LAJMI I FUNDIT:

Dëshmia e hebreut vlonjat që mori pjesë në rivarrimin e Ismail Qemalit

Dëshmia e hebreut vlonjat që mori pjesë në rivarrimin e Ismail Qemalit

Nga: Aleko Likaj

Gori Sollomon ishte një nga djemtë e rinj vlonjatë, që shërbeu në ceremoninë e rivarrimit të babait të pavarësisë, e ndoshta një nga njerëzit e fundit që e ka parë plakun e Vlorës të shtrirë brenda një hapësire të plumbtë që nga dita kur e vendosën atje lart në Kaninë.


Ka qenë pasditja e 28 nëntorit e vitit 1932, me rastin e përvjetorit të njëzet të pavarësisë që me kërkesën e popullit të Vlorës, qeveria mbretërore vendosi që trupin e Ismail Qemalit ta zhvendoste në Vlorë, në lulishten e qytetit, në një varr monumental të ideuar e të realizuar nga mjeshtri Odhise Paskali.

Aty ku më parë ishte shtëpia ku ai kishte lindur dhe nga ku u shpall pavarësia e Shqipërisë. Kish qenë rinia vlonjate ajo që me një respekt të madh, patos e përkushtim kombëtarë, kishte marrë përsipër ta sillte arkivolin e plumbtë në atë ditë gri vjeshte nëntori, spërkatur me aromë jodi që vinte nga deti, duke e mbajtur për pak çaste mbi shpatullat e njomë në funeralin e tij, në hapësirën e madhe aty në qendër të qytetit të Vlorës, për birin e saj që tashmë nuk i përkiste vetëm atij. E ndezën sheshin. U gjunjëzuan e u betuan.

Aroon Sollomon, një mjek veteriner që ka punuar në ish fermën e Kotës, tregon e na sjell rrëfimin e babait të tij Gorit, sot, nga Beer Sheva në jugun e Mesdheut në Izrael, se si e pa heroin e babain e pavarësisë. Ai ishte pjesë e grupit të të rinjve të qytetit dhe atyre që kishin ardhur nga disa treva të vendit për këtë ceremoni e që e shoqëronin procesionin nën qiellin gri të Vlorës së flamurit. Ai e ka mbajtur mbi supe arkëmortin, përpara se ta zbrisnin Plakun e Vlorës në varrin e ri.

Kishte qenë fillimisht vendimi i vetë drejtuesve dhe organizatorëve të asaj ceremonie në atë nëntor të largët, që kishte marrë në vetvete një vlerë të lartë kombëtare, për ta hapur arkivolin e plumbtë ku ishte shtrirë brenda Qemali që pas vdekjes në një hotel të Peruxhias në Itali. Gjindja e pa dhe bëri homazh në atë moment solemn. Dhe, një prej tyre ishte edhe hebreu që jetonte aty në shesh me komunitetin e tij, por që ishin bërë me kohë pjesë e ngjarjeve të mëdha shqiptare krah vlonjatëve që i pritën e i respektuan si një pjesë e trungut të tyre.

”Trupi ishte ende krejtësisht i paprishur, nga që ishte i balsamosur, dhe i ruante që të gjitha format, i veshur me kostum të errët e të zi. Por, fytyra i kishte marrë një ngjyrë të lehtë e të zezë. Koka ishte vendosur në një jastëk të kuq e mënjanuar pak nga e djathta, ku dukeshin e dalloheshin qartë qimet e mjekrës së bardhë dhe faqes së atij krahu që kishin rënë mbi jastëk. I qetë deri në përjetësi. Kështu e kam fiksuar unë atë çast”, ka rrëfyer ai.

I biri, Arooni, tregon se “këtë histori im atë na e thoshte vazhdimisht si një kujtim i rinisë së tij të largët dhe mua më është fiksuar në kokë, ndoshta që nga adoleshenca ime, kur njeriu fillon e të kuptojë më mirë botën që e rrethon, por edhe në raste festash e me miq të shumtë që vinin e na vizitonin në familje”.

“Ai moment më tepër se sa një kuriozitet e një memorie, duhet ta kishte tronditur së tepërmi babain tim. Dhe, ky pa dyshim është një nga faktorët që ai e sillte shpesh në biseda me ne. Nuk di që këtë fakt ta ketë sjellë njeri tjetër, ndofta ngaqë shumica aty para varrit ishin të vjetër në moshë, politikanë, drejtues të pushtetit lokal, dhe që ikën shpejt nga kjo botë. Por, ky nuk është i vetmi rrëfim për plakun e Vlorës që dëgjoja në familjen time. Ime gjyshe, Eftimia, e bija e Moshon Kantozit, e martuar më vonë me Jakov Sollomonin, gjyshin tim që kishte ikur herët nga Janina ku ka qenë vendosur dikur familja jonë e sollomonëve, për t’i shpëtuar shërbimeve ushtarake turke, na ka rrëfyer vazhdimisht ne fëmijëve të familjes se Ismail Qemali vinte shpesh në shtëpinë tonë për vizitë. Ishin miq me Moshon”, kujton Arooni.

