shqiptare mund të ngrihet, mbi të gjitha, duke botuar sa më shumë që të jetë e mundur, si antologji muzikore, ashtu edhe monografi, për aspekte të ndryshëm të muzikës tradicionale shqiptare. Duke mos nënvlerësuar rolin e antologjive muzikore, si edhe duke mos mbivlerësuar rëndësinë e studimeve etnomuzikologjikë, me kohë, do të mund të vendoset një raport më i drejtë midis tyre. Qё tё mund tё shprehem nё njё mёnyrё tjetёr, antologjitë dhe monografitë, mund dhe duhet të qëndrojnë në një balancë të përshtatshme. Autoriteti i etnomuzikologjisë shqiptare qëndron, më së pari, në duart e vetë studiuesve etnomuzikologë vendas!

Baza të shëndosha teorike e metodologjike

Është në radhë të parë detyrë e studiuesve etnomuzikologë vendas që t’a hulumtojnë muzikën tradicionale shqiptare në gjithanshmërinë e çështjeve të ndërlikuara, për të kapërcyer një farë prapambetjeje relative që vërehet sot në studimet etnomuzikologjikë. Në kohën tone, si qarqet shoqërorë në përgjithësi, ashtu edhe qarqet shkencoro-artistikë veçanti, presin që vlerat më të spikatura të muzikës tradicionale shqiptare të botohen, të studiohen e të bëhen të njohura ende më shumë, brenda dhe jashtë vendit. Në kushtet e sotme, kur Shqipëria është një vend demokratik, tërësisht i hapur ndaj vendeve të Evropës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke u vënë mbi baza të shëndosha teorike e metodologjike, etnomuzikologjia shqiptare i ka të tëra mundësitë që të përparojë.

Shmangie e qëndrimeve të njëanshme

Dihet se etnomuzikologjia si shkencë lidhet ngushtë me degë simotra të diturisë, siç janë: muzikologjia, antropologjia, etnografia, historia, gjuhësia etj. Por, në të njëjtën kohë, etnumuzikologjia ruan pavarësinë e saj të plotë si shkencë. Duke qenë i përcaktuar, objekti i saj, është, gjithashtu, i kufizuar. Kështu, etnomuzikologjia nuk mund të japë përgjigje, p.sh., për çështje të ndryshme të gjuhësisë. Mirëpo, as gjuhësia, nga ana e saj, nuk mund të shpjegojë çështje të ndryshme të etnomuzikologjisë. Prandaj është e çuditshme që, ndonjëherë, përgjigjet për çështje të muzikës tradicionale, janë kërkuar nëpër libra filologjikë, objekti i të cilëve s’është aspak muzika tradicionale! Si nënvlerësimi i studimeve etnomuzikologjikë, ashtu edhe mbivlerësimi i studimeve filologjikë, janë veprime të njëanshëm me pasoja të dëmshme teorike e praktike!

Progresi i vëzhgimeve të etnomuzikologjisë, ashtu sikurse ai i vëzhgimeve të disiplinave simotra, ecën ngaherë përmes një rruge të gjatë, të vështirë e të dhimbshme, vetëm se duke u ndihmuar e bashkëvepruar me arritjet e mëparshme. Sakaq, në rastet që, si objekt vëzhgimi bëhen studime para-ardhës, ata duhen vlerësuar gjithmonë drejt. Si nënvlerësimi, ashtu edhe mbivlerësimi i tyre, janë, teorikisht dhe praktikisht, të dëmshëm! Etnomuzikologjia shqiptare do të mund të ecë përpara vetëm duke iu shmangur qëndrimeve të njëanshëm në çdo aspekt të veprimtarisë së saj! Ajo do të njohë vazhdimisht zhvillim vetëm duke kaluar natyrshëm nga një stad i procesit studimor në një tjetër. Në këtë mënyrë, etnomuzikologjia shqiptare do të mund të bëhet edhe një fushë diturore autoritare, brenda dhe jashtë vendit. /Telegrafi/

(Autori është profesor në Universitetin Winthrop, Karolinë e Jugut, SHBA)