LAJMI I FUNDIT:

Drejtori i FAN-it ua shkëput kontratat e punës 15 grevistëve

Drejtori i FAN-it ua shkëput kontratat e punës 15 grevistëve

Drejtori i Fabrikës së Armaturës së Ndërtimtarisë (FAN), Agim Deshishku, ka marrë vendim për shkëputjen e kontratave të punës për 15 punëtorë grevistë, të cilët qe mbi një muaj janë duke kërkuar përmirësimin e kushteve. Arsyeja e shkëputjes së kontratave, sipas drejtorit të FAN-it, ka qenë bojkotimi i punës.

Deshishku thotë se kanë filluar me këta 15 punëtorë, duke vlerësuar se janë organizatorët e grevës. Ndërsa, ka paralajmëruar se do të vazhdojnë edhe me të tjerët nëse nuk paraqiten në punë. “Ne do të presim edhe tri ditë dhe nëse nuk paraqiten në punë do t’ua shkëpusim kontratat edhe të tjerëve. Ne jemi duke vepruar sipas ligjit”, tha Agim Deshishku.

Vendimet për shkëputjen e kontratave për 15 punëtorët e FAN-it, sipas njoftimit që u është shpërndarë punëtorëve, ka hyrë në fuqi në momentin e dorëzimit te palët, që i bie para 3-4 ditësh, shkruan Koha Ditore.

Zëdhënësi i Këshillit Grevist, Fatmir Duriqi, ka thënë se inspektorët e punës i kanë kërkuar drejtorit të FAN-it që të anulojë këto vendime dhe të ndërpresë dhënien e vendimeve të tjera. “Kanë qenë inspektorë të punës prej Prishtinës, të cilët pronarit të fabrikës ia kanë shqiptuar një gjobë mbi 2 mijë euro për shkak se i janë gjetur punëtorë të rinj pa kontrata dhe pa asnjë dokument. Po ashtu ia kanë lënë edhe një shkresë për anulimin e vendimeve për shkëputje të kontratave dhe po ashtu i është kërkuar që të mos shpërndajë vendime tjera, pasi pronari ka thënë se deri të premten do t’ua shpërndajë vendimet për shkëputje të kontratave të gjithë punëtorëve grevistë”, është shprehur Duriqi.


Mbi 40 punëtorët e pakënaqur me kushtet e punës në Fabrikën e Armaturave të Ndërtimtarisë kanë filluar t’i shfaqin pakënaqësitë e tyre që prej 18 prillit, në fillim me protestë e pastaj edhe me grevë, ndërsa kanë kërcënuar se do të hyjnë edhe në grevë urie nëse nuk u kthehet borxhi që pretendojnë se ua ka pronari, rritjen e pagave, vazhdimin e kontratave për 3 vjet, t’u paguhet trusti pensional. /Telegrafi/