LAJMI I FUNDIT:

Dy amerikanë që na donin me shpirt

Dy amerikanë që na donin me shpirt

Nga: Miho Gjini

Duke lexuar dy monografi të shkruara nga ish-Ambasadori shqiptar ne Britaninë e Madhe dhe Irlandë, Mal Berisha, njëra për misionarin Erickson dhe tjetra për diplomatin Berstein, për jetën e punën e tyre të jashtëzakonshme si diplomatë të dërguar nga kontinenti i largët, në periudhat më të vështira të popullit tonë, bindesh menjëherë se Amerika ishte dhe mbeti miku ynë më i madh e më i vyer, përsa i përket ekzistencës si komb, lirisë e pavarësisë.


Ne njihemi kështu me Charles Telford Erickson (1867-1966) që shërbeu 30 vjet në Shqipëri dhe Herman Bernstein (1876-1935) që shërbeu në Shqipëri në kohën e Mbretërisë së Zogut, më 1930-1933.

Ericksoni qysh kur erdhi në Korçë, më 8 shtator 1908, nga ana e Manastirit, kishte thirrur: “Tu ngjatë jeta Shqipëri!”, pasi kishte udhëtuar me det, me tokë, me makina të tipit të vjetër, me karroca e me kuaj dhe do të mbetej këtu për 32 vjet me radhë, i dashuruar me këtë vend, me popullin e saj, me privacionet e luftërat, me gjithçka që ishte shqiptare, duke lënë këtu edhe shpirtin e vet. Bëmat e tij janë të jashtëzakonshme, sikundër edhe vuajtjet, bashkë me familjen, në çdo cep të Shqipërisë, për të shpërndarë dritë, arsim e fanarët e lirisë.

E, do të mbetej një vepër kryesisht e tij: Shkolla Bujqësore e Kavajës (për djem e vajza), e themeluar ne vitin 1923, si një nga monumentet e para të arsimit profesional tonin në nxjerrjen e bujqësisë nga prapambetja e trashëguar. “Këtu”, i shkruante ai një miku te tij në Amerikë, “ka një egërsi dhe një liri që na rrethon, e cila e bën këtë vend të ndryshëm nga krejt bota tjetër, e veçanërisht nga jeta konvecionale në atdheun tonë”. Rrallë mund të ketë ndodhur që udhëtarë të huaj, turistë, njerëz gjithfarësh të të gjitha sferave, të jenë shprehur në trajta superlative për vendin tonë të rraskapitur nga luftërat e pandërprera, në krahasim me atdheun e tyre! Dhe që, më pastaj, ta ndanin jetën e tyre, kafshatën e bukës, vuajtjet, ëndrrat dhe vdekjen me popullin tonë e të bëheshin shqiptarë deri në palcën e trupit! Se Ericksoni ngjan me një personazh tragjik, pasi pranoi të njëjtat rrethana dramatike të njësuara me ne, përballë lakmive turke, serbe, malazeze, italiane e greke, duke provuar edhe torturën, burgimin, sëmundjet, vdekjen e të birit e arratisjen në mal, marrosjen e së shoqes nga kushtet e vështira të jetesës e sa e sa të tjera.

Dhe, kur diplomatët e vendit të tij kërkonin mbrojtjen e personalitetit të tij si qytetar amerikan, do të merrnin këtë përgjigje nga autoritetet turke: “Ai është shqiptar, flet e vuan si shqiptar”! E do të jetë deri në fund të jetës së tij si i tillë, një amerikano-shqiptar që hyjnizon shpirtin, virtytet, krenarinë e sakrificat e shenjtëruara të shqiptarëve si komb. Ky burrë stoik si qëmoti, i paepur si karakter, është dekoruar në vitin 1931 me “Urdhrin e Skënderbeut” dhe qe mik nderi i Mbretit Zog, qe delegati zyrtar i “Vatrës” në Amerikë në Konferencën e San Franciskos në vitin 1945, shkroi pesë vepra për Shqipërinë me titull “Shqipëria – Enigma e Ballkanit” dhe, kur do të largohej për në “botën tjetër”, patrioti shqiptaro-amerikan Qerim Panariti do të shkruante: “Ericksoni ishte një burrë gjenial, i shumanshëm, predikues, misionar, diplomat, edukator dhe poet, i cili ia kushtoi jetën Shqipërisë dhe popullit të saj nga errësira mesjetare”.

