LAJMI I FUNDIT:

Engjëll Berisha, artisti i idealeve

Engjëll Berisha, artisti i idealeve
Engjëll Berisha

Nga: Agim Zogaj (intervista me piktorin, intelektualin dhe atdhetarin Engjëll Berisha që ishte edhe ndër aktorët dhe regjisorët e parë të Kosovës, është botuar në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”, në vitin 2001)

Nuk është e thënë që me piktorët të bisedosh vetëm për pikturë dhe art. Kjo vlen edhe për bisedën që e zhvilluam me piktorin tonë të njohur, të urtin, të dashurin dhe mbi të gjitha atdhetarin e flakur, Engjëll Berisha. Po të bisedonim vetëm për art, lexuesi kurrë nuk do të dinte se piktori ynë i madh në moshën 13-vjeçare ishte bukëpjekës, se në moshën katërmuajshe kishte mbetur jetim, se më 1945 ishte gjykuar me grupin e atdhetares Marie Shllaku, se në vitet e shtatëdhjeta e kishin hapur dosjen e tij dhe e kanë larguar nga procesi mësimor …


Cila është biografia juaj?

Nëna dhe gjyshja na rritën në varfëri e mjerim

Nuk e kam të lehtë të kthehem në retrospektivën e jetës sime, në vitet e bukura të fëmijërisë edhe pse ishim të varfër; në vitet e shkollës, dhe në vitin 1942, kur për herë të parë u mishërova me brushën e piktorit. Me kënaqësi kujtoj pikturën e parë, kur pikturova rrugën e vendlindjes.

Kam lindur në Pejë para 75 vitesh [1926], në familjen Berisha. Babai Franë mua më ka lënë jetim katërmuajsh, kurse vëllain tim Kristën vetëm katërvjeçar në atë kohë. Na kanë rritur nëna Katarina dhe gjyshja Tereze. Ishin ato kohë të rënda. Nëna dhe gjyshja Tereze, duke punuar pëlhura në vek, na kanë rritur dhe na kanë mbajtur.

Ishim familje e varfër dhe fëmijë jetimë. Edhe sot, kur kujtohem për frymëzimet e mia të para, mendoj se ato kanë ardhur nga ato pamjet që kisha për nënën dhe gjyshen, pëlhurat e bardha, që i qëndisnin me mjeshtri të artit shqiptar. Në punimet e tyre, në pëlhurat që i punonin nëna dhe gjyshja ime Terezë, unë hetoja dhe ndjeja artin tonë kombëtar, në të cilin edhe u dashurova. Ende sot i kam në parafytyrim duart e plasaritura të nënës, e cila punonte deri në orët e vona të natës. I kujtoj ato ngjyra kombëtare që kanë lënë gjurmë të thella në shpirtin tim. Pastaj, edhe kur u bëra emër në pikturë, shpesh kam menduar dhe mendoj se nuk kam arritur të pikturoj tërë atë begati të artit tonë shqiptar që e shihja në pëlhurat e nënës dhe gjyshes. Vazhdoj ta kam ideal, edhe pse në moshë të shtyrë, që të pikturoj një vepër e cila do të pasqyrojë auteticitetin dhe shpirtin e artit tonë kombëtar.

Cilat janë ngjarjet kryesore nga ajo kohë, të cilat i kujton me nostalgji?

Pasi ishim familje e varfër, vëllai Kristë u regjistrua në gjimnazin e Pejës, kurse mua më ra hisja të punoj, që në moshën e fëmijërisë ta ushtroj zejen e bukëpjekësit. Atë kohë i kisha vetëm 13 vjeç. Punoja ditë e natë. Por, nga ajo punë pos që siguronim bukën, doli e mira, sepse nga flaka dhe tymi i votrës merrja një frymëzim për pikturë, për ndjenjën e artit. Kjo duket e çuditshme, por më vonë, kur u bëra mësues dhe fillova të pikturoj, zjarri dhe tymi i furrës më ngelën një frymëzim i pashuar. Fillimi i karrierës sime në pikturë, pikërisht ka për temë pamjet që i shihja në mëngjesin e hershëm, tek pjeknim bukë. Në vitin 1946 u bëra mësues fshati në Prapaqan të Deçanit.

Para se të bëheni mësues ju keni një episod interesant politik …?

