LAJMI I FUNDIT:

Dom Shtjefën Kurti, Shindleri shqiptar

Dom Shtjefën Kurti, Shindleri shqiptar

Oskar Schindler, një industrialist gjerman dhe anëtar i partisë naziste, përpiqet të shpëtojë punonjësit e tij hebrenj kur kupton se po persekutohen në Poloni. Me regji të Steven Speilbergut dhe me interpretim nga Liam Neeson, Ben Kingsley, e Ralph Fiennes, “Lista e Shindlerit” fitoi disa çmime të mëdha kinematokgrafike, duke e kthyer titullin e filmit në një term referimi. Nën titullin “Arka e Shindlerit”, që krijon asosacion me arkën e Noes, më 1982 erdhi si vepër e novelistit australian Thomas Keneally që e bëri autorin fitues të Man Booker Prize.

Por, mes individëve të kombeve të mëdha që dhanë shembuj të tejkalimit të frikës për të shpëtuar njeriun nga njeriu, shqiptarët dhe kombi i tyre kanë një vend të dukshëm për shpëtimin e hebrenjve. Në “Yad Vashem” (Qendra Botërore Përkujtimore e Holokaustit – WHRC), emrat e 75 shqiptarëve shquhen qartë, shumë syresh familje myslimane nga Shqipëria e Kosova që u rreshtuan mes mbrojtësve të izraelitëve pa atdhe. Rrëfimet e shqiptarëve flasin për hebrenj të veshur si fshatarë që të dukeshin sa më shumë shqiptarë të qe e mundur në sytë hetues të gjermanëve. Kujtojmë mes tyre edhe klerikun mysliman Nuro Hoxha që strehoi një familje hebreje me 12 anëtarë.


Edhe vetë Shqipëria ka nderuar ata që strehuan hebrenj, si familjet: Balla, Biçaku, Boriçi, Budo, Çiftja, Frashëri, Hoti, Hoxha, Nuro Hoxha, Kadiu, Kasapi, Kilica, Kocerri, Lekatari, Dulaj, Myrto, Nosi, Orgocka, Panariti, Pilku, Qoqja, Rezniqi, Ruli, Sharri, Sheko, Pashkaj, Shkurti, Shpuza, Toptani, Veseli, Xhyheri, Zyma etj.

E, mes emrave që i strehuan për t’i shpëtuar, me rastin e Krishtlindjes sjellim nga arkivi i shtetit “listën e Shnidlerit shqiptar”, Dom Shtjefën Kurtit, priftit që “pagëzoi” me ‘letra’ dhjetëra hebrenj. Thënë kjo, ata nuk ndiqnin katekizmin me javë të tëra dhe gjithë liturgjinë kishtare që të konvertoheshin në katolikë, ‘pagëzimi” i tyre nuk bëhej në kishë me ritual – pagëzimi i tyre ishte formal dhe vetëm me dokumente. Përmes kësaj, Dom Shtjefni mundësonte që ata të ndërronin emrin dhe të pajiseshin në kohë rekord me dokumente shqiptare, duke e bërë të pamundur identifikimin e tyre si hebrenj. Studiues të ndryshëm të kohës, që janë marrë me dosjet e viteve 1940, thonë se Dom Shtjefni i bëri këto pagëzime me nismën e tij dhe në ‘tejkalim’ të riteve e afateve kohore të tyre.

Mes dosjeve të shumta të fondit “Arqipeshkvia Durrës-Tiranë, famullia e kishës katolike, Tiranë” në Arkivin Shtetëror ka dokumente që mbajnë firmën e Dom Shtjefnit, ku shkruhet se “disa hebrenj të ardhur në Tiranë kërkonin, nëpërmjet procedurave liturgjike, ndërrimin e fesë së tyre hebraike në katolike”. E, famullitari i saj, Dom Shtjefën Kurti, siç rezulton nga dokumentet, duke thyer të gjitha afatet procedurale mjaft të ngurta të konvertimit fetar, u hiqte pasaportën hebraike hebrenjve duke i pajisur ata me “pasaportë” katolike?

Kërkesa dhe marrja e përgjigjes brenda ditës, tregon për një nxitim të panatyrshëm të një prifti për të pagëzuar dhe njëherësh për tu dhënë emra të rinj. Letrat duhet të jenë dërguar e marrë dorazi në ato ditë pushtimi, çka përndryshe, edhe sot në kohë paqeje, posta do të paktën dy ditë pëe letërkëmbime brenda Tiranës. Studiuesi Eraldi Kapri tha për këto dokumente se Dom Shtjefni “nuk organizonte pagëzim publik. U dërgonte letër autoriteteve që filanin e pagëzova, ka këtë emër”. Ai gjykon që ishte pagëzim i rremë. “Në këtë mënyrë edhe hebrenjtë ishin të kënaqur sepse nuk tradhëtonin fenë e tyre, besimin e tyre vetëm ngaqë kishin nevojë për dokumente”, thotë Kapri.

Ende nuk kemi një liste të plotë të të ‘pagëzuarve’ të Dom Shtjefnit. Nëse studiuesit do të kërkonin mes arkivave, prej tyre do të dilte lista e “Shnidlerit” shqiptar, që vite më vonë u ekzekutua e është ende sot pa varr, sepse pagëzoi një foshnje. /GSh/