Herman Bernstein ishte personaliteti tjetër i shquar që dërgoi Amerika në ditë të vështira për Shqipërinë, kur gjitonët e fuqi të tjera më të mëdha “donin ta shqyenin e copëtonin” nga faqja e dheut e do të mbetet si Ambasadori më I shquar i ShBA ne vendin tonë I cili shërbeu nga viti 1930-1933. Hebre nga origjina, i lindur në Lituani dhe i natyralizuar si shtetas amerikan, ai zotëronte shtatë gjuhë të huaja, ishte shkrimtar, poet e kritik letrar, autor i 14 veprave origjinale dhe i shumë studimeve për Tolstoin, Çehovin, Andrejevin, Shoun dhe, mbi të gjitha të tjerat, mik i afërt i tre presidentëve amerikanë dhe i shkencëtarit më të shquar të botës në kohën e tij, Albert Ajnshtajn. Ai përktheu nga gjermanishtja në anglisht dramën e Aleksandër Moisiut “I burgosuri” kushtuar Napoleon Bonapartit për të përmendur vetëm disa prej veprave të tij. Ai vërtetë ndenji në këtë truall tre vite, por ato mbetën në kujtesë sa për tre shekuj të tërë!

Kur Ericksoni do të themelonte Shkollën Bujqësore të Kavajës, ishte pikërisht Bernstein ai që do të përshëndeste këtë ngjarje të madhe për arsimin tonë. Ai do të bëhej mik i afërt i Mbretit Zog e do të jetonte, punonte e do të shkruante për të studimin më adekuat, do të lidhej menjëherë me personalitete të tjera të Shqipërisë, si At Gjergj Fishtën, Nolin, Konicën, Lef Nosin e do të kishte korrespondencë të vazhdueshme me Aleksandër Moisiun. Do të gëzonte edhe ai prej Mbretit Zog “Urdhrin e Skënderbeut”. Kemi prej tij një studim të thelluar për Skënderbeun, një dramë origjinale të përkthyer të Moisiut dhe bëhet avokat i madh i popullit tonë në shumë forume ndërkombëtare. Autori shkruan se Bernstein “ishte njeri universal…dhe se emri i tij u fsheh për 46 vjet të sundimit të egër komunist në Shqipëri, por ai përfaqesoi këtu popullin amerikan e personalisht miqësinë e pakursyer të tre presidentëve të shquar amerikanë: Roosvelt, Wilson e Hoover, të cliët ishin edhe miqtë e tij personal”.

Që të dy këta njerëz te mrekullueshëm bënë rrugëtime të pafundme nëpër Shqipëri, udhë e pa udhë, në mot të keq të natyrës e të politikës, ditën e natën, si dy martirë që si tremb as vdekja, ngado që vinte ajo. Ericksoni njohu edhe “udhën universale të zemrave të shqiptarëve”, po edhe vuajtjet e kolerës. E merrte udhën edhe i vetëm, me këmbë, kur papritur shqiptari i ofronte edhe kalin e vetëm që të udhëtonte i qetë, rrugë e pa rrugë. E kur do t’i vdesë fëmija nga e njëjta sëmundje e mallkuar, do t’i vinte për ta ngushëlluar i gjithë qyteti i Elbasanit, për t’i lehtësuar dhimbjen.

Bernsteini, që ishte edhe shkrimtar, sodiste me kërshëri rrugicat e Tiranës, endej nëpër pazarin e vjetër e vajti me këmbë deri ne Shijon, nga Rruga e Qafë-Krrabës, për të dëgjuar një meshë në Kishën e Shën Gjon Vladimirit. “Kam patur kënaqësinë”, shkruante ai, “të udhëtoj shumë në vendin tuaj të bukur dhe kam parë me sytë e mi edhe gëzimin, edhe keqardhjen. Kam parë njerëz të padjallëzuar, të thjeshtë, shumë punëtorë, paqësorë, dashamirës dhe të këndshëm, të pajisur me tipare dhe karaktere fisnike….” Bernsteini do të ndjejë edhe fisnikërinë shqiptare në mbrojtje të njerëzve të besimit të vet, të atyre hebrenjve që po persekutoheshin barbarisht nëpër Evropë, por që gjetën strehë e mbrojtje në vendin tonë… Prania e këtij diplomati amerikan me prejardhje hebraike është akoma një dëshmi e bujarisë shqiptare, kur profesor Scarlet Epstein, edhe ajo hebreje, shkruante se: “Unë jam gjallë në sajë të bujarisë shqiptare”.