U gjykova së bashku me Marie Shllakun

Po, në vitin 1945 u bëra anëtar i organizatës Balli Kombëtar, e cila atë kohë cilësohej si ilegale dhe “armiqësore”. Meqenëse unë dija të përdorja brushën, shokët e grupit më besuan ta punoja ballinën e revistës ilegale, e cila quhej Drita e Lirisë. Unë e bëra ballinën dhe po ashtu e pikturova edhe një vizatim për të cilin kisha pasur shumë telashe dhe maltretime nga UDB-ja. Në atë pikturë e kam vizatuar një serb me shajkaqë dhe një shqiptar me plis. Serbi shihej si ia mbante draprin në qafë shqiptarit dhe me dorën tjetër, me çekan, e qëllonte në kokë. Kjo simbolizonte gjendjen e shqiptarëve nën robërinë serbe.

Kush ishte në grupin tuaj dhe si e ke njohur Marie Shllakun?

Në grupin tonë ilegal, pra të Ballit Kombëtar, ishin Ramiz Kelmendi, Skënder Riza, Osman Basha, Shefqet Kelmendi, Kamber Pajaziti etj. Ky grup u burgos dhe në vitin 1946, pas gjashtë muaj arresti dhe hetimesh, ne të miturve na liruan. Ndërkohë janë ekzekutuar patriotja Marie Shllaku, Gjergj Martini, Kolë Parubi dhe Bernard Llupi. Në vitin 1945 kam pikturuar një pikturë me fytyrën e përgjakur të Marie Shllakut. Mirëpo, nuk kisha guxim ta quaja me emrin e vërtetë, por ia vura emrin Nora. Piktura qëndroi për gati gjysmë shekulli me emrin Nora, derisa erdhi kjo liri dhe tani ka emrin Marie Shllaku.

Si e ke njohur Marie Shllakun?

Kur ka ardhur në Kosovë, pra nga Shkodra, atdhetarja e devotshme Marie Shllaku është lidhur me Ballin Kombëtar dhe ka dalë në mal për të luftuar. Marien e kam njohur pasi kemi dalë në gjyq. Kujtoj sekuencat kur policia e solli të rraskapitur në sallën ku mbahej gjykimi i grupit tonë. Edhe në këtë çaste më kujtohen fjalët e Maries tek iu drejtua trupit gjykues: “Ju që po na dënoni jeni tradhtarët e kombit. Pse luftuam për lirinë e popullit tonë, pse luftuam kundër sundimit serb”? Maria mezi rrinte në këmbë. Policia e mbante për krahu, por nuk mposhtej nga guximi dhe trimëria që kishte. Ajo pamje nuk më hiqet nga sytë, as sot e njëqind vjet po të jetoj. Gjithnjë jam fascinuar dhe frymëzuar me idealin e saj të lartë dhe qëndrimin e pathyer atdhetar.

Rruga e juaj jetësore pas viteve të mësuesisë?

Dukagjini si shkollë

Fillimisht isha mësues në fshatin Prapaqan. Kurrë në jetën time nuk do ta harroj mikpritjen bujare të banorëve të fshatit. Kurrë nuk e harroj mikpritjen e Musë Krasniqit nga Prapaqani, i cili më dëshiroi mikpritje në odën e tij. Shumë vjet më vonë kam punuar një pikturë me motivet e odës së Prapaqanit ose më saktë të them, me motivet e odës se Musë Krasniqit. Në të kam pikturuar oxhakun e odës, i cili me flakën e tij na jepte optimizëm. E kam pikturuar edhe gjelin, i cili në oborrin e Krasniqëve vazhdimisht këndonte. Në Prapaqan, për herë të parë e kam dëgjuar gojëdhënën se aty ku këndon gjeli, aty kurrë nuk shuhet vatra. Prej Prapaqanit tri vjet tjera kam punuar mësues në Pejë. Ndërkohë, shkollimin e kam mbaruar me kurse pedagogjike, sepse ende punoja edhe si furrtar. Aty isha aktiv edhe në Shoqërinë kulturo-zbavitëse dhe bashkëpunoja me profesorin tim të nderuar Shahin Kryeziu. Shahini pikturonte edhe skenografinë e veprës së Molierit, ku unë shpesh së bashku me të edhe pikturoja. Po ashtu isha i angazhuar në disa role të veprave letrare. Kam luajtur në dramën Dredhitë e Shaptukut, ku kam lozur rolin e dashnorit, të Edmondit. Në të njëjtën dramë ka lozur edhe Atifete Krasniqi [motra e Ekrem Kryeziut]. Ndërkohë, në vitin 1949 më dërguan në Gjurakoc, ku jetova dhe punova si arsimtar i lëndës së artit figurativ në gjimnazin e ultë, plot nëntë vjet. Në këtë kohë kam punuar edhe nëpër kurset analfabetike, sepse analfabetizmi ishte në shkallë të madhe. Po ashtu, gjatë qëndrimit në Gjurakoc kam udhëhequr edhe disa pjesë teatrale. Veshja kombëtare e disa nxënësve më ka lënë përshtypje dhe më ka frymëzuar. Prej asaj kohe e bardha mbetet ngjyra dominante në pikturën time.

Prej nga kanë ardhur frymëzimet dhe ndikimet për të marrë rrugën e artistit?

Koncepti kryesor në pikturën time është femra shqiptare. Pamjet e grave shqiptare, nënave, motrave tona, në treg, në rrugë, në kulla, më kanë impresionuar, sidomos me veshjen e tyre kombëtare. Ai është frymëzimi im i parë dhe më i fuqishmi në jetën time artistike. Shkolla ime më e madhe nuk është ajo që e kam mbaruar me nota e me diploma. Përkundrazi, shkolla ime më e madhe është Dukagjini, ku edhe e mësova artin e dashurinë dhe fshehtësinë e pikturës.

Si do të dukej jeta e juaj po të mos ishe piktor?

Çka më pyeti udhëheqësi politik?

Më duket se kam lindur si piktor. Po e përsëris se kur isha fëmijë isha i magjepsur me pëlhurat që i qëndisnin nëna dhe gjyshja ime. Që nga ato ditë të fëmijërisë, apo t’i quaj të djalërisë sime, unë mbeta rob i bukurive të artit tonë kombëtar. Jam i lumtur që Perëndia ma ka dhuruar një talent dhe frymëzim artistik për pikturë. Derisa isha nxënës në Prizren shpesh shkoja dhe ulesha te Lidhja e Prizrenit dhe meditoja sikur po e shihja Abdyl Frashërin, Haxhi Ymer Prizrenin dhe udhëheqësit tjerë kombëtarë, të cilët na mësuan se si duhet atdheu dhe çfarë sakrifice duhet të bëjmë për lirinë e tij. Prej atyre ditëve të djalërisë, mu para Monumentit të Lidhjes së Prizrenit e obligova Engjullin, shpirtin tim që tërë jetën t’ia përkushtojë Lidhjes së Prizrenit, artit tonë kombëtar, idealit madhor për çlirim. Andaj, nga pikturat e mia më të dashura e veçoj pikturën e titulluar Guri i Bardhë të cilën ia kam kushtuar 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

Si ndodhi përjashtimi i juaj nga puna?

Në vitin 1977 e kam pikturuar Gurin e Bardhë dhe në një ekspozitë, pra një vit para 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, disa udhëheqës që vizituan ekspozitën më pyeten se çfarë kam dashur të them me atë pikturë. Unë u përgjigja se motivi dhe qëllimi është shumë i qartë, pra se simbolizon 100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Udhëheqësi i atëhershëm më tha: “Shoku piktor, sivjet nuk është përvjetori i Lidhjes së Prizrenit”. Atëherë iu drejtova: “Po sikur të vdisja, atëherë do më mbetej në shpirt pse nuk e kam punuar këtë pikturë për ta nderuar Lidhjen e Prizrenit. Sikur të vdisja e të mos leja asgjë kujtim për këtë ngjarje historike do të ishte turp për tërë krijimtarinë time dhe idealin kombëtar”. Udhëheqësit nuk i erdh mirë ajo që thash, u zverdh. Një vit para kësaj ekspozite partia më përjashtoi nga detyra e profesorit të artit figurativ nga Normalja e Prishtinës. Si duket dosja ime policore, pra e kohës kur isha arrestuar si anëtar i Ballit Kombëtar, i ra në duar drejtorit dhe çështja ime u riaktualizua. Preteksti ishte se unë nuk guxoja ta edukoja brezin e ri. Në këtë kontekst do të përmendi vitin 1972, kur edhe pse me probleme politike, me ndihmën e Ismail Bajrës – drejtor – dhe Rexhep Zogajt – kryeredaktor i Rilindjes – Ndërmarrja Botuese Grafike “Rilindja” organizoi, nën patronatin e saj, ekspozitën time në Galerinë e Teatrit të atëhershëm Krahinor në Prishtinë. Ky akt për mua ishte mirënjohja më e madhe që më bëhej.

Çfarë ndodhi me ju pas anatemimit politik?

Thirrja e Pajazit Nushit

Atë kohë ishte rrezik kur përjashtohej dikush nga puna për shkaqe politike. Mbeta gjashtë muaj pa punë dhe pa rrogë. Njerëzit, një numër i tyre, rrudheshin të më flisnin dhe të më takonin. U bëra një lloj disidenti politik, një farë “armiku” i popullit. Megjithatë, dashuria për artin dhe marrja me pikturë m’i zbuste dhembjet e kohës. Ndërkohë, Pajazit Nushi, nënkryetar i atëhershëm i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, më ftoi në zyrë dhe më pyeti se si ka ndodhur e tërë situata. Atij i shpjegova fije për pe dhe pas një kohe më inkuadruan në Entin për Mbrojtjen e Përmendoreve, me detyrë ta hapja Galerinë në Prishtinë. Galerinë e hapa pas dy vjetësh, në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve. Aty kam punuar nëntë vjet, deri në pensionim.

Në jetën tuaj artistike me siguri keni pasur edhe çaste të lumtura. A do të veçoni ndonjë prej tyre?

T’u them të drejtën në plan të parë do ta veçoja hapjen e ekspozitës në vitin 1972, për të cilën fola më lart. Gjithashtu edhe një numër jo të vogël të shpërblimeve, të cilat kanë verifikuar se isha dhe jam në rrugë të mirë.

Cila është filozofia e juaj e jetës?

Kjo është pyetje paksa më e komplikuar, por do të thosha se njeriu kur i kthehet vetvetes, i kthehet edhe të kaluarës së kombit dhe në këtë retrospektivë gjurmon rrënjët e veta. Edhe filozofia e jetës sime ishte dhe mbeti që nëpërmjet artit, pikturës, t’u kthehem rrënjëve, trungut të të parëve. Filozofia ime jetësore është që gjithnjë të kemi besim në trungun ilir.

Cilët janë miqtë tuaj më të mirë?

Miku më i afërt i imi është brusha, prandaj shpesh e recitoj vargun tim: “Brusha, me zemër pikturon këngën e vet”. Filozofia ime jetësore është e lidhur ngushtë me femrën shqiptare. Dhe, sa herë që pikturoj më shkon mendja tek Teuta, Tringa, Nora, Shote Galica, Marie Shllaku, e tash kohëve të fundit për shumë femra martire shqiptare, që kanë rënë për ditën të cilën po e gëzojmë. Idealet e larta kombëtare për këtë liri që e kemi, gjithnjë më kanë preokupuar, andaj kam pasur dëshirë që në vitin 2000 ta pikturoj veprën me titullin Dielli i bardhë. Duke pikturuar këtë vepër, me dritën e qiririt, më ka lindur ky varg: “Dielli lindi lirinë, zemra e Engjullit u zdrit. Dardanët e përgjakur u ringjallën. Dielli u zbardh përjetë! …”

Gjatë tërë luftës ishit në Prishtinë…?

Lumturinë e gjej kudo

Kam qëndruar pranë dheut të të parëve, kam qëndruar në Kosovën tonë. U kam mbetur besnik amaneteve të prindërve, idealeve për flamurin e Arbrit. Qëndrova pranë veprave të mia. Një ditë, duke ecur nëpër qendër të qytet, një mercedes i zi i mbushur me pushtues e me vrasës me fërfëlloi dhe më hodhi në trotuar. Këmbën ma thyen dhe pësova lëndime. Por, me kujdesin e madh të dr. Bedri Bakallit, e shihni se edhe tani me këtë bastun po eci. Ditëve dhe netëve të luftës qëndroja në studion time. Pikturoja dhe isha i bindur se liria është afër. Një ditë barbarët erdhën e trokitën në derën e studios sime. Unë heshtja. Ata provuan ta hapin derën, por nuk mundën dhe ikën. Nuk kam mundur të ndahem nga pikturat. Ato ishin jeta ime. Po t’i lija pikturat, do ta lija shpirtin tim, jetën dhe krijimtarinë, e cila lidhet me historinë e kombit tonë. Gjatë luftës ka lindur piktura me titull Dardanja me krahët e shqiponjës, të cilën ia kam dhuruar Flora Brovinës.

Si po e përjetoni lirinë e Kosovës?

Po me brengosin shumë gjëra. Mileniumi i ri është ringjallje e kombit shqiptar, ndërkaq mosmarrëveshjet e bajraktarëve shqiptarë na dëmtojnë. E ardhmja jonë është e ndritur, dielli ynë i bardhë kurrë më nuk ka me u nxi. Por, duhet të jemi të vëmendshëm. Kombi ynë e ka plisin e bardhë, i cili duhet të jetë udhërrëfim për të ardhmen. Prandaj, jeta jonë duhet të jetë e bardhë. Në këtë kuptim, unë kam shpresë në brezin e sotëm …

Keni kaluar 75 vjet jetë aktive. A jeni i lumtur ?

Lumturinë e gjej edhe në sekuencat e thjeshta të jetës. Jam i lumtur për lirinë e Kosovës. Jam i lumtur që e shoh popullin tek ec shtigjeve të jetës së bardhë. Jam i lumtur kur fëmijët më shohin duke u ngjitur në këmbë e me bastun në katin e tetë dhe më pyesin: “Xhaxhi Engjëll a u lodhe? A të ndihmojmë të ngjitesh shkallëve”?

Ndoshta, do të isha edhe më i lumtur po të kuptoja se në këtë jetë kam bërë sadopak për kombin tim. Kam dëshirë t’i punoj edhe nja 100 piktura. Andaj, e lus Zotin të më japë shëndet dhe jetë për këtë ideal. Krejt çka kam krijuar e kam pasur obligim para kombit tim. Por, fakti se ne po bisedojmë për jetën time, e cila është në perëndim të saj, tregon se unë nuk jam harruar. Pse të mos gjej lumturi edhe në këtë fakt.

Pse ditën kur u morëm vesh për bisedë më the: “Le këtë bisedë. Kur të vdes, shkruaj për mua”?

Pse nuk i frikohem vdekjes?

Jo rrallë in memoriami është dëshmi për të vërtetuar se një personalitet është ende gjallë me veprat e tij dhe se ai është udhërrëfim për brezat e rinj. Ndoshta ju keni të drejtë që insistoni se shkrimet më të mira për një personalitet janë ato derisa ai të jetë i gjallë. Por, vërtet, edhe kur unë të vdes, shpresoj se do të shkruani mirë. Mirëpo, le ta dinë njerëzit se unë gjithnjë kam qenë i ndjekur, se nuk e kam pasur jetën e lehtë …

Dëshiroj që të më mbaj shëndeti e të pikturoj një vepër me motivin e Mollës së kuqe, por nuk di si do të ecin punët, sepse jeta ime është në perëndim …

Ju nuk jeni përjashtim nga artistët dhe mendimtarët humanistë. Pra, jeni me intuitë filozofike?

Kalova kaq shumë vjet jete dhe ende nuk po e kuptoj këtë Engjëllin, që fshihet në brendinë e shpirtit tim. Dhe, më duket se edhe në këtë moshë ai vazhdon të mbetet misterioz. Tani është vonë, tepër vonë ta njoh edhe unë Engjëll Berishën e vërtetë, i cili megjithatë është shkrirë në pikturën e vet, në pëlhurat e pikturave. Dhe, nëse e kërkoni të vërtetën për jetën, shpirtin dhe filozofinë time, atëherë atë kërkojeni tek pikturat e mia të dashura, e jo tek unë.

Megjithatë jam i shtrënguar t’u pyes: A i frikoheni vdekjes?

Jo, aspak. Vitin e kaluar kur isha në “Takimet e Gjeçovit” në Zym, i frymëzuar nga vizita që i bëra varrit të Atë Gjeçovit, të Anton Pashkut e të Katarina Josipit, disa krijuesve dhe vendasve u thash: “Kisha pasur dëshirë që trupi im të pushojë në kodrën e fshatit”! Pra, nuk i frikësohem vdekjes, sepse e di fare mirë që Engjëlli rrezaton me Medaljonet e Prizrenit, në Nju-Jork, Paris, Nju-Delhi, Romë, Tiranë, Prishtinë, atje ku i kam ekspozuar pikturat e mia, atje ku ka mbetur nga një copë e shpirtit tim shqiptar. Unë e kam lënë një gur në thesarin e kombit tonë. /Telegrafi/