“‘Unë qerasja si zonjë shtëpie, edhe pse në fakt isha shumë e re e vajzë shtëpie, me kafe, gliko e ujë të ftohtë. Këto i pëlqenin shumë komshiut tonë. I shijonte’. Ai banonte aty ku është sot Sheshi i Flamurit, e ne hebrenjtë, kantozët, në rrugicën e ngushtë poshtë varrezave të dëshmorëve ku janë dhe sot. Ishim një pjesë e Vlorës që ne dhe ai e donte aq shumë. Ishte burrë i qetë dhe rrezatonte mirësi’. Kështu e kujtonte ime gjyshe njeriun që shpalli mëvetësinë e Shqipërisë”.

Eftimia, si një vajzë e re dhe e padalur e asaj shtëpie, vinte para tij e gjunjëzohej. ”Kafe si këto që më përgatit ti, rrallë kam pirë kudo që vete”. Mbase i bënte qejfin, por ajo ulte kokën e turpëruar. Pastaj ai zgjaste dy duart dhe ia vendoste mbi kokë. ”Më rrofsh bija e babait. Paç bekimin tim moj bijë”.

“Im gjysh ishte tregtar stofrash dhe kontribuonte vazhdimisht. Madje dha edhe një shumë të majme nga kursimet e familjes për qeverinë e re që u shpall në atë nëntor të vitit 1912”.

Aroon Sollomon tregon se i ati i tij Gori, emrin e vërtetë në dokumente e kishte Ilia, por ngaqë në atë rrugicë ishin dy Ilia të tjerë me mbiemrin etyre, e thërrisnin pastaj me përkëdheli Gori.

“I ati mbante gjithnjë shënime, por që as ai dhe as fëmijët e tjerë nuk i kanë lexuar. Madje, të shkruarat e tij nuk i gjetën edhe kur lëvizën që andej pas vdekjes së babait. Nuk e di se ku kanë përfunduar. Ndofta ranë në duart e sigurimit të shtetit, por që nuk i bëri publik pastaj për shkak se i kishte shkruar një hebre”.

Gori, më pas kur u rrit, vazhdoi shkollën tregtare, ku mësonte e ishte nënës i mirë. Në atë periudhë, ndoshta edhe pak më pas, aty mësonin e ishin bashkënxënës edhe disa nga emrat që u bënë më vonë pjesë e rëndësishme e diktaturës komuniste, si Hysni Kapo, Kadri Hazbiu, Aranit Çela, Vehbi Hoxha, por edhe shkrimtari Petro Marko.

“Atë nuk e kujtuan më, ndonëse njiheshin mirë. E lanë në harresë, por edhe ai, tregon i biri, nuk u kërkoi asnjëherë ndihmë. Nuk u zvarrit. Ishte tip i çuditshëm im atë; nuk donte që t’i rëndonte të tjerët”.

Më pas, dëshmitari i atij çasti historik Gori (Ilia) Sollomon e ngrysi jetën e vet si punonjës e si pjesë e ekipeve të revizorëve, për shkak jo vetëm të eksperiencës në ekonomi, por edhe për ndershmërinë e tij në raport me punën e njerëzit që e rrethonin dhe punonte vazhdimisht me ata.

Gjithsesi, familja hebreje e Sollomonëve, ashtu si edhe familjet e tjera me origjinë izraelite, ishin pjesë e Vlorës e komunitetit të atij qyteti në atë periudhë dhe dëshmitarë të ngjarjeve të mëdha që lindën dhe nisën në atë zonë, e në të gjithë vendin, duke kontribuar fisnikërisht për atdheun e tyre të dytë me para dhe armë, si pjesë e rëndësishme në luftën për liri të shqiptarëve.

Tashmë edhe pse janë larg, kudo që ndodhen në vendin e tyre e në botë, ruajnë në zemra dashurinë për shqiptarët që i mirëpritën në ato vite të vështira.

Në trend Kultura

Më shumë
“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

Kulture
XHUBLETA

XHUBLETA

Poezi
FRIKË

FRIKË

Poezi
Didaktikë historie

Didaktikë historie

Kulture
Vepra poetike Kadare!

Vepra poetike Kadare!

Analiza
Shqipja e kërcënuar!

Shqipja e kërcënuar!

Analiza
Kalo në kategori