Që të dy këta emisarë të lirisë kishin të njëjtin ideal në kohë krejt të ndryshme: se shqiptarizma mund të fuqizohet, brenda e jashtë këtij trualli, përmes përhapjes së dijes dhe shkollës shqipe, kundër errësirës, prapambetjes feudale e përçarjeve të huaja, duke sensibilizuar kudo forcat progresive në Shqipëri e kudo në botë. Ericksoni njihej e forcon miqësinë me Lef Nosin e Gjon Koliakën në Elbasan e Kavajë, me motrat Sevasti e Parashqevi Qirjazi në Korçë, me Kristo Dakon në Durrës dhe me Luigj Gurakuqin e Sotir Pecin e sapo kthyer nga jashtë. Qysh në vitin 1911, Ericksoni kërkonte që të vendosej gjuha shqipe si gjuhë zyrtare në vilajetet e Shkodrës, Kosovës, Manastirit e Janinës, “te cilat”, nënvizonte ai, “përbëheshin në shumicën absolute nga shqiptarë…”. Të njëjtat ideale do të vazhdonte të forconte 20 e ca vite më mbrapa në Shqipëri e jashtë saj, duke vendosur po në të njëjtin rrafsh Amerikën, Izraelin dhe Shqipërinë, shpirtërisht e politikisht, gjë për të cilën do ta anatemonin ashpër qarqet e huaja fashiste se “po i tejkalonte kufijtë e punës së një ambasadori!…

Dhe kështu, që të dy këta amerikanë do të ndesheshin me çështjen më paradoksale të të gjitha kohërave, se vendi më i lashtë i Evropës do të qëndronte artificialisht jashtë saj! Një absurditet që do t’ia kalonte çdo hamendje e që do të vazhdonte artificialisht deri në ditët e sotme… Ishte ky Erickson, që në vitin 1913, në një gazetë londineze do të shkruante se si “një popull superior, ishte paraqitur mbrapsht në mënyrën më të qëllimshme dhe të padrejtë në pjesën tjetër të Evropës”, duke u shprehur më tej kundra Traktatit të Fshehtë të Londrës. Së toku edhe me Zonjën Edith Durham, do t’i përkushtoheshin çështjes shqiptare kundër pretendimeve territoriale të serbëve, bullgarëve, malazezëve, grekëve, italianëve etj. dhe propagandës së tyre shoviniste se “shqiptarët janë gjysme të egër” duke u thënë atyre me zë të lartë e të fortë se kanë të bëjnë me një popull të qetë e të mrekullueshëm të cilët “i kanë dhënë përherë individualitete të shkëlqyera Greqisë së Lashtë e asaj moderne, Perandorisë Bizantine dhe asaj Osmane…” ( Hequate), si edhe Romës, Spanjës, Gjermanisë e me tej. Dijetarë të huaj kanë nënvizuar enkas se “Shqiptari është një aristokrat, një njeri i lirisë dhe fisnik” ( Rene Pinon), “jashtë ata janë luftëtarët e paepur të Aleksandrit, të Pirros, Dioklecianit, Skënderbeut….” (Historie de Turke, Lavalle). Me cilësinë e një studiuesi të mirëfilltë, të një publicisti të shquar e të një diplomati energjik, Bernsteini, pasi e shkeli me këmbë tokën shqiptare, pasi njohu mirë historinë e lashtë e të re, si edhe shpirtin e këtyre njerëzve, e quan Shqipërinë “tokë të panjohur evropiane… cep i fundit i pazbuluar i Evropës Juglindore… i banuar prej një race të lashtë e të guximshme… me toleranca fetare… një popull tragjik, por një racë heroike… tokë e harruar e Evropës!”

Po ky ambasador, nëpërmjet hulumtimeve të diplomatit tonë Mal Berisha, do të sjellë përpara opinionit publik shqiptar e atij botëror edhe qëndrimin e Mbretit Zog ndaj kësaj çështjeje të përjetshme, me intonacione teatrale absurde se, që më 17 korrik te vitit 1930, ai do të deklarohej “për një bashkim shteti evropian (që) vështirë se mund ta merrnin si çështje serioze… (dhe që) për një kohë të gjatë do të mbetet veçse një ëndërr, një ideal i largët!”

Dhe, historia zhgënjyese me Evropën do te zgjaste për më shumë se një shekull, si një ëndërr e mirë dhe e keqe bashkë… Mandej kishte edhe sharje të renda për të, me fjale që “si ngre kandari”. Por, vete populli do t’ia merrte një kënge tjetër: “Mbahu nëno, mos ki frike, se ke djemtë n’Amerike”! Prandaj, amerikani Erickson, qe e nuhati këtë pune qe më 1908, “jepte e merrte” me Amerikën jo vetëm me bijtë e Shqipërisë atje, po edhe me qeveritarët e atjeshëm deri tek presidentet e saj. Po kështu beri edhe amerikani tjetër Bernstein qe “s’la gur pa lëvizur” që Shqipëria të mos kolonizohej.

