LAJMI I FUNDIT:

Dhjetë vjet me Bankën Ekonomike

Dhjetë vjet me Bankën Ekonomike

Banka Ekonomike si bankë me kapital 100 për qind vendor, këtë vit shënon dhjetë vjetorin e themelimit me një emër të njohur në tregun kosovar. Gjatë kësaj periudhe të operimit të saj ka krijuar reputacion të lartë dhe ka treguar seriozitet dhe stabilitet. Banka Ekonomike është bankë e suksesshme, duke ofruar shërbim profesional dhe duke aplikuar një mënyrë të hapur të komunikimit me klientët.

Gjatë vitit 2010, Banka Ekonomike ka lansuar një varg të produkteve dhe shërbimeve si: E-banking, SMS-banking si dhe lansimin e kartelave ndërkombëtare VISA dhe MasterCard. Kur jemi tek kartelat mund te themi se Banka Ekonomike është lidere në treg me llojllojshmerinë e kartelave te ofruara, duke pasur parasysh se ofron edhe kartelat prestigjoze AMERICAN EXPRESS.

Po ashtu, gjatë vitit 2010, Banka Ekonomike ka qenë mjaftë aktive edhe me fushata të ndryshme, ku klientëve i’u janë ofruar oferta të ndryshme atraktive për depozita dhe kredi. Ndërkaq, fokus i veçantë i është kushtuar bizneseve të vogla dhe të mesme, sektorë këta që krijojnë më së shumti vende të reja të punës dhe janë faktor kyç në zhvillimin ekonomik të vendit.

Drejtori i përgjithshëm i Bankës Ekonomike Valon Lluka tha se gjatë viteve të fundit përkundër reflektimit të pasojave negative nga kriza ekonomike globale edhe në Kosovës, trendet e rritjes së Bankës Ekonomike janë mjaft të kënaqshme si në rritjen e depozitave, kredive, aseteve të bankës dhe numrit të klientëve.“Prioritetet e Bankës Ekonomike për vitet në vijim do të jenë përdorimi efikas i resurseve financiare dhe njerëzore që disponojmë, zgjerimi dhe përforcimi i rrjetit të degëve dhe bankomatëve në mbarë Kosovën si dhe rritja e gamës së produkteve bankare”, theksoi Lluka.


Banka Ekonomike ka të hapur 47 degë në mbarë Kosovën, numri i bankomatëve ka arritur shifrën në 35, ndërkaq ka të punësuar mbi 390 punëtorë. /Telegrafi/