Kundër idesë se shqiptaret “ janë dele pa çoban” dhe rrezikut të copëtimit të mëtejshëm, me një shtet të pavarur, ata këmbëngulnin e kërkonin pranë kancelarisë së vendit të tyre të madh për ta shpëtuar Shqipërinë nga kaosi, para e pas luftërave ballkanike e botërore. Nëpër faqet e këtyre librave do të gjenden episode rrëqethëse, kur fati i vendit tonë do të “varej në fije të perit”, por që do të shfaqej në horizont një president amerikan, i cili më 1919, si Wilson, do të thoshte në Konferencën e Paqes në Paris: ”Të bëjmë një luftë për t’i dhënë fund luftës”! Dhe, kur Ai do te mësonte prej mikut e të dërguarit te tij në Shqipëri se çfarë po ndodhte aty, për ta “shqyer si qentë”, do të thoshte botërisht: “As une, as populli amerikan, kurrë nuk do te pranojmë që populli shqiptar, i cili ka luftuar dymijë vjet për lirinë e tij, të sakrifikohet për hir të ambicieve politike të fqinjëve të vet”.

E do te ishte po ky Erickson qe do të përfaqësonte Shqipërinë më 1920, si i deleguar i shtetit shqiptar në ShBA. Ai do të bënte gjithçka që Shqipëria të njihej në mbarë botën, për t’u kthyer dy vite më pas si diplomat amerikan në Shqipëri. Po edhe pas Luftës së Dyte Botërore, më 1945, Ericksoni, si të ishte tashmë një shqiptar i vërtetë, do të përfaqësonte “Vatrën” në Konferencën e San Franciskos, për të thënë përsëri me zë të larte: “Shqipëria e përgjakur dhe e shkatërruar nga lufta është lënë jashtë derës”!

Diplomati i dytë amerikan, Bernstein, edhe pse nuk qëndroi më tepër së tre vite në Shqipëri, intensiteti i veprimtarive të tij jashtë saj vazhdoi ngado e kudo ku i shkonte fjala, deri sa dha frymën e fundit. Një gazetar i asaj kohe shkruante se “prapa emrit te Bernstenit fshihet e gjithë Amerika”. Ai ishte, sikundër shprehet autori i këtyre librave, “një avokat i madh i vendit tonë të vogël”. Dhe, fjalën e tij do ta dëgjonin e vlerësonin të tre miqtë e tij më me vlerë, në kohë të ndryshme, presidentët Theodore Roosvelt, Woodrow Wilson dhe Herbert Hoover.

Nuk kisha lexuar më pare libra te tillë, të cilët qëndrojnë bukur midis letërsisë e publicistikës e ku, si politika bashkëkohore, ashtu edhe diplomacia thuajse “burojnë” pastër, bindshëm, në trajtat më tërheqëse dhe me kompetencën që ka vlera e diplomacisë dhe e politikës. Ndofta është hulumtimi i thelluar dhe i shumanshëm i dokumentacioneve arkivore, ndofta vërtetësia e forca bindëse e figurave që përshkruan në korrelacion me kohën, po edhe stili i të shprehurit gjuhësor, larg frazeologjisë stereotipe. Po janë edhe libra krejt te ndryshëm: Ai per Ericksonin i ngjan më tepër një romani, ku figura kryesore ka pamjen e një heroi origjinal që niset për të vuajtur midis një populli, sa të varfër, aq edhe luftarak, duke u shndërruar vetiu në një personazh tragjik, bile në një hero të dimensioneve të mëdha, me shpirt të madh e stoik, që del nga vetia e u përket të gjithëve, të gjithëve. Ndërsa libri për Bernstenin është i ndarë në dy pjesë dhe ku fryma letrare do t’ia lë vendin analizave të diplomacisë e të politikës, brenda e jashtë…

Autori Mal Berisha, është këtu brenda fushës së tij të diplomacisë, po është edhe brenda vetes, si njeri, duke shprehur kështu harmoninë e këtyre njerëzve që dalin edhe jashtë kohës së tyre, për vlerat gjeniale, të të dy popujve miq, të Amerikës e të Shqipërisë, duke rezonuar njësoj. Dhe, për të arritur deri këtu i duhej të bëhej edhe një “rrëmihes” i pashoq i arshivave të Londrës, Uashingtonit e Nju-Jorkut, te Ankarasë e të Stambollit, duke gjurmuar jetën e veprimtarinë e këtyre dy amerikanëve të shquar, burra shteti dinjitozë, ministra të devotshëm, njëherësh shkrimtarë e poetë, përkushtimi e dashuria e të cilëve ndërthuret midis vendasve ku bujtën dhe shtetit të tyre